Lugina kërkon bashkim me Kosovën

0
375

Këshilltarët komunalë të tri komunave shqiptare të Luginës së Preshevës, e kanë përkujtuar të enjten referendumin për bashkim me Kosovën, që ishte organizuar pikërisht para njëzet vjetëve. Derisa e kanë kujtuar 1 dhe 2 marsin e vitit 1992, deputetët komunalë të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit, kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët politike, me të cilën e kanë rikonfirmuar dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë, që t’i bashkohen Kosovës.

Përveç tjerash, në këtë deklaratë politike është thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës shprehin qëndrimin se në rast të ndryshimit eventual të kufijve të Kosovës, ata do të angazhohen që tri komunat shqiptare t’i bashkohen Kosovës, në të kundërtën kërkojnë që çështja e Luginës të zgjidhet në korrelacion me veriun e Kosovës.

“Të brengosur për shkak të eksodit të ahqiptarëve të Luginës së Preshevës, që është pasojë e diskriminimit shtetëror dhe militarizimit enorm; ndjekjeve, arrestimeve dhe bastisjeve që u bëhen ish-ushtarëve të UÇPMB-së; mosrespektimit të Marrëveshjes së Konçulit si dhe vazhdimit të diskriminimit shtetëror, këshilltarët e tri komunave shqiptare, kërkojnë nga autoritetet në Beograd fillimin e dialogut të mirëfilltë me përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve për eliminimin e të gjitha shkaqeve dhe pasojave të diskriminimit politik, ekonomik dhe social”, thuhet mes tjerash në reagimin e këshilltarëve shqiptarë.

Po ashtu ky këshill fton institucionet e bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht Bashkimin Evropian, në përdorimin e gjithë mekanizmave ligjorë, politikë dhe diplomatikë të ndikojnë ndaj autoriteteve në Beograd, për braktisjen e metodave diskriminuese ndaj shqiptarëve.

“Prandaj, kërkojmë nga institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës, angazhim maksimal politik e diplomatik për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke sforcuar angazhimin për respektimin e parimit të reciprocitetit politik, ekonomik dhe tregtar me serbët e veriut të Kosovës”, parashtrohen kërkesat tjera në këtë deklaratë.

Deputetët komunalë, nëpërmjet kësaj deklarate, më tutje kërkojnë nga autoritetet kompetente në Kosovë dhe Serbi, eliminimin e të gjitha pengesave administrativo-financiare në vendkalimet kufitare dhe krijimin e kushteve të qarkullimit të lirë të qytetarëve dhe respektimin e kërkesave dhe nevojave legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në procesin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Në 20-vjetorin e mbajtjes së Referendumit, Kuvendi shpreh vendosmërinë për të vazhduar angazhimin tonë, me gjitha mjetet e disponueshme politike, për të zgjidhur statusin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, konform vullnetit politik të shprehur me Referendum”, thuhet në deklaratë.

 

Nga, Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu