Limaj i pafajshëm

0
90

Gjykata Themelore ka shpallur të pafajshëm deputetin e PDK-së, Fatmir Limaj, për krime lufte.

Para Kino ABC, ku edhe po zhvillohet seanca përfundimtare për rastin “Kleçka” kundër Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, janë mbledhur me qindra përkrahës të tyre, të cilët, me të marr vesh lajmin për lirimin e tij, kanë brohoritur nga gëzimi.

Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij, Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhemdin Krasniqi, Behlul Limaj, Fatmir Limaj, Refki Mazreku, Shaban Shala, Bislim Shurdhaj, Naser Shala dhe Sabit Shala, në procesin gjyqësor të rastit “Kleçka”, akuzoheshin për krime lufte kundër civilëve serbë e shqiptarë, por edhe ushtarakëve serbë.

Limaj, i njohur si komandant ‘Çeliku’, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, për krime të supozuara në Llapushnik.

Lajmin për lirimin e të akuzuarve në rastin “Kleçka”, e ka konfirmuar edhe Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë.

Përmes një njoftimi për media, EULEX-i ka theksuar se në Gjykatën Themelore të Prishtinës, një trup gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një gjyqtar kosovar, i kryesuar nga njëri gjyqtar i EULEX-it i liroi të pandehurit Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Nexhmi Krasniqi, Fatmir Limaj, Behlul Limaj, Shaban Shala, Sabit Shala, Besim Shurdhaj dhe Refki Mazreku nga akuzat për Krimeve të Luftës dhe veprat tjera të ndërlidhura në të ashtuquajturin rasti “Kleçka”.

Po ashtu, trupi gjykues e ndërpreu masën e paraqitjes në stacionin e policisë për të gjithë të pandehurit dhe urdhëroi që atyre t’u kthehen pasaportat e tyre.

“Trupi gjykues konsideroi se lënda e Prokurorisë mbështetej kryesisht në dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur, Agim Zogaj, tani i ndjerë. Megjithatë, trupi gjykues vendosi që dëshmia e tij lidhur me disa çështje të rëndësishme në fjalë, veçanërisht identiteti i personave për të cilët ai pohon se i kanë kryer veprat që u ngarkohen, nuk është vërtetuar me dëshmi të besueshme dhe të pavarura dhe ishte, në fakt, në mospërputhje dhe e kundërshtuar nga dëshmitë tjera. Në përgjithësi, Trupi gjykues vlerësoi se, në aspektet e rëndësishme materiale, dëshmia e Agim Zogaj ishte tërësisht e pabesueshme dhe se do të ishte e pasigurt që të bazoheshin në të për t’i dënuar të pandehurit për veprat nga aktakuza. Aktgjykimi me arsyetimin e plotë do të dorëzohet brenda tridhjetë ditëve”, theksohet në njoftimin e EULEX-it.

Po ashtu, trupi gjykues i vlerëson si të vërteta faktet se:
(1) në vitin 1999, UÇK-ja e kishte një qendër ndalimi në fshatin Kleçkë.
(2) Disa të ndaluar ishin keqtrajtuar gjatë mbajtjes së tyre në Kleçkë.
(3) Dragoljub Tanaskoviq, Zharko Filipoviq, Zhivota Todoroviq, Dragan Vuçetiq dhe Bojan Cvetkoviq ishin vrarë në mënyrë të kundërligjshme dhe trupat e tyre qenë varrosur në lokacionin KER01 në fshatin Kleçkë.
(4) Veljko Markoviq dhe Nebojsha Gjuriçiq ishin vrarë në mënyrë të kundërligjshme dhe trupat e tyre qenë varrosur në lokacionin KEQ01 në fshatin Kleçkë.
(5) Arben Avdyli, për të cilin Agim Zogaj kishte deklaruar se ishte vrarë gjithashtu në Kleçkë, zyrtarisht llogaritet si i zhdukur.

Rastin e ka ndjekur penalisht një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e EULEX-it. Të gjitha palët kanë të drejtë ankese. /Zëri/

***

Sot, verdikti për Limajn

Për herë të tretë në Kosovën e pasluftës, Fatmir Limaj, ish- komandant Çeliku, do të ngrihet të martën në këmbë para trupit gjykues dhe do të dëgjojë nëse është fajtor apo jo për akuzat në rastin “Kleçka”.

Verdikti i gjykatës pritet që të shpallet mesditën e së martës ndaj Fatmir Limajt dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij të dikurshëm. Për dhjetë personat e akuzuar e të riakuzuar nga prokurori i EULEX-it Maurizio Salustro, ky i fundit në fjalën përfundimtare ka kërkuar dënim. Pavarësisht që dëshmitë e prezantuara nga dëshmitarët dallojnë shumë nga dëshmitë që i ka ofruar Salustro, gjatë dhjetëra seancave gjyqësore, Salustro pretendon që është vërtetuar fajësia e të akuzuarve.

Por, mbrojtja e Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës, Naser Krasniqit, Arben Krasniqit, Behlul Limajt, Refki Mazrekut, Sabit Shalës, Shaban Shalës e Besim Shurdhajt edhe njëherë kanë kërkuar aktgjykim lirues për luftëtarët e dikurshëm.

Mbrojtja pohon se klientët e tyre nuk kanë përgjegjësi penale për krimet që pretendon Maurizio Salustro. Ndërkaq, ky i fundit provat e tij i bazon në dëshminë e dëshmitarit Agim Zogaj, i cili është vetëvrarë në Gjermani në shtator të vitit 2011. Mbi këtë dëshmi ishte ngritur aktakuza e parë ndaj Limajt dhe të tjerëve në korrik të vitit 2011. Limaj akuzohej për dhënien e urdhrit për vrasjen e dy policëve serbë, që ishin zënë robë në fshatin Kleçkë.

Pavarësisht aktakuzës dhe gjykimit të mbajtur, vdekja e dëshmitarit X dhe mosdëgjimi i tij në seancat gjyqësore kishte bërë që gjykata të shpallte si të pavlefshme dëshmitë e këtij dëshmitari, si dhe ditarin e tij të shkruar sa ishte gjallë. Hedhja poshtë e këtyre dëshmive ka bërë që Fatmir Limaj të marrë aktgjykim lirues.

Ky aktgjykim lirues ishte i dyti për Fatmir Limajn, i cili në 2006-ten ishte shpallur njashtu i pafajshëm për krime lufte nga Trubunali Ndërkombëtar për krime lufte në Hagë. Pavarësisht pse dëshmitë e X-it ishin shpallur të papranueshme nga Gjykata e Qarkut, Gjykata Supreme pas ankesës së prokurorit këto dëshmi i kishte shpallur të vlefshme ndërsa lëndën ndaj Limajt dhe të tjerëve e kishte kthyer në rigjykim.

“Nesër do të shpallet aktgjykimi për z. Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij. Unë si avokat i z.Limaj jam i bindur se nëse trupi gjykues e bazon vendimin përfundimtar në bazë të ligjit, drejtësisë dhe provave, atëherë mund dhe duhet të kemi vetëm aktgjykim lirues”, ka thënë të hënën avokati Tomë Gashi.

 

Nga: Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu