Mbyllen hetimet për vrasjen misterioze të Enver Haradinajt

0
284

Mbyllen hetimet për vrasjen misterioze të Enver Haradinajt. Rasti i vrasjes së Enver Haradinajt është mbyllur vetëm pesë muaj pasi ishte vrarë në rrugën Pejë-Deçan. Prokuroria e Shtetit thotë se me këtë rast është duke u marrë EULEX’i, por këta të fundit konfirmojnë mbylljen e rastit. Sidoqoftë, dorasi i vëllait të Ramush Haradinajt vazhdon të mbetet i pazbuluar.

U fol shumë kur u vra. Pothuajse të gjithë reaguan, por askush më nuk u mor me zbardhjen e vdekjes së tij.

As dorasi nuk u arrestua kurrë. E as pas tetë vitesh, askush nuk arriti të zbulojë krimin e rëndë që ndodhi në qershor të vitit 2005, ditën kur Enver Haradinaj, vëllai i Liderit të AAK’së Ramush Haradinaj, u qëllua rëndë, për ta gjetur edhe vdekjen.

Ky rast është mbyllur, vetëm pak muaj pasi ka ndodhur vrasja. Fillimisht për vrasjen e Enver Haradinajt, në polici u vetëdorëzuar Tasim Osaj, si i dyshuar ta ketë kryer këtë akt. Osaj u dorëzua vullnetarisht në korrik 2005. Por një vit më vonë, për shkak të mungesës së dëshmive, një gjykatë pezulloi rastin kundër Osajt, i cili akuzohej për vrasjen në prill 2005 të Enver Haradinajt, vëllait të ish-kryeministrit e kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Në Prokurorinë e Shtetit thonë se këtë rast e ka misioni europian i EULEX.

Liridona Kozmaqi, Zëdhënëse e Prokurorisë thotë se këto vrasje të pasluftës, i ka të gjitha EULEX.

“Të gjitha këto vrasje të rënda janë në EULEX, ne nuk i kemi ato”, ka thënë Liridona Kozmaqi zëdhënëse e Prokurorisë së Shtetit për Express.

Në anën tjetër, EULEX e mohon se është duke u marrë me zbardhjen e vrasjes së Enver Haradinajt. Madje sipas tyre, kjo lëndë ka kohë që është mbyllur.

Sipas Blerim Krasniqit, zëdhënës, kjo vrasje është mbyllur qysh në kohën e UNMIK’ut.

“Të dhënat mbi rastin janë gjetur në bazën e të dhënave të UNMIK-ut. Rasti është mbyllur nga UNMIK-u më 19 tetor 2005 dhe nuk ju është dorëzuar Prokurorisë Speciale të Kosovës”, ka thënë Krasniqi për Express.

Vrasja e Enver Haradinajt, ndodhi në prill të vitit 2005 rreth orës 14.55 minuta, në afërsi të fshatit Raushiq, në magjistralen Pejë-Deçan. Kjo ishte vdekja e tretë në këtë familje. Dy vëllezër të familjes Haradinaj janë vrarë gjatë luftës (Shkëlzen dhe Luan Haradinaj), ndërkaq dy të tjerë në kohën kur u vra Enveri gjendeshin në qelitë e burgut, njëri i arrestuar me akuzë të Tribunalit të Hagës për krime lufte, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe tjetri, Daut Haradinaj atëkohë i dënuar me 5 vjet e gjysmë burg po ashtu për krime lufte.

 

Nga Lirita Halili

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu