Luçi: Kur futa në rrjetin e Sigurimit rojën personale të Leka Zogut

0
118

Vijon intervista mbi dëshmitë “bomba” të shefit të qendrës së zbulimit komunist, mbi shqiptarët në emigracion. Në këto ditë të kësaj interviste, ai ka arritur të sjellë një rezyme të habitshme mbi atë çka ndodhur në të vërtetë, mes asaj që quhej luftë e ftohtë dhe që dirigjohej nga frontet Lindje- Perëndim.
E ndërsa në këto numra të ditëve të fundit Hasan Luçi mbërrin në një etapë të re të dëshmisë së tij, pikërisht në këto numra ai sjell për publikun detaje interesante, që kanë të bëjnë me funksionimin e rrjetit agjenturor komunist që ai vetë projektoi, në vendin ku ushtroi funksionet zbuluese.
Konkretisht, për herë të parë ai tregon emra të veçantë, të cilët kanë bashkëpunuar me përkushtim, në çështjen që Tirana zyrtare i kishte ngarkuar Hasan Luçit. Këta emra ishin njerëzit më të afërt të Ahmet dhe Leka Zogut, madje edhe oborrtarë të tij. Konkretisht, ai flet për Kryetarin e Partisë së Legalitetit të Belgjikës, ashtu siç flet për kuzhinierin apo bodigardin e vetë Mbretit Leka. E ndërsa tregon emrat dhe mënyrat e rekrutimit të tyre, Hasan Luçi rrëfen për opinionin, se sigurimi komunist i ka menaxhuar këta njerëz deri dhe në varrimin e Mbretit Ahmet Zog, ku kanë mbajtur fjalime duke përdorur qepë djegëse në sy, për të shkaktuar lotim të sforcuar.
Gjithsesi, lexuesi i gazetës, do të mësojë më tepër në intervistën e mëposhtme të vetë zotit Luçi, ku në numrin e sotëm ai flet pikërisht për ish- bashkëpunëtorin e tij Andon Konomin, i cili ishte Kryetar i Degës së Legalitetit të Belgjikës dhe ministër i Oborrit Mbretëror.

Zoti Luçi, ndërsa folëm për lloj-lloj bashkëpunëtorësh që ju keni pasur në rrjetin tuaj agjenturor në mbrojtje të shtetit komunist, ku ndërmjet të tjerash përmendët edhe oborrtarët më të afërt të Mbretit Zog, të them të drejtën, më bëri shumë përshtypje që ju, veç Kuzhinierit të Zogut, paskeni pasur në këtë rrjet edhe vetë bodiguardin e Leka Zogut, që emigrantët politikë e kanë konsideruar “Merimanga e Zezë”.
Është shumë e vërtetë. Ai ka qenë shumë aktiv dhe ka qenë fare i pakursyer. Por mbi të gjitha, ai ishte njeri i pjekur dhe dije se çfarë bisedoje dhe si bisedoje me të.
Pse, sa vjeç ishte?
Kur unë e rekrutova, në s’gabohem ka qenë rreth 70 vjeç.
Si quhej?
Quhej Muharrem Gjoka. Ishte nga Mati.
Dhe thatë se kishte shërbyer në oborr të Zogut qysh herët?
Ishte personi që kishte shërbyer më gjatë se kushdo shumë afër Ahmet Zogut. Ai kishte qenë roja besnike e tij, ndërkohë që në momentin që lindi Leka, pra kur ishte në Shqipëri, ai u caktua të mbikëqyrte intensivisht drejtpërsëdrejti jetën personale të tij. Pra, bodiguardi i tij.
Ç’do të thoshte kjo, mund të konsiderohet një farë shmangieje nga Lartmadhnia?
Jo, ky ishte një besim shumë më i madh. Mos harro se ardhja e Lekës në jetë u konsiderua një fitore e madhe për familjen mbretërore, e cila tashmë kishte siguruar trashëgimtarin e fronit. Leka ishte për Ahmet Zogun gjëja më e shtrenjtë e tij, kështu që edhe njeriu që do të vinte pranë tij si bodiguard nuk diskutohet që do të ishte njeriu më i besuar. Pra, ai u caktua pranë Lekës që kur lindi dhe e shoqëroi atë në çdo hap në mërgim, derisa vdiq Ahmet Zogu dhe Leka u kurorëzua Mbret.
Pra, e shoqëroi që në lindje deri sa ai u bë mbret, apo jo?
Po.
Po pse thoni, deri sa u kurorëzua Leka? Më mbrapa nuk ndenji?

Pas vdekjes së Mbretit, u shkurtua shumë personeli. Shumë punonjës, si dhe Muharremi, u përzunë. Por mos harro që ai ishte 70 vjeç kur u përzu dhe doli në rrugë, ndërkohë që të gjithë jetën e kishte harxhuar pranë mbretit dhe ku doli? Asgjëkund!
Po a ishte paguar nga mbreti?
Paga ka qenë më shumë simbolike. Ata banonin pranë oborrit të tij. Hanin dhe pinin dhe tregonin besnikëri, që në të shumtën e rasteve ishte një besnikëri me të vërtetë e pashembullt. Kjo, për faktin se prisnin që një ditë që ai mund të rivinte në pushtet, t’u shpërblehej. Por ç’e do, në të vërtetë ndodhi e kundërta. Ata u mbajtën varur gjithë jetën, duke shërbyer pranë oborrit, duke mos u marrë as me shtëpi dhe as me katandi dhe në fund u flakën në rrugë.
Po çfarë e donit juve këtë Muharrem Gjokën, kur ky nuk ishte më pranë mbretit?
Ky, pas vdekjes së Zogut nuk ishte më zyrtarisht oborrtar, por mos harro se ai ngelej i brendshëm dhe i besuar i tyre dhe takohej rregullisht. Ai pranë tyre ishte i pranishëm gjithnjë.
Dhe ju thoni se këtu e ka zanafillën fakti që ai pranoi të bashkëpunojë me juve?
Edhe kjo ishte një arsye, se e thoshte vazhdimisht që na përdorën gjithë jetën dhe tani na hodhën në rrugë si qen. Pastaj, kishte edhe arsye të tjera që e bënë të ndërgjegjshëm të ndihmonte me gjithë qenien e tij.
Më thuaj, si munde ta fusje në rrjetën enigmatike të Sigurimit të Shtetit?
Ky banonte afër parkut “Luksemburg” të Parisit, në “Parizi 6”. Jetonte i vetëm fare, se s’kishte familjarë.
Dhe i shkuat në shtëpi?
Patjetër. Nuk kisha ku e takoja ndryshe. Duhej të gjeja orën më të përshtatshme, që nuk mund t’i shkonte njeri, dhe që të mos më pikaste edhe mua askush. Kështu veproja me të gjithë që u shkoja për t’u bërë thirrje për bashkëpunim. Shkoja në orët e mesnatës zakonisht.
Dhe si i shkuat Muharrem Gjokës?
Edhe në këtë rast mbaj mend se kanë qenë orët e vona. Ora duhet të ketë qenë aty te 20.00 e darkës.
Më thuaj shumë hollësisht, që kur trokitët dhe si ju priti, apo në fillim patët hezitim te ai?
Po, po, atë po bëj. Unë, si pashë që nuk kishte njeri jashtë dhe rreth, hyra në korridor. Jetonte në një dhomë shumë modeste. U afrova te dera dhe trokita në të.
Ai thërriti që nga brenda: Kush është?
Unë ia ktheva: A prisni miq zoti Muharrem?
Pas kësaj ai u përgjigj: Nuk ju njoh, po për shqiptarët dera është e hapur.
Ndërkaq, hapi derën dhe u përballëm me njëri-tjetrin, ku unë pa e zgjatur hyra brenda, për shkakun se më ishte dhënë leja, me shprehjen “Për shqiptarët dera është e hapur”.
Si shkoi dialogu i hollësishëm?
Si jeni me shëndet zoti Muharrem, – vijova unë.
Si plak, po prapë jam mirë, në moshën time, – ma ktheu.
Gëzohem që jeni mirë, – reagova unë. – Unë jam Hasan Luçi, sekretar i legatës shqiptare këtu në Paris. Kam ardhur t’ju bëj një thirrje, të ktheheni në Shqipëri tani që jeni i lirë nga punët e oborrit mbretëror. Këtë e bëj, se unë personalisht kam dëgjuar vetëm mirë për ju këtu në mërgim.
Kjo lloj bisede, ishte sinqeritet apo çfarë?
Kjo, brenda kishte edhe sinqeritet, edhe thirrje njeriut të mençur, që të kuptonte se pas bashkëpunimit me mua, pavarësisht se ku dhe për kë kishte punuar, atij mund t’i sigurohej riatdhesimi dhe se me të vërtetë po trokisja te ai, se ishte dikush që kishte personalitet. Këtu dua të them, se s’ishte në kontingjentet që të kishte sjellë probleme, por kishte parë punën e tij dhe hallet e tij, si njeri besnik dhe i përkushtuar i mbretit, ku pas një jete e kishte parë veten në mes të rrugës. Por mos harro, që mënyra e të folurit tim kishte brenda një filozofi të tërë, që donte të thoshte se Shqipëria, atdheu i tij, ishte e hapur për njerëz si ai. Kjo kuptohet, që brenda kishte edhe kërkesën, se Shqipëria kishte edhe nevojë për të.
Ku e kuptuat ju se do të funksiononin thëniet e tua filozofike, që më shumë u ngjanin diçiturave, pasi ishin në formë parullash.
Po ta kuptosh, edhe ai ishte shumë i zgjuar. Mos kujto ti se Ahmet Zogu mund të mbante afër familjarëve të tij, aq më shumë të mbante afër Leka Zogut, njerëz që kishin probleme me mënyrën e të kuptuarit dhe të të logjikuarit të gjërave?!
Këtë mund ta vësh re, që kur unë trokita te dera para se të hyja, kur ai u përgjigj se nuk më njihte, por për shqiptarët porta e tij ishte e hapur.
Ç’donte të thoshte me këtë?
Se ai ishte i gatshëm të respektonte njerëzit e Shqipërisë, kushdo që ishin.
Kështu që edhe unë fola me fjalor të dyfishte, duke i lënë të kuptojë se ne kishim mendime shumë të mira për të, por kishim edhe nevojë, ndërkohë që ishim të disponueshëm që edhe ta ndihmonim.
E kuptova për sa ju pyeta, por dua të di se si vijoi ai dialog interesant midis jush? Pra, pasi ju i bëtë thirrje se kishit ardhur dhe se mund ta ndihmonit, si u përgjigj ai?
Ai tha: Kini bërë mirë që erdhët. Mirë bëni edhe që na kërkoni të kthehemi. Këtë ligj e kam mësuar, por në moshën time është vonë të kthehem. Kujt t’i bëhem barrë atje? Pse t’u nxjerr kasavet njerëzve të mi pas kaq vjetësh. Unë të them të drejtën, gëzohem që populli shqiptar po punon e përparon.
Pas kësaj, e kishit radhën për të vijuar kërkesën tuaj enigmatike?
Pa diskutim që gëzohesha që më kuptonte mirë. Unë kuptova se ai nuk e kishte shumë përzemër rikthimin, tashmë në këtë moshë kur e kishte kaluar të gjithë jetën, sipas tij kot. Por më la të kuptonte se e gëzonin arritjet e popullit, domethënë se i pëlqenin ato që kishte bërë udhëheqja komuniste.
Kështu që vijova: Po si e kaloni kohën? A shiheni me miqtë e vjetër e të tjerë këtu në Paris?
Pas kësaj ai kuptoi se unë interesohesha hollësisht për jetën e tij, prandaj filloi të referonte me kujdes dhe mendueshëm, të fliste për gjithë jetën e vet. Më shumë zëri i tij tingëllonte në mënyrë të tillë, që të përcillte streset dhe preokupimet që kishte kaluar.
E çfarë të tha për jetën?
Jeta e tij kishte qenë me të vërtetë interesante. Unë kuptova, që kisha para një njeri që kishte kaluar shumë peripecia në jetë. Më bëri përshtypje dialekti i tij matjan, që e ruante të freskët. Ishte shumë i mençur. Fliste shkurt e qartë.
Po te Leka a u ndalët?
Për Lekën tregoi shumë episode humoristike, por pa e përgojuar. Kur e pyeta veçanërisht për të, më foli gjatë.
E çfarë të tha?
Më tha: E njoh që kur lindi dhe deri sot, se kam qenë pa u shkëputur prej tij asnjë ditë.
Jam shumë kurioz zoti Luçi, të di se çfarë përshtypjeje kishte ai për Lekën?
Tekstualisht ai m’u shpreh:
Si fëmijë ashtu dhe i rritur nuk i ngjan hiç të atit.
Nuk është i mençur dhe sillet si budalla.
Nga trupi është mal, por nga mendja është në hall.
As shkolla nuk e bëri tamam njeri të shkolluar.
E ka mendjen vetëm te lojërat dhe armët.
Fliste për Ahmetin, në lidhje me intelektin e Lekës?
Edhe për Ahmet Zogun më tha, se e kishte vënë re mirë që nuk po e përfaqësonte ashtu si kishte menduar ai. Zogu vetë i kishte qartë hallin e Lekës, se si do t’i bëhej që ai nuk ishte i shtruar dhe i matur.
Kuptova përshtypjet e tij, pra të Muharremit, për atë që i kishte shërbyer devotshmërisht. Le të ndalemi te qejfmbetja e tij, që ishte larguar. Si u shpreh saktësisht për atë që i kishte ndodhur?
Ai menjëherë, si dha përshtypjet për Lekën dhe merakun e Zogut që ishte i tillë, në fund shtoi: Unë i shërbeva mbretit tërë jetën, por tani s’i duhemi më dhe na hodhi në rrugë të madhe.
Nga sa kishit dijeni për intelektin dhe tipin e Lekës, si ju duk ky përshkrim që ju bëri bodiguardi personal i tij?
E vërteta është, se ai portret që dha Muharrem Gjoka për Leka Zogun, ka qenë ai më i sakti që më kanë dhënë.
Sa e vazhduat atë takim, që pavarësisht se ishte i pari, madje dhe si prezantim, çuditërisht arriti të bëhet kaq i thellë dhe i përzemërt?
Ka vazhduar më shumë se dy orë.
Dhe nuk i thatë gjë për arsyet për se kishit shkuar?
I kuptoi ai të gjitha. Fjala ishte, që ne duhej të bisedonim për gjëra që ai i kuptonte, pra për sekrete dhe informacione të familjes mbretërore. Ato ai m’i dha që në fillim, pa e bërë të gjatë. Me këtë po tregonte se nuk ishte problem ta pyesja për çfarë të doja, se do të më përgjigjej me sinqeritet. Nuk kishin kuptim të tjera hollësi rreth misionit tonë të përbashkët. Rëndësi kishte që ai u ndje mirë që shkova për këtë punë dhe shprehte gatishmëri për t’u përgjigjur rreth kujtdo çështjeje që mund ta pyesja unë.
Gjithsesi, diçka duhet të keni thënë?
Kur u largova, i thashë se mbeta i kënaqur që takova një mik të mirë të Shqipërisë sonë. Atëherë ai ma ktheu: Ejani kur të keni kohë, por nga kjo orë, kur nuk vjen kush tjetër.
Pra, nuk mendoj se ngeli ndonjë gjë pa u sqaruar rreth asaj që kisha kërkuar unë.
Juve pas kësaj, vijuat takime të tjera?
Patjetër. Unë të tregova hollësisht atë takim të parë që ndodhi në shtëpinë e tij dhe gatishmërinë që ai tregoi për të bashkëpunuar, por paskëtaj unë shkoja rregullisht në orët e vona, ku merrja informacion të freskët mbi gjithçka që ndodhte në mjediset e mbretit dhe të njerëzve më të afërt që i rrethonin. I jepja porosi dhe detyra të ndryshme, të cilat kishin të bënin me pyetjet që duhej të sqaroheshin apo informata për detaje të veçanta që kishim interes.
Iu përgjigj të gjitha kërkesave tuaja?
Patjetër. Ai më ka mbajtur rregullisht me informacion të freskët.
Sa kohë vijoi ky bashkëpunimi juaj?
Me të e kam vazhduar bashkëpunimin, deri sa gjeti një vend azili në Angli. Më mbrapa mësova se kishte vdekur. Nuk e di se kur vdiq, se nuk e mora vesh.

 

(Vijon nesër)

 

Nga Fatos Veliu

 

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu