Luftëtarët e Lirisë – do të jetojnë përjetsisht në kujtesen e Popullit!

0
286

Për të përkujtuar  shokun e idealit nuk është punë e lehtë,  sepse kërkohet një përgjegjësi dhe një rifreskim i kujtimeve të krenarisë dhe të dhembjes.

Në këtë shkrim përkujtues, në dyvjetorin e vdekjes fizike të veprimtarit të përkushtuar, i cili la vepra gjatë rrugëtimit të popullit tonë drejt përmbushjes së aspiratave të tij legjitime, për çlirim dhe ribashkim të trojeve të tij në një shtet të vetëm shqiptar, pashmangshëm u detyrova t’i thërrasë në ndihmë kujtimet, i bindur se vetëm ato do të më ndihmojnë ta përshkruaj  drejt, ashtu siç edhe e njoha veteranin e çështjes kombëtare, Rrahman Hajrush Bahtirin-Shpendin.

Rrahmani u lind në fshatin Brainë të Gallabit, me 06 mars 1954, në një familje  skamnore, ashtu siç ishte shumica e bashkëvendëseve të saj, por të pasur me traditë patriotike dhe liridashëse, të trashëguar brez pas brezi. Familje kjo, dera e të cilës mirëpriste e përcillte njerëz të besës e të nderit.

Rrahmani, qysh në moshën e mitur përjetoi shijen e hidhur të shpërnguljes nga vendlindja. I ati i tij Bacë Hajrushi, në kërkim të kushteve elementare për ekzistencë, detyrohet të shpërngulë familjen në Prishtinë.

Në Prishtinë, Rrahmani e kreu shkollën tetëvjeçare. Por, skamja e detyron qysh në këtë moshë, të mendojë si një i rritur dhe si rrjedhojë e kësaj, përkundër dëshirës vendos të heq dorë nga planet e tij për t’u regjistruar në shkollen ekonomike. Thjeshtë nga ëndrra që një ditë të bëhej ekspert i ekonomisë.

I vendosur që të ndihmojë për tu shkolluar vëllezërit dhe motrat e tij, vendos të regjistrohet në shkollën, siç quhej atëherë “ të nxënësve në ekonomi”, pas të cilës e kishte të garantuar punësimin.

Kështu dhe ndodhi.

Pasi e kryen këtë shkollë punësohet si mjeshtër latimi në ndërtimet e larta në Kombinatin Ndërtimor “Ramiz Sadiku”, në Prishtinë.

Ai nuk ndalet me kaq.

Pa humbur kohë fillon përgatitjet për të vazhduar shkollimin e lartë dhe në kuadër të këtyre përgatitjeve, në afatin e paraparë pa shkëputje nga puna kryen shkollën e mesme ekonomike. Por, në kohën kur ishte në vlugun e përgatitjeve për t’u regjistruar në fakultetin ekonomik, plasin demonstratat e Pranverës ’81, në të cilat merr pjesë aktive si pjesëtarë i organizuar i Frontit Nacional Çlirimtar.

Pas këtyre demonstratave, si për Rrahmanin, ashtu edhe për shumë shokë të tjerë filloi një epokë e re, e cila karakterizohej:

– me përpjekje dhe përkushtim për masivizimin e subjekteve të organizuara patriotike;  -me veprimtari të intensitetit më të lartë;

-me sfida të përditshme dhe rreziqe serioze.

Me 27 janar 1984 pason arrestimi nga “SDB” e pushtuesve serbo-sllav edhe i Rrahmanit, ashtu sikur edhe i shumë shqiptarëve tjerë, dhe më vonë edhe dënimi prej 13 vitesh të burgut të rëndë.

Duhet theksuar se qysh nga momenti i arrestimit e deri në përfundimin e dënimit, Rrahmani  mbajti qëndrim burrëror, edhe atëherë kur mësoi lajmin e rëndë për rënien e vëllait më të vogël në moshë, nxënësit të tij, Dëshmorit të Kombit, Bajram Bahtiri-Besniku.

Edhe gjatë kohës të cilën e kaloi gjatë internimit prapa grilave të kazamatit serbo-çetnik, të quajtur “Zabella” në Pozharevac – në Serbi, Rrahmani për as edhe një çast nuk do ta ndërpresë aktivitetin e tij prej luftëtarit të lirisë. Në këtë kazmat Ai takon shumë të internuar politik shqiptar dhe në bashkëpunim me ta pasuron njohuritë e tij, sidomos ato teorike në lëmin  e veprimtarisë çlirimtare.

Pas daljes nga burgu, nën përkujdesjen e doktor Avdush Bajgorës dhe doktor Ramë Miftarit, detyrohet t’i nënshtrohet një kure shëruese në lokalet e shtëpisë së tij përdhese për  veshkat e tij të dëmtuara rënd gjatë procesit hetimor.

Rrahmani , po ashtu sikur edhe shumë shokë të tij, e kishte të pamundur që të shfrytëzojë ndihmën mjekësore ne spitale, pasi që ato ishin venë nën masa të dhunshme nga thundra fashiste e pushuesit serbo-çetnik.

Ende pa u shëruar plotësisht, Rrahmani  fillon punën për organizimin e njësiteve në terren dhe përgatitjen ushtarake të tyre në frymën e Artit të luftës guerile-partizane.

Rrahmani, ishte njeri modest, shumë i sinqertë , shumë praktik dhe shumë i vendosur. Kjo bëri që respekti i njerëzve ndaj ti të rritej përditë e më tepër!

I tillë ishte Rrahmani!

Për te jeta pa aktivitete patriotike nuk kishte kuptim, ndërsa ideali kulmor i tij ishte, t’i shërbej me besnikëri, në vazhdimësi dhe deri në fund ribashkimit të Shqipërisë,  të cilën e deshi aq shumë.

Vetë fakti se ndërron jetë në një spital vendor, në mungesë të shumicës nga barërat esenciale, ashtu siç vdesin të gjithë ata që interesat e popullit dhe të at’memëdheut i kanë vënë para atyre meskine, e që për pasojë nuk kanë mjete për të kërkuar shërim nëpër qendrat me shëndetësi më të avancuar është dëshmia më e qëndrueshme, se edhe Rrahmani nuk u mashtrua nga lakmia për pasuri, si disa të mjerë të cilët të verbuar pas lakmisë, po hahen e grihen ndërmjet veti, sikur ujqit kur bien në mish,  pa u mërzitur fare, se me këto veprime të turpshme po minojnë themelet e ribashkimit të trojeve tona, për çka u vuajt aq shumë dhe e u derdhen lumenj lotësh dhe të gjakut.

Vepra e Rrahmanit ishte puna vetëmohuese dhe në vazhdimësi e një patrioti të bindur, se çlirimi dhe ribashkimi kombëtar mund të bëhet realitet, vetëm me luftë të armatosur çlirimtare të popullit të përbashkuar përreth Flamurit Kombëtar, me shumë sakrifica dhe  dhembje të mëdha.

Vepra e Rrahmanit,  ishte heroizmi i një atëmemëdhetari të devotshëm, i cili me vetëdije hoqi dorë nga të gjitha gëzimet e moshës, për t’iu rrekur një pune të vështirë dhe me plotë rreziqe, siç ishte lufta për çlirimin e pjesëve të robëruara të Atëmemëdheut, dhe ribashkimin e tyre në një shtet të vetëm, në të cilin do jetonin me dinjitet të pa nëpërkëmbur, jo vetëm bashkëkombësit e tij, por edhe pakicat minoritare.

Vepra vetëmohuese e Rrahmanit dhe virtytet e tij të larta njerëzore e kombëtare, mbetën shembull  konkret për edukimin patriotik të  gjeneratave të sotme dhe atyre që do të vijnë.

Ishin këto, fjalët që më diktoi mendja ime e përmalluar, të cilave u përpoqa t’u gjejë vend në këtë shkrim përkujtues, në këtë përvjetor të vdekjes fizike të bashkëveprimtarit , me të cilin u përpoqëm për dekada, bashkë me shumë shokë të tjerë, aq sa ditëm dhe me përkushtim, që të japim hisen tonë të kontributit për çlirimin dhe ribashkimin përfundimtar të Shqipërisë!

Lavdi jetës dhe veprës së Rrahman Hajrush Bahtirit-Shpendit!

Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të lirisë!

Lavdi e përjetshme Ushtrisë Çlirimtare te trojeve tona!

Luftëtarët e Lirisë – do të jetojnë përjetësisht në kujtesën e popullit!

 

Prishtinë, me 30 prill 2012

 

Nga, Sejdi Veseli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu