Liqeni i kanalizimeve!(Foto)

0
205

Një përroskë përshkon fshatin Orllan dhe derdhet pak më tej, atje poshtë në liqenin e tkurrur që ka krijuar një imazh trishtues me pamjen e shkretë të fundit të liqenit, të cilin as më të moçmit s’e mbajnë mend në atë gjendje. Thatësia e sivjetme, dimri i thatë, pa të reshura, ka kthyer apoteozën e ujit jo vetëm në kryeqytet, por edhe në komunat tjera që furnizohen me ujë të pijshëm nga liqeni i Batllavës.

Burimet tanimë gati kanë shtjerrë dhe prurjet e ujit janë tepër të pakta. Përroska që vazhdon të derdhet poshtë në liqen nuk sjell ujë, por në liqen sjell kanalizimet e tërë fshatit. Një pamje rishtuese e ujërave të zeza që derdhen në liqenin prej nga gati një e katërta e Kosovës merr ujin e pijshëm, duket se nuk shqetëson shumëkënd. Banorët e fshatit, pak metra më tej mbi liqe, jo se jo.

Ata madje shprehen të befasuar pse dikush këtë po e bën pa nevojë, problem të madh. Më në fund, kështu ka qenë gjithmonë dhe askujt si ka penguar. Askush nuk ka pasur ndonjë problem, kurrë askush nuk është helmuar apo diçka të ngjashme. Më në fund, liqeni është aq i madh sa as që e ndien këtë, të thënë ata. Më në fund, s’kanë as çka të bëjnë, askush nuk ua ka siguruar rrjetin e kanalizimeve andaj diku duhet ti derdhin. Pra në liqe, aty ku i kanë derdhur gjithmonë.

Si të mos mjaftonte kjo dikush në liqen po derdh edhe kemikalie të rrezikshme. Dje në Ballaban, në lumin që derdhet në liqen, dikush kishte derdhur mbeturina të dyshuara nga dy autocisterna. Ata do të zbraznin mbeturinat edhe nga cisterna e tretë por ndërkohë ishin tre personat ishin arrestuar dhe tashmë po hetohet përmbajtja e materieve që kishin përfunduar në liqen.

Përveç shqetësimit për mungesë të ujit, tash qytetarët po shfaqin frikën edhe për cilësinë e ujit nga dy liqenet akumulues, ai i Batllavës dhe Badovcit, sidomos kur tash kur rënia e nivelit të ujit ka “zbuluar” edhe gypat e kanalizimeve, të disa shtëpive tjera, që paskan qenë aty me vite, por askush s’paska ditur për to.

Rreth 100 shtëpi të fshatit Orllan, prej aty ku fillon Liqeni i Batllavës, vazhdojnë t’i derdhin kanalizimet në liqen, prej të cilit furnizohen me ujë të pijshëm disa komuna të Kosovës përfshirë edhe një pjesë të Prishtinës. Kanalin përmes të cilit fekalet e tyre derdhen mu në liqe, pak më poshtë shtëpive, fshatarët nuk e marrin me shqetësim. Jo vetëm se ata ujin e liqenit, pranë të cilit jetojnë, nuk e përdorin për pije, sepse nuk kanë rrjet të ujësjellësit e as kanalizimeve, por se kështu, kanalizimet i kanë derdhur në liqen “hanedan” e askujt nuk i ka penguar.

Njëri nga ta, Hilmi Dalipi, 66-vjeçari i lindur dhe rritur në këtë fshat, thotë se kurrë nuk kanë pasur kanalizim në këtë fshat. “Jo, jo, kanalizime nuk ka. Dikush ka hapur gropë septike ku janë derdhur kanalizimet, por pas një kohe handraku përsëri ka dalë mbi sipërfaqe dhe pastaj ujërat e zeza kanë shkuar poshtë në liqen. E kanalizimet e atyre shtëpive që janë shumë afër liqenit dalin drejt e në liqen”, rrëfen ky banor. Ai megjithatë, thotë se ndihet keq për këtë fakt sepse nga liqeni i Batllavës furnizohet me ujë gati një e katërta e Kosovës, por nuk ka çka të bëjë.

“Edhe kanalizimi i shtëpisë sime del aty poshtë rrugës, për të vazhduar drejt e në liqen. Skuqem kur i tregoj dikujt, por nuk kam çka me bë. Kemi shkuar disa herë në Komunë të bisedojmë lidhur me këtë problem dhe na vazhdimisht na kanë përcjellë me fjalët: “Do të shohim”, “jemi duke punuar në këtë drejtim dhe në mundësinë e parë do ta rregullojmë”, por deri tash Komuna e Podujevës, përkundër premtimeve nuk ka bërë asgjë”, tha ai.

Përveç mungesës së kanalizimit, ai dhe fshatarët e tjerë të Orllanit kanë hallin edhe për mungesë të rrjetit të ujësjellësit. “Edhe pse jemi mu këtu buzë liqenit, ne të fshatit Orllan nuk marrim ujë fare nga ky liqen. Kemi burime të ujit prej të cilave furnizohemi pasi që asnjë shtëpi këtu nuk jemi të lidhur në rrjetin e Ujësjellësit”, tha ai.

Edhe Ymer Bajrami, një banor tjetër i këtij fshati shpreh hallin e njëjtë. “Kanalizimet tona derdhen në liqen. Kështu kemi vepruar gjithmonë sepse nuk kemi kanalizim. Me siguri se kur të dëgjojë dikush për këtë që po e them unë ka me na bë neve fajtor, por nuk kemi çka me bo sepse nuk kemi rrjet të kanalizimit. Krejt fshatarët kemi bërë kërkesë për dy gjëra në Komunën e Podujevës: rregullimin e rrjetit të Ujësjellësit dhe kanalizimit por asnjëra nuk na është realizuar”, tha Bajrami.

Ai thotë se ka bërë kërkesë në Komunë dhe ia kanë hapur një pus në oborr por se kur është shterur një pjesë e liqenit të Batllavës edhe burimi i ujit është shtjerrë. Ndërkohë ujin nga një përroskë që vjen nga Berveniku,fshat pak më larg se Orllani, ku derdhen edhe kanalizimet ai thotë se familja e tij e përdor për larje te rrobave dhe nevoja tjera të shtëpisë ndërsa ujin për pije e merr nga një pus i fshatit.

Qytetarët që furnizohen nga liqeni i Batllavës dhe Badovcit me të drejtë shprehen të shqetësuar për ujin e pijshëm që vjen nga ky liqe ku derdhen kanalizimet por zyrtarë të Ujësjellësit “Prishtina” thonë se këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. “Po, janë disa banorë në fshatin Orllan që kanalizimet i hedhin në Batllavë. Kjo nuk është risi dhe gjithmonë ka qenë kështu, por asgjë nuk ka ndryshuar për cilësinë e ujit që kalon nëpër përpunime përkatëse. Mostrat e ujit të cilat i marrim në dy liqenet janë çdo herë konform standardeve për ujë të pijshëm”, ka thënë zëdhënësja në KUR “Prishtina”, Arjeta Mjeku.

Sipas saj, do të ishte mirë që në të ardhmen të ketë trajtim të ujërave të zeza ose të dalë Inspeksioni sanitar dhe t’u tregojë atyre që secila shtëpi duhet të ketë gropa septike dhe kanalizimin mos ta hedhin në liqen. Sa i përket mungesës së rrjetit të kanalizimit dhe Ujësjellësit në fshatin Orllan është Komuna e Podujevës që medoemos duhet t’ua bëjë zgjidhjen, thotë ajo, me bindjen se sa i përket hedhjes së kanalizimeve në liqenin e Badovcit, kjo çështje do të zgjidhet së shpejti.

“Jemi në fazën e zgjidhjes së këtij problemi për Badovcin, pasi që së shpejti do të fillojmë ndërtimin e një impianti për ujërat e zeza në pjesën e poshtme të fshatit Mramor që është bashkëfinancim i qeverisë së Çekisë , Komunës së Prishtinës dhe Ujësjellësit “Prishtina”, thotë zëdhënësja Mjeku.

Ajo e ritheksoi disa herë se komunat janë përgjegjëse që edhe fshatrave t’ua sigurojnë rrjetet e ujësjellësit apo kanalizimit, ndërkaq Ujësjellësi është përgjegjës vetëm t’i mirëmbajë apo menaxhojë ato rrjete.

Lidhur me këtë, Agim Veliu, kryetari i Komunës së Podujevës, tha dje se edhe pse kanë paraparë projektin e rrjetit të kanalizimit për fshatrat e Podujevës, sidomos ata afër liqenit të Batllavës, nuk është arritur që të realizohet, si zakonisht, për shkak të mungesës së buxhetit.

“Mundësitë janë të vogla që të realizohet ky projekt nga komuna jonë pasi është projekt milionësh, por duhet theksuar se nga ky liqen furnizohen me ujë një pjesë e madhe e Kosovës, dhe kjo i bie se përgjegjësinë për këtë duhet ta marrë Qeveria edhe Ujësjellësi”, tha Veliu, i cili shtoi se gjithsesi për kanalizimet që derdhen në liqe duhet të merren masa, pasi kjo është shqetësuese.

Dardan Gashi, ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), thotë se përgjegjëse për sigurinë e ujit është Ujësjellësi, përderisa përgjegjësinë kryesore, për lejimin e hedhjes së kanalizimeve në liqen e kanë komunat të cilat po lejojnë ndërtimet pa leje afër burimeve të ujit.

“Po të kishin shtëpitë me leje nuk do të kishte pasur kanalizime në liqen. Në realitet me liqenet ekzistuese edhe qytetarët që duan të hapin puse, duhet të kërkojnë leje për shkak se edhe uji nëntokësor është pasuri e shtetit mirëpo kjo kurrë nuk është praktikuar në Kosovë. Prandaj qytetarët duhet të pajisen me leje për këto puse si dhe me leje apo analiza të kualitetit të atij uji. Shumë prej këtyre ujërave mund të jenë të kontaminuar”, thotë Gashi, duke shtuar se nëse do të fillonte dënimi i tyre atëherë Ministrisë që ai drejton do t’i duhej të dënonte krejt Kosovën.

Lulzim Zeneli, doktor i shkencave të kimisë dhe ekspert i kimisë toksikologjike, duke folur parimisht, thotë se nëse rrezikohen parametrat biologjikë, atëherë uji mund të jetë burim i infeksioneve dhe sëmundjeve të ndryshme si tifo e zorrëve, hepatiti etj., etj.

“Nëse vazhdon ky ritëm i përkeqësimit të gjendjes sa i përket sasisë së ujit në njërën anë dhe mosndërmarrjes së masave ekologjike për ta ruajtur atë sasi të ujit që e kemi në dispozicion, atëherë lirisht mund të them se parametrat e sigurisë së ujit rrezikohen seriozisht. E në qoftë se uji i plotëson parametrat e sigurisë, atëherë mund të jetë në përdorim të pijes por prezenca e ujërave hedhurinë ndikon jashtëzakonisht shumë në klasin e kualitetit te ujit dhe nëse nuk ndërmerren masa mund të rrezikohen edhe parametrat e sigurisë”, deklaroi Zeneli.

Në anën tjetër, eksperti i kimisë, Jonuz Salihaj, tha se rreziku është më i madh kur sasia e ujit është më e vogël në liqen, sidomos kur aty hedhen pa ndërprerë kanalizimet. Kjo pasi që bakteret dhe papastërtitë tjera shkojnë duke u rritur.

”Edhe pse e dimë se Ujësjellësi çdo ditë merr analiza në liqen, kisha sugjeruar që të shpeshtohen ato edhe nëpër pika të kryeqytetit, gjegjësisht lagjeve, për t’u siguruar për ujin që e pimë…”, thotë Salihaj.

 

Nga: Lindita Canolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu