Liber persiatjesh për Komunitetin Shqiptar në Emigracion

0
396

 Driton M. Kajtazi, Dera (ese), Prishtinë, 2010, f. 91.

Pasi kam lexuar vëllimin me ese “Dera” të studiuesit dhe shkrimtarit Driton K. Kajtazi, çështja e parë me të cilën jam ndeshur ka qenë mënyra e paraqitjes së tij në një akt përurues si ky.

Ta bëj këtë përmes përshkrimit të lëndës së veprës, ta zgjeroj narracionin e tij, të bëjë një persiatje mbështetur në temat që ka hapur dhe motivet mbi të cilat e ka ngritur tekstin, ta zgjeroj monologun e tij në dialog, dhe ironinë në protestë, apo të ngre parametra krejt të tjerë nisur nga metodat e kërkimit të tij në jetën e më shumë se të një shoqërie. Prandaj, nëse ky tekst nuk do të kushtëzohej prej arsyes përuruese më parë se sa prej leximit personal, më parë se sa vlerësues do të ishte persiatës.

Vëllimi me ese “Dera” hapet me një tekst sa prezantues aq edhe vëzhgues për “Fjalorin e gjuhës shqipe” të Mehmet Elezit. Fjala është për një vepër e cila ka hapur diskutim të gjithanshëm mes gjuhëtarësh e publicistësh për përmasën e rëndësisë së saj në leksikografinë shqiptare. Fjala është për një vepër gjithësesi të rëndësishme të gjuhësisë shqiptare, për të cilën gjithashtu ka pasur shumë zhurmë individësh dhe më shumë heshtje institucionale. Komentues të shumtë këtë Fjalor shumë herë e kanë identifikuar si një vepër të fjalësit të përjashtuar të shqipes, e në anën tjetër si një vepër të ekzagjeruar dhe madje të kompiluar të Fjalorëve të veprave letrare të autorëve të veriut, të cilët ende gjenden në dorëshkrim. Eseisti ynë nuk meret as me të parët, sepse të kuptosh që asnjë standard nuk përjashton leksikun e një gjuhe nuk është e domosdoshme të jesh linguist, as me të dytët, sepse përmasa e kompetencës albanologjike nuk ia lejon të merret me diskutimin e trashëgimisë albanologjike. Kjo është arsyeja pse në esenë e tij për këtë vepër autori ia arrin ta gjejë vendin e kësaj vepreje: pra, në fjalësin e përgjithshëm të shqipes, ku e kanë vendin të gjithë fjalorët e shqipes, pavarësisht bazës krahinore dhe dialektore të tyre.

Në vazhdim autori ynë merret me trajtimin e një teme për të cilën në shoqërinë shqiptare është biseduar dhe është shkruar shumë, por asnjëherë në mënyrën se si e ka shtruar z. Kajtazi. Duke shkruar për problemin e mësimit të besimit fetar në Zvicër dhe modelitetet e diskutimit të tij në hapësirën shkollore, Driton Kajtazi shtrinë diskutimin e tij në hapësirën shqiptare, jo për ta rivënë në dukje paqen tonë brendafetare, po për ta theksuar këtë në një nivel të përfshirjes eventuale të besimit fetar në shkollat publike dhe private të Kosovës, si dhe hapësirës shqiptare në përgjithësi. Nuk e di a është e nevoshjshme të thuhet se me këtë ese Driton Kajtazi në mënyrën më të mirë vë parametrat e një kapitulli të ri, nëse jo në mësimin fetar, atëherë së paku në lëndën e qytetërimit shqiptar që ligjërohet në shkollat tona.

Emigracioni dhe përmbajtja materiale e shpirërore e marrëdhënieve me atdheun, janë një prej temave të cilat Driton Kajtazi i ka përvijuar me lehtësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me lexuesin. E parë me sytë e intelektuialit të angazhuar në jetën qytetarit të një vendi të huaj, autori ngre probleme të brendshme  të tyre, sheshon edhe elemente të tjera përmbajtësore, historike, gjuhësore dhe kulturore, pra materiale e shpirtërore, që lidhen nyjtaz me ruajtjen e identitetit kombëtar të popujve të emigruar të Europës në përkim edhe me shqiptarët. Fjala është gjithmonë për shkollën, njërën prej shtyllave themelore të mbajtjes gjallë të identitetit kombëtar, si dhe komunikimin gjuhësor brendafamiljar të familjes shqiptare në Zvicër, përkatësisht në emigracion.

Një temë po aq interesante dhe e hapur në përsiatjet e Driton Kajtazit është mburrja shqiptare: për të mos thënë psikologjia e të qenit i rëndësishëm në këtë botë, do të thoshim nga rikthimi i të ashtuquajturës tezë romantike për prejardhjen e shqiptarëve nga pellazgët deri te teza rrahagjokëse për prejardhjen e shqiptarëve në këtë troje 300 vjet para dreqit. Në këtë rrjedhë zë vend edhe ideja e pranimit të pavarësisë së Kosovës nga Europa, përkatësisht Zvicra si kusht për të qenë “e pakërcënuar nga invadimi i emigracionit të ri” shqiptar. Një donkishotizëm i vërtetë apo jo do të thoshte një ballkanas, lexues i vonuar i letërsisë europiane. Mirëpo mjeshtri ynë e tejkalon këtë ironi me një qasje tjetër në diskursin e komunikimit tonë të përditshëm ligjërimor, e cila i lë vend ironisë së lehtë dhe pavrazhdësi të leksikut tashmë të përtypur në hapësirën e publicistikës shqiptare.

Mbi këto parime të komunikimit dhe mbi këto kritere të zgjedhjes së temave e motiveve shqiptare në emigracionin shqiptar, por të ndërlidhur kurdoherë edhe me hapësirën shqiptare, veçmas të Kosovës, shkrimtari dhe eseisti Driton M. Kajtazi ka përmbledhur një cikël esesh të realizuara me kompetencë dhe me shije.

Dhe, pse të mos konstatojmë kështu!

Vëllimin me ese “Dera” e ka shkruar shkrimtari dhe studiuesi, i cili më parë se sa të përgjigjet në tema të hapura, ai e shton numrin e pyetjeve dhe të dilemave, më parë se sa të përmbyll çështjet hap tema të reja. E zgjerimi i temave dhe plotësimi i pyetjeve njëkohësisht zgjeron horizontin e kërkimit, përplotëson kahet e narracionit dhe zgjon kurreshtjen e persiatjet intelektuale. Në këtë rrjedhë do parë edhe kodin e komunikimit në rrafshin leksikor, semantik, sintaksor dhe madje interpunksional. Të mësuar me komunikimin e shoqërisë së sotme shqiptare ku gjuha e pazënë në njërën anë dhe gjuha militare në anën tjetër mbajnë peng një varg temash në jetën tonë sociale, kulturore, ekonomike, politike dhe të perspektives kombëtare, nuk kemi se si të mos theksojmë se stili i teksteve të Driton Kajtazit, sjell një frymë paqeje në diskursin e letrave të sotme shqipe.

(Tekst i lexuar në përurimin e librit nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës për emigracionin, më 24.10.2010)

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu