Lëvizja Vetëvendosje hap Qendren ne Shqipëri

0
113

Në datën 11 mars 2019 kemi dorëzuar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dokumentacionin dhe kërkesën për regjistrimin e Qendrës “Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri”.

Anëtarët e Bordit të kësaj organizate, të gjithë nënshtetas të Republikës së Shqipërisë, janë: Enis Sulstarova (Kryetar i Bordit i votuar unanimisht), Liburn Aliu, Hysamedin Feraj, Elvis Hoxha, Dejona Mihali, Sami Kurteshi, Arbër Zaimi dhe Gearda Demiraj.

Drejtor Ekzekutiv i votuar unanimisht nga Bordi është Boiken Abazi.

Themeluesit, të gjithë nënshtetas të Republikës së Shqipërisë janë: Glauk Konjufca, Gearda Demiraj, Dejona Mihali, Enis Sulstarova, Hysamedin Feraj, Elvis Hoxha dhe Boiken Abazi.

Presim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendimin në lidhje me regjistrimin e kësaj Qendre brenda afateve ligjore.

Qëllimi dhe fusha e veprimtarisë së organizatës janë si në vijim:

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri funksionon bazuar mbi parimin e barazisë, të demokracisë, dhe të lirisë së vullnetit e drejtësisë sociale për të rritur vetëdijen dhe angazhimin në lidhje me çështjen kombëtare shqiptare dhe progresin shoqëror në të gjitha dimensionet dhe problematikat e tyre, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Qendra synon të japë mbështetjen për ushtrimin e së drejtës demokratike për vetëvendosje të popullit shqiptar për realizimin e bashkimit të shtetit të pavarur të Kosovës me Shqipërinë, duke u bazuar në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe parimin e vetëvendosjes së popujve të shprehur në Kreun 1 të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Qendra frymëzohet nga vlerat e shprehura të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Republikën e Kosovës dhe nga historia e rezistencës së popullit shqiptar në përpjekjen për liri, ku duhen theksuar Rilindja Kombëtare si dhe luftrat e fundit çlirimtare nën shtetet e ish Jugosllavisë.

Qendra do të punojë në rritjen e vetëdijes se bashkimi kombëtar dhe integrimi i Shqipërisë, dhe më gjerë i shqiptarëve, në strukturat Euro-Atlantike (si Bashkimi Evropian dhe NATO) janë procese që duhen realizuar paralelisht dhe e plotësojnë njëri-tjetrin. Ajo ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe aktivizmit qytetar në Republikën e Shqipërisë mbi problematikat e shqiptarëve që jetojnë në treva autoktone shqiptare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe anasjelltas.
Qendra beson në njeriun si qenie e lirë dhe në realizimin e tij vetëm duke i zhvilluar bashkërisht liritë themelore, politike, qytetare, ekonomike, sociale dhe demokratike, si kolektivitet dhe si individë. Ajo e konsideron me rëndësi vetëbesimin qytetar, autenticitetin e mendimit kundër formave të (neo)kolonizimit të tij, duke i dhënë vlerë realizimit të lirive dhe të drejtave të popujve, të kolektiviteteve e të individëve përsa janë në përputhje me liritë dhe të drejtat burimore, të barabarta dhe universale të njerëzimit.
Qendra vlerëson se modeli neoliberal i aplikuar në ekonomi si dhe mungesa e një ekonomie të bazuar në prodhim, i kanë përqëndruar të mirat materiale, dhe në përgjithësi kapitalin, në duart e një pakice të vogël në Shqipëri dhe në trevat e tjera shqiptare të rajonit, duke krijuar pabarazi të skajshme dhe varfëri për një pjesë të madhe të popullit shqiptar. Prandaj, Qendra beson te parimet e shtetit zhvillimor, dhe synon t’i përhapë vlerat e këtij modeli ekonomik që bazohet në prodhim dhe lufton pabarazinë.

Për realizimin e qëllimeve të saj Qendra e konsideron të rëndësishme veprimin lokal si mbështetja më e mirë për veprimin e tillë rajonal dhe botëror.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri synon ta realizojë qëllimin përmes veprimtarisë në vijim:

Ngritjen e urave të komunikimit dhe projekteve të bashkëpunimit me shoqërinë civile, sferën akademike dhe intelektuale, sindikatat dhe studentët, në Shqipëri, Kosovë e në trevat shqiptare të rajonit të Ballkanit, si dhe me bashkatdhetarët që jetojnë në mërgim.

Bashkëpunimin me organizata shqiptare dhe të huaja që kanë vlera të përbashkëta me Qendrën.

Hartimin e analizave në lidhje me çështjet kombëtare, ekonomike, institucionale, gjeopolitike, arsimore, shëndetësore, sindikaliste, biznesore, mjedisore, të drejtave të grave dhe socio-kulturore që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien shoqërore dhe çështjen kombëtare shqiptare, si dhe organizimin e prezantimeve publike për to.

Përfshirja në veprimtari publike e qytetarëve të profesioneve dhe rajoneve të ndryshme në lidhje me problematikat shumëdimensionale të prodhimit e të krijimit.

Realizimin dhe pjesëmarrjen në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

Organizimin e fushatave publike ndërgjegjësuese në lidhje me qëllimin e Qendrës.

Nxitjen e angazhimit aktiv dhe demokratik qytetar në lidhje me publiken.

Studimi dhe analiza e marrëdhënieve mes dy Republikave shqiptare në lidhje me:

Bashkëpunimin institucional në zbatimin e marrëveshjeve ndërqeveritare.

Marrëdhëniet tregtare, bashkë me avokimin për eliminimin e barrierave që pengojnë krijimin e një tregu të përbashkët dhe unionin doganor Shqipëri–Kosovë.

Avokimi për një sistem të përbashkët energjetik Shqipëri–Kosovë.

Paraqitjen e propozimeve për marrëveshje të reja Shqipëri–Kosovë.

Avokimi për një politikë të jashtme të përbashkët dhe për një politikë e strategji të përbashkët Shqipëri-Kosovë të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.

Avokimin për bashkimin e institucioneve qendrore kulturore dhe të trashëgimisë kulturore, arsimore, shkencore, si dhe të ligave të ndryshme të sportit në nivel profesionist në Shqipëri dhe Kosovë.

Avokimi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në trevat e tyre autoktone në Ballkan.

Monitorimin, analizimin dhe paraqitjen e alternativave në lidhje me marrëveshjet rajonale, e më gjerë, që ndikojnë drejtpërdrejt në çështjet publike e kombëtare.

Analiza e mediave dhe opinionit publik në Republikën e Shqipërisë, dhe trevat e tjera shqiptare të rajonit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu