Mark Dodani: Në verën e ’52-it u futëm në grupin diversionist të Zenel Shehut

0
103

Gazeta vazhdon me botimin e intervistës së rrallë të njërit prej eksponentëve kryesorë të Sigurimit komunist, 86- vjeçarit Mark Dodani, i cili i kushtoi atij gjithë jetën e vet, duke u bërë një nga njerëzit më efikasë në radhët e këtij Sigurimi.
Dodani, në interes të Sigurimit, krahas shumë njerëzve me emër të atij shërbimi, si Pal Melyshi, Idriz Seiti, Asim Aliko etj., si dhe me ndihmën direkte nga përfaqësuesi më i lartë komunist në zonën e Mirditës siç ishte Bardhok Biba, arriti vetë ose me elementët që vinte në përdorim, të hynte deri në radhët e bandave më të fuqishme dhe më të rrezikshme, të drejtuara nga “Komiteti i Maleve”.
Kështu, për nëntë ditë me radhë në këtë dëshmi kaq interesante të vetë Dodanit, lexuesi i gjerë është njohur pikërisht me fakte të tilla se si ai hyri në këtë shërbim. Vrasja e babait dhe e vëllait nga bandat e këtij Komiteti, pas një aktivizimi në Kongresin e Dytë të Rinisë Antifashiste në Tiranë. Hakmarrja që vendosi ta bënte në emër të shtetit, me ndihmën e Sigurimit, duke përdorur një lojë të gjatë të miratuar që nga Tirana. Kur e dëgjoi për herë të parë emrin e Kadri Hazbiut dhe si u gjend papritur para besimit të madh që krijoi Ministria e Punëve të Brendshme të asaj kohe. Si u urdhërua të largohet nga Sigurimi, plani për vrasjen e tij nga shokët e vet të së njëjtës detyrë. Largimi në fshat për mbi 6 muaj dhe ardhja e papritur e Hysni Kapos në njërën nga aktivet e zgjeruara të Partisë në Shkodër. Si e mori situatën në dorë Hysni Kapo dhe ndryshimi i jetës së Mark Dodanit, duke u rikthyer sërish në radhët e Sigurimit.
Ndërkohë, në intervistën e mëposhtme të legjendës së Sigurimit komunist këtë herë hidhet dritë mbi radio-lojën e famshme të verës së vitit ’52, “Liqeni i Vajkalit”, viktimë e së cilës u bënë njerëzit më të besuar të Ahmet Zogut.
*- Fushata intensive që ndërmori Sigurimi komunist për të shtirë në dorë me çdo mënyrë vetë të shumënjohurin dhe të tmerrshmin Hamit Matjani.
*- Historia e kapjes së njerëzve të desantuar, Zenel Shehu dhe Tahir Preçi, të cilët më mbrapa u vunë në shërbimin komunist deri në kapjen e Hamit Matjanit.
*- Kush ishte i koduari “Meixhi” i dërguar nga Sigurimi special, që arriti të fitonte besimin absolut të Zenel Shehut dhe të bëhej pjesë e grupit të tij sekret.
*- Gracka që ai i kurdisi Zenelit dhe Tahir Preçit, duke e çuar në takimin e organizuar në pyjet e Bulqizës grupin më special të Sigurimit të shtetit, të përbërë nga emrat legjendë të asaj kohe, Asim Aliko, Hekuran Pobrati, Ilo Stojko, Haxhi Shurdhi, Mark Dodani etj., të cilët u paraqitën si fshatarë të zonës që ishin të pakënaqur nga regjimi i Enver Hoxhës dhe ishin gati gjoja të luftonin për përmbysjen e pushtetit.
*- Urdhrat e njëpasnjëshme të Kadri Hazbiut, i cili u paraqit si bandit mes bandës, në zonën ku pritej zbarkimi i Hamit Matjanit.

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Marku, mund të na flisni për historinë e kapjes së bandës së Zenel Shehut?
Ishte koha kur ishim hedhur në një fushatë tepër intensive për t’u futur në bandën e Hamit Matjanit. Ajo detyrë ishte tepër e vështirë, pasi kërkonte që të lidheshim direkt me të. Megjithatë ne patëm takime sporadike me të, por që gjithsesi me bandën e tij arritëm të krijonim lidhje, madje të rekrutonim dhe njerëz të tij, që po na jepnin të gjitha itineraret e lëvizjeve dhe bazat ku vendoseshin ata. Më kryesorja ishte mbi të gjitha suksesi që arritëm me kapjen dhe vënien në shërbimin tonë të njerëzve tepër të njohur, Zenel Shehut dhe Tahir Preçit.
E patët të thjeshtë?
Asgjë nuk ishte e thjeshtë. Edhe kur themi shumë shkurt se kapëm këtë apo kapëm atë, ki parasysh se kjo donte kohë, nerva dhe sakrifica që po të t’i numëroj apo dhe po të t’i përshkruaj të gjitha ato peripeci që kalonim do të duheshin ditë të tëra.
Si ratë në gjurmët e Zenel Shehut?
Ata kanë qenë shumë të maskuar dhe as që na e merrte mendja se ishin në Shqipëri, ashtu siç dinim që shumë banda diversioniste diheshin që hynin dhe dilnin. Madje Zenel Shehu dhe Tahir Preçi për t’u maskuar më mirë, dërgonin dhe letra në shtëpi apo te të afërmit e tyre sikur i dërgonin nga jashtë shtetit. Ishte kombinacion i organizuar nga ata. Dhe ne me të vërtetë ishim çorientuar dhe nuk kishim dijeni që ata kishin hyrë në Shqipëri dhe vepronin me shumë kujdes këtu.
Ratë në gjurmë?
Kaluan disa kohë dhe ramë në gjurmë të një radioje që punonte për ndërlidhjen e një grupi në zonën e Dibrës. Ka qenë aty nga vera e vitit 1952. Që të mos zgjatem më shumë po e them shkurt, se pas pak kohësh, me shumë përpjekje dhe duke ushtruar profesionalizmin në një shkallë shumë të lartë, mësuam se ajo radio-transmetuese ishte e grupit të Zenel Shehut me Tahir Preçit.
Si vepruat pas kësaj?
Iu raportua urgjentisht Kadri Hazbiut. Ai na urdhëroi që të bënim të pamundurën për t’i kapur me çdo kusht të gjallë dhe në asnjë mënyrë nuk duhej të vriteshin. “Gjeni format dhe mundësitë që vetëm t’i kapni”,- na tha ai. Ne më mbrapa e morëm vesh se ai e kishte hallin gjetkë. Donte të përgatiste lojën që tashmë është shumë e njohur, për të çoroditur të gjitha shërbimet e huaja, me qëllim që ata të dërgonin gjithçka që do t’u kërkonim ne. Kadri Hazbiu ka qenë i jashtëzakonshëm për kombinacione dhe për planizim operacionesh. Të mos ishte ai vështirë se do t’ia dilnim mbanë me ato situata që na paraqiteshin.
Të gjitha meritat i adresoni te Kadri Hazbiu?
Nuk kishte aksion apo operacion, nga më i thjeshti deri te më i vështiri, që të mos kishte mendjen dhe angazhimin e Kadri Hazbiut. Në do të dish, ai në të shumtën e rasteve jo vetëm që përllogariste gjithçka që me fillimin e operacionit, por në të shumtat e rasteve merrte vetë pjesë në to, duke ardhur jo një, por disa herë edhe në radhët e bandave.
Tentuat të hynit si anëtarë të këtij grupi?
Posi. Por që loja me këta vazhdoi vetëm një natë, se pastaj i futëm në grupin tonë.
Në ç’kuptim?
Ja që ne u bëmë vetëm një natë si banditë, ndërsa ata ndenjën një kohë të gjatë në radhët tona duke na treguar gjithçka, deri sa shpartalluam shërbimet e huaja, të cilat i bëmë të na dërgonin shumë ushqime, armë dhe njerëzit e rrezikshëm që ne kërkonim.
Si i kapët?
Po ja. Brenda radhëve të Zenelit dhe Tahirit, ne futëm të ndërmjetësonte një njeriun tonë të Sigurimit, por që banonte në fshatrat e Dibrës, madje ai kishte pasur njohje të mëparshme me Zenelin. Ai me metodat e tij, na bëri të mundur kontaktin me ta dhe pranoi të bashkëpunonte.
E pati të vështirë?
Fillimisht po. Por më pas ishte e thjeshtë, se ata kur të besojnë, kërkojnë të të vënë në punë. Këtu dua të them, se derisa vinin në Shqipëri kishin punë të organizonin njerëz për t’i hedhur kundër pushtetit të këtushëm, me të cilin s’ishin dakord. Mirëpo ne këtë shfrytëzonim dhe hidhnim njerëzit tanë mes tyre, ashtu siç ishim futur dhe vetë në disa banda me pseudonime, madje kishim dhe detyra të larta në “frontin e gjerë” që po “organizohej” kundër pushtetit të Enver Hoxhës dhe ata punonin sikur të kishin para shokë të idealit dhe jo njerëz të Sigurimit. Kështu u veprua dhe me Zenel Shehun. Ndërmjetës te ai siç të shpjegova pak më parë, ishte njeriu ynë, “Meixhi”.
E arriti agjenti juaj ndërlidhjen?
“Meixhi” ishte anëtar i Partisë Komuniste dhe kështu ishte paraqitur dhe te Zeneli, sikur ishte sekretar i një organizate të Partisë. Mirëpo ai u tregonte se nuk ishte dakord me qeverinë e Enver Hoxhës dhe priste me padurim për ta rrëzuar atë pushtet. Zenel Shehu, duke njohur në rrugë të dyfishtë dhe rrethin e tij familjar, është ndjerë shumë i kënaqur nga ky takim dhe e mbajti shumë afër. Ai kishte porosi nga Zogu I, që të bënte punë të madhe për të futur në radhët e grupit të vet sa më shumë njerëz të partisë së Enver Hoxhës. Pra, qëllimi ishte që të organizonte njerëzit e Partisë që kishte pushtetin. Në një moment, Zeneli e aktivizon që të afrojë njerëz nga organizata e Partisë së Enver Hoxhës, ku “ishte” vetë Sekretar.
Më pas?
Pas kësaj, “Meixhi” i thotë Zenel Shehut se e kishte pasur parasysh vetë një gjë të tillë, kështu kishte siguruar një kontingjent të mirë në organizatën ku drejtonte. “Sa janë?”, – i kishte thënë Zeneli. “Duhet të jenë 5-6 veta që i kam të garantuar, pasi të tjerët duan dhe pak punë. Por mund të jenë dhe më shumë, megjithatë unë para se të të them, duhet të bindem dhe ta konfirmoj mirë”. “Shumë mirë, – i ishte përgjigjur ai. – Mund të bëjmë dhe një takim me ta?”. “Po, – i tha ‘Meixhi’, – caktoni orën dhe vendin dhe gjithçka në rregull”.
Që të mos e zgjasim më shumë, takimi u bë, dhe aty ne i hodhëm prangat si Zenelit, ashtu dhe Tahirit.
Mund ta përshkruani atë moment?
Në këtë moment hymë në lojë ne të grupit special të Sigurimit të Shtetit. U veshëm si fshatarë dibranë dhe vendosëm të shkonim në takim për të realizuar misionin tonë. Takimin na e kishin caktuar mbi Bulqizë, në një shpat të saj, pikërisht afër “Liqenit të Vajkalit”. Aty në anë të një livadhi, në hyrje të një pylli me shumë shkurre dhe gëmusha ishte një shtëpi përdhese ku nuk banonte njeri. Ajo shtëpi është dhe sot në atë vend. Ç’ta zgjasim, ne kishim shkuar në të errur, pra kur kishte rënë plotësisht muzgu.
Kush ishte konkretisht nga grupi juaj në takim?
Përgjegjës i grupit ishte Asim Aliko, pastaj vinim të gjithë me radhë: Hekuran Pobrati, Ilo Stojko, Haxhi Shurdhi, “Meixhi” dhe unë. Të gjithë ishim veshur si fshatarë dibrane dhe luanim rolin sikur ishim anëtarë të Partisë Komuniste të Enver Hoxhës, ku sekretar kishim “Meixhin”. U paraqitëm si të “pakënaqur” dhe që me padurim prisnim të shporrej pushteti komunist. Nga mesnata, sipas fjalës së dhënë, me një konspiracion të plotë erdhi dhe Zeneli me Tahirin. U takuam sikur të njiheshim prej kohësh. Ai u gëzua pa masë që na kishte takuar dhe na porositi që të luftonim për të bërë për vete sa më shumë shokë nga organizata jonë dhe nga të tjera, sepse porosia e Naltmadhënisë ishte që të bënim sa më shumë njerëz të Partisë. Po kjo fjalë e Zenel Shehut, e pasuar herë pas here edhe nga ajo e Tahir Prençit, zgjati jo një e dy, por disa orë, madje deri afër mëngjesit. Nga ne flisja vetëm unë, më shumë për faktin se isha me dialektin e veriut, ndërsa të tjerët flisnin shumë pak. Ata vetëm dëgjonin, gjoja si shumë të kënaqur që kishin mundur të organizoheshin me përfaqësues të Naltmadhënisë.
Ju u paraqitët me emrat tuaj?
Jo me emrat tanë, se ata njiheshin pothuajse nga të gjithë, që ishim njerëzit e grupeve të Sigurimit. Madje, ne vetë sa herë futeshim nëpër banda, shanim veten tonë që ishim njerëz të poshtër të Sigurimit të kuq. P.sh. unë thosha për veten: “Ç’është një Mark Dodani që nuk la vend pa bredhur për të kapur banditë dhe të shkatërrojë të ardhmen tonë, por do ta gjejë ndonjëherë dhe ai atë që kërkon”. Kështu që dhe te Zeneli ne ishim paraqitur si anëtarë partie, me emra të rremë. Unë u paraqita si nga Lura, të tjerët si nga vende të ndryshme të Dibrës.

(Vijon nesër)

Nga Fatos Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu