Lidhjet diplomatike 100 vjeçare Shqipëri – SHBA – Angli – Kosovë Në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë

0
200

Marrëdhëniet Diplomatike të fisit Babamusta mes Shqipëri-Sh.B.A.-Angli-Kosovë e kanë pikënisjen që nga luftërat pushtuese, ku shteti shqiptar luftonte për pavarësi. Në këtë lidhje miqësie 100 vjeçare familja e z. Neki Babamusta ka rivendosur dhe forcuar lidhjet diplomatike shumëpalëshe për demokratizimin e Shqipërisë, avancimin e historisë dhe kulturës shqiptare, zgjidhjen e çështjes së Kosovës me një politikë proamerikane dhe proangleze për të konfirmuar pavarësinë e Kosovës.

Luftrat Ballkanike kërcënim për egzistencën e Shqipërisë

Me fillimin e luftës ballkanike (tetor 1912) Shqipëria rrezikonte kufinjtë dhe veçanërisht aneksimin e qytetit të Shkodrës nga sulmet e trupave malazezo-serbe. Z. Beqir Babamusta (babai i z. Neki Babamusta) dhe dy kushërinjtë e tij, për të mbrojtur territorin shqiptar, inkuadrohen në batalionin e Kavajës dhe marrin pjesë në Luftën e Shkodrës në tetor 1912 (ku ranë dëshmorë mbi 100 kavajas). Kur shteti shqiptar akoma nuk kishte shpallur pavarësinë, familja Babamusta pret patriotin e madh z. Ismail Qemalin në shtëpinë e baballarëve të tyre në Kavajë dhe i përcjellin me luftëtarë për në Vlorë me komandant çete Bajram Xhanin. Çeta përcjellëse e Kavajës bashkëpunoi me çetën kryengritëse të patriotit Ramazan Cani, nga Peqini.

Populli i Kavajës e përcolli patriotin e madh Ismail Qemalin me këtë urim:
“Udhë e mbarë o mjekërrbardhë,
t’u bëftë rruga sermë e arë!”
Kur të shkosh, dalç faqebardhë!”

Populli i Vlorës i këndon ndër dollira:
“Kush e suallë Ismail Qemalë,
Bajram Xhani nga Kavaja,
ai Bajram, zemërluani.”

Fisi Babamusta i dha patriotit Ismail Qemali shoqërues, nipin e tyre Qazim Merhorin, kuaj, ushqime dhe një shumë të madhe të hollash. Fisi Babamusta i inkuadroi veprimet me fisin patriotik të Must Carës. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në nëntor 1912, nën qeverisjen e patriotit Ismail Qemali, familja Babamusta i bën thirrje patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë për bashkim kombëtar gjatë kohës kur Shqipëria u copëtua në katër vilajete.

Kongresi i Lushnjës vendosi formimin e qeverisë me Hasan Prishtinën me 19 janar 1920. Shqipëria kërcënohej nga pushtimi i Italisë. Kongresi i Lushnjes stabilizion forcat kryengritëse në luftën heroike të Vlorës. Në një shkrim mbështetur nga pjesmarrësi i luftës së Vlorës, z. Rexhep Begjymi dhe të tjerë, Neki Babamusta pasqyron luftën e Vlorës. Kavaja në veçanti dërgoi një batalion luftëtarësh me afro 500 pjesmarrës, me komandant oficerin patriot, Adem Riza Beratin. (Neki Babamusta, “Lufta Heroike e Vlorës”, 29 dhjetor 2011).
Lidhjet Diplomatike Shqipëri –Angli: Kontributi anglez për mbrojtjen e Pavarësisë së Shqipërisë

Gjatë fazave të Rilindjes Shqiptare dhe lëvizjes kombëtare, fisi Babamusta ka dhënë ndihmesën në platformën politike të Rilindjes dhe forcimin e shtetit shqiptar. Me fillimin e Luftës Nacional-Çlirimtare kundër revolucionit jugosllav, gjatë Luftës së Dytë Botërore  (1943-45) familja Babamusta ka dhënë ndihmesë në krijmimin e rezistencës në Shqipëri dhe u lidh me forcat angleze. Ky do të ishte fillimi i një rruge të gjatë të marrëdhënieve tre palëshe Shqipëri-Angli-Sh.B.A. Z. Qemal Babamusta (vëllai i z. Neki) me armë në krah lufton nëpër male me partizanët shqiptarë përkrah kushëririt të tij Mehmet Babamusta (Dëshmor) dhe Mustafa Gjinishit (djalit të tezes së Mehmetit). Mustafa Gjinishi ishte figura kryesore ndërlidhëse me oficerët anglezë pranë Shtabit të Përgjithshëm, në Pezë (vrarë nga diktatura).   

Ndërsa në luftën e Pezës, gjyshi i znj. Suzana Babamusta (gruaja e z. Neki), Ramazan Cani (Mësues i Populli dhe Hero Popullor) formoi çetën luftarake kundër pushtuesve serb dhe feudalëve vendas kundër sundimtarit Shefqet Verlaci. Ramazani ishte krahu i armatosur i patriot Aqif Pashë Elbasani, njeri i afërt me vëllezërit Myslim dhe Shyqyri Peza dhe mik i ngushtë i Bajram Currit. Me çetën e tij Ramazan Cani luftoi pushtuesit serb në krahinën e Shkumbinit. Egzekutoi kandidatin për mbret në qeverinë tradhtare të  Durrësit, Kadri Beun. Ramazan Cani gjithashtu mori pjesë në punimet e Kongresit të Lushnjes (janar 1920) duke siguruar mbarëvajtjen e punimeve të kongresit me çetën e tij. Ramazan Cani hapi dhe shumë shkolla shqipe në krahinën e Elbasanit. Kur atdhetari Avni Rustemi vrau tradhtarin Esat Pashë Toptanin, patrioti Ramazan Cani e priti Avni Rustemin në Durrës dhe e strehoi duke i shpëtuar jetën. Këto ngjarje janë dokumentuar tek Arkivi i Shtetit, Gazeta Shkumbini, libri i patriotit Myslim Peza dhe në këngë popullore të Malësisë, Peqinit dhe Elbasanit, që i kushtohen këtij luftëtari të madh. Në 1922, shërbëtorët e Verlacit e vranë Ramazan Canin në pusi, bashkë me të atin e tij, Mustafa Canin. Vrasësit të Ramazan Canit ia mori hakun patrioti Myslim Peza.

I biri i Ramazan Canit, Kastriot Cani (babai i Suzana Babamustës) u inkuadrua në çetën partizane pranë Mustafa Gjinishit me pseudonimin ‘Furtuna’ (1943-45).

Vendosjet e marrëdhënieve Shqipëri – Sh.B.A. dhe forcimi me Anglinë

Me ardhjen e diktaturës në vend, familja Babamusta dhe Cani lidhet me SH.B.A.-në dhe forcojnë lidhjen me Anglinë nëpërmjet organizatës antikomuniste “Fronti i Rezistencës” me kryetar Hamdi Frashërin dhe nënkryetar Dill Canin (1944-46). Për 50 vjet këtyre dy fiseve i mohohen të drejtat, torturohen, persekutohen dhe vriten duke lënë dëshmorë dhe heronj si dhe i sekuestrohen pasuritë.

Në këtë kohë, si masë internimi, Neki Babamusta dërgohet si mësues në fshatin Gjysylkonjaj, pranë Pezës. Në maj 1954 Neki Babamusta eviton një gjakëderdhje politike mes dy fiseve më të mëdha të fshatit Gjysylkonaj. Z. Neki futet në mes të luftëtarëve duke pranuar të vritej vetë dhe iu drejtua të dy grupeve kundërshtare duke u thënë: “Para se të vriteni vlla me vlla, qëlloni mbi mua.”

Në vitet 1948-56 me ndihmën e Shteteve të Bashkuara u formua komiteti ‘Shqipëria e Lirë’ për të bërë të mundur rrëzimin e komunizmit. Për këtë qëllim i shërbeu edhe hapja e emisionit ‘Zëri i Amerikës’ i cili transmetoi për herë të parë në gjuhën shqipe në vitin 1943 në Uashington. Që nga vitet 1980 nëpërmjet këtij programi, atdhetari z. Ilez Biberaj sensibilizoi shqiptarët kudo që jetonin dhe forcoi lidhjet Shqipëri-Amerikë-Ballkan. Z. Biberaj bëri të njohur nëpër botë lëvizjet e para të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1981 kundër pushtuesve serb.

Në nëntor 1964 Neki Babamusta refuzoi t’i shërbente sigurimit të shtetit në zbulimin spiunazh diplomatik. Refuzimi pat pasoja të rënda duke u shtruar në spital në Elbasan.

Në maj 1968 me maturi dhe gjakftohtësi Neki Babamusta nuk pranoi kërkesën e organeve të sigurimit për kurthin për internim dhe burgim, ngritur fisit patriotik Ruzhdi Ndreu nga Dibra (nipat e Elez Isufit, luftëtar i madh kundër serbëve). Preteksti i kurthit – vëllezërit Ndreu kishin një vëlla të arratisur në Francë. Plani ishte që kjo ngjarje do të organizohej nga sigurimi i shtetit në gjimnazin e Kavajës, në kabinetin e Fizikës. Nekiu lajmëroi Ruzhdiun duke i kërkuar besë që ai të vepronte në fshehtësi për të gjetur shpëtim. Mbledhja e sigurimit u bë me kolektivin që zgjati 8 orë në gjimnazin e Kavajës. Por kurthi ndaj Ruzhdi Ndreut dhe vëllezërve të tij dështoi. Dora kryesore për shpëtimin e Ruzhdiut ishte Iliaz Reka, mik i fisit Ndreu dhe sekretar i parë i Komitetit të Partisë, të rrethit të Durrësit. Iliaz Reka ishte kundra ashpërsimit të luftës së klasave, për të cilët pati dhe pasoja nga komiteti qendror i PPSh-së, i cili tashmë ka ndërruar jetë. Në këtë ngjarje tragjike kolektivi u çorientua. Në mënyrë të fshehur Nekiun e mbështetën dhe dy kolegë të tij, të persekutuar, Naim Bardhi dhe Hyqmet Patozi.

Diktatura komuniste vendosi perden e hekurt duke ndarë Shqipërinë nga perëndimi në izolim total. Me fillimin e proceseve demokratike në Shqipëri, familja Babamusta rivendos lidhjet Shqipëri-Amerikë me vizitën e ambasadorit të parë Amerikan, William Rajerson me 15 mars të vitit 1991, i cili mban mitingun tek Poliklinika e qytetit të Kavajës. Vajza e madhe e Nekiut i uroi mirëseardhjen Ambasadorit Rajerson dhe gruas se tij. Në emër të rinisë demokratike ajo i dhuron historikun e Shkollës Amerikane, në Golem të Kavajës.   

Marrëdhëniet shiptaro-angleze do ta shënonin kulmin e tyre me vizitën dhe takimin privat të ambasadorit anglez, shoqëruar nga gruaja e tij me familjen e z. Neki Babamusta me 11 prill 2003 në Kavajë. Ambasadori falenderoi familjen Babamusta për shërbimin, rolin në lidhjet diplomatike Shqipëri-Angli dhe avancimin e demokracisë dhe historisë shqiptare.  Në vitin 2008 familjen Babamusta në shtëpinë e tyre në Kavajë e nderon me një vizitë private Atasheu i Mbrojtjes së Ambasadës Britanike në Tiranë, bashkë me bashkëshorten e tij.

Platforma politike e çështjes së Kosovës drejtuar Kongresit Amerikan

Në 1999 Neki, Suzana dhe Ermira Babamusta lidhen me komunitetin shqiptar të Miçiganit, në Sh.B.A., për të përhapur vlerat demokratike. Nëpërmjet radios “Alba” në Miçigan bëjnë thirrje publike për bashkëpunim rajonal në përkrahje të luftës për liri të Kosovës. Lidhjet Amerikë-Kosovë dhe Amerikë-Shqipëri forcohen me veprimtarinë demokratike dhe aktivitete patriotike gjatë qëndrimit te familjes në Miçigan. Kjo lidhje do të vazhdonte deri në 2003 ku familja Babamusta nderohet me ftesën “të ftuar nderi” për vizitë tek zyra e senatorit amerikan Tom Harkin, të shtetit Iowa, në Senatin Amerikan, Uashington DC. Në 2004 Ermira Babamusta merr pjesë në seancën legjislative të Shtëpisë së Bardhë te Kongresi Amerikan në Washington DC, ku dha fjalimin Sekretari i Shtetit gjatë presidencës së Bushit, Colin Powell (Address to the U.S. Cogress, 2004). Në fund të seancës Ermira iu drejtua z. Powell duke e falenderuar në emër të babait dhe Shqipërisë për ndihmën e Amerikës për kontributin që dha ai për çlirimin e Kosovës, duke qenë në krye të forcave të NATO-s për shpartallimin e Millosheviçit. Po në të njëjtin vit, në 2004 Kongresi Amerikan me iniciativën e kongresmenit Mark Kenedi të shtetit të Minesotës, nderon Neki Babamustën, Ermira Babamustën, Kastriot dhe Ramazan Canin për kontributin dhe rolin e tyre në forcimin e lidhjes diplomatike shqiptaro-amerikane.

Në vitin 2007 familja Babamusta vizition Kosovën për hulumtimin e parë shkencor të Ermira Babamustës për rolin e Nato-s dhe OKB-së në Kosovë. Familja vizitoi varret e dëshmorëve dhe dha kumtesën për vlerat e ish Presidentit Rrugova dhe veçanërisht rolin deçiziv të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për lirinë e vendit, me komandant Hashim Thaçin në krye.

Sh.B.A.-ja ka qenë aleatja kryesore e kombit shqiptar që nga presidenti i parë amerikan George Washington e deri tek Wilsoni në Konferencën e Paqes në Paris (nëntor 1919), i cili nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë. Ndërsa Presidenti Klinton, Bush dhe Obama kanë qenë zëra të fuqishën në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës, dhe për futjen e Shqipërisë në NATO.  

Në 2008 Ermira Babamusta ka drejtuar fushatën presidenciale të President Obamës në Florida dhe Kolorado si drejtoreshë e programit për regjistrim të popullatës dhe votim “GOTV – Get Out and Vote). Po ashtu në 2012 është pjesë e fushatës së Obamës në qytetin e demokracisë amerikane, në Filadelfia. Ermira ka mbaruar me sukses në kohë rekord dy mastera (Shkenca Politike, Administratë Publike) dhe një studim të avancuar për Diplomaci të Kombeve të Bashkuara në New York. Momentalisht po kryen hulumtimet rreth çështjes së Kosovës, si punim i dytë shkencor, i doktoraturës në Shkenca Politike dhe Diplomaci në West Virginia.

REZUME E SHKURTËR E FISIT BABAMUSTA
Tetor 1912 – Z. Beqir Babamusta, babai i z. Neki Babamusta, plagoset në Luftën e Shkodrës. Vriten kundër malazezëve dhe serbëve dy kushërinj (dëshmorë).

26 nëntor 1912 – Z. Beqir Babamusta, babai i z. Neki Babamusta, me dy vëllezërit e tij – Muratin dhe Osmanin, presin një natë në shtëpinë e tyre Patriotin e Kombit Ismail Qemalin. I japin ushqime, kuaj, të holla dhe me çetën e Mikut të tyre, Patriotin Bajram Xhani, përcillet nga luftëtarët për në Vlorë.

Prill 1915 – Patrioti Murat Babamusta, vëllai i babait të z. Neki Babamusta, i bën thirrje patriotëve të Shqipërisë së Mesme për lidhje bese, për të shporrur pushtuesit serb.

Tetor 1943 – Z. Qemal Babamusta, vëllai i z. Neki, braktis Liceun e Tiranës dhe shkon Partizan në Pezë, duke qëndruar pranë oficerëve anglezë. Për këtë dënohet politikisht (i burgosur politik).

Tetor 1944 – Bie dëshmor kushëriri Mehmet Babamusta, bashkëpunëtor, luftëtar me djalin e motrës së z. Neki, Martirin Mustafa Gjinishin, lidhur me anglezët.

1952 – Djali i xhaxhait të z. Neki, Profesor Ibrahim Babamusta (“Mësues i Popullit”, të cilit i dhurohet medalja e artë e Perandorit Franz Ferdinand të Austrisë) dënohet me burgim nga Diktatura, i akuzuar për komplot e hedhje bombe në Legatën Ruse. Dy kushërinj Haliti dhe Hasani dënohen për jetë nga Diktatura (vdesin nëpër burgje).

Nëntor 1957 – Z. Neki Babamusta, pushohet nga puna si mësues, si i padëshiruar nga Diktatura për idetë perëndimore.

Shtator 1964 – Si pasojë e refuzimit për t’i shërbyer Diktaturës në zbulimin diplomatik, Z. Neki Babamusta sulmohet familjarisht dhe keqtrajtohet fizikisht deri sa dërgohet në spital (Elbasan).

Maj 1968 – Me guxim e maturi, i kundërshton Sigurimit famëkeq në Gjimnazin e Kavajës, për të shpëtuar nga internimi dhe burgimi nipat e Patriotit Elez Isufi nga Dibra, siç veproi edhe në maj 1954 në fshatin Gjysylkonaj (Pezë), ku ishte mësues dhe shpëtoi nga vëllavrasja dhe përçarja politike fshatin me 35 familje. Vetëm 17-vjeçar, Nekiu futet në mes të armatosurve duke thënë, “Qëlloni mbi mua!”

15 mars 1992 – Themelon, me patriotë të tjerë lidhjen me titull “Shoqata Patriotike Kombëtare” (1992 – 2003), ku z. Neki Babamusta punoi për rinjohjen e vlerave patriotike-demokratike për nderimin e të persekutuarve politikë dhe dënimin e krimeve të Komunizmit; për sensibilizimin e opinionit Kombëtar e ndërkombëtar për Kosovën Martire, si vatër kryesore e patriotizmit shqiptar; për njohjen e pavarësisë së saj dhe strehimin e mijërave refugjatëve nga Kosova në vitin 1999.  

Nëntor 1994 – Për vlera patriotike-demokratike, Presidenti i Republikës z. Sali Berisha i akordon z. Neki Babamusta titullin e lartë “Mësues i Merituar” ndërsa vëllait të tij, z. Qemal Babamusta, i vlerësohet dhe i njihet e drejta e veteranit të luftës (mohuar nga Diktatura).

REZUME E SHKURTËR E FISIT CANI
(Nga ana e gruas, Suzana Cani-Babamusta)

1922 – Vritet nga reaksioni feudal pro-serb, gjyshi i znj. Suzana Babamusta, Ramazan Cani me të vëllanë, mik dhe bashkëluftëtar me Bajram Currin, vëllezërit Shyqyri dhe Myslim Peza). Ramazani me çetën e tij shpartalloi në rrethimin e Shkumbinit pushtuesit serbë në v. 1915-17 (dekorohet Hero Popullor – Mësues i Popullit).

Nëntor 1943 – Z. Kastriot Cani, babai i znj. Suzana,  shkon partizan me çetën nacionaliste, ish Adjutant i Mustafa Gjinishit me pseudonimin “FURTUNA”, pranë oficerëve anglezë në Pezë.

V. 1944-46 – Z. Kastriot Cani, babai i  znj. Suzana, tek Fronti i Rezistencës inkurajohet dhe së bashku dhe nën drejtimin e Hamdi Frashërit (kryetar) dhe Dill Cani (nënkryetar) zhvillojnë aktivitete, në bashkëpunim me Zbulimin Anglo-Amerikan, për rrëzimin e Komunizmit. Dënohen me burgime dhe pushkatime ndërsa babait me të vëllanë, Skënderin u sekuestrohet shtëpia me pasurinë dhe internohen.
Familja e znj. Suzana Babamusta është e persekutuar për 50 vite, të lënë pa punë dhe shkollë, vetë znj. Suzana pushohet nga puna me motivin si “bija dhe mbesa e spiunit të CIA’s Amerikane dhe Zbulimit Anglez.”

V. 1999 (SH.B.A) – Në qytetin Wixom (Detroit, Michigan) familja Babamusta lidhet me Radion Shqiptare-Amerikane ‘Alba’, për vlerat demokratike në Shqipëri dhe për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

V. 2003-04 (Sh.B.A) – Kongresi Amerikan, në emër të Qeverisë Amerikane dhe të nderuarit Senator Tom Harkin dhe Kongresmenit Mark Kennedy, marrin vlerësim të lartë për aktivitetin afro 100-vjeçar të familjeve Babamusta dhe Cani duke i dekoruar me  medaljen më të lartë dhe valëvitjen e flamurit Amerikan (tri herë) në majë të Kongresit Amerikan si respekt dhe vlerësim të aktiviteteve të tyre diplomatike për Neki Babamustën, Kastriot Canin dhe Ermira Babamustën.

Më 11 prill 2003 i nderoi me vizitë bashkë me bashkëshorten e tij, Ambasadori anglez ku i përgëzoi në emër të qeverisë angleze për forcimin e miqësisë Angli-Shqipëri dhe kontributin e përbashkët për luftën kundër komunizmit dhe forcimin e demokracisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu