“Matrioshka” ruse në Tiranë

0
95

14 apo 24 veta? Ka dy kontradikta në ueb-in e Ambasadës së Rusisë në Shqipëri: në versionin shqip në ambasadën ruse që nga ambasadori deri të korrespdenti special i fletores zyrtare të qeverisë federale ruse janë 14 nëpunës. Në verisionin rusisht figurojnë dhe emrat e 10 bashkëshorteve të diplomatëve, duke filluar nga ajo e Amabasadorit.

Ato bëjnë pjesë në “sostav posolstva” (efektivi i ambasadës). Ndoshta rrogat i marrin si asistente të burrave. Kjo do të thotë se ato paguhen si diplomate nga MPJ-ja e Rusisë. Është hera e parë që ambasada e Federatës Ruse vendos dhe emrat e grave të personelit. Nëse ato konsiderohen nëpunëse, organika gjithsej e përfaqësisë së Kremlinit në Tiranë arrin në 24 veta.

Nga ana tjetër për një medie shqiptare para 3 javësh z. Abramov deklaroi se në Tiranë janë 11 diplomatë dhe atasheu ushtarak (në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes), pra 12 veta. Ambasadori garantoi se ky numër jo i vogël diplomatësh po punojnë për forcimin e miqësisë dhe rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve. Është frazë normale diplomatike në pamje të parë, por mund “të përkthehet” dhe nga “gjuha” konspirative si punë për riaktivizimin e lidhjeve të vjetra, tani me anë të pasardhësve.

Ata që ikën dhe ata që erdhën
Nga personeli i kohës së ish-Ambasadorit Aleksandër Prishçepov kanë mbetur vetëm diplomatët Jurij Timoshçenko, i cili tashmë është “veteran” me postin e sekretar-referentit që nga 30.11.2007; atasheu ushtarak i forcave tokësore, ajrore dhe detare koloneli Viktor Mazunin, i cili ndodhet në Tiranë që nga data 15.06.2008 dhe ndihmësi i tij kapiteni II Aleksej Danilov që ka ardhur rreth një vit e gjysmë më vonë se eprori, më 05.02.2009; atasheu Ana Rikova që nga 24.07.2008 dhe Vladislav Kurbackij, sekretar III që nga 05.11.2008.

Amblema e KGB-së

Para ambasadorit Abramov kanë mbërritur diplomatët rishtarë si Aleksandër Kovalenko, sekretar III që nga 23.04.2009; Sergej Rudçenko, shef i shërbimit konsullor që nga 25.08.2009; Vjaçeslav Venjov, atashe që nga 28.11.2009; Valerij Bistrov; sekretar i parë që nga 16.12.2009. Pas Abramovit kanë mbërritur Stanislav Lagutin, sekretar III; Valerij Ksenxov, atashe; Igor Kuznjecov, referent dhe Denis Jaroslavcev, korrespondent i posaçëm i “Rossijskaja gazeta”.

“Ja pse Rusia nuk është indiferente”
“Shkaku kryesor i ngjarjeve të 21 janarit është përpjekja për të shfrytëzuar metodat e forcës për të siguruar interesat politikë. Ndërkohë cilado qoftë pala që i përdor, kjo nuk përputhet me parimet demokratike të jetesës në një shoqëri”, kështu do të deklaronte më 25 janar 2011 Ambasadori i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë z Abramov në një konferencë shtypi lidhur me ngjarjet në Tiranë më 21 janar të këtij viti.

Abramovi u rreshtua krah miqve të Shqipërisë: “Dhuna tashmë ka shqetësuar seriozisht të gjithë miqtë e Shqipërisë, përfshirë edhe Rusinë. Është e qartë se ngjarjet e ndodhura në Tiranë Ambasada i analizon vetëm nga pozicioni i mosndërhyrjes në punët e brendshme”. Diplomati me përvojë 25-vjeçare, zbulon se objektivi i përbashkët i Moskës dhe Tiranës për vitin 2011 “është zgjerimi dhe forcimi i dialogut politik dhe të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat në bazë të leverdisë së ndërsjellë.

Prandaj nuk jemi indiferentë ndaj asaj që po ndodh në rrugët e kryeqytetit të miqve tanë”. Abramovi, duke shprehur pikëpamjen e Kremlinit, nënvizoi se “sikurse tregon përvoja e vendeve te tjera, acarimi i rrethanave sociale duke bërë analogji me “revolucionet prej portokalli, jasemini dhe të tjera” ndikojnë tejet negativisht në progresin e shoqërisë dhe në mirëqenien e popullit”.

Mëkëmbësi i kryeministrit Vladimir Putin u shpreh se “populli i Rusisë i cili ka pasur, ndoshta, viktimat më të shumta si pasojë e tronditjeve revolucionare të ndryshme gjatë shekullit të fundit, ka në veçanti të drejtë të flasë për këtë gjë.

Presion Berishës për ujdinë me Nanon
“Që nga viti 2004 ne kemi parafirmuar Marrëveshjen e miqësisë dhe bashkëpunimit, është e rëndësishme që ajo të nënshkruhet”, z. Abramov u tha gazetarëve shqiptarë në konferencën e shtypit. Meraku i Moskës është zvarritja që i ka bërë qeveria Berisha Traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Rusisë dhe Shqipërisë, që u parafirua në Tiranë më 8 dhjetor 2004 nga ministri i jashtëm i qeverisë Nano, Kastriot Islami (në korrik 1991 u dërgua me mision në vitin 1991 në Moskë nga presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, i cili ka studiuar në BS për marksizëm.

Islami para 20 vjetësh ishte spiker i parlamentit të parë pluralist shqiptar). Kremlini po përdor kulaçin dhe kërbaçin. Në dy-tri raste ambasadori Abramov ka kërkuar publikisht nga qeveria shqiptare nënshkrimin e këtij Traktati Miqësie, në mënyrë që Rusia të jetë e sigurt në hapat e mëtejshëm në Shqipëri. Siç duket me këtë problem të pazgjidhur shihet dhe shtimi i organikës në ambasadë, shto këtu dhe ndjekja e investimeve private: “Ne i këshillojmë kompanitë ruse të futen më aktivisht në tregun shqiptar”, deklaroi Abramov.

Prapë sekretet e NATO-s
Është interesant fakti që, siç ka pohuar vetë ambasadori, brenda dy muajve pas mbërritjes në Shqipëri, ai ka arritur të bëjë punë në tri dikastere: Ministrinë e Financave (ministër Ridvan Bode), si dhe Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës [ministër Dritan Prifti] dhe Ministrinë e Brendshme [Lulzim Basha]. Për Abramovin është e rëndësishme që njerëzit e ambasadës ruse po punojnë të sigurojnë informacione të klasifikuara kundër krimit, por që kërkojnë dhe lejë të organeve përkatëse të NATO-s.

Abramovi ka konfirmuar se në Ministrinë e Brendshme ka diskutuar për kontrollin dhe luftën ndaj trafikut të drogës. Kjo mbështetet në një fakt pak të njohur. Në Moskë, më 13 shkurt 1995, është nënshkruar një Marrëveshje mbi bashkëpunimin midis Ministrive të Brendshme të Federatës Ruse dhe Shqipërisë, marrëveshje që hyri në fuqi ditën e nënshkrimit me afat të pakufizuar.

4 korrespondentë vetëm në Ballkan
Bie në sy një fakt kurreshtar, pasi në versionin shqip të uebit të Ambadasdës ruse, në organikë nuk janë përmendur dy persona, ndryshe nga versioni rusisht: referenti Igor Kuznjecov dhe korrespondenti i posaçëm i “Rossijskaja gazeta” Denis Jaroslavcev. Nuk dihet nëse kjo është bërë për negligjencë teknike apo qëllimisht. Sipas sajtit të të RG-së (“Russkaja gazeta-s”), ajo ka këtë rrjet prej 13 korrespondentësh jashtë shtetit: Ukrainë, Bullgari, Francë, Izrael, Angli, Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Belgjikë, Turqi, SHBA, Kore e Jugut, Kinë.

Parë me kujdes, del se katër prej tyre janë akredituar në kryeqytetet ballkanike: Tiranë, Sarajevë, Sofje, Ankara. Ndërkohë gazeta zyrtare e ligjeve dhe lajmeve e Kremlinit nuk ka korrespondentë në Itali, Spanjë, Portugali, Greqi, Serbi, Çeki, Sllovaki, Hungari, Rumani, Suedi, Norvegji, Finlandë e vende të tjera evropiane; pa përmedur vende të Azisë, Afrikës, Amerikës Latine, Australi deri as dhe në Kanada. Katër në Ballkan!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu