Lufta finale

0
428

Shumëkush e mban mend, si para ca kohësh, Berisha nuk linte rast pa ironizuar shefi n e opozitës për shfrytëzimin e rrjeteve sociale në
politikë. Deri dje pavarësisht deklaratave se po e çonte internetin kasolle më kasolle, e dinte se elektorati që e voton nuk është fort i mësuar me këtë prurje të viteve 2000 dhe e shikon me përbuzje e dyshim shtresën që konsumon këtë shërbim. Por po afron 2013-ta, beteja e fundit elektorale, të cilën duhet ta fitojë patjetër. I duhet çdo votë, ndaj kërkon t’iu bëhet i dashur edhe atyre që shtypin me dhjetë gishta në tastierë e nuk kanë ende një mendim për politikën. Po gjuan gjithandej. Shikohet me krerët e bashkësive fetare, hedh parulla nacionaliste, lëshon sulmuesin e tij të lirë Ilir Metën, me parulla proenveriste, që të mos i humbin ato qindra vota të komunistëve mbetur pa komandant, flirton me politikanët e minoritetit grek. Ministria e Rendit ndërkohë është blinduar nga Flamur Noka, që në CV mund të shkruajë vetëm profesionin “Besnik i Berishës”, me Arben Ristanin dhe Ferdinand Ponin, mjeshtrin e listave zgjedhore. Në zyrat e gjendjes civile ligjëron Armand Teliti, ish- kandidati për Bashkinë e Durrësit. Në KQZ duhet të jesh naiv të besosh se ka ndryshuar gjë për mirë. Në administratën e nivelit të dytë, tipa si Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymyshka, ish-SHIK-as; Drejtor Tatimesh si Agim Shehu, ish-masakrues i opozitës në vitet ‘92-‘97 dhe ish-SHIK-as të pozicionuar në administratë do bëjnë të pamundurën, me hir a me pahir, të sigurojnë fitoren e njeriut, pa të cilin nuk kanë asnjë mundësi të mbijetojnë në konkurrencë të ndershme. Nuk lihet asnjë detaj pas dore.
Pse i duhet kjo fitore Berishës? Së pari, nëse humbet, do t’i duhet të rimbledhë copat e PD-së dhe ta formatojë, por mosha nuk ia lejon. Këta të sotmit janë brezi i tretë që e popullojnë këtë formacion. Të parët, ata të ’91-it, janë tërhequr në punët e tyre, ose janë rikthyer, aq kokulur, sa vështirë do njohë më politika shqiptare të tillë. Të ardhurit pas ’97-ës, ku më tipiku është Bamir Topi, duket se nuk e duruan fodullëkun e njeriut, të cilit i dhanë dorën dhe ndihmuan atëherë kur nuk e prekte njeri me dorë, ndaj janë larguar në formacione të tjera. Të fundit janë prerja e Halimit, Olldashit, Bumçit, Alibeajt, e të tjerëve, që pa Berishën janë askushi. Me këta mund ta mbyllësh mandatin, por nuk mund të fitosh zgjedhje të reja, aq më shumë duke qënë opozitar. Ndaj në pamundësi të ringjallet edhe një herë nëse del në opozitë, do të luftojë për fitore.
Arsye tjetër janë fëmijët. E vetmja mënyrë për të vazhduar bizneset e tyre dhe ruajtur influencën që kanë është një Berishë në pushtet. Është një katërvjeçar që iu duhet për t’u konsoliduar dhe legjitimuar. Sikur edhe një përqindje e vogël e akuzave me të cilat i ngarkon apo bëhen aluzione në publik, të jenë të vërteta, do të kenë shumë punë me drejtësinë. Dhe drejtësia shqiptare mund të jetë e frikësuar, për sa kohë Berisha është në pushtet, por nëse del në opozitë, do ndryshojë loja. Leonardo Shasha në librin e tij “Këshilli i Egjiptit” me gojën e një personazhi thotë se “Në Sicili, sa për xhelatë, gjenden me lopatë”. Dhe shqiptarët e rinj, sidomos ata të administratës dhe gjyqësorit, sa vjen e po ngjajnë më shumë me sicilianët e vjetër. Këtë radhë Berisha nëse ikën, nuk ringjallet më, pasi këtë radhë nuk ka përballë shqiptarët kujtesëshkurtër, por Zotin, që nuk bën skonto sipas pushtetit apo parasë.
I duhet për vazhdimësinë politike të familjes së tij. Tashmë shkolla që vendosi Berisha për ndërhyrjen e politikës në çdo sektor të jetës, do vazhdojë për shumë kohë. Ndaj do t’i duhet që Partia Demokratike të kalojë nën udhëheqjen e pasardhësve të tij biologjikë. Në mos direkt, të paktën indirekt. Dhe do t’i duhet kohë ta përzgjedhë pasardhësin. Nëse e ka përzgjedhur, i duhet ta provojë besnikërinë e tij. E këtë mund ta bëjë vetëm duke qënë në pushtet.
Ka edhe një arsye thellësisht personale për të fituar: i mësuar për 23 vjet rresht nën dritën e reflektorëve; i adhuruar dhe urryer nga turmat, manipulator masash dhe dashnor maniak i pushtetit; me të kaluar dhe hasmëri, të cila nuk i mundësojnë pension të qetë; armiqësi nga të cilat do t’i duhet të mbrojë veten dhe pasardhësit, Sali Berisha nuk do lërë gur pa lëvizur që të fitojë në 2013-ën. Me shpresën se kjo do sjellë edhe shkatërrimin e opozitës reale dhe në këtë katërvjeçar të mundet që krahas të tjerave, të ndërtojë një opozitë sipas oreksit të tij. Një lloj papagalli me ngjyra që thotë çfarë i mëson ai. Ndaj ashtu siç këndonte dikur, sot më shumë se kurrë, për të “është lufta finale”, të cilën shpreson ta fitojë, përfshirë edhe me cicërima në rrjet.

 

Nga Dritan Hila

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu