Mars `97, Berisha: “Do të bëj republikë islamike”

0
80
Mero Baze
(Vijon nga numri i kaluar)

Një ditë pas formimit të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, problemi më i vështirë nuk ishte fundi i qeverisë së Partisë Demokratike, por fundi i Forumit për Demokraci.

Të gjithë kishin pak a shumë një ide sesi do të përfundonte ish-partia në pushtet, por askush nuk kishte një ide se çdo të bëhej me ata që u bashkuan për ta rrëzuar këtë qeveri.

Një pjesë e tyre kishte hyrë në qeveri, kurse një pjesë, për shkak se ishin marrë formalisht, nuk mund të përfshiheshin në të. Kjo pjesë u bë më radikale. Forumi ishte i vetmi institucion politik që e konsideroi jo të plotë formulën e qeverisë, pasi nuk përfshinte demonstruesit e armatosur.

Të paktën tri fakse me kërcënime për largimin e Berishës mbërritën brenda një ore te zyra e shtypit e hotel Rogner-it. Lajmet e zbehta se qeveria ishte pritur mirë në Jug, ishin më shumë të fabrikuara. Në fakt, në Jug kishte filluar të mbretëronte kaosi dhe njerëzit e armatosur e kishin mendjen më shumë te plaçkitja.

Atmosfera e atjeshme përcillej në Tiranë me ankth. Qeveria ende nuk ishte plotësuar për shkak të problemeve që kishin dy partitë kryesore me një kandidaturë për ministër Mbrojtjeje.

Tirana po tkurrej përditë e më shumë dhe rrugët po boshatiseshin orë pas ore. Të martën, më 11 mars, në mesditë, ndërsa po hyja në hotel Rogner, një e dërguar speciale e AFP-së, së bashku me kolegen e saj nga Tirana, më kërkuan makinën, që të shkonim deri afër Shkollës së Bashkuar. Dikush kishte njoftuar te Rogner-i se ishte hapur një depo armësh në Tiranë.

U nisëm menjëherë dhe gjatë rrugës përpiqeshim të bënim humor me armët që mund të merrnim te Shkolla e Bashkuar. Rruga e Dibrës ishte bllokuar. Na u desh të kalonim pas bllokut të spitaleve dhe të dilnim atje ku bashkohet rruga e Porcelanit me atë të Kinostudios.

Rreth njëqind metra para kryqëzimit, pamë një djalë të ri me xhinse, që kishte hedhur një automatik në sup dhe po ecte i patrazuar në rrugën kryesore. Ndalëm makinën dhe e pyetëm se ku e gjeti.

Kolegia franceze e AFP-së ngjante e tmerruar nga gëzimi që po shihte njerëz me armë.
– Shkoni, ka plot, – tha ai. – Kaloni nga ana tjetër e rrugës!

Në atë çast, një breshëri automatiku shpërtheu fare afër nesh dhe unë, që për herë të shikoja një njeri të armatosur fare afër, ktheva timonin 180 gradë dhe për pak shtypa një grua. U kthyem në drejtim të Kinostudios dhe pasi e lamë makinën disa dhjetëra metra larg, u përpoqëm të afroheshim te vendngjarja.

Një grup policësh po dëbonin me armë në dorë tufën e njerëzve që po shkonin drejt Shkollës së Bashkuar. Disa djem që dolën nga kjo rrëmujë me armë, na thanë se te muri i shkollës kishte plot armë dhe municion, por tanimë kishin ardhur policët dhe ishte rrezik. Unë u lidha direkt me redaksinë nga makina.

Lajmin e kam transmetuar pothuaj në ecje, duke biseduar drejtpërdrejt me studion dhe duke ia përshkruar situatën. Lajme të shkëputura për akte të tilla kishte dhe për në Kukës e Tropojë, por ende ishin të pakonfirmuara. Po kështu bënë edhe koleget e AFP-së.

U kthyem në hotel të shqetësuar. Gjëja më e mirë ishte të ikja në shtëpi. Nga periferia e Tiranës filluan të dëgjohen krisma. Ishte një skenë me të cilën nuk na ishin mësuar veshët.

Në Rogner kishte pak politikanë. Më duhej që dikush të fliste, por vendi ishte ende pa qeveri. Kryeministri Meksi po priste në zyrën e tij Bashkim Finon, për t’i dorëzuar çelësat.

Ylli Rakipi, që kishte shkuar pak orë më parë në zyrën e tij, e kishte gjetur të shtrirë në kolltuk. Vendosa të shkoj te Berisha. Më priti në zyrë aty rreth orës 16.00. Dukej tërësisht i prerë në fytyrë.
– Kanë shpërthyer depot, – i thashë.

– E di. Njerëzit janë të frikësuar, – tha. Duhet bërë diçka që të kthehet besimi. Kam ndërmend të ftoj trupa ndërkombëtare në Shqipëri.
Të gjitha këto i thoshte njëra pas tjetrës, sikur donte ta shpjegonte sa më parë rrugëzgjidhjen.

Problemi i dytë ishte qeveria. Ishte hartuar lista dhe pjesë e qeverisë ishte dhe Partia Lëvizja e Legalitetit, së cilës Berisha i kishte ofruar Ministrinë e Drejtësisë.
– Duhet të gjejmë Spartak Ngjelën, – i thashë, – se ka ikur.
– Ku ka ikur?

– Në Zvicër. Iku pas asaj natës që e morën në qeli.
E kapi një e qeshur e papritur, pastaj u bë serioz dhe kërkoi të vinte urgjent. Dola bashkë me Ylli Raipin në kërkim të një adrese të avokatit. Pas dy orësh, arritëm ta njoftonim që të kthehej.

Mënyra se si do t’i paraqitej Guri Durollarit kjo ishte dhe më komplekse. Berisha e thirri për t’i thënë se Legalitetit i ka dhënë Drejtësinë për traditë, si parti shtetformuese, por kishte shtuar nevojën që kishte për avokatin në kabinet.

Durollari, që e kishte pikasur më parë se ishte marrë vendimi, as që bëri rezistencë.
– Natyrisht, avokatin, – tha. – Rëndësi ka të jemi në qeveri.

Bëra një raport në orën 20.00, ku paralajmërova se si autoritetet shqiptare mund të kërkonin një forcë ndërkombëtare për të vendosur autoritetin e humbur të shtetit.
U ktheva në shtëpi rreth orës 21.00 të mbrëmjes.

Mosbesimi po ngjallej me shpejtësi nga të gjitha anët. M’u kujtua fati i marrëveshjes së 6 Marsit. Skenat gati po përsëriteshin.

13 marsi ishte ndoshta dita më e frikshme për Tiranën. Më telefonuan prindërit në Golem dhe më duhej të shkoja t’i takoja. Duke ikur nga rruga e Kombinatit, pashë se ato ishin fare të shkreta.

Rreth orës 09.30 minuta, te një repart ushtarak, vetëm tri km para Pezës, ku të shfaqet para një kthesë e mbuluar me rrape, te vendi i quajtur Hani i Bobës, pashë një ushtar që po ecte në rrugë me çantën e shpinës në krahë, me kapele të hequr dhe shumë i rregullt nga uniforma.

Pas tij, njerëz të armatosur po dilnin me shpejtësi nga rrugica majtas dhe po sistemonin armë buzë rrugës. Më ndalën dhe mua.
– Shko merr armë, – më tha njëri prej tyre, një djalë rreth të njëzetave, me kaçurrela të zeza, që dukej gati i eksituar nga ideja që kishte një pistoletë në dorë dhe automatik kallashnikov në krahë.

-Mirë, – i thashë dhe pa bërë zë, lashë makinën dhe zbrita.
Për një moment mendova se do të mbetesha pa makinë, por ai zeshkani as që e kishte mendjen te makina ime. Shtinte në ajër i gëzuar dhe kërcënonte duke qeshur çdo njeri që i dilte përpara.

Bëra disa hapa drejt depos, por isha shumë i frikësuar. Në këtë kohë, një makinë Saurrel me sponde të hekurta, e mbushur plot e përlot me kallashnikovë, doli nga magazina qendrore dhe mori drejtimin e Durrësit.

Sipër saj qëndronin tre djem, ndërsa në kabinë tre të tjerë, përveç shoferit. Secili prej tyre mbante një armë në dorë. Dikush u kërkoi armë, por ata i treguan depon. 100 metra më lart, te depoja, disa nga ish-oficerët apo kapterët rrinin të qetë dhe shikonin njerëzit si armatoseshin.

Unë po ecja i hutuar drejt tyre. Njërit prej ushtarakëve, të cilit i tërhoqi vëmendjen dalldisja ime mes njerëzve me armë, më bëri shenjë t’i afrohesha dhe më pyeti se diku më kishte parë. U skuqa i gjithi nga frika se mos kujtohej që isha gazetar. – Asgjëkund, – i thashë dhe bëra sikur më vajti vonë për të marrë dhe unë një armë. Ai po më shikonte me dyshim.

U ktheva gati me gjunjë të dridhur te rruga ku priste djali me kaçurrela. Gjatë rrugës, një djalë i vogël, rreth 13 vjeç, më kërkoi t’i mbaja dy kasa metalike të vogla me fishekë.
– M’i jep, – i thashë dhe fillova të eci përpara tij. Sapo u afrova te rruga, djali me kaçurrela më priste buzagaz dhe shikonte nga dera prej llamarine. – Bjeri këtu fishekët, – më tha.

– Janë të atij djalit, – i thashë duke treguar adoleshentin që vinte pas.
– Bjeri, mor shkërdhatë këtu, të them, – tha dhe më kërcënoi me një pistoletë TT, që e sillte në fakt rrotull kokës së tij. Ia lashë të dyja në dorë, i lehtësuar, dhe po prisja ç’të bëja me të.

– Ik, pirdhu, mut! – më tha.
Sapo kalova dy metra, kaçurreli qëlloi me pistoletë mbi arkën me fishekë, pasi nuk e hapte dot. Dikush i ulëriti se mund të plasnin fishekët. Unë hyra me vrap në makinën që, çuditërisht, nuk e kishte ngacmuar askush, megjithëse, nga frika, i kisha harruar çelësat në kuadër.

E ndeza dhe ika me shpejtësi. Te kthesa e parë, para se të shfaqej Peza, më ndalën dy djem të armatosur.

– Na i jep armët, – më thanë.
-Nuk kam, – u thashë, – m’i mori ai çuni atje poshtë.
-Po ti, ku i kishe duart? – më tha njëri prej tyre.
-S’kam ç’të bëj, – i thashë, – i mori.
Më lejuan të ikja, por duke parë me dyshim.

Rrugën gjer në Plepa e bëra për 20 minuta. Në të dalë të Ndroqit, një fshatar po zbriste nga pjesa e sipërme e rrugës me një arkë të madhe në kurriz, që ngjante si municion luftarak, por nuk dallohej se çfarë ishte.

Në faqe të kodrës, shikoheshin fshatarë që nxitonin në drejtim të një reparti ushtarak afër një bunkeri të madh. Këto ishin të vetmet skena deri në Plepa. Atje ende nuk kishte mbërritur vala e goditjes. Policët te Shkëmbi i Kavajës po rrinin të qetë. Unë u tregova se çfarë kisha parë gjatë rrugës dhe ata më shikonin me habi.

– Këtu ka një repart, – thanë ata, – po ende nuk ka ardhur njeri.
Mbërrita në Golem te prindërit dhe u përpoqa t’i qetësoj se në Tiranë situata është në rregull dhe se unë do të kthehesha prapë atje pas disa orësh. Orët po kalonin dhe frika po shtohej. Filluan të dëgjoheshin krisma edhe atje. Një nipi im ushtar, mbërriti rreth orës 11.00 me kapele në dorë. Ishte me shërbim te Shkëmbi i Kavajës.

Sipas tij, aty kishte mbërritur një çetë me njerëz të panjohur, që u kishin kërkuar armët. Ushtarët nuk kishin rezistuar dhe kishin dorëzuar automatikët.
-Ata ishin pak dhe ne mund të kishim rezistuar, – tha ai, – por ishte e kotë. Na thanë që ka ikur dhe Zhulali.

Rreth orës 11.00, vendosa të kthehem për në Tiranë. U ktheva nga rruga e Vorës, për shkak të frikës së njerëzve të armatosur.

Rrugët ishin bosh dhe të frikshme.
Vetë 13 marsi ishte një ditë e vrenjtur dhe e zymtë. 2 km para Vorës ose, më saktë, te një çezmë para se të shkosh te stacioni i trenit, një zetor ishte mbushur plot me njerëz të armatosur që u gëzoheshin armëve që kishin në krahë. Kishte mes tyre dhe fëmijë të vegjël, që nuk ishin më të gjatë se arma.

Përtej lumit, në krahun e majtë, kur kthehesh për në Tiranë, ishte hapur një repart ushtarak. Rreshti i njerëzve që vraponin për armë, ngjante i pafund dhe i frikshëm.

Deri në Tiranë, kjo ishte e vetmja skenë e frikshme.
Në Kashar u shkëmbeva me dy makina të Berishës. Njoha truprojën e tij në vend të parë. Po iknin të dy me shpejtësi ferri. Ku të shkojnë?, mendova me vete. Kush ishte brenda? Pse aq shpejt?

Pak më vonë, mësova se vajza dhe djali i tij u nisën për në Itali. Kishin ikur të frikësuar. Media italiane përshkroi dhe vendqëndrimin e tyre. Dukej qartë se Berisha ishte frikësuar keqas.

Në të hyrë të Tiranës, dëgjohej breshëria e automatikut. Kryeqyteti dukej se kishte nisur një betejë imagjinare. Te Zogu i Zi më thanë të merrja rrugën për nga “21 Dhjetori”, se ishte hapur burgu i Tiranës dhe mund ta pësoja nga ndonjë i burgosur ordiner. “Te 21 Dhjetori” më thanë të kthehesha drejt sheshi, se ishte djegur supermarketi i VEFA-s dhe mund të haja ndonjë plumb.

Në shesh nuk kishte këmbë njeriu, por breshëria e plumbave duket se mbinte prej tij. Shkova drejt e në hotel Rogner. Aty kishte rënë hija e vdekjes. Gazetarët e huaj po përpiqeshin të lidheshin me Jugun, ndërsa shumica e gazetarëve shqiptarë po bënin plane për të ikur në Greqi.
Shpëtim Nazarkos i kishte ikur humori.

– Dështoi dhe ky variant! tha. – Duhet bërë diçka tjetër. Kam biseduar me Preçin. Tani duhen zbutur palët. Unë them të bëjmë një lëvizje për paqe, që të normalizojmë situatën. E kam menduar, mos më shiko i çuditur. Do të thërrasim Kadarenë, Agollin, Qosen dhe do ta drejtojmë së bashku me Preçin. Ti duhet të na bësh një intervistë në “Zërin e Amerikës”…

– Mirë, – i thashë, – ta bisedojmë pa ia humbur seriozitetin dhe pa u shtuar asgjë komike nismave që lindin dhe vdesin brenda hollit të vetëm të Tiranës, ku armët nuk kanë depërtuar.

Ai filloi të më shpjegonte idenë. Bëhej fjalë që të ndërpritej nga pikëpamja sociale gjendja e jashtëzakonshme dhe punëtorët të shkonin në punë e që të mos shkatërroheshin ndërmarrjet, nxënësit të shkonin në shkollë, që të mos digjeshin ata dhe gazetarët në gazeta dhe, për herë të parë, të mos i nxinin ato…

– Do ta shpëtojmë Shqipërinë! – tha. – Mbaje mend që këta do t’i vënë flakën. Nesër e ka radhën gjeneral Memia me gjeneral Koçin, njëri në Dajt e tjetri në Mullet… dhe ec e rro në këtë vend…

Pak më vonë, tha se kjo lëvizje do të përbënte alternativën e qendrës në zgjedhjet e ardhshme dhe mund të merrte 20 për qind duke fituar lojën.

Gjeta rast të tregohesha mosbesues për rezultatin e fundit dhe u ulëm të pinim kafe e ta harronim këtë ide të re. Telefonova në shtëpi dhe ime shoqe më tha se dy fëmijët e vegjël po qanin nga krisma e armëve.

Apartamenti ynë ishte në katin e gjashtë dhe ishte shumë e rrezikshme, ngaqë në katin e pestë të pallatit përballë, dy djem me mitraloz të lehtë, kishin zënë pusi dhe qëllonin në ajër pa pushim. Ishte e pamundur t’u flisje apo të dilje në dritare e t’u bëje shenjë për armëpushim.

Lajmi se ministri i Mbrojtjes ishte arratisur, ishte lajmi më i rëndë i ditës. Me një anije peshkimi dhe një shumë të majme me vete, së paku sipas legjendave që nisën të përhapen duke iu referuar burimeve italiane, Safet Zhulali kishte mbërritur me familjen në brigjet italiane. Edhe pse zyrtarisht ai nuk ishte më ministër, arratisja e tij ishte e rëndë.

Morali ra tërësisht dhe ushtria në ato momente gati u zbërthye me komandë. Filluan pandehmat për komplot dhe skema që dikush donte t’i nxirrte “ujë të zi” këtij vendi. Sali Berishën nuk e kam parë kurrë më të sfilitur se në ato momente. Sa herë që flisnim në telefon, vetëm pyeste se kush kish mbetur akoma. Dikush thoshte se ishte një komplot ikja e tij. Atë ditë, unë i bashkohesha mendimit të shumicës.

Por, më vonë, i tronditur, kam kuptuar se ai ishte trembur thjesht si çdo qytetar i Shqipërisë. Dhe një nga arsyet e trembjes, siç e ka thënë dhe vetë publikisht, ka qenë një kryeartikulli i gazetës “Albania”, që e sulmonte ashpër si përgjegjës për atë që ndodhi në Vlorë.

Editorialin pa emër e kisha shkruar unë dhe në të vërtetë ishte shumë i ashpër. Zhulali tha më vonë se gjithë Ushtria, përfshi dhe atë, mendonin se e kishte bërë Sali Berisha dhe e kishte marrë këtë si kërcënim.

“Pas atij momenti, unë e kisha humbur tërësisht autoritetin në ushtri dhe te Komandanti i Përgjithshëm”, kishte thënë ai. Për 12 ditë me radhë, ai editorial i kishte krijuar ministrit të Mbrojtes së Shqipërisë makthin e të qenit armik i Komandantit të Përgjithshëm.

Dhe iku më 13 mars, ditën që Tirana po përpëlitej mes jetës dhe vdekjes. Në raportin që transmetova direkt më 13 mars rreth ikjes së tij, kolegu im nga studioja më tërhoqi vëmendjen të mos isha emocional dhe të mos e fajësoja unë ish-ministrin.

Ishte një bisedë direkte e vështirë. Ishin hapur po ashtu fjalë se ishte arratisur dhe kryeministri. Nga Uashingtoni më thanë ta verifikoja dhe e gjeta në telefon. Nuk kishte ndërmend të ikte.

Po ashtu, lajmet se fëmijët e Berishës ishin në Itali, filluan të mbushin ballin e lajmeve në të gjitha agjencitë e huaja. Vetë Berisha ishte në Presidencë. Ishte e vështirë të komunikoje me të. Në pallatin e tij ishin të trembur për shkak të kërcënimeve nga Gjirokastra, se shtëpia do të hidhej në erë.

Komitetet e mbledhura në Gjirokastër, së bashku me disa pjesëtarë të Qeverisë së Koalicionit, diskutonin në sy të gazetarëve për sulme mbi shtëpinë e tij me “avionë”, me “pesëdhjetë djem” apo me variante të tjera për të “shpëtuar popullin shqiptar”.

Ai vetë kishte vendosur të flinte në Presidencë. Në oborr kishin mbetur vetëm gjashtë roje, ndërsa një grup djemsh vullnetarë ofruan ndihmë vonë, kur filloi një përpjekje e armatosur e rojeve të tij me një furgon që ndaloi para Presidencës në mënyrë provokative.

Një njeri u vra para hotel Rogner-it dhe një tjetër u plagos dhe më vonë vdiq, ndërsa përpiqej të largohej pas zjarrit të hapur mbi furgon. Lajmi se kishin sulmuar Berishën, la pa gjumë shumicën e gazetarëve të huaj në hotel Rogner dhe disa prej tyre u ngjitën dhe në tarracën e hotelit për të parë ndonjë skenë më për të qenë. Thashethemet ishin mbretëria e asaj nate.

Të nesërmen në mëngjes, në bulevardin qendror para hotel Rogner-it ishin vendosur disa qirinj për një të vrarë, ndërsa një plep i vogël është ende i thyer në rrugën përkitazi Presidencës, ku u përplas furgoni që provokoi rojet.

Nga Garda filluan të shtëna të panumërta dhe paqartësia se çfarë po ndodhte atje, shtoi shqetësimin për ndonjë sulm të mundshëm mbi Presidencë.
Ishte një nga netët më të mistershme të Tiranës.

Ministria e Brendshme kishte mbetur pothuajse bosh. Sali Shehu thoshte se shumica e shefave kryesorë të ministrisë kishin ikur në shtëpi duke i marrë këpucët në dorë. Megjithatë, Komisariati numër 2 dhe Komisariati numër 3, dukej se punonin.

Sali Shehu ishte Shefi i Komisariatit numër 2, dhe banonte në një pallat me mua. Atë ditë mbërriti në shtëpi rreth orës 01. 30 të natës. Më ftoi së bashku me Ylli Rakitin, drejtorin e gazetës “Albania” për një kafe.

Na tregoi se diçka kishte ngjarë rrotull Presidencës dhe për planet e tij për ta kontrolluar Tiranën me një grup djemsh të rinj ditën e nesërme. Ylli e inkurajoi menjëherë dhe, ashtu entuziast siç ishtë, i tha se kjo ishte rrugëzgjidhja e vetme.

Sali Shehu, koloneli i vetëm që jetonte atë natë pa shumë frikë në Tiranë, ndenji me ne deri rreth orës 02.00 të mesnatës duke pirë disa gota uiski, shau gardën e Berishës dhe gjithë Ministrinë e Brendshme, pastaj doli prapë në rrugë.

Unë u ngjita në apartamentin tim, në katin e gjashtë dhe gjeta Almën, gruan time, që ishte ende zgjuar. Ishte e tronditur. Më paskësh telefonuar, por unë e kisha lënë celularin në dhomë.
-Mori Sali Berisha në telefon, – më tha. – Nuk ishte mirë.
– Çfarë kishte? e pyeta.

-Nuk ishte mirë, – tha. – Fliste sikur dikush do ta vriste pas pak. S’di si të ta them, por fliste gati përçart. Nuk më la as t’i them që jam Alma, por më tha se kjo që po ngjet sonte duhet të shkruhet, të mbahet mend, se sonte këta… ku di unë ç’po më thoshte. Foli nja 5 minuta pa pushim, por nuk ishte mirë. Të mora ty në telefon, po ti e kishe lënë këtu lart.

Përshkrimi i Almës dhe ajo që na tha pak më parë Sali Shehu për Gardën e shthurur, sulmet mbi Presidencë dhe gjithçka tjetër, ma bënë fiksim që diçka mund t’i kishte ndodhur. I telefonova dhe u përgjigj menjëherë.

U përpoqa të dukesha i qetë dhe i thashë se më kishte kërkuar. M’u duk më i qetë.
-Po, të kërkova, – tha. – Ku je tani? Eja pak.

-Jam në shtëpi, – i thashë, – po s’kam makinë, se ma kanë vjedhur dje para pallatit, sa nisën krismat. Më nis një makinë.
-S’ka problem, takohemi nesër, – tha.
Të nesërmen, skena e tensionit rrotull Presidencës u përsërit dhe në mbrëmje fola përsëri me të.

– Po vij pak, – i thashë, – shiko mos më dërgon një makinë.

 

Pas pesë minutash, isha para pallatit. Beqiri, një shofer i tij shoqërues me një makinë Toyota foristradë, u afrua te rrugica. Në momentin që matesha të hyja në makinë, në qoshe u shfaq një roje, që më dukej se ruante një furrë buke dhe filloi të qëllonte lart me kallashnikov.

I bëra shenjë të qetësohej, se nuk kishim punë me të. Nuk na foli, por nuk qëlloi më. U nisëm. Të shtënat dëgjoheshin në çdo cep të Tiranës. Ndërsa kaluam hotel Diplomati-n dhe kishim marrë

rrugën përbri stadiumit “Dinamo”, në drejtim të Presidencës, një breshëri e zgjatur, që m’u duk si pas veshit, erdhi nga ana e Parkut të Delegacioneve. U mblodha skrupull instinktivisht, ndërsa Beqiri i dha gaz makinës. Ishte i tronditur në fytyrë. U futëm me urgjencë në oborrin e Presidencës, ku dukej se ishin shtuar disa civilë me armë në duar dhe me dialekt verior.

– Shpëtuam për qime, – tha Beqiri. — Plumbat kanë kapur makinën nga fundi. Aty te Parku i Delegacioneve, më duket.
Ishte e pabesueshme.

Në zyrën gjysmë të errët të tij, Berisha ishte vetëm, ndërsa nga ana e kodrave të Liqenit skuqnin plumbat që kryqëzoheshin në ajër.

Në cep të tavolinës ishte darka e tij e mbështjellë me letër alumini dhe e panisur. Liria, e shoqja e tij, kishte shkuar te një mbesë e Berishës, që herë thoshte te lagjja “Ali Demi” e herë te lagjja ku banoja unë, afër stacionit të fundit të Tiranës së Re.

Fëmijët kishin ikur në Itali, ndërsa ai kishte vendosur të rrinte në zyrë. Nuk e hapi muhabetin e telefonit me gruan time një ditë më parë dhe tronditjen që kishte përcjellë tek ajo. Gati nuk shkëmbyem asnjë fjalë. Ai foli papritur.

-E di unë si e donte kjo punë, – ia nisi. – S’kemi ushtri ne, janë lepuj. Nuk i fola.
-Ose t’i thuash Perëndimit shiko punën tënde dhe… – Nuk e mbaroi fjalinë. – Një zgjidhje do ishte dhe republika islamike, por pastaj duhet t’i bësh Ilogaritë . Nejse, s’bëhet gjë tani.
Ishte një e folur gati si mërmëritje.

E përmendi disa herë më vonë në ditët e tjera këtë shkëputjen nga Perëndimi, lidhjen me islamin, pastaj e hidhte poshtë po vetë, e sillte vetë sërish. Ishte në ditët më të paqarta të jetës së tij. Donte vetëm një fije kashtë ku të kapej, i sigurt se do t’ia dilte. Republika Islamike më dukej një vegim që i shfaqej pikërisht nga ngërçi i rrugëdaljeve.

Për të ishte një ditë e vështirë, ndoshta më e vështira e jetës së tij politike. Armiku i tij i madh në ato momente nuk kishte të bënte fare me ata që kishin rrëmbyer armët, por me Uashingtonin, i cili kishte hartuar një kërkesë për largimin e tij. Kjo e kishte tmerruar. Kjo po e çonte të hamendësonte çdo zgjidhje të mundshme që kalonte jashtë tyre.

Dhe jashtë kontrollit të tyre kalonte vetëm republika islamike. Kur e shihja ashtu të drobitur dhe pa shumë shpresa për pushtetin që po i thërrmohej para syve, një javë pasi kishte menduar se e kishte kaluar lumin, ndieja një lloj keqardhjeje dhe thellë-thellë mendoja se ishte një njeri me fat tragjik, i cili krijonte keqkuptime edhe me Perëndimin.

Mbi tavolinën e tij ishte ende racioni i ushqimit që Liria ia kishte sjellë për darkë mbështjellë me letër varaku, si dhe sallata në një tas kauçuku. E kuptova që tronditja e tij e madhe nuk kishte të bënte me rebelimin e shqiptarëve, por me fundin e durimit të amerikanëve.

Donte një rrugëzgjidhje kundër atyre. Për mua, republika islamike vazhdonte të mbetej një lajthitje e momentit e tij, por më pas u binda se në ato momente e ka menduar seriozisht si zgjidhje për veten.

 

Dy muaj më vonë, me një rekomandim të tij, unë dhe Ylli Rakipi takuam një njeri që ishte realisht kyçi i organizmit të botës islame në Ballkan dhe financuesi kryesor i luftës në Bosnjë Hercegovinë. Ishte njëkohësisht njeriu konfindent i Sali Berishës.

Heshtja që mbushi boshllëkun mes përçartjeve të tij dhe kujdesit tim për të mos folur për një gjë që më dukej lajthitje, u thye prej tij. Befas ishte qetësuar. Nisi një bisedë më të shtruar. Një bisedë për shkaqet e gjithë asaj që po ndodhte.

-E di? – më tha. – Këtë s’ia kam thënë as vetes këto vite, po gjithmonë më është dukur se shqiptarëve nuk u hyri kurrë në kokë demokracia. Në vend të saj, sikur ke vënë një tullë në kokë të tyre. Asnjëherë nuk u përpoqën ta kuptojnë.

Ndaj ndodhi kjo që ndodhi.
E kisha më të lehtë t’i jepja të drejtë dhe heshtja më ndihmoi me një tundje koke.
Pastaj befas u bë i kthjellët. Përmendi Fatos Nanon. Kishte dalë nga burgu. Nuk më shpjegoi asnjë rrethanë, vetëm më tha që ka dalë.

 

-Pyet pak dikë nga “ata” tha, si e duan që ta bëj, ta fus në listë me gjithë këta të falurit e tjerë, apo ta bëj veçmas.

U çudita se më erdhi shumë papritur biseda rreth mollës së ndaluar”.
– Të pyes i thashë, por s’kisha në mendje asnjë njeri veçse Shpëtim Nazarkon dhe Preç Zogaj. Në të vërtetë ia thashë Shpëtimit të nesërmen dhe ai u prek shumë që Berisha mendonte për këto detaje.
-Është njeri tragjik Berisha tha, por është më burrë se këta. Shiko ku i ka shkuar mendja.

Promovimi

Baze: Viti ’97, testi i parë i humbjes së shoqërisë shqiptare

“Është mirë që ta shikojmë të gjithë kështu këtë vit, pasi kjo do të na bashkojë për të mos përsëritur më dramën që ai shkaktoi për shoqërinë shqiptare” Shtëpia botuese Toena promovoi dje në Hotel Tirana librin e Mero Bazes “Viti ’97”.

Në ceremoni morën pjesë dhjetëra gazetarë dhe politikanë shqiptarë si dhe lexues, miq dhe të afërm të autorit. Ceremoninë e hapi Drejtoresha e botimeve “Toena”, Irena Toçi, e cila foli për vlerat e librit dhe jehonën e tij në tregun shqiptar.

Zonja Toçi vlerësoi librin si një nga botimet më të dokumentuara për vitin 1997 dhe shpjegoi me këtë dhe popullaritetin që libri ka gjetur menjëherë tek lexuesi. Më pas, publicisti Preç Zogaj foli rreth brendisë së librit dhe fakteve të reja që ai sjell për realitetin shqiptar.

Zogaj tha se libri plotëson një gjymtyrë të munguar të publicistikës së vitit 1997, ku dhe ai vetë ka dhënë kontribut kryesor me dy librat e tij. Zogaj vlerësoi si të rëndësishem faktin që Baze dëshmon vetëm për detaje me interes publik nga ai vit, si dhe hedh dritë mbi mënyrën se si pushteti përjetonte shtypjen e demokracisë në vend.

Një ndërhyrje interesante spontane bëri në promovim Prof. Dr. Besnik Gjongecaj, ish Nënkryetar i PD dhe Ministër në qeverinë e kryeministrit Aleksandër Meksi. Ai tha se libri ka tri vlera kryesore, së pari, vlerën dhe vërtetësinë dokumentare, së dyti, vlera artistike dhe së treti, një përfundim shumë realist dhe vlerësim të asaj çfarë ka ndodhur në vitin 1997.

Gjongecaj tha se viti ’97 duhet plotësuar nga të gjithë me dëshmitë e tyre nën dritën e guximit qytetar.

Në fjalën e tij Baze tha se “viti ’97 është një vit i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare dhe këndvështrimi për atë që ndodhi duhet të jetë realist”. “E di që për shumë lexues, përshi dhe ju këtu, libri ka ngjallur interes, jo për shkakun të autorit, por për shkak të kohës që i jam referuar dhe subjektit që kam zgjedhur.

Kjo më bind dhe më shumë se guximi për të kthyer kokën pas, shpeshherë është një energji e re, që i bën mirë të ardhmes të secilit, por dhe karrierës si gazetar.

Viti 97 është një vit i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë, pasi është testi i parë që ne kemi humbur si shoqëri për të ndërtuar një shtet me institucione dhe një demokraci me standarde perëndimore.

Është mirë që ta shikojmë të gjithë kështu këtë vit, pasi kjo do të na bashkojë për të mos përsëritur më dramën që ai shkaktoi për shoqërinë shqiptare. Çdo këndvështrim tjetër për atë kohë, qoftë si krizë financiare, qoftë si revolucion, do të mbulonte të vërtetën dhe do të na bëjë që gabimet të përsëriten.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu