Limaj: Thaçi, një hipokrit

0
123

Ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj, e quan jo kushtetuese kërkesën të cilën qeveria e Kosovës ia bëri Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur çështjen e imunitetit të deputetëve.

Në një intervistë për Top Channel, deputeti kosovar i cili prej kohësh përballet me procese gjyqësore sa për krime lufte dhe për korrupsion, nuk preferon më të flasë për to. Ai ndalet te Gjykata Kushtetuese e cila sipas tij do të duhej fillimisht ta shqyrtonte kushtetushmërinë e kërkesës së qeverisë.

“Gjykata Kushtetuese duhej ta hidhte poshtë si kërkesë. Kërkesa e qeverisë ka qenë jo kushtetuese dhe qeveria nuk është organ kompetent që mund të kërkojë interpretim. Imunitetin asnjë kushtetutë në rajon nuk e ka më të qartë se sa Republika e Kosovës dhe aty s’ka cfarë të interpretohet. Kjo kërkesë është thjesht një kamuflim pasi qeveria nuk ka nevojë të kërkojë për deputetët, për presidentin. Qeveria, nëse ka nevojë duhet që të kërkojë për qeverinë”, deklaron deputeti, Fatmir Limaj.

Në qoftëse Gjykata Kushtetuese vendos në kundërshtim me atë që sipas Limajt vec është e rregulluar me kushtetutë atëherë ai konsideron se bëhet shkelje e të drejtave të njeriut për të cilat ekzistojnë rrugë ligjore që e përmbysin. Por kjo nuk është cështja e vetme për të cilën Limaj mendon se nuk po respektohet Kushtetuta e Kosovës. Ai i bashkohet opozitës në deklarimet e tij se marrëveshjet e fundit me Serbinë janë hapa prapa dhe në kundërshtim me kushtetuten e vendit.

“Aplikimi i vulës doganore pa mbishkrimin kryesor, Republika e Kosovës është shkelje kushtetuese dhe këtë askush nuk ka të drejtë të bëjë”, thotë zoti Limaj.

Një temë e cila është shumë aktuale e për të cilën zoti Limaj duket se ka cfarë të thotë janë publikimet që dalin nga Wikileaks. Kabllogramet të cilat lakojnë emrin e kryeministrit Hashim Thaçi i cili sipas Wikileaks frikësohej që në zgjedhjet e fundit të shkonte me lista të hapura, bëjnë që Limaj t’i quajë hipokritë, sic thotë ai, ata të cilët kanë diskutuar çështje me ndërkombëtarët para se t’i shtrojnë ato në parti.

“Po ta kishte thënë në parti absolutisht nuk do të ishte hipokrizi. Por nuk kam dëgjuar asnjëherë, asnjë ndonjë shqetësim tjetër të zotit Kuçi”, shprehet Limaj.

I pyetur se cila do të jetë e ardhmja e tij politike për shkak edhe të kundërshtive brenda partisë në të cilën ai bën pjesë, Limaj përgjigjet shkurt, thotë se ajo varet nga vota e qytetarëve të Kosovës. Por nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës nuk nguron të thotë se Partisë Demokratike i duhen reforma të thella.

“Partia nuk reformohet duke ruajtur mentalitetin e vjetër e duke prurë individë, partia reformohet me ide, e metoda”, deklaron Fatmir Limaj.

Kjo sipas tij nuk nënkupton ndërrimin e figurave politike, por duke folur për faktin që kjo parti nuk ka mbajtur mbledhje për 11 muaj, Limaj thotë se kjo nuk guxon të ndodhë. /tch/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu