Libër për librat

0
134

Maksim Gjinaj filloi punë në Bibliotekën Kombëtare në kohën kur ideohej Bibliografia e Librit Shqip. Sot ai e sheh të realizuar: gjithë informacioni që orienton përdoruesin në historinë e vërtetë të librit shqip

A ka studim pa bibliografi? pyeste një test për studentët e diplomës së nivelit të dytë në Fakultetin e Historisë e Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Pyetja është tipike e mënyrës dembele dhe joshkencore të kontrollit të dijeve në shkollat tona, dhe do ishte njëlloj sikur të dyshohej:

A ka njeri pa vetëdije?

Sa për bibliografinë, pyetja a kemi një libër i cili në një kuptim të përfshijë të gjithë librat në shqipe që nga fillimet e deri në bashkëkohësi, nga dje ka marrë një përgjigje.

Ekzistojnë: “Libri shqip. Bibliografi 1555-1912” i hartuar nën drejtimin e Ramazan Vozgës; “Bibliografia e librit shqip 1913-1944″ i hartuar nën drejtimin e Maksim Gjinajt, Margarita Meles dhe Myrvete Elmazit, të dy mbi bazën e botimeve që gjenden që gjenden në fondin e librit shqip të BK.

Librat për librat, dhe është fjala për këto dy botime që përbëjnë ngjarje historike, siç shkuan në parathënien e njërit prej, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, ” janë të kushtueshëm nga pikëpamja e investimit intelektual, shkencor dhe kohor, po edhe financiar”. Ai e quan fatlum për kulturën shqiptare faktin që “pjesa zotëruese e botimeve shqip, prej Buzukut unikal – të riprodhuar nga At Justin Rrota – dhe deri te ne, janë mbledhur dhe ruajtur në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare, koleksione unikale të librit shqip…

Është një informacion që i qas përdoruesit tek ai realitet i veshur me vagullti shekullore, që është historia e librit shqip që prej qysh nga botimet më të hershme të tij, në Romë a Venedik.” Falë këtyre koleksioneve u kryen dy bibliografitë. Si u krye ky proces, këtë na e shpjegoi pak vonë specialisti dhe shefi i Bibliografisë në Bibliotekën Kombëtare, Maksim Gjinaj.

Maksi, është ndër organizatorët kryesorë të ideimit të korpusit bibliografik që në fund të viteve ’80, kur është hedhur ideja, është pjekur mendimi, është aprovuar në Këshillin Shkencor të Bibliotekës Kombëtare. Dhe është bërë realizimi.

Nga kjo histori e librit për librat doli edhe “Naim Frashëri: një aventurë editoriale 1882-1912” e pasur në imazhe të hershme, të më të voglit të vëllezërve Frashëri dhe botës me të cilën nga një cep i perandorisë në tjetrin, e lidhte libri shqip, përkthimi në shqipe si i Omirit (Homerit), në një gjuhë që përpëlitej të lindej e tëra.

Maksi, jeni ndër hartuesit kryesorë të bibliografive. Na tregoni ju lutem, si nisi kjo punë?

Menjëherë nga fundi i viteve tetëdhjetë është bërë ideimi i korpusit bibliografik, është pjekur mendimi, është aprovuar në Këshillin Shkencor të Bibliotekës Kombëtare dhe ka filluar vjelja. Kështu quhet procesi, i vjeljes, domethënë zbërthimi i çdo libri në parametra bibliografik. Kështu është bërë realizimi.

Sonte u përmend më shumë se një herë se sa mirë që s’është kryer kjo punë ato vite, kur çdo produkt kërkimor dhe intelektual do duhej futur në shina ideologjike.

Fillimisht, a iu diktua kjo edhe ideimit të bibliografisë?

Jo, përkundrazi. Bibliografia pa ato personalitete s’do ekzistonte fare. Është fjala për të gjithë krijimtarinë e Mit’hat Frashërit, e të tjerëve figura, pjesë e kulturës shqiptare, por e anatemuar. Në qoftë se do mohojmë këtë atëherë do mohonim shumë gjëra.

Bibliografia ka një detyrë që e jep informacionin pa koment. Bibliografia e kësaj natyre duke qenë bibliografi kombëtare është e tipit deskriptiv, përshkrues. Që do të thotë, jep të dhënat kryesore, autor, titull, vend, vit botimi, shtëpi botuese, numër faqesh, të dhëna teknike, klasifikon përmbajtjen edhe përgatit indekset e ndryshme, të cilat ndihmojnë për gjetjen e autorëve, e personave për të cilët është shkruar totalisht në libër, vendet, gjetjen e klasifikimeve që përfaqësojnë brendinë. Këto bibliografi kanë edhe një gjë shumë të bukur që ruajnë trashëgiminë duke u futur edhe në intimitete.

Çfarë intimitetesh janë?

Autografë të autorëve që dhurojnë libra, të lexuesve për një komunikim mes tyre. Për shembull, po të marrim “Lahutën e Malcisë”, Fishta ia drejton një diplomati shqiptar që ishte njëkohësisht mik i Fishtës. Mbi 2 faqe të bardha të hyrjes së librit ai ka një letër të plotë me dorën e vet, të cilit ia shkruan personit të cilit i dhuron edhe librin e vet.

Gjejmë edhe fakte të tilla që ka vula, ka materiale ex libris, ka vula shoqërish, klubesh, familjesh, shkollash, bibliotekash të ndryshme. Po kështu edhe te autografet, është Noli, Konica, Mit’hat Frashëri me shumë autografe.

Sa zëra kanë bibliografitë?

Për këtë vepër ka punuar një staf i cili është marrë me të gjitha llojet e bibliografive që ishin të detyrueshme të bëheshin, veçanërisht bibliografia korrente është ajo kryesorja, bibliografia e sotme, e periodikut, e librit.

Një fat i mirë që u zgjat kjo bibliografi është edhe ai që ne sivjet botojmë vëllimin e fundit të bibliografisë retrospektive të shtypit shqiptar që nga periudha e pavarësisë. Me këtë mbyllet një cikël. Dua të them që këto bibliografi kanë ndihmuar për gjetjen e shumë elementeve që sqarojnë, sigurojnë informacion për vetë botimin e librit.

Vëllimi i parë ka mbi 500 zëra, ndërsa vëllimi i dytë 3850 tituj, janë gjendje në Bibliotekën Kombëtare. Ne nuk e kemi nxjerrë asnjë titull që nuk e kemi parë me sytë tanë. Ideja është se mund të ketë, dhe ka mungesa ka, por kjo bibliografi do të shtyjë edhe të gjithë ata dashamirës të librit të cilët posedojnë libra që nuk janë të pranishëm këtu të kontribuojnë në dhurimet.

Sa vetë kanë punuar?

Katër vetë janë autorët kryesorë. Ramazan Vozga për vëllimin e parë, te i dyti jam unë edhe dy kolege që kanë dalë në pension Margarita Mele dhe Myrvete Elmazi. Zonja shumë të nderua që i gjeta këtu edhe më lanë.


Kur zutë punë në BK?

Më 1988.

Si dëshmitar që jeni, në këto vite çfarë e ka rritur BK, çfarë e ka lënë në vend, apo ka ecur me ritëm të ngadaltë?

Shiko, jeta ime ka ecur dhe përtej këtyre gjërave që ka Biblioteka. Unë e shoh bibliografinë si poezi. Por dua të them një diçka. Ne në pikëpamje profesionale nuk jemi poshtë bibliotekave simotra, kombëtare. Në pikëpamje të teknologjisë dhe të mundësive materiale….

Sonte kryeministri premtoi një hapësirë të re…
Premtoi ndërtesë të re.

Për ku bëhet fjalë?

Nuk e di. Por duhet të them se problemi i hapësirës për BK është një problem i pranishëm.

Ekspozita që shohim këtu nga çfarë fondesh ka dalë?

Është ekspozita e disa librave që janë të pranishëm në bibliografinë e parë. Lexuesi është i njohur me Naim Frashërin por kur i sheh të gjitha së bashku librat e tij, krijon një përfytyrim të ri. I sheh të ilustruar dhe me të gjithë këta që ishin të pranishëm jo thjesht vetëm në jetën e Naim Frashërit, por janë pikërisht ata që bënë të mundur të botohej Naimi, veçanërisht në vitet 1882, kur ai fillon me poezitë e shkruara në gjuhët arabe, persiane, deri më 1912, kupton që Naimi nuk eci vetëm.

Këtu gjeni të ekspozuar fotot e disa shoqërive: fillojmë me Shoqërinë e Stambollit, Bashkimit, pastaj kalojmë te Shoqëria Dëshirë në Sofje, Dituria në Bukuresht, të cilat kishin në programin e tyre botimin e librit shqip dhe mbi të gjitha korifeun e atij libri, Naim Frashëri. Janë rreth 25-26 tituj.

Po ky portret?

I marrë nga librat e Naimit dhe thotë: ati i vjershëtorëve ish Omiri. Duam të tregojmë që Biblioteka Kombëtare jo vetëm e ruan librin por edhe përpiqet ta mirëmbajë, e mikrofilmon, për të krijuar mundësi më speciale pune, po njëkohësisht edhe e restauron. Ne përpiqemi t’i zgjasim jetën.

U dhanë disa medaljone mirënjohje. Juve ju erdhi ndërmend dikush që nuk duhej harruar?

Në këtë bibliografi e gjejnë veten të gjithë punonjësit e Bibliotekës Kombëtare që me themelimin e saj. E them këtë sepse ne nuk mund ta përfundonim këtë vepër pa ata që e siguruan librin, pa ata që e ruajtën librin, që e restauruan, që e shërbyen, që e vunë në dispozicion të shtypit, shtypi në dispozicion të librit, libri në dispozicion të autorëve, pa ata që e klasifikuan përmbajtjen e librit, formuan një rrjetë shumë të gjerë skedarësh dhe nuk do të kishim mundësitë komode që të krijonim sistemin e informacionit manual që ekziston në Bibliotekën Kombëtare. Dhe këtë e kanë krijuar të tjerët.

Ne na mbetet vetëm t’i falënderojmë. Këtu e gjen veten edhe sektori i fondit, bile i kemi lodhur sepse kemi parë çdo kopje, të gjithë ekzemplarët i kemi kaluar në dorë disa herë.
Të gjithë punonjësit e gjejnë vetën, që nga Sotir Kolea që ka qenë një nga drejtorët më të njohur të Bibliotekës Kombëtare.

Po të shohësh historinë e BKSH, që në atë kohë kur sapo po hidhte hapat e para Biblioteka Kombëtare, këtu tek muri kemi një shpallje nga Mati Logoreci që ishte inspektor: Po krijohet Biblioteka Kombëtare. Jepni kopje për Bibliotekën. Megjithëse nuk ekzistonte ligji i kopjes së detyruar, por ekzistonte një marrëveshje mes njerëzve.

Dhurimi i librave ka qenë një praktikë që duhet të rifillojë: ambasadat dhuronin libra herë pas here, Pallati Mbretëror, Ministria e Jashtme, albanologë. Në fondet e BK janë mbi 80 tituj që i dhuroi Wiegandi, albanolog i njohur, e kështu me radhë. Edhe ata janë për ta marrë atë simbol mirënjohjeje.

Kurse sot ka akoma shtëpi botuese që nuk japin libra. Gjithnjë e më tepër minimizohet numri i librave që hyjnë në Bibliotekën Kombëtare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu