Lushi: Ja kush luftoi e kush tradhtoi (21)

0
248

Naim Lushi ka thënë se luftën e Loxhës nuk e bëri Tahir Zemaj, nuk e bënë as politikanët nga sallonet e flladitura të kryeqytetit, nuk e bëri askush që qëndronte në prapavijë të thellë të frontit, duke mos marrë asnjë gërvishtje lufte, përderisa komandant Skënder Çeku, “djemtë e tij”, siç kishte zakon t’i quante ushtarët e Njësitit “Luanët e Dukagjinit”, vriteshin e priteshin me armikun.

Ish-ushtari i UÇK-së, Naim Lushi, ka thënë se lufta e Loxhës nuk ishte një episod i shkurtër dy-tre orësh, pas përfundimit të së cilës do të vrapohej për ta grabitur lavdinë, por një luftë e cila zgjati javë të plota. Ai ka thënë se gjatë këtyre gjashtë javëve njihen tri beteja të mëdha. “Por, kishte edhe aksione të përditshme, sidomos në aksin rrugor Pejë – Deçan, ku ishin pozicionuar forca tejet të mëdha serbe, përballë të cilave ishte vendosur pika 3 e mbrojtjes sonë, në të cilën qëndronte edhe Skënder Çeku me njësitin ‘Luanët e Dukagjinit’ dhe djemtë e lagjes së Morinëve”, ka deklaruar Lushi, i cili ishte plagosur në betejën e 15 gushtit.
Ai ka thënë se luftën e Loxhës nuk e bëri Tahir Zemaj, nuk e bënë as politikanët nga sallonet e flladitura të kryeqytetit, nuk e bëri askush që qëndronte në prapavijë të thellë të frontit, duke mos marrë asnjë gërvishtje lufte, përderisa komandant Skënder Çeku, “djemtë e tij”, siç kishte zakon t’i quante ushtarët e Njësitit “Luanët e Dukagjinit”, vriteshin e priteshin me armikun. “Luftën e Loxhës nuk e bënë ata që strukeshin duke pritur momentin e përfitimit nga ajo luftë që po bëhej. Luftën e Loxhës e bënë gjithë ata djem dhe vajza të cilët u ndeshën dhëmb për dhëmb me armikun, duke mos e peshuar fare vdekjen e cila secilit prej tyre i varej pezull si medaljon trimërie në qafë. Askush nuk është më meritor sesa vullneti i çeliktë i atyre djemve dhe vajzave, por askush më pak sesa ata nuk kërkon të marrë ndonjë pjesë nga lavdia historike e kësaj lufte, sepse ata janë të kënaqur kur e shohin vendin e tyre të lirë, kur i shohin gjithë të dashurit e tyre të jetojnë të lirë dhe kur e dinë se sadopak kanë kontribuuar në përmbushjen e amanetit të shokëve të tyre dëshmorë. Ata konsiderojnë se qëllimi i tyre është arritur. Ndryshe nga të tjerët që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë qëllime të tjera kundrejt atij më fisnikut: luftës për liri”, është shprehur Lushi.
Ai ka thënë se luftën e Loxhës e bënë ata djem dhe vajza që kishin vendosur ta koritin vdekjen duke i vënë përballë qëndresën, që s’mund të merrej me mend se mund të ekzistonte aq e fuqishme në kushtet e një pabarabarësie ekstreme përballë forcave të stërpaisura serbe. “Vetëm vullneti i çeliktë i këtyre protagonistëve mund t’i vihej përballë kësaj pabarabarësie dhe ta kthente fuqinë e mbizotërimit në anën e çlirimtarëve. Ata janë heronjtë e vetëm të luftës së Loxhës, sepse vetëm ata ishin aty kur po bëhej heroizmi dhe po thurej epi i lavdisë. Luftën e Loxhës e bënë ata djem dhe vajza që garonin me njëri-tjetrin kush a kush do ta sfidonte vdekjen më shumë dhe më bindshëm”, ka thënë ai. Lushi ka thënë se Tahir Zemaj nuk ia dinte emrin asnjërit prej këtyre djemve dhe vajzave që po i falnin jetën atdheut ende pa lulëzuar plotësisht. “As pamjen nuk ua njihte atyre”.
Në luftën e Loxhës, Lushi ka deklaruar se ka pasur dy lloj shfaqjesh me dy lloj karakteresh. Në njërën anë, ka thënë ai, ishte komandant Skënder Çeku, i cili ua hapte gjoksin plumbave për të marrë më vonë edhe plagët vdekjeprurëse prej tyre, nga ana tjetër Tahir Zemaj, i cili, nga thellësitë e prapavijave të frontit, as që merr ndonjë gërvishtje. “Nga njëra anë kemi gjeneral Skënderin, i cili nuk pranon ta veshë antiplumbin, meqë ushtarët e tij nuk kishin nga një të tillë dhe printe vetë në të gjitha veprimet luftarake të Njësitit ‘Luanët e Dukagjinit’, nga ana tjetër kemi Tahir Zemajn, i cili përllogariste mirë përfitimet propagandistike dhe të tjera, nga cilado gjendje në fushëbetejë dhe nga larg vijës së frontit priste të merrte vesh se cili ishte epilogu, pa ç’ka që Rrustem Bruçin, Shaip Surdullin e trima të tjerë i kishte futur në flakët e luftës pa ndonjë plan të parapërgatitur dhe pa kurrfarë analizimi të situatës dhe terrenit dhe duke anashkaluar plotësisht sugjerimet e komandantëve dhe luftëtarëve të tjerë që tashmë kishin bërë disa orë lufte përballë armikut në Loxhë. Ata djem trima të vrarë, që i kishte futur në zjarr Tahir Zemaj, ishin krejtësisht të ngjashëm me këta djem të tjerë që gjendeshin në Loxhë. Ishin të brumosur me të njëjtin ideal, me të njëjtin përkushtim ngarendnin drejt vdekjes, me të njëjtën trimëri ballafaqoheshin me armikun. Por, ata nuk e dinin se kjo gatishmëri e tyre po keqpërdorej nga dikush. Ata nuk e dinin se emri i tyre do të përmendej vetëm si një numër argumenti dhe as që u interesonte ta dinin. Ata ishin luftëtarë të lirisë dhe vetëm këtë donin të dinin”, ka deklaruar Lushi.
Atyre, ka thënë Lushi, nuk u bënte përshtypje edhe po ta dinin se gjakun e tyre dikush nesër do ta përdorte si argument për ta lartësuar vetveten dhe për të ngritur hipoteza mjegulluese lidhur me qëndresën heroike të djemve të Loxhës, të atyre të Qyshkut, të Pejës, të Njësitit ‘Luanët e Dukagjinit’ si dhe të djemve dhe vajzave sypatrembur që vinin nga shumë fshatra të Dukagjinit e që vullnetarisht e vinin në dispozicion të flijimit për lirinë, jetën e tyre njomake. “Nga njëra anë kemi komandant Skënderin, i cili edhe në momentet e fundit të jetës ua linte amanet shokëve se: ‘Luftën duhet vazhduar edhe pa mua’, nga ana tjetër e kemi Tahir Zemajn, i cili jo shumë kohë pas betejës së Loxhës e lë Kosovën dhe tradhton ushtarët nën komandën e tij, duke i braktisur dhe lënë bjeshkëve, në mëshirën dhe pamëshirën e fatit të të braktisurit nga eprorët. Nga njëra anë kemi komandant Skënderin, i cili bëri ç’mos për ta furnizuar UÇK-në me armatim, nga ana tjetër kemi Tahir Zemajn, i cili ngado që mundi mblodhi armatim dhe ia dorëzoi armikut. Kemi komandant Skënderin, i cili bënte përpjekje dhe angazhohej për përhapjen e luftës, sepse ishte i bindur se vetëm lufta ishte fara e vërtetë e lirisë e cila duhej të mbillej kudo në Kosovë, nga ana tjetër kemi Tahir Zemajn i cili u vinte barrikada luftëtarëve të UÇK-së, pas ofensivave serbe, duke kërkuar të çarmatoseshin, sepse sapo na e paskëshin qetësuar situatën dhe paska rrezik që luftëtarët e armatosur ta ‘ndezin’ sërish në ndonjë vend tjetër!”, ka thënë ai. Pikërisht kjo, sipas Lushit, u ndodhi edhe djemve të Skënder Çekut derisa po kalonin nëpër fshatin Baran, ku ishte e vendosur njëra pjesë e njësive të Tahir Zemajt. “Këta djem nuk pranuan me asnjë çmim t’i dorëzojnë armët dhe gati sa nuk plasi një konflikt vëllavrasës që, po të mos ishte urtia e një polici ushtarak, edhe do të ndodhte, sepse ishte urdhër i ‘komandantit’: që asnjë ushtar i UÇK-së me armatim nuk duhej të kalonte këtyre anëve”, ka thënë ai.
Në vazhdim ai ka deklaruar se për të vërtetën e luftës së Loxhës mund të flitet vetëm nëpërmes protagonistëve të vërtetë të saj. “E protagonistët e vërtetë të luftës së Loxhës janë këta djem që po flasin këtu në këtë fejton. Këta djem ofrojnë si argument gjakun e tyre të derdhur në këtë luftë. Vetëm shikoni se kush janë ata që flasin këtu: Binak Dinaj, Gani Elezaj, unë, të plagosur në këtë luftë, e flitet përplot mall e respekt për Skënder Çekun, Tahir Shalën, Zhujë Morinën, Rexhë Morinën, Xhavit Qufajn, Valon e Ahmet Shalën të vrarë në këtë luftë etj. A nuk janë këto argumente të mjaftueshme që flasin qartë mbi vërtetësinë e luftës së Loxhës? Nga ana tjetër cilin nga këta djem të vrarë e të plagosur e njihte Tahir Zemaj? Cilin nga ata e kishte nën komandën e vet? Në këto intervista të bashkëluftëtarëve të mi flitet, po ashtu, edhe për Rrustem Bruqin, Lumni Surdullin, Enver Alajn të vrarë në këtë luftë, si dhe odisejadën e përpjekjeve për tërheqjen e trupave të tyre të bërë nga Gëzim Ademaj, Bardhyl Rexhepaj, Sherif Gashi e djem të tjerë të cilët as që i njihte Tahir Zemaj e as që i kishte nën komandën e tij. Luftëtarët në luftën e Loxhës ishin vëllezër të armës dhe nuk bënin kurrfarë dallimesh mes vete. Dallimet i bënin ata të cilët kishin mision këtë punë”, është shprehur Lushi.
Protagonistë dhe dëshmitarë të luftës në Loxhë ai ka thënë se janë edhe të gjithë banorët e fshatit, jeta e të cilëve për gjashtë jave nuk është vënë në rrezik asnjëherë, ngase ishin në mbrojtje dhe kujdes të pjesëtarëve të UÇK-së. “Por, jo në mbrojtje dhe kujdes të atyre ushtarëve që dhjetëra kilometra larg rrinin në Prapaqan ose Baran, por në mbrojtjen e atyre ushtarëve që mëngjes e mbrëmje, ditë e natë, ishin pranë kësaj popullate, të palëkundur në pozicionet e tyre luftarake si mbrojtës të përditshëm dhe përnatshëm të Loxhës nga përpjekjet e përditshme të ushtrisë serbe për ta marrë atë. Këta djem ishin ‘Luanët e Dukagjinit’, së bashku me djemtë dhe vajzat e Loxhës, me ata të Qyshkut e të Pejës si dhe vullnetarët nga fshatrat e tjera, e në ballë të tyre qëndronte sypatrembur kryeluani, gjenerali i pavdekshëm Skënder Çeku”, ka thënë Lushi.
(FUND)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu