Majori qe loboi per pavaresine

0
383

Në fakt nuk ka ndërtesë më e klasifikueshme si e ndryshme se sa ajo e quajtur në Shkodër si “Sahati i Inglizit”. Normalisht që në Shkodër ka ndërtime orientale të lëkurëzuara me një qytetare shkodrane, ka ndërtime të ideve të Idromenos që duan të sjellin Venecian, ka edhe ndërtime austriake dhe italiane, por ka si askund, një model britanik të plazmuar në një tradicionale të qytetit të vjetër. Patjetër ky është ndërtimi i bërë nga Major, George Thomas Cavendish Paget (1853-1939) si një nip i Parit Markes të Anglesey dhe djalë i tretë i Gjeneralit Lord Alfred Paget. Një major kavalerie ose Foreign Service Uniforme, Major, Imperial Yeomanry. Djali i tretë i Lordit Paget që në Shkodër normalisht i thonin “Lord” kish kryer Ëellington College dhe ka qënë i prirur për udhëtime dhe aventura, kurse në luftën “Ruso-Turke” 1877-78 ka qënë me forcat Otomane, si pjesë e shtabit të Sulejman Pashës. Ai ka qënë edhe në Bullgari në kohën e kryengritjeve në Radopi, në Afrikë në luftën e Zuluve, por në shpërthimin e luftës Greko-Turke dhe kryengritjeve në Shqipëri, ai ishte dhe u përshtat si jetesë në mënyrë të veçantë në veri të Shqipërisë dhe pikërisht në Shkodër. Në fakt, askush në mënyrë të qartë nga njerzit e shkrimeve për “Sahatin e Inglizit” dhe për “Lordin Paget”, nuk është marrë më qartësisht për rolin e tij. Patjetër nga studiues të apasionuar si Hamdi Bushati dhe Paul Tedeskini, është treguar se si është ndërtuar dhe shitur Sahati i Inglizit, si “Lord Paget” ka tentuar të ndërtojë të parën kishë Anglikane në Shqipëri, apo Protestane sikundër e konsiderojnë disi jo në mënyrë precize, kanë treguar gjithashtu si kishte dy stalonë të lartë si kuaj race, kanë treguar në fakt se i është bërë një rezistencë nga katolikët dhe besimtarë të tjerë në përhapjen e fesë, është treguar dhe hipotezuar se mund të ketë qënë edhe “agjent”, por është thënë se në fund e ka shitur shtëpinë rreth 3600 napolona ar. Megjithatë nuk është sqaruar se çfarë roli kishte ky “Lord” në Shkodër dhe për Shqipërinë. Është treguar edhe historia e orës së kullës së famshme e cila në vitin 1968-të “emigroi” në Gjirokastër, sepse Enver Hoxha e kishte pëlqyer gjatë një vizite, dhe kjo orë nuk u kthye më. Po ka edhe histori me kapadij stallierë dhe për të vetmin protestant në Shkodër që quhej p.sh. Ndrekë…protestanti.
Studiuesi pasionant Bushati thotë: “Lordi Paget, mbasi bleu shtëpinë, planifikoi rindërtimin e një shtëpie në stilin e një shatoje sikurse shihet edhe sot. Simbas hulumtimeve tona, Lordi Paget, nuk qëndronte vazhdimisht në Shkodër. Ai më tepër vinte këtu në stinën e dimnit, ishte i dhanun mbas gjuetijet. Me shumë borgjez shkodranë, mysliman e katolik, kishte të njoftun e miqësi Lordi e përsa qindronte në Shkodër, ushtronte edhe tregtinë e antikiteteve. Normalisht që shtëpia i administrohej nga mëkambësi konsull, Kol Suma”. Jo kaq shumë i zgjatur me biografinë e Paget zoti Bushati, vërteton se ai ka marrë shërbime nga turqit dhe Valiu. Por në fakt nuk vërteton se Paget si dhe të parët e tij, kanë qenë në shërbim ushtarak të Otomanëve. Sidomos vetë majori, i cili edhe në kohën e luftës me grekët ka tentuar të vendosej në shërbim të Portës, por për një vonesë nuk ka mundur të kryej shërbimet e tij. Ishte një ushtarak aventurier që paguhej nga fuqia e atëhershme turke, por njihte shumë mirë Shqipërinë e veriut, Shkodrën në veçanti, zakonet, gjendjen, politikën, varësitë dhe patjetër kulturën në përgjithësi. Në fakt, për të flet shumë pak si kontekst agjenturor Aubrey Herbert, diplomat, agjent i shërbimeve sekrete në momentin e pavarësisë së Shqipërisë. Këtij personi i është afruar dy herë “Froni i Shqipërisë” dhe nga viti 1911 e deri në vdekje në vitin 1923, ka qenë anëtar i Parlamentit Britanik si Konservator. Bashkëpunimi i afërt i Paget me diplomatin “agjent” Herbert, e bën shumë të besueshme edhe punën agjenturore dhe diplomatike të “Lordit të Shkodrës”. Ai ( Herbert) vinte nga një familje e fisme e kontesë së Carnarvon si djalë i Henry Herbert, pasanik i madh terrenesh dhe Lord i Irlandës. Në vitin 1911 kur Lloyd George mori fuqinë, ishte ndër tre të rinjtë konservatorë të rëndësishëm në Britani. Herbert ishte një orientalist i thekur dhe fliste mirë frëngjisht, italisht, gjermanisht, turqisht, arabisht (mik i Laërence të Arabisë) greqisht dhe….shqip. Por këto gjuhë i fliste pothuaj si anglishten e tij. Patjetër një figurë e jashtëzakonshme diplomacisë dhe inteligjencës Britanike. Udhëtimet e tij në Shqipëri kanë qenë të shumta dhe të shpeshta, dhe ka qenë mbështetësi më i madh i pavarësisë së Shqipërisë mbas udhëtimeve të tij i veshur shpesh herë si fshatar dhe i maskuar në vitet 1907, 1911 dhe 1913. Në fakt, e kanë akuzuar shumë për miqësinë e tij me Esad Pashën. Ai ka qënë konsullenti ekselent për Konferencën e Paqes dhe korrespondetët e tij të Shqipërisë janë me dobinë e tyre jo rastësisht Edith Durham dhe ….Major G. T. C Paget.
Ai shkruan në mënyrë të jashtëzakonshme për delegacionin e shqiptarëve dhe Komitetin Shqiptar në Londër. Sidomos për Isa Buletinin, që e ka mbajtur në shtëpinë e tij për ta takuar me Sir Lloyd George. Por këtu ai sqaron qartë dhe rolin e major Paget. Ai shkruan për këtë rast se: “Çështja e copëtimit të Shqipërisë ka qenë e elaboruar shumë nga shtypi. Një takim publik është thirrur në Connaught Rooms dhe nga një komitet i formuar në të cilin isha zgjedhur si kryetar. Ato që morën pjesë në punën kryesore ishin zoti CF Ryder, Mark Giudice, zoti Paget apo majori Paget që ka jetuar në Shkodër. Unë dhe ai ( Paget) ishin të vetmit që kishin njohuri reale me vendin, kurse të tjerët ishin të shtyrë nga një dashuri bujare dhe sens të lirisë. Më vonë Miss Durham erdhi te ne, dhe ajo kishte kaluar vite pune në Shqipëri. Emri i saj ishte i njohur si në veri dhe jugë të Shqipërisë. Më vonë është bashkuar me ne edhe kapiteni Even MacRuri. Kemi pasur raporte të ngushta dhe të vazhdueshme me shqiptarët dhe kemi qenë besoj fondamentalë për të pasur avantazhe për vendin që në të kundërtën do të mungonin, Shqiptarët që erdhën në Britani më duhet të them se kanë prodhuar një impresion tepër të mirë…..”
Herbert në të vërtetë zbulon rolin e qartë të majorit Paget, i cili kishte vite e vite që punonte nën cilësinë e kavalierit, të pasurit, anglikanit, “filoturkut”, njohësit të terrenit dhe aristokracisë të vogël shqiptare. Pastaj normalisht ai ka qenë edhe një nga njerëzit e besuar të “Madhërisë së Tij” për të përcaktuar pavarësinë e Shqipëri. Në çdo vend ku ka shërbyer ky njeri me gjakun blu, ka qënë një informator dhe krijues bindjesh diplomatike dhe politike në interes së Britanisë së Madhe. Roli i tij në bisedimet e vështira të Pavarësisë së Shqipërisë, ka qenë i padiskutueshëm dhe normalisht duke qenë edhe mik i njeriut numër një të shqiptarëve në Londër për sa i përket peshës diplomatike, ka bërë edhe diferencën për njohuritë që kishte. Ai ishte një njohës shumë i mirë i Perandorisë Otomane, fuqisë së saj, dhe interesave në tërheqje, por njihte mirë edhe ambiciet e fqinjëve ballkanikë të Shqipërisë. Megjithatë për datën e famshme 28 nëntor 1912, edhe “lordi” Paget ka vendin e tij në histori dhe patjetër njohuritë e tij nëpërmjet shefit Herbert, kanë shkuar edhe në tavolinat e mëdha të Lloyd George. Paget ka mbetur jo shumë i trajtuar nga historianografia pikërisht për diskrecionin e tij dhe mbulesën e qënësishme si “kavalier” si “ushtarak dhe aveturier”, por edhe si njeri që dëshironte të përhapte një religjion tjetër, që në Shkodër nuk e kanë përqafuar në atë kohë. Por në të vërtetë ai ka qenë në Londër dhe afër Aubrey Herbert, si diplomati që kishte peshën më të madhe në vëndin e duhur. Pastaj në se kanë mundur të bëjnë më shumë apo jo….kjo është diçka tjetër, e cila vazhdon të elaburohet nga historianë dhe njohës së fakteve në vitin 1912-të.
Në të vërtetë ky ka qenë edhe roli i qënësishëm i tij edhe në Shkodër. Pastaj i pëlqente shumë kalërimi dhe veshja e bukur e etnosit shkodran. Në Arkivin e Muzeut të Shkodrës është edhe një foto unikale e tij, i veshur me teshat e një qytetari të pasur të Shkodrës, dhe patjetër ai ishte me mënyrën e tij një dashamirës si shqiptarëve. Kjo foto, që po botojmë, e krahasuar me veshjen e tij si oficer i kavalerisë, duken si dy pika uji në realitet. Tashmë trashëgimi e tij është akoma kulla e sahatit të Inglizit në Shkodër, që akoma nuk ka marrë vlerën e duhur si urbanistike dhe historike.

Nga Besi Bekteshi *Punonjës i Muzeut Historik të Shkodrës. Publicist

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu