Lidhjet e Berishës me islamikët

0
340

Mero Baze

(Vijon nga numri i kaluar)

Vetë Berisha filloi të përqendrohej më në fund tek fushata. Një natë, në fund të majit, duke pirë kafe në zyrën e tij, diskutuam për sloganet e fushatës dhe, pa ndonjë impenjim të veçantë, edhe për posterat dhe dizajnin e tyre.

Problemet ishin shumëfishuar. Nuk kishte më shtypshkronja që punonin, nuk kishin më lekë nga keqadministrimi i PD-së dhe nuk kishte as struktura partie shumë të gatshme t’i shpërndanim. Gazeta “Albania” ishte e vetmja gazetë private që mbështeste PD-në dhe që kishte një tirazh të përfillshëm.

Një furgon i saj ishte djegur në Jug, në rrugën Fier-Vlorë, në shenjë hakmarrjeje ndaj qëndrimeve të saj pro Berishës. Prej atëherë, ajo nuk shpëmdahej më në Jug të Shqipërisë, por deri në Fier.

Në korridoret e Presidencës., së bashku me Ylli Rakipin, takuam konsullin tonë në Stamboll, Mal Berishën. Rëndom biseda shkonte te problemet që shoqëronin punën e secilit. Ylli iu ankua për dëmet që po pësonte gazeta, pastaj biseda kaloi te problemet që do të kishte PD-ja me zgjedhjet e kështu me radhë.

Konsulli, që sapo kishte dalë nga zyra e Berishës, dukej se filloi të mendonte për një plan. Mal Berisha ishte një nga diplomatët konfindentë të Berishës, edhe pse nuk ishte ambasador. Ai i përkiste fisit të Berishës, por nuk ishte ndonjë kushëri i afërt i tij.

Por raportet shumë personale mes tyre dukeshin qartë. Sipas Mal Berishës, gjithçka mund ta bënim në Stamboll.
– Duhen lekë, – i thashë unë.

– Thuaji shefit të të japë një copë letër për nja dy njerëz që do të t’i them unë dhe e zgjidhim, – vijoi ai.

M’u duk zgjidhje magjike. Bashkë me Ylli Rakipin, u kthyem sërish në zyrën e Berishës dhe i folëm për propozimin e konsullit.

– Mirë, – tha, – shkoni ju. Do të flas vetë me Malin dhe e zgjidh ai këtë punë.
Këmbëngulja jonë për një letër me vete, nuk mori përgjigje. Me sa dukej, gjithçka ishte një gjuhë e koduar mes tij dhe Malit.

Ashtu ndodhi. Pas dy ditësh, unë dhe Ylli u nisëm për në Stamboll. Mal Berisha kishte ikur një ditë më parë.

Lajmi i parë që morëm vesh sa zbritëm në Stamboll ishte se një sasi dinamiti kishte shpërthyer në lokalin e Lush Përpalit, që ndodhej pas Partisë Socialiste. Gazeta “Albania” kishte marrë një ditë më parë një telefonatë anonime, që njoftonte se do të kishte bombë në atë lokal.

Duke qenë se telefonatat për bomba ishin bërë lojë e përditshme, e botuam lajmin te rubrika e humorit – Tej e këtej. Në të vërtetë, pasojat ishin tragjike. Për fat, nuk kishte të vdekur, por TVSH-ja jepte pamje njerëzish të përgjakur dhe të terrorizuar. Të nesërmen, një gazetare e gazetës “Koha Jonë”, jo pa humor të zi, shkruante se, për të rritur sigurinë e vendit ku pini kafe, hidhini një sy gazetës “Albania”.

Pasi kaloi tronditja e shpërthimit dhe pasi u lidhëm me redaksinë në Tiranë, filluam të bisedonim me konsullin. Do të takonim dy persona të rëndësishëm, por shumë të rëndësishëm, që Doktori i paskësh “miq për kokë”. E pyetëm për emrat, se dhe ashtu, vetëm me një përshkrim, nuk do t’i mbanim mend.

Për të parin, që na priste të nesërmen paradite, Mal Berisha përpiqej të na shpjegonte se sa e vështirë ishte ta takoje dhe se kishim vërtet shans që do ta takonim, por kjo na u duk një përpjekje e tij për të na e shitur shtrenjtë mundimin e tij njerëzor.

Takimi u bë të nesërmen, në hotel Sofia, afër Xhamisë Blu në Stamboll. Quhej Elfatih Hassanein dhe në kartëvizitën që na vuri përpara, figuronte si këshilltar i Presidentit boshnjak Izetbegoviç.

Fillimi i takimit m’u duk gjysmë paranojak. Dr. Elfatih Hassanein ishte një mjek, që kishte studivar në kohën e ish-Jugosllavisë në Beograd. Elfatih Hassanein kishte vepruar në Bosnjë qysh në vitin 1992, duke i qëndruar pranë me para në dorë presidentit Alia Izetbegoviç.

Ai kishte financuar një agjenci lajmesh, disa ferma dhe rrobaqepësi grash, si dhe kishte blerë thuajse shumicën e pajisjeve për zyrtarët e lart të qeverisë, mes të tjerash dhe telefona satelitorë. Fondacioni i tij i ndihmës islame për vendet e botës së tretë, i themeluar në vitin 1987, ishte kthyer praktikisht në një buxhet paralel për qeverinë boshnjake.

Ai ndërmjetësoi thuajse blerjen e të gjitha armëve për Bosnjën dhe çuarjen atje të ushtarëve të Allahut (muxhahidinëve), si dhe u kujdes për të koordinuar ndihmat e botës arabe për këtë shtet në kufijtë e mbijetesës dhe nën gërmadhat e rrëzuara të nacionalizmit sllav.

Kur u ulëm me Ylli Rakipin në verandën e hotel Sofia me këtë tipin, nuk dinim asgjë për të. As Berisha në Tiranë dhe as Mal Berisha në Stamboll nuk na dhanë asnjë detaj për “rëndësisë” e tij konkrete.

Sapo filloi biseda, pësova zhgënjimin e parë.
-Çdo mëngjes, “Washington Post” dhe “Neë York Times” pyesin se ku jam dhe duan të më takojnë, – tha, – por nuk ia arrijnë dot. Ju më takuat menjëherë, dhe kjo falë njeriut të duhur që ju solli tek unë.

E mora për mirësjellje ndaj Mal Berishës këtë hyrje pompoze dhe me vete fillova të mendoj se kam përballë një mitoman. Pamje e tij e kënaqur me ato që thoshte dhe reagimi ynë thuajse i ftohtë ndaj asaj që tha, u duk se krijoi idenë e qartë që ne nuk e dinim se cilin po takonim. Dhe pikërisht atë çast, nisi të na shpjegonte. Ishte shkolluar në Beograd si mjek dhe që atëherë kishte njohur Izetbegoviçin.

Alia Izetbegoçi ishte takuar me të në Beograd, në takimet që organizonte me intelektualët myslimanë në ish¬JugosIlavi. Në vitin 1983, ai u dënua për orientimin e tij islam, si rrezik për ish-Jugosllavinë, ndërsa në gjyq i kanë përmendur lidhjet me Elfatih Hassanein. Këtë Hassanien e përmendte me krenari. Njihte plot shqiptarë të Kosovës, sidomos të gjeneratës së vjetër, si dhe kishte shumë respekt për Sali Berishën.
-Kur jeni takuar? – e pyeta unë.

-Më 1991, – tha. – Na kishte ftuar Ramiz Alia në një delegacion që ishte pjesë e Konferencës Islamike. Të gjithë vrapuan te Ramiz Alia. Unë ndenja në hotel dhe refuzova të shkoj. Shkova te Sali. Berisha, atëherë në opozitë. Nuk e di pse më tha Zoti ta bëja këtë, por m’u mbush mendja se ai njeri ishte e ardhmja e vendit tuaj dhe unë punoj me njerëzit që kanë. të ardhme.

Në fjalorin e tij të pasur kishte pak eufori që, përtej syve të mençur dhe depërtues me të cilët hetonte reagimin tonë, ngjante si përpjekje për të testuar entusiazmin tonë për lavdërimet në adresë të Berishës.

Filluam t’i tregojmë për se po takoheshim. Ylli i foli për situatën e vështirë të gazetës së tij dhe gjendjen në Shqipëri. Papritur, në bisedë u përfshi edhe një tip tjetër. Banonte diku nga Medreseja në Tiranë dhe kishte dijeni për gazetën “Albania”. I konfirmoi Elfatih Hassanein ato që po i tregonim ne.

Njësoj sikurse ne, që nuk na kishin bërë përshtypje fjalët e tij, as atij nuk i bënë ndonjë përshtypje ato që po i tregonim ne. Për ta prekur pak, i thashë se presidenti Berisha ishte në ditët e tij më të vështira dhe, nëse e kishte mik, duhej ta ndihmonte.

-Allahu e ka caktuar atë njeri ta udhëheqë atë vend, – tha ai, – dhe ashtu do të bëhet.
Këtu na u duk se e teproi me kalimin nga toka në qiell të problemeve tona dhe thuajse ndërruam bisedë. Na foli gjatë për Turqinë dhe si ishte prishur ai vend, sipas tij. Kishte një urrejtje të dukshme për “qemalistët” që, sipas tij, kishin “prerë rrënjët e kulturës kombëtare”.

-Ia kanë ndërruar gjuhën këtij populli, – deklamoi ai, – e kuptoni apo jo? Një fëmijë i lindur sot në Turqi, nuk lexon dot se çka ndodhur në këtë vend në shekullin e 18-të, për shembull, ngaqë nuk di osmanisht dhe nuk di ta lexojë kulturën e Perandorisë, që është shkruar me alfabet arab.

Për herë të parë po dëgjoja për një ndarje kaq të egër mes dy palëve në Turqi. Kultura ime minimaliste për islamin dhe rrënjët e tij në Turqi, po përballej me një fjalim plot emocion të një njeriu që e përjetonte si dramë politikën zyrtare turke, ndërsa vetë Turqinë e shihte si një vend gati ateist.

Kjo ishte shumë larg perceptimit tim për Turqinë si një vend mysliman. Egërsia e Hassanienit me qeverinë e Tansu Çillerit ishte edhe më e dukshme. Pas një bisede të gjatë rreth kësaj teme, u ndjemë bosh dhe të pamotivuar për të vazhduar më tej.

Ia kujtuam edhe njëherë nevojat për gazetën dhe mundësinë për të ndihmuar presidentin Berisha. Na përsëriti bindjen e tij hyjnore se Allahu do ta zgjidhte këtë punë.
Personi tjetër që ishte përfshirë në bisedë fliste një shqipe të çalë.

Ai i tha Yllit se, kur kërkonte gazetën Albania te Medreseja, shitësi ia jepte fshehurazi.
-Po pse? – e pyeta unë.
-Kanë frikë shitësit tani, se po kthehen këta socialistët dhe ju jeni me Berishën.
Ylli u tërbua.

Elfatih Hassanein po e ndiqte me kuriozitet bisedën tonë. Bashkëbiseduesi diçka i përktheu nga biseda dhe ai e miratoi me kokë. U përpoqa ta fiksoj mirë portretin e tij. Në takime të tilla, në dukje të rëndomta, e ke të vështirë t’i fiksosh emrat e gjatë arabë, që kanë një teknologji të vetën për t’i mbajtur mend.

Përpara se të ngriheshim, ndërsa po shkëmbenim fjalët e ndarjes, Hassanein e përsëriti sërish atë frazën që mua më dukej paranojake:

-Shikoni përreth me kujdes, meqë jeni gazetarë. Do të ketë ndonjë gazetar të “Ëashington Pos” t-it apo “Neë York Times”-it që më ndjek. Ata merren vetëm me mua. Më kanë tmerr, sidomos pas Bosnjës. Ata nuk e manipuluan dot kurrë Izetbegoviçin, se unë isha aty.

U pamë në sy me Mal Berishën, me qëllim që të çoheshim. Në fytyrën e konsullit tonë rrezatohej një respekt i natyrshëm për bashkëbiseduesin dhe një bezdi për nxitimin tonë për t’u çuar. Kishte të drejtë.

Në të vërtetë, ne nuk e dinim se kë po takonim. Ai më zgjati kartvizitën. Aty deklarohej si këshilltar i presidentit Alija Izetbegoviç. Kishte dhe adresat e telefonit, faksit dhe një adresë në Stamboll.
-A keni një adresë e-mal-i? – i thashë.

-Po, – tha, – shkruajeni. Dhe ma diktoi në frëngjisht. E ngatërrova, pasi nuk i kuptova mirë germat. Ia tregova dhe ma mori kartëvizitën nga dora duke ma korrigjuar.
– Do t’ju dërgojmë një e-mail, – shtova unë.

Na u duk e tepërt të harxhonim kohë me të.
Pas takimit me Hassanein, u la një takim të nesërmen me dikë që nuk më interesonte më dhe m’u duk e kotë ta shoqëroja më tej Yllin.

-Unë nuk po vij fare tek i dyti, – u thashë. Kisha një lodhje nga ajo që m’u duk në fillim kotësi nga takimi me Hassanein. Dy djem nga Tirana, që i kishim takuar në aeroportin e Stambollit, na kishin ftuar në hotel “Holiday Inn” dhe s’kisha ndërmend ta humbisja rastin.
Ylli vendosi të shkonte vetëm me Mal Berishën. Kur u kthye, ishte shend e verë.
-Ishte njeri i saktë ky, – tha. – Ishte një plak i mirë.
-A premtoi gjë? e pyeta.

-Po, po. Do të na sjellë nja dy makina me letër, si dhe një furgon për gazetën meqë na është djegur. Ishte njeri i saktë. Mbajti shënim gjithçka dhe më tha se do të jenë gati për një javë… Dhe dukej burrë fisnik.

Thirri një sekretare aty, i mbajti shënim të gjitha. I futi një firmë dhe nuk bëri asnjë muhabet kot, jo si ai idioti.
Në fakt, çdo gjë funksionoi mirë. Pas një jave, gjithçka mbërriti në doganën e Qafë-Thanës.

Nuk e mora vesh emrin e këtij njeriu në atë kohë. Lutfi Dervishi më tha se, më pas, një tip ezmer nga këta të fondacioneve bamirëse, kishte shkuar te gazeta dhe kërkonte një vërtetim që ndihmat kishin mbërritur. Ndoshta ishte njeriu që u shfaq në mes te bisedës me Hassanein ne Stamboll.

Kur u kthyem në Tiranë, i tregova Sali Berishës për takimin me Hassanein-in. Berisha qeshi me një vështrim hetues, se mos e shoqëroja me ndonjë fjalë të rëndë komentin tim për takimin me të. Në fakt, nuk dija asgjë për të.

-Hë, Hassanieni… – tha dhe qeshi. Është një gjest tipik i tij, kur në situata të vështira përpiqet të portretizojë me humor dikë që është problematik. – Ishte interesant, – i thashë, – por s’mu duk me këmbë në tokë.
-Hëm… – vazhdoi duke buzëqeshur dhe ndërroi bisedë.

Vonë, gati një vit më vonë, kur në Shqipëri u shtrëngua përndjekja e elementëve të lidhur me botën islame, lexova në gazeta emrin e tij. Bëra një kërkim aq sa mundja në internetin e dobët që kisha dhe pashë se njeriu që kisha takuar ishte njëri nga kokat e financuesve të lëvizjes islamike në botë.

“Washington Post” kishte vërtet shkrime të gjata dhe shpjeguese për të. Kishte histori të pabesueshme se si ai kishte çuar para, armë dhe muxhahedinë në Bosnjë, si kishte siguruar furnizimin me armë të luftës në Bosnjë dhe si, më pas, ishte futur në listën e fondeve që përfundonin tek Al Qaeda.
(Vijon)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu