Mark Dodani: Në ’59-ën zbuluam në Devoll, grupin agjenturor të Asfalisë greke

0
329

Zoti Dodani. E ndërpremë intervistën e numrit të kaluar në momentet kur Zef Ndue Doda, – i futuri juaj në radhët e bandës së Ndue Bajraktarit me kodimin “Gjimnazi”, – i shpëtoi vetëm për fat vdekjes së padiskutueshme që iu përgatit duke e lidhur pas trungut që digjej me tërbim. Si vijoi më tej ngjarja, si shpëtoi falë mendjemprehtësisë, me mënyrën si u përgjigj?

Ishte çasti më tragjik i jetës së tij, pasi kuptoi se ishte pikasur dhe se nuk kishte shpëtim nga zjarri që dalëngadalë po e përpinte të tërë lisin ku ishte i lidhur. Në moment, siç jua shpjegova dhe nga numri i kaluar, ai duke mos e humbur toruan, ia ktheu Ndues: “Aaa, e keni fjalën për rastin që më ngarkuan detyrën Bardhok Biba, Pjetër Lufi dhe Zoi Themeli!? Po more, këtu nuk ka ndonjë gjë që nuk shkon. Ata me të vërtetë më kanë thënë që t’ju shërbeja, por varet se, a e pranova unë, dhe më shumë për këtë kam ardhur, që t’ju tregoj çfarë po ndodh rreth jush. Nuk jam gjë unë, por të dini ju sa ‘Gjimnazër’ keni rreth vetes, do të çuditeshit. Po t’i digjnit të gjithë nuk do t’ju mjaftonin lisat”. Pas këtij çasti, Ndue Bajraktari dhe Dod Mark Gjoka, të çoroditur nga sa dëgjuan, dhanë urdhër të zgjidhej menjëherë. Ishte momenti kur digjej trungu pas duarve të Zefit. Kështu, për punë sekondash, ai shpëtoi nga vdekja. Ndërkohë ai e kuptoi se njerëzit e bandës dhe vetë Ndue Bajraktari, kishin informacion të plotë për detyrën që i ishte ngarkuar atij. Pra nuk kishte asnjë mëdyshje se nga dikush ishte tradhtuar.
Megjithatë Ndue Bajraktari, pasi e zgjidhi Zefin i tha që të rrinte me të tjerët dhe do të shikohej më vonë qëndrimi i tij me bandën. Kjo do të thoshte se ai nuk i kishte shpëtuar akoma telashit nëse ishte njeri i Sigurimit. Pra nëse ishte vërtet ashtu siç pretendonte ai, se nuk e kishte pranuar “ofertën” e Bardhok Bibës. Pas kësaj, Ndue Bajraktari u largua po me të njëjtin nxitim që erdhi, ndërsa gjithë të tjerët rrinin në kaçube të veçanta, duke pritur një ushqim karakteristik që përdornin kur ishin në male, që quhej pulendër e që po vlonte në kazan.
Dhe Zefi, ashtu si të tjerët, priste pulendrën që të ziente. Nuk e jepte veten, se binte në sy. Mendonte me veten se kush mund ta kishte tradhtuar. Kishin dijeni vetëm tre vetë për misionin e tij: Bardhok Biba, Zoi Themeli dhe Pjetër Lufi. Këtë duhej ta gjente patjetër, se ndryshe ishin punët pisk. Truri i tij i vënë në aktivitet të plotë në ato çaste, mendoi një zgjidhje të mirë për të zbuluar të vërtetën. Për këtë zgjodhi që të përdorte një nga banditët, të quajtur Ludovik Saraçi.
Pse pikërisht zgjodhi Ludovikun?
Sepse ai ishte personi më i përshtatshëm për të rënë në grackë, se ishte njeri me shkollë dhe nuk i dinte mirë hilet e banditëve.
Si veproi me të?
Ndërsa ndahej pulendra e porsa gatuar, Zefi mori pjesën e vet dhe si me lezet po kërkonte një vend ku mund të ulej. Në çast, sytë gjasme i shkuan vetë te një kaçube e shmangur, në të cilën rrinte i strukur, duke u mbështjellë me kapotë, Ludovik Saraçi. Duke pasur ushqimin përpara dhe duke u strukur që të mos ftohej, bashkë me Ludovikun hapi bisedën si tepër rastësisht: “Ore Ludovik, e pe çfarë thashethemnaje hapin komunistët? Po na detyrojnë të vrasim njëri-tjetrin sa që nuk besojmë fare. Por këtë gjë unë do ta zgjidh shumë shpejt”. “Eh, – ia ktheu Ludoviku, – kanë ardhur kohë të këqija. Janë bërë të gjithë të pabesë”.
“Të drejtë ke ti or zotni Ludovik. A e di se mua më shkoi mendja për ta vrarë atë që është strumbullari i gjithë punëve të këqija që na ndodhin neve?! Dhe ky është Pjetër Lufi, nuk e vë në dyshim fare. Këtë që nuk bëra atëherë, do ta bëj nesër, kur ai të vijë, siç kam marrë vesh. Ky është momenti më i mirë e me këtë rast jap edhe një provë të madhe përballë Ndue Bajraktarit dhe të gjithë juve, që ju kam si vëllazën”.
Pse tha pikërisht për Pjetrin?
Sepse mendja e tij i thoshte se do të ishte Pjetri ai që e kishte tradhtuar. Thjesht futi në veprim logjikën, për të pritur reagimin e Ludovikut.
Si reagoi Ludoviku?
Ashtu siç e mendoi Zefi. Sa përmendi emrin e Pjetër Lufit, Ludoviku u hodh përpjetë sikur ta kishte mbërthyer grenxa, duke thënë: “Jo, jo Pjetrin, se ai është njeriu ynë. Po të mos kishte qenë ai, ne do të na kishin fshirë komunistët”.
“Mirë pra, do të vras Bardhok Bibën”, – vijoi Zefi. “Atë po”, – ia ktheu Ludoviku me atë naivitetin e tij karakteristik. Nga kjo Zefi e mësoi saktësisht se Pjetër Lufi, që kishte fituar besim të madh te Bardhok Biba dhe ishte ngarkuar me detyrën e shefit të Punëve të Brendshme të Mirditës, s’ishte gjë tjetër, por agjent i bandave të maleve në radhët e komunistëve.
E njoftoi Bardhokun?
Menjëherë. U nis që atë natë, sikur do të shkonte të vriste njërin nga drejtuesit e komunistëve për të dhënë prova, siç ishte ngarkuar. Pas kësaj përfundoi në shtëpinë e Bardhok Bibës, ku i tregoi gjithçka.
Kush ishte kundërveprimi i Bardhok Bibës?
Arrestoi menjëherë në fshehtësi të plotë Pjetër Lufin, duke e zëvendësuar me Sulejman Malokun. Për të mos u marrë vesh kjo gjë dhe banda e Ndue Bajraktarit të mos mësonte se Zefi kishte raportuar, kështu që do të ndryshonte qëndrim, hapën fjalë që të nesërmen, se Pjetër Lufi është dërguar në një specializim për disa kohë. Pas jo më shumë se 24 orësh, që i bie natën tjetër, si kish ikur Zefi për t’i treguar Bardhokut, u rrethua gjithë vendi ku ishte përqendruar banda. Forcave të ndjekjes dhe atyre të policisë që merrnin pjesë në aksion, u printe Sulejman Maloku, i cili zëvendësoi Pjetër Lufin.
E dinin saktësisht vendndodhjen e bandës?
Të thashë e dinte Zefi, se ata e prisnin të kthehej pas vrasjes që i kishin ngarkuar. Kështu që, në mesnatë, ishin të rrethuar të gjithë. Afër mëngjesit filloi beteja e rreptë. Deri në të gdhirë, kur ishte zhvilluar 4-5 orë luftë, u eliminua e gjithë banda. Nuk mbeti me sa di unë asnjë njeri i gjallë.
Sa vetë mund të kenë vdekur?
Duhet të kenë vdekur 21 vetë nga të bandës.
Po nga forcat e ndjekjes, a është vrarë njeri?
Nuk di të jetë vrarë njeri.
Po Ndue Bajraktari vetë, a u vra?
Jo, por siç dihet, – nuk e di sa është e vërtetë, – ai nuk ndodhej atje atë natë, se iku që në darkë, pasi zgjidhi Zefin nga pema që po digjej.
Ç’bëri Ndue Bajraktari kur mësoi këtë rreng të Zefit?
U tërbua fare. Më pas mori dhjetë-pesëmbëdhjetë shokë të bandës dhe i veshi si forcat e ndjekjes, me grada, dhe shkoi në shtëpinë e Zefit, për ta kapur të gjallë. Por meqenëse nuk e gjeti në shtëpi, i mori të ëmën, e lidhi bashkë me babain e tij dhe i vrau vetëm babain. Pas kësaj i dogjën shtëpinë.
Pse u veshën si forcat e ndjekjes, kur në të vërtetë ishin banditë?
Që të hapnin fjalë se shtëpinë Zefit po ia digjnin forcat e ndjekjes, për faktin se ishte bashkuar me banditët. Thjesht, që të hapnin panik për forcat e ndjekjes dhe Zefin ta fusnin në shumë konflikte. Por çështja u sqarua shpejt.
Zoti Dodani. Le të kalojmë në një episod tjetër, subjekti i të cilit më ka tërhequr shumë vëmendjen. Fjalën e kam te ngjarja e grupit të Korçës, i cili bashkëpunonte me agjenturën greke, ku kreu i grupit ishte vetë shefi i sigurisë së kufirit shtetëror. Ju lutem, mund ta sillni sërish në vëmendje atë ngjarje?
Ka qenë viti 1959. Në zyrën e Kadri Hazbiut vjen një informacion misterioz dhe tepër alarmant. Në zonën e Devollit kishte të dhëna se Asfalia (zbulimi i fshehtë grek) kishte organizuar një rezidenturë të sofistikuar kundër pushtetit popullor.
Nga u sigurua një informacion i tillë? 
Ky informacion u sigurua nga kundërzbulimi i rrethit të Korçës dhe iu transmetua Kadri Hazbiut nga vetë Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Korçës, Jani Naska.
Çfarë është rezidentura?
Rezidentura përbëhet nga një grup njerëzish të pacaktuar në numër (pra si sasi), që kanë të njëjtin qëllim, duke i shërbyer në mënyrën më të kamufluar, brenda një organizimi absolut, një shërbimi të huaj. Individët e kësaj organizate kaq të fshehtë apo rezidenture, siç quhet profesionalisht në gjuhën e shërbimit sekret, funksionon në mënyrë të tillë që, asnjë anëtar i saj nuk e njeh shokun e vet dhe se ai nuk di shumë të dhëna për numrin e përgjithshëm të anëtarëve. Akoma më shumë, që anëtarët e organizatës nuk kanë të drejtë të komunikojnë me askënd në lidhje me detyrën e tyre, madje as me padronët të cilëve u shërbejnë. Ata kanë të drejtë (secili më vete) të komunikojnë vetëm me rezidentin ose shefin siç mund të quhet, dhe vetëm ai komunikon me shërbimin e huaj të cilit i është betuar. Në rastin konkret, shefi lidhej me shërbimin sekret grek ose Asfalinë.
Nga sa personazhe përbëhej konkretisht rezidentura e Devollit sipas informacionit që morët?
Ka pasur aty te 7-8, apo dhe dhjetë veta. Ndërkohë që në informacionin e siguruar nga kundërzbulimi i Korçës, bëhej i ditur një fakt që për ne ishte tepër i rëndësishëm. Ky ishte fakti se informacioni i siguruar kishte arritur që pak a shumë të kishte edhe të dhëna për rezidentin.
Kush ishte rezidenti i atij grupi sipas informacionit që ishte siguruar?
Mësohej të ishte vetë komandanti i kufirit të zonës së Braçanit në Devoll, i quajtur Jani Zoga. Po ashtu, diheshin edhe emrat e dy prej anëtarëve të atij grupi, që ishin pikërisht Zenel Tarolli dhe një farë “Muçeli”. Këta njerëz që ishin në shërbim të kësaj organizate në dispozicionin të Asfalisë greke, paguheshin ndërkohë me rroga tepër të majme nga ai shërbim, duke marrë dhe rrogën në punën që kryenin në Shqipëri sipas vendeve të punës që kishin.
Pra ishin në lojë të dyfishtë?
Po, e vërtetë. Ata ishin në lojë të dyfishtë. Dhe nga shteti i tyre merrnin rrogë se ishin në marrëdhënie pune, ashtu siç merrnin dhe nga shërbimi që i bënin Asfalisë greke.
Si u bë i mundur ky informacion kaq konspirativ?
Sipas të dhënave tona, ai informacion aq i vlefshëm për punën tonë, ishte siguruar nëpërmjet një agjenti të Sigurimit që kishte mundur të depërtonte në radhët e këtij grupi, por që gjithsesi nga mënyra misterioze si funksiononte ai, agjenti ynë pak mundësi kishte që të merrte të dhëna të plota. Jo vetëm kaq, por edhe këto të dhëna nuk kishin garancinë e duhur për vërtetësinë e tyre. Çdo gjë duhej bërë e matur dhe në konspiracion absolut, për t’u shpëtuar skandaleve dhe që të mos i jepnim mundësi grupit të merrte masa mbrojtjeje, se në këto raste mund të dështoje kur të doje. Gjithsesi, në detyrën funksionale që kryente, shefi i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Korçës, Jani Naska, arriti në mënyrën më urgjente drejt e në zyrën e Kadri Hazbiut.
A e mori seriozisht informacionin e marrë Kadri Hazbiu?
Jo vetëm që e mori shumë seriozisht, por siç e kishte zakon në kësisoj rastesh tepër të vështira dhe shumë urgjente, ai vuri menjëherë në shërbim memorien e tij për të përpiluar në moment një plan të hollësishëm për t’iu përgjigjur situatës së krijuar me emergjencën dhe operativitetin e duhur.
Konkretisht?
Në këto çaste, Kadriu më thërriti dhe mua, ku më ngarkoi me detyrë që të shkoja në Korçë për të ndjekur operacionin sekret që do të ndërmerrej aty, pra, për ta ndjekur nga afër të gjithë situatën e krijuar, pasi operacionin do ta ndërmerrnin organet e shërbimit tonë në Korçë, ku ishte krijuar dhe situata.
Ku ishit juve për momentin?
Unë saktësisht në atë kohë kam qenë specialist në Drejtorinë e Sigurimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Prandaj dhe u ngarkova nga ministri Hazbiu për të ndjekur problemin në vend.
Si vepruat pas këtyre masave?
Filluam të zbatonim në kohën e duhur, planin e hartuar në moment nga Kadri Hazbiu, pasi ai kishte aftësi të jashtëzakonshme për të vlerësuar situatat dhe për të dhënë udhëzimet mbi to, me një operativitet të mahnitshëm për çdo situatë, sado e vështirë që të ishte. Ka qenë vetëm mendja e Kadri Hazbiut që ne, të gjitha strukturat e Sigurimit, kemi njohur në të shumtën e rasteve fitore të mëdhaja, madje dhe shumë emocionale. Kështu dhe në këtë rast. Pasi na shpjegoi me detaje të gjithë procedurën mbi të cilën duhej të organizonim aksionin, ai na uroi sukses dhe gjakftohtësi. Unë me Jani Naskën, që kishte ardhur nga Korça, u nisëm pa humbur kohë për në vendin ku ishte krijuar situata.
Nga e nisët punën saktësisht?
Tani që po të flas unë, mund të të duket si diçka e thjeshtë dhe mund të mendosh se mund t’ia dalësh mbanë menjëherë. Por jo. Vështirësia e parë është verifikimi i informacionit të marrë. A ka gjë të vërtetë në këtë mesele, apo mos është ndonjë dyshim i kotë, që pastaj të na çojë në skandale? Megjithatë, duke ndenjur pa gjumë dhe duke vlerësuar fakte dhe të dhëna dhe duke i krahasuar apo stërkrahasuar me njëra-tjetrën, si dhe duke vënë në përdorim disa agjentë të cilët punonin me një gjakftohtësi dhe me orare të pandërprera, arritëm që brenda disa ditëve të evidentojmë saktësisht se shefi i kësaj organizate ishte, – ashtu siç kishim informacionin, – vetë komandanti i postës së kufirit, Jani Zoga. Kjo do të thoshte se paskësh një organizatë, megjithatë për të shkuar te përfundimi i duhur nuk duhej të mjaftoheshim me kaq. Më tej, me një konspiracion të jashtëzakonshëm evidentuam një e nga një të gjithë anëtarët e grupit (rezidenturës).
I arrestuat?
Absolutisht jo. Në punën tonë vlerësohen të gjithë elementët para se të bëhet veprimi i fundit. Ne, megjithëse i kishim konstatuar anëtarët e tij, vepronim me mjeshtëri, duke mbledhur fakte të tjera dhe për të zbuluar elementë të tjerë.
Ku e kishit qëllimin, kur shumë kollaj mund t’i arrestonit?
Donim të konfirmonim se si funksiononte dhe me çfarë merrej. Shumë gjëra ne i merrnim kur objektet tona, që në këtë rast ishte grupi që i shërbente zbulimit grek në dëm të republikës sonë, ishin në veprim të pandërprerë. Kështu që ne arritëm, pas një jave pa gjumë dhe me stres të madh, të merrnim një informacion tjetër për anën financiare që kishte në dispozicion grupi. Gjithashtu saktësisht mësuam se misioni i tij ishte që të lidhej me Asfalinë për të bërë të mundur që në Shqipëri të vinin diversantë për të kryer veprimtari antishqiptare. Këtë gjë e bënin në këtë mënyrë: Lidheshin fillimisht me padronët e tyre jashtë dhe pasi niseshin agjentët grekë për të hyrë në Shqipëri, grupi në fjalë merrej me dokumentacionin fals me të cilin i pajisnin dhe i instruktonin për mënyrën e të vepruarit këtu, për të mos rënë në sy të askujt deri në zbatimin e detyrave të kryera.

 

Nga Fatos Veliu


(Vijon nesër)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu