Letrat e Nolit me Enverin, si u pranua Shqipëria në OKB

0
34

Janë mbi 30 letra që kleriku shkëmben me ish-diktatorin.

Letërkëmbimi mes Nolit dhe Enverit për anëtarësimin në OKB.

Enveri: Ne kemi dashur dhe dëshirojmë ta forcojmë miqësinë me SHBA-të në baza të shëndosha.

Edhe pse kishte deklaruar se ishte tërhequr nga politika dhe i ishte përkushtuar veprimtarisë kishtare, Fan Noli asnjëherë nuk u shkëput vërtet prej saj. Këtë e shohim në vitet ’45, ’46, ’47, në një këmbim që ai ka me Enver Hoxhën. Nga sa lexojmë, Noli ka qenë një ndërmjetës mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, që Shqipëria të mund të pranohej në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në UNRRA, apo në vendosjen e marrëdhënieve me SHBA-të. Noli i raporton Enver Hoxhës të gjitha veprimet më të fundit në SHBA në lidhje me këto çështje, por edhe të tjera. Dukej qartë që ai ishte një mbështetës i politikës së Hoxhës, por i mëshonte shumë vendosjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Amerikën. Ky letërkëmbim është pjesë e një vepre, që pa dyshim është nga prurjet më interesante në tregun e librit së fundi. Bëhet fjalë për “Letërkëmbimi i Fan Nolit”, një vepër e përgatitur nga studiuesi Nasho Jorgaqi dhe botuar nga shtëpia botuese “Erik”. Janë 544 letra që Fan Noli u ka dërguar personaliteteve të ndryshme, shqiptarë e të huaj, politikanë e klerikë, miq e familjarë, por edhe përgjigjet e tyre, të cilat flasin së tepërmi për personalitetin  e tij. Sipas studiuesit Jorgaqi, për realizimin e kësaj vepre janë dashur shumë vite punë dhe kërkime në arkiva.

Telegram gjeneralkolonel Enver Hoxhës
Dr. Omer Nishani
Shkurt, 1946
Në emër të mbledhjes së përvitshme të kishave Orthodokse shqiptare në Amerikë, të mbajtur më 24 shkurt në Boston, unë dëshiroj t’ju dërgoj përshëndetjet më të përzemërta dhe t’ju shpreh admirimin tonë për punën e shkëlqyer të rindërtimit që po bëni.
Peshkop Fan S. Noli

Telegram Hysni Kapos
21 mars 1946
Hysni Kapo
Legata Shqiptare
Beograd-Jugosllavi
Ju lutem transmetojini kryeministrit Hoxha mesazhin e mëposhtëm: nga bisedimet me zyrtarët e Departamentit të Shtetit kuptoj se pranimi i traktateve të përfunduara nga regjimet e mëparshme është kusht i domosdoshëm për njohjen e qeverisë shqiptare nga Shtetet e Bashkuara. Më besoni, çdo vonesë tani do të paragjykojë më tej rastin tonë në një kohë shumë kritike. Lidhur me diskutimin së afërmi të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në UNO dhe agjitacionin intensiv grek mbi Epirin e Veriut, unë sugjeroj pranim të menjëhershëm të traktateve në fjalë. Kjo do të sjellë automatikisht që njohja nga Amerika të spostojë pengesat për në UNO dhe t’i japë Shteteve të Bashkuara mundësinë të mbrojë më me sukses integritetin territorial të Shqipërisë.
Peshkop Fan Noli

Mesazh Enver Hoxhës
25.3.1946
Misioni diplomatik bullgar ka që nga tetori i kaluar që po funksionon në Uashington, megjithëse qeveria bullgare nuk është njohur zyrtarisht prej SHBA-ve. Në rast se vonohet edhe më njohja e Shqipërisë, sugjeroj të përdorni këtë precedent për të kërkuar viza për një mision të njëllojtë këtu dhe për arsye specifike që të paraqit çështjen shqiptare para UNO-s.
Peshkop Fan Noli

Mesazh Enver Hoxhës
28/III/1946
Në një shënim “New York Herald Tribune” më 23 mars, shkruan se përkundër kërkesës së Shqipërisë të paraqitur nga fqinji i saj jugosllav, i ndihmuar nga Çekosllovakia dhe i shtyrë nga sovjetët, Phlip Noel Baker, ministër Shteti Britanik, kapi rastin në mbledhjen e këshillit të UNRRA-s për të lajmëruar delegacionin sovjetik në këtë mënyrë bruske që Këshilli i Sigurimit nuk do të shqyrtojë një kërkesë të njëllojtë për anëtarësim në UNO, sepse ka punë të tjera me rëndësi dhe probabilisht nuk do të veprojë deri në shtator;
Në lidhje me këtë, pëshpëritet se Anglia do ta tërheqë njohjen e dhënë më parë Shqipërisë.
Peshkop Fan Noli

Mesazh Enver Hoxhës
1.4.1946
Me gjithë kërkesat tona të përsëritura, Komiteti për Marrëdhëniet e Jashtme i Senatit Amerikan votoi për një rezolucion që t’i akordohet Shqipëria e Jugut Greqisë. Ne kemi prirje të besojmë se kjo është e lidhur me refuzimin nga Shqipëria në Atlantik City, përpara Këshillit të UNRRA-s dh në Uashington.

Mesazh Enver Hoxhës
16/IV/1946
Nga bashkëfjalimet me zyrtarë të Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara (UNO) në New York në lidhje për paraqitjen për diskutim të anëtarësisë së Shqipërisë përpara Këshillit të Sigurimit që do të bëhet nga fundi i majit ose më 2 qershor 1946:
Simbas bisedës, pranimi i anëtarësisë do të efektohet në Asamblenë e Përgjithshme nga rekomandimi që do të bëjë Këshilli i Sigurimit. Ky rekomandim do bërë me votë afirmative nga shtatë anëtarë të Këshillit të Sigurimit duke përfshirë pesë anëtarët permanentë; Shtetet e Bashkuara (3/54), Britanin’e Madhe, Bashkimin Sovjetik, Francën dhe Kinën. Një delegacion shqiptar pranë Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara në New York do ta ndihmonte me të tepërt. Lutem bëni viza te ministri i Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe më lajmëroni përfundimet e arritura.
Shtoj me keqardhje se zyrtarë të Departamentit të Shtetit janë në pritje për (4/50) heshtjen tuaj të gjatë në lidhje me çështje midis Shteteve të Bashkuara dhe regjimit të mëparshëm të Shqipërisë. Në disa qarqe heshtja juaj prej shumë muajsh interpretohet si një akt mosbesimi (defiance). Ata ankohen gjithashtu se anëtarë të ndryshëm të misionit amerikan janë ndaluar të lëvizin dhe kjo me fjalë të tjera konsiderohet si kundërshtim.
Në (5/56) lidhje me këtë flitet që si protestë për këto masa misioni diplomatik amerikan që ndodhet në Tiranë do të tërhiqet. Ju sugjeroj përçapje të menjëhershme për të ndrequr situatën dhe për të përmirësuar relatat me Shtetet e Bashkuara, të cilat unë i konsideroj të mira për zgjidhjen e problemeve tuaja ndërkombëtare.
Peshkop Fan Noli

Mesazh Enver Hoxhës
Nga bashkëfjalimi me kryetarin e delegacionit britanik në New York, unë nxjerr se në qoftë se mosmarrëveshjet do të rregullohen dhe relatat diplomatike do të rifillojnë, qeveria britanike do ta përkrahë pranimin e Shqipërisë në UNO. Kini mirësinë të më jepni informata të hollësishme mi këtë gjë.
Peshkop Fan Noli

Telegram Enver Hoxhës
Dy shqiptarë, të quajtur dr. Ali Kuçi dhe Stavro Skëndi, kanë ardhur kohën e fundit në Shtetet e Bashkuara. Lutem na këshilloni mi besimin dhe besnikërinë ndaj këtyre personave. Me të arritur këtu, dr. Ali Kuçi mori lidhje me grupin e gangsterëve të “Shqipërisë së Lirë”. Shqiptarët e këtushëm ankohen për taksa të rënda që janë vënë për të gjitha rrobat e përdorura që dërgohen prej Shteteve të Bashkuara në të afërmit dhe në miqtë e tyre në Shqipëri. Lutem jini në dijeni, se po të jetë kështu, dërgesa e teshave prej këtej do të pakësohet ose do të ndalohet krejtësisht meqenëse asnjeri prej këtej nuk dëshëron të krijojë vështirësira financiare për të afërmit dhe miqtë e tij në Shqipëri. Kjo është një çështje vitale. Kini mirësinë të na informoni mi gjendjen ekzakte. Na telegrafoni me anë të Dielli 30 Huntigton Are Boston.
Peshkop Fan Noli

Mesazh Enver Hoxhës
Kryeministrit Enver Hoxha
Tiranë
Shqipëri
1946
Lutemi më jepni informata të hollësishme mbi dr. Ali Kuçin ish- redaktor i gazetës fashiste “Fascio” e Korçës, i cili mbrijti tash vonë në Boston dhe u caktua si kryeredaktor i gazetës “Liria” me konvencion të ashtuqojturës organizatë të Shqipërisë së Lirë.
Peshkop Fan Noli
Pranë Kishës Orthodhokse Shqiptare
New York City

Mesazh Enver Hoxhës
Kryeministrit Enver Hoxha
1946
Tiranë
Shqipëri
Pata një bisedim me kryetarin vepronjës të delegacionit të Shteteve të Bashkuara, zotin Herschel Johnson, më parë ambasador në Suedi. Pyetjes sime bruske në qoftë se qeveria e Shteteve të Bashkuara do të mbështesë kërkesën shqiptare për anëtarësi në Kombet e Bashkuara ay i dha një përgjigje evazive dhe që nuk të angazhohen. Gjatë zhvillimit të bisedimeve, ay përmendi reputacionin e traktateve nga qeveria juaj, e cila më dha rastin mua të shpjegoj pikëpamjen tuaj në bazë të rezolucionit të dalë nga Kongresi i Përmetit. Në fund unë tërhoqa vërejtjen e tij mbi absurditetin e pretendimeve greke mbi Epirin e Veriut. Unë përfitoj nga ky rast t’ju kujtoj përsëri në qoftë se ju jeni apo jo të përgatitur të merrni në të ardhmen e afërme eshtrat e Faik Konicës me qenë se ay mbahet në qeli këtu, shpenzimet e paguara… Lutemi përgjigjuni mbi këtë pikë para 4 korrikut, kur mblidhet Kuvendi vjetor i Vatrës. Përgjigja e juaj do t’i japë mundësi Kuvendit të vendosë për një rrugë, ose për tjetrën.
Peshkop Fan Noli

Mesazh i Enver Hoxhës
Prill 1946
Zotit Fan Noli
Kam marrë mesazhet dhe i çmoj përsë tepërmi përpjekjet tuaja dhe të gjithë shqiptarëve në Amerikë. Kujdesi dhe dëshira jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë forcimi i marrëdhënieve të mira dhe i miqësisë me të gjithë aleatët e mëdhenj. Me popullin amerikan na lidh një miqësi e vjetër. Ne kemi dashur dhe dëshirojmë ta forcojmë këtë miqësi në baza të shëndosha e të sinqerta. Përpjekjet tona për të marrë kontakt me vëllezërit tanë në Amerikë dhe për t’i bërë të njohur opinionit amerikan luftën heroike të vendit tonë, qëndrimin tonë të patundur për kauzën aleate, na janë refuzuar në mënyra të ndryshme, por, me gjithë pengesat e mëdha që na janë bërë nga ana e funksionarëve amerikanë në Shqipëri, kemi shpresuar se çështja jonë do të zgjidhej në mënyrë të kënaqshme për të dyja vendet. Kondita e njohjes së qeverisë sonë, e vënë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, na ka habitur dhe hidhëruar pse këtë e konsiderojmë, si një mohim të sovranitetit dhe të vetëvendosjes së popullit tonë për të cilat populli shqiptar derdhi kaq gjak. Vendimet e Kongresit të Përmetit, të bazuara në principin e vetëvendosjes, na urdhërojnë prishjen e të gjitha traktateve të konkluduara me shtetet e huaja nga qeveritë e mëparshme antipopullore dhe nënshkrimin e traktateve të reja në interesin e kombit tonë. Kjo është një e drejtë elementare e popullit shqiptar, i shtypur nga regjimet tiranike, që luftoi për të fituar çdo të drejtë dhe çdo liri dhe që do të rrojë indipendent e sovran në gjirin e kombeve të bashkuara dhe do të ecë kryelartë me frymën e re ndërkombëtare. Porsa u përket traktateve që ekzistojnë me Shtetet e Bashkuara, ne kurdoherë kemi qenë dhe jemi të disponuar t’i rishikojmë, t’i shqyrtojmë dhe në frymë miqësore dhe pariteti të nënshkruajmë traktate të reja në interesin e të dy vendeve tona, pasi të njihet qeveria jonë.
Një qëndrim i tillë i drejtë i popullit shqiptar dhe i qeverisë së tij duhet të çmohet jo si obstruksion nga ana jonë, por si një çështje parimi nga më demokratiket. Nga ana tjetër, nga zgjidhja e drejtë e këtij problemi, ne kemi bindjen se do të sigurohet një miqësi dhe marrëdhënie të mira me baza të shëndosha dhe të sinqerta në mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Gjeneralkolonel
Enver Hoxha

Telegram Enver Hoxhës
28 maj 1946
Të tre mesazhet t’uaj që mi dërgoi ministri fuqiplotë Hysni Kapo nga Belgradi më 10 prill, më arritën sot më 28 maj. Për shkak të kësaj vonese, lipsen me urgjencë shpjegime të tjera. Më parë, nëse nga pikëpamja e juaj traktatet e regjimeve të kaluara do të mbeten të pandryshuara. Së dyti, cilët traktate në përgjithësi dhe cilat pika në veçanti i konsideroni ju të papranueshme. Së treti, nëse ia kini shpjeguar pikëpamjen t’uaj mi traktatet dhe pikat qeverisë së Shteteve të Bashkuara me shkrim. Së katërti, në se të tre mesazhet t’uaj janë vetëm për udhëheqjen t’ime, apo munt t’i botoj ose t’ua komunikoj departamenteve ose delegacioneve të interesuar. Ju them me keqardhje se John Nasse dhe gangsterët e tij të të ashtuquajturit Komitet i Shqipërisë së Lirë bëjnë korrespondencë të fshehtë dhe kanë bashkëpunim me reakcionarët dhe me fashistët përtej për përmbysjen e regjimit t’uaj demokratik. Para lufte ata u munduan shumë ta sillnin këtu peshkopin renegat Pandelimon Kotoko dhe ta vinin në krye të Kishës Orthodhokse në Amerikë. Kryetari i delegacionit frances, Alexandre Parodi, hero i famshëm i rezistencës franceze, që shërben tani si president i Këshillit të Sigurimit, tregoi një interes të dukshëm në shpjegimin t’im të hollësishëm mi betejën t’uaj të fortë kundër armikut të përbashkët dhe me reformën agrare që kini bërë pas çlirimit të atdheut. Ay më sugjeroi rregullimin e shpejtë të ndryshimeve tuaja me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, si konditë e domosdoshme për pranimin e Shqipërisë në anëtarësinë e Kombeve të Bashkuara.
Peshkop Fan Noli

Letër e Sejfulla Malëshovës
Tiranë, 27-VIII-45
Hirësi,
Enver Hoxha, unë dhe gjithë qeveria jemi të mendjes se ardhja Juaj në Shqipëri do të ishte një fat i madh për Shqipërinë. Kështu jo vetëm do të kurorëzohej tërë e shkuara juaj patriotike, por vendi ynë do kishte në situatën e sotme, një ndihmë të madhe morale dhe politike.
Jam i sigurt se populli shqiptar, që sot e ka vënë fatin e tij në dorë, do të ju nderojë si duhet dhe do të Ju japë vendin që meritoni.
Për së afërmi, ndofta nga fundi i tetorit, do të kemi zgjedhjet për në Kuvëndin Themelonjës. Do të ishte shumë mirë që të vinit me këtë rast në Shqipëri, qoftë edhe provizorisht.
Sidoqoftë, Ju lutem të më shkruani se ç’mendoni mi ardhjen tuaj në Shqipëri.
Këtë letër po Jua dërgoj me anën e një mikut tim, pse kështu jam i sigurt që do të ju bjerë në dorë. Po të dëshironi të më ktheni përgjigje, Ju lutem ma dërgoni letrën me këtë udhë.
Të gjithë presim me padurim fjalën tuaj!
Të fala, me respekt!
Sejfulla Malëshova

 

// 31 janar 2013

Zbulohet letërkëmbimi i Fan Nolit  me Enver Hoxhën

Botohen 544 letrat nga epistolari 60-vjeçar i Fan S. Nolit

Studiuesi Nasho Jorgaqi zbulon letërkëmbimin mes Nolit dhe Enver Hoxhës.

“Miratojmë bashkëpunimin e ngushtë me Jugosllavinë dhe me udhëheqësin e saj Tito”

Ish-diktatori i kërkon klerikut të kthehet në atdhe në vitin 1945.

Enveri-Nolit: Emri juaj në zgjedhjet e Asamblesë. “Mund të përdorni emrin tim në fushatën elektorale”

“Në jetën e tij, Fan Noli ka shkruar me mijëra letra, kartëpostale, telegrame etj. Sipas sekretares Meri Xhons, “Peshkop Noli ishte një letërshkrues i ndërgjegjshëm. Ai harxhonte kohë dhe energji për letra…”.  Kështu citon në veprën “Letërkëmbimi i Fan Nolit” studiuesi dhe shkrimtari Nasho Jorgaqi. Njohësi më i mirë i një prej figurave më komplekse të historisë dhe letrave shqipe, Fan S. Nolit, Jorgaqi na sjell një tjetër vepër, që hedh dritë mbi këtë personalitet. Është një punë shumëvjeçare qëmtuese, që e çoi në mbledhjen e një “dosjeje” të pasur me letërkëmbimin e Nolit. Në këtë vepër, botuar nga shtëpia botuese “Erik”, janë paraqitur 544 letra që Noli ua ka dërguar dhe ka marrë nga personalitet e njohura të kohës së tij apo edhe të afërmve. Mes tyre gjejmë një koleksion të pasur letërkëmbimesh me Thanas Tashkon, Jani Vruhon, Lef Nosin, Asdrenin, Hil Mosin, por edhe Mbretit Ahmet Zog etj. “Pasqyra më e plotë e letërkëmbimit të pasur e të gjerë të Nolit janë të dhëna që na ofron biblioteka “Fan Noli”, e krijuar më 1970 pranë shkollës së Kryekatedrales Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, ku gjendet edhe fondi i korrespondencës, me 3 mijë letra dërguar Nolit në vitet 1930-1965 dhe rreth 100 kopje letrash të shkruara prej tij. Sipas një dëshmie tjetër, rezulton se fondi i letrave të ardhura arrin në 12 mijë letra”, na informon Jorgaqi. Për mbledhjen e këtyre letrave, ai thotë se janë shfrytëzuar të gjitha burimet e mundshme, në radhë të parë të brendshmet, kryesisht fondet e Arkivit Qendror të Shtetit, por edhe ish-arkivi i PPSH, arkivi i Institutit të Historisë, ai i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, nga muzeumet e vendit etj. Sipas Jorgaqit, pjesa më e madhe e letrave janë kopjuar nga tekstet origjinale, të tjera nga tekstet e botuara, ndërsa disa syresh janë shqipëruar nga anglishtja, frëngjishtja apo gjuha greke. Për t’i qëndruar sa më besnik origjinalit, letrat janë sjellë me drejtshkrimin e kohës kur u shkruan, me ndryshime fare të vogla.

Letrat
Mes 544 letrave të sjella në “Letërkëmbimin e Nolit”, janë edhe rreth 30 syresh që ai i ka dërguar Enver Hoxhës, por edhe krerëve të tjerë komunistë. Siç na bën me dije qëmtonjësi i letrave të Fan Nolit, letërkëmbimi i tij shtrihet në një periudhë kohore afro 60-vjeçare (1906-1965), të cilat jo vetëm hedhin dritë mbi figurën e tij, por edhe mbi momentet historike që po kalonte vendi, në kohën kur ato u shkruan. “Në qoftë se letrat, po të shpreheshim figurativisht, kthehen në pasqyrë të atij që i shkruan, atëherë dhe letërkëmbimi i Nolit është pasqyrë e personalitetit të tij. Një pasqyrë besnike, ku ai zbulon veten në rrafsh diakronik dhe sinkronik, ashtu siç ka qenë në të vërtetë, pa u fshehur dhe pa u zbuluar. Nga këto letra, edhe pse të shpërndara nëpër vite dhe të ndërkallura në tri epoka, s’është e vështirë të hiqet një rezultante e qartë. Rezultantja e natyrës dhe e karakterit të tij, e temperamentit dhe vetive psikologjike, po akoma më shumë ajo e njeriut të mendimit e të veprimit, e fenomenit që ai përfaqëson në botën shqiptare”, thotë Jorgaqi. Dhe në të vërtetë, mes këtyre letërkëmbimesh gjen Nolin antizogist, por edhe Nolin që i shkruan Mbretit Zog për një lidhje pensioni apo ndihmë për të vazhduar studimet për muzikë; gjen hedhje-pritjet me Konicën, por edhe plotësuesin e amanetit të këtij të fundit. Gjejmë një Noli që përkrah Frontin Demokratik në vitin 1945 në Shqipëri, që i mbështet në zgjedhje, madje dhe në politikat e vëllazërisë me Jugosllavinë. Nga letërkëmbimi që ka me Enver Hoxhën, shohim një atdhetar që interesohet për çështjen shqiptare, anëtarësimin e Shqipërisë në OKB, njohjen e shtetit shqiptar. Shohim që Noli ia lejon vetes t’i japë këshilla Enver Hoxhës, sa u përket rrugëve që duhet të ndjekë në punë të diplomacisë, ç’njerëz duhet të dërgojë si ndërmjetës (rasti këtu i letër-ankesës për Tuk Jakovën, të cilin Noli e quan një “barbar” dhe “kërcu të pagdhendur”).

 

Kryeministrit Enver Hoxha
Tiranë, Shqipëri./1945/
Shqiptarët e Shteteve të Bashkuara dhe unë bashkë me ta kemi ndjekur me emocion të thellë luftën tuaj heroike dhe jemi të gëzuar aq sa nuk shprehet me fjalë për sukseset tuaja të shkëlqyera. Ne e ndiejmë veten krenarë për ju, sepse ju jeni i vetmi udhëheqës ushtarak në këtë luftë, i cili ia doli ta çlirojë vendin nga pushtimi i huaj me forcat e veta, pa ndihmën e ndonjë ushtrie çlirimtare mike; ju jeni gjithashtu një nga të paktat qeveri që mund të qëndrojë me këmbët e veta, e pambështetur nga ushtri mike të pushtimit. Për më tepër, ne e miratojmë me gjithë zemër politikën tuaj të bashkëpunimit të ngushtë me Jugosllavinë dhe me udhëheqësin e saj të madh, Mareshallin Tito, nën udhëheqjen frymëzuese të të cilit ne shpresojmë të kemi një Federatë të gjithë popujve të Ballkanit, duke vendosur kështu një paqe të qëndrueshme në gadishullin tonë të shqetësuar.
Ju lutem t’u transmetoni përshëndetjet e mia të përzemërta gjithë kolegëve tuaj që kanë marrë pjesë në kryqëzatën tuaj aq të vështirë e aq me zotësi dhe gjithë popullit shqiptar që qëndroi i patundur e me besnikëri përkrah jush.
Perëndia ju bekoftë të gjithëve.
Peshkopi F.S. Noli

 

Letër e Enver Hoxhës
25 shtator 1945
I nderuar zoti Noli,
Mesazhi i përzemërt që më dërguat, më preku shumë dhe ju faleminderit. Për mua, për shokët e mi të luftës dhe për gjithë popullin shqiptar, fjalët Tuaja shprehin ndjenjat e larta patriotike dhe pasqyrojnë shpirtin demokrat të vëllezërve tanë të dashur të Amerikës dhe tuajat, që keni qenë shpirti dhe mburrja e tyre. Në vuajtjet e popullit tonë, në zjarrin e rreptë për çlirim. Ku hodhëm pa rezerva gjithë forcat tona për kauzën e shenjtë të atdheut dhe të njerëzimit, ne mbanim të pashuar në zemër kujtimin dhe dashurinë për ju, o vëllezërit tanë të Amerikës, që në çdo moment keni luftuar për atdheun tonë të shenjtë dhe të përbashkët.
Populli ynë heroik që dha prova të shkëlqyera në këtë luftë, me besim të madh në forcat e veta, i është përveshur punës për të ndërtuar një të ardhme të lulëzuar. Dhe në përpjekjet tona për t’ia arritur këtij qëllimi do të jemi të gëzuar që Ju, si një luftëtar i palodhur për pavarësinë dhe demokracinë shqiptare, të jeni në gjirin e ngrohtë të popullit tuaj, për t’i dhënë ndihmën tuaj të çmueshme dhe për të kurorëzuar përpjekjet e vlefshme në atdheun ku triumfuan idealet e popullit.
Mua ma do zemra që në zgjedhjet e afërme për Asamblenë Kushtetuese, emri Juaj të figurojë tok me tanët dhe populli shqiptar, lirisht dhe demokratikisht të sanksionojë përpjekjet dhe veprat tona të përbashkëta. Ashtu si kemi qenë kurdoherë të bashkuar me zemër në luftën tonë, ashtu të jemi dhe tani e përgjithmonë për të mirën e popullit tonë të dashur dhe për mbrojtjen e paqes së njerëzimit.
Gjeneral-Kolonel
Enver Hoxha

Letër Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhës
Me kënaqësi të madhe mora mesazhin tuaj të nxetë dhe bujar, si dhe letrën e mikut tim të mirë dhe kolegut tuaj Sejfulla Malëshova.
Kam dëshirë të madhe të jem aty me juve, po sot për sot nuk munt, pse udhëtimet janë të kufizuara, përveç që ka edhe pengesa të tjera… Mundet të ju bëj një vizitë pas Pashkëve, kështu do të takoj përsëri me miqtë e mij të vjetër. Kam shumë arsye që më pengojnë të vë kandidaturën në Shqipëri. Ju siguroj se ju kini përkrahjen time të plotë dhe munt të përdorni emrin tim në fushatën elektorale që populli të votojë për Frontin. Bashkë me këtë, ju lutem të drejtoheni tek unë për çdo gjë që munt të bëj për këtë çështje. Si juve, ashtu dhe kolegëve tuaj ju uroj suksese, sikundër e meritoni, në zgjedhjen për Asamblenë Kushtetonjëse.
Perëndia qoftë me juve.
Peshkop Fan Noli

Letër Kryepeshkopit Kristofor
25.X.1945
Tash që konditat më lejojnë, po ju dërgoj përshëndetjet e zjarrta juve dhe shokëve tuaj anëtarë të Kishës ortodokse Autoqefale të Shqipërisë si dhe mbarë Klerit.
Ju falënderoj shumë për ndihmën tuaj të vlefshme që i kini dhënë Qeverisë Demokratike të Gjeneral Enver Hoxhës. Jemi të bindur që do t’i qëndroni besnikë atij dhe Frontit Demokratik dhe do të ndihmoni që të përforcohet Qeverija, e cila është me popullin dhe punon për popullin.
Peshkop Fan Noli

Mesazh Enver Hoxhës
/27 mars 1946/
Sipas “New York Times”, datë 25 mars, Shqipërisë iu mohua pranimi në UNRRA me 23 vota kundër 6. Disa shtete votuan kundër pse Shqipëria nuk është anëtare e UNO-s. Delegati grek u ngrit kundër pranimit të Shqipërisë, dyke thënë se Shqipëria është akoma në luftë me Greqinë dhe disa delegatë thanë se nuk mund të pranohet një vënt që është akoma në luftë me një nga anëtarët e Kombeve të bashkuara.
Ndihmës-Sekretar i Shtetit Bill Clayton, tha se Amerika është kundër pranimit të Shqipërisë vetëm pse Amerika nuk e ka njohur Shqipërinë nga shkaku se Shqipëria nuk siguron që ka nërment të respektojë traktatet me Amerikën. Ne kemi frikë që kërkesa shqiptare për pranimin në UNO do të ketë po këtë fat veçse po të merret vendim që të fitohet përkrahja e Amerikës dyke i dhënë asaj sadisfaksion të plotë në çështjen e trakteve.
Peshkop Fan Noli

 

Zotit Fan Noli
Prill 1946
Hidhërohemi tepër kur shohim se shtypi amerikan dhe personalitete të larta amerikane mbajnë një qëndrim jo të drejtë dhe armiqësor ndaj Shqipërisë, e cila luftoi me trimëri të rrallë për kauzën e përbashkët. Çështja e të ashtuquajturit Vorio-Epir, e ngritur nga ana e fashistëve grekë, që mbrohet dhe përkrahet nga ana e këtyre personaliteteve, patjetër nuk forcon miqësinë e popullit shqiptar me Shtetet e Bashkuara. Mbrojtja e një teze kaq të marrë nga ana e tyre sjell me vete edhe përgjegjësi ndërkombëtare, pse të mbrosh hajdutët fashistë, që kërkojnë të rrëmbejnë tokën e tjetrit, do të thotë të bëhesh pjesëtar në këtë kusari. Të gjithë duhet të jenë të bindur se me të gërthitura dhe me “vendime” rreth tryezave të gjelbra nuk copëtohet kollaj Shqipëria. Po të cenohen kufijtë e Shqipërisë, ju sigurojmë se ne do t’i mbrojmë deri në njeriun e fundit dhe agresorët fashistë nuk do t’ja arrijnë qëllimit. Kujt ja ka qejfi, mund ta diskutojë “çështjen e Shqipërisë së Jugut”, por duhet të mendojë se në mes të “vendimit” që mund të marrin fashistët grekë e miqtë e tyre dhe zbatimit të këtij “vendimi” ndodhet një kufi në Shqipërinë e Jugut që do të jetë zor të kapërcehet. Ne nuk vëmë në diskutim atdheun tonë, por këtë e mbrojmë kundër çdo agresori. Për këtë, populli shqiptar është i gjithi në këmbë, ashtu siç jeni të gjithë ju vëllezërit tanë të dashur në Amerikë. Populli ynë do të rrojë i lirë në vendin e tij dhe në marrëdhënie të mira me të gjithë. Ne mendojmë dhe jemi të sigurt se dhe ju mendoni si ne, se populli ynë luftoi jo për t’u futur në një robëri tjetër, por për të rrojtur i lirë, për të rrojtur i nderuar, ashtu sikundër ai nderon të tjerët. Ai kërkon t’i respektohen të drejtat e tij, ashtu sikundër respekton të drejtat e tjetrit. Ne jemi të bindur se për mëmëdheun dhe për të mbrojtur të drejtat e tij do të ngrihen edhe vëllezërit tanë në Amerikë, ashtu si kanë bërë kurdoherë. Ne do të fitojmë mbi ata fashistë të rinj që do të kërkojnë të dëmtojnë vendin tonë, pse jemi në të drejtë. Në kohërat më të errëta të luftës, populli shqiptar nuk u tremb dhe ca më pak tani, pse ai ka besim në forcat e veta dhe në të gjithë demokratët e vërtetë të botës.
Gjeneral Kolonel
Enver-Hoxha

Gjeneral Enver Hoxhës
Kryeministrit të Shqipërisë në Tiranë
30 shtator 1946
Zoti kryeministër
Kolloneli Tuk Jakova, në lamtumirën që botoi në “Diellin”, 18 shtator të mbyllur këtu brenda, më hapi luftën me disa aktakuza dhe insinuata të shëmtuara. Nuk mund t’i përgjigjem botërisht tani për tani, se nuk dua të embarasoj guvernën në këtë kohë kritike as tërthorazi, dyke goditur delegatin tuaj. Do të flas pasi të shkonjë kriza. Sa për tani, nuk më mbetet veçse t’ju qahem juve, që na dërguat këtë kërcu të pagdhendur.
Për të nisur, Kolloneli nuk di shqip, as gegërisht as toskërisht, në çdo dialekt që i flisja ay nuk më merrte vesh nga shkaku se është një budalla pa kulturë. Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq sa kur e pashë këtë njeri si përfaqësonjës të Shqipërisë së Re. Me gjithë këtë, posa arriu në New York, i blatova ndihmën time, dijen time dhe eksperiencën time pa kondita, pa rezerva, dhe pa pritur as ndonjë çpërblim, as ndonjë memuriet po ay më shikonte shtrëmbër me mosbesimin instiktiv të barbarit kundrejt njeriut të mësuar. Flas vetëm për Kollonelin, se delegatët e tjerë ishin aq të dominuar prej tij sa ay nuk i përfillte fare.
Në mbledhjen e parë biseduam mi konferencat, që do të bënin nëpër kolonitë shqiptare. Më dolli shpirti gjersa shtruam një program, të cilin pastaj Kolloneli e ndronte dhe e sakatonte, dyke dëgjuar mendjet e atyre që u kishte besim, e çiliminjve që i njihte si vëllezër nga mentaliteti. Konferencat vanë mjaft mirë sa kohë ishte këtu z. Behar Shtylla, por kur ky shkoi në Paris pushuan menjëherë. Duket se Kolloneli nuk i shijonte aspak.
Pas konferencave u hothmë në veprimin diplomatik. E këshillova Kollonelin të kërkonte menjëherë një pjekje nga Sekretari i përgjithshëm, z. Trygve Lie. Ia gatita udhën me anë të profesorit Laugier, një zyrtar të lartë të UNO-së, i cili është ndihmës-sekretar për Punët Shoqërore dhe Ekonomike. Po Kolloneli e shihte me dyshim çdo çap që i këshillonja. Kujtonte se unë i vinja nonjë grackë. Mezi pranoi dhe bëri kabull ta shikonte Profesorin. Ky priti mirë delegatët dhe ua rregulloi pjekjen me Trygve Lie-në. Bashkëfjalimi u zvarris pak minuta me dy dragomanë. Kolloneli fliste shqip, Behari ia kthente frëngjisht, edhe një dragoman i sekretariatit ia kthente Trygve Lie-së anglisht, meqënëse ky nuk dinte as frëngjisht, as shqip. Nga ky muhabet me dy terxhumanë, Kollonli hoqi konkluzjen groteske, që hyrja e Shqipërisë në UNO ishte punë e mbaruar, telegrafoi në Tiranë, dhe e vuri guvernën në gjumë me lajmën e një triumfi imagjinar. Un isha në prakun e derës së tij, gati që t’i shërbenja si dragoman, po nuk më thirri, se nuk më kishte besim. Bëri vetëm një përjashtim kur më mori si përkthenjës në pjesën me delegatin amerikan. Për çudi nuk i kishte besim as Alqit, edhe i vazhdoi bashkëfjalimet me dy dragomanë edhe në disa raste të tjera. Lajmën që Kolloneli e kishte vënë guvernën në gjumë me fjalët e bukura të Trygve Li-së e mësova disa javë pas ngjarjes, se Kolloneli nuk m’i tregonte sekretet diplomatike. I çfaqa dyshimin që fjalët e ëmbla diplomatike nuk duhen marrë si senete, po ay veshin shurdhër. Që në pjekjen e parë e këshillova të shkonte në Uashington dhe të hynte në kontakt me Departamentin e Shtetit dhe me Kryqin e Kuq Amerikan. Nuk më dëgjoi. I la këto vizita kryesore për ditën e funtme të gushtit, dy muaj më vonë.
Kur mori pyetjet nga Komisioni i Anëtarësisë, Kolloneli më bëri favorin të më pranojë si dragoman, dhe kështu e ndihmova në formulimin e përgjigjeve dhe të memorandëve, të cilat më kanë mbajtur pa gjumë disa net. Ditën Kolloneli m’i ndreqte, dyke insistuar jo vetëm në esencën, por dhe në retorikën e kulluar. Kur erdhi çështja e traktateve, e këshillova të pyeste guvernën përpara se të përgjigjej me argumentin e vjetruar të vendimeve të Përmetit, të cilave u kishte shkuar koha, pasi u shtrua projekt teksti i paqes me Italinë prej këshillës së ministrave të Jashtëm në Paris. Koloneli refuzoi t’ju pyeste, pse pretendonte që jua dinte mejtimin. U çudit kur mësoi më vonë që ju e kishit rikonsideruar çështjen dhe i kishit pranuar traktatet multilaterale pa kondita.
Në fund të gushtit Kolloneli shkoi në Uashington dhe kur u kthye, më siguroi se rilidhja e marrëdhënieve midis Kryqit të Kuq Amerikan dhe Kryqit të Kuq Shqiptar ishte punë e mbaruar. Siç u muar vesh pastaj, Kolloneli u bë prapë viktima e naivitetit dhe e padijes së gjuhës. Puna jo vetëm që nuk ishte ndrequr, por ishte prishur fare. Tani Kryqi i Kuq Amerikan, sipas fjalës, i lidhi ndihmat e mbledhura këtu, dhe nuk i la të shkojnë në Shqipëri.
Sa për çështjen e bashkimit, ju lutem të këndoni një komunikatë që botoi Vatra në “Diellin”, më 25 shtator, të mbyllur këtu brenda. Nga kjo do të merrni vesh që “Vatra” ka bërë një propozim për tretjen e plotë të dy organizatave dhe nuk ka marrë ndonjë përgjigjë nga Shqipëria e Lirë. Këtë gjë e di fare mirë Kolloneli, po nuk e përmendi në lamtumirën. Veç kësaj, ky propozim i “Vatrës” është akoma i hapur, dhe negociatat nuk janë prerë. Përse ahere Kolloneli i hapi luftë “Vatrës” edhe mua pa pritur përfundimin e këtyre bisedimeve. Më në funt, rolli i nërmjetarit është t’i pajtonjë të dy anët jo të përkrahë njërën anë dhe t’i dekllaronjë luftën anës tjetër, siç bëri Kolloneli. Tani vinj në konkluzjen: Nga budallallëket e Kollonelit nuk do ta ndryshonj qëndrimin tim përpara Shqipërisë dhe guvernës suaj në theori. Po në praktikë puna ndryshon. Në doni bashkëpunimin tim, duhet të dërgoni nj njeri, i cili të më ketë besim dhe i cili të dijë të paktën shqip që të merremi vesh. Sa për të huajt, duhet të dijë të paktën anglisht, meqënëqë këtej nuk shkon shumë frëngjishtja. Nga ana tjetër nuk duhet të më impononi zevzekë të këtushmë si bashkëpunëtorë, të cilët ju nuk mund t’i njihni.
Dy fjalë për marrëdhëniet me Amerikën, të cilat janë kyçi i problemeve tuaj këtu. U lodha dyke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në parim pa kondita, se fundi i fundit kjo nuk është vetëm një çështje formule pa rëndësi praktike. Pasi të lidhni marrëdhënje diplomatike me Amerikën, ahere çështja e Kryqit të Kuq Amerikan do të zgjidhet vetvetiu me pak durim, dhe vetëm ahere do të hapet udha për të nisur një fushatë serioze.
Një fjalë për të mbaruar. Koloneli kur më hapi luftën, nofta kishte harruar që ishte delegati i Shqipërisë. Po mileti kujtojnë që ay flet në emrin e guvernës. Tani, në qoftë se nuk jeni në një mendje me Kollonelin, duhet ta këshilloni t’i marrë prapë akuzat që më ka bërë. Në mos i marrtë prapë, do të jem i shtrënguar të konkludonj që guverna e aprovon luftën që më deklaroi Kolloneli. Ashtu e do logjika për fat të keq. Dhe ahere bashkëpunimi ynë merr fund në praktikë. Kam shpresë që episodi i Kollonelit është vetëm makthi i një nate të keqe, dhe që kurrë nuk kini patur qëllim t’u bini me shkelmë miqve tuaj.
Mbetem,
Me të fala vëllazërore
Juaji me besë
Peshkop F.S.Noli
30 shtator 1946

 

Nga: ALMA MILE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu