Me cilat kushte dhe me çfarë misioni u vendos EULEX në Kosovë?

0
74

Ahmet Qeriqi:

EULEX-i u vendos në Kosovë, më 9 dhjetor të vitit 2008. Atëbotë në mediet e vendit ishte publikuar ky lajm. Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, EULEX, fillon sot zyrtarisht punën e tij në Kosovë.  Zyrtarët e këtij misioni u zotuan  që ditën e parë, ata do të shtrihen në tërë Kosovën, përfshirë edhe veriun e saj. Fillimi i punës së EULEX it duhet të shënojë edhe përmbylljen e Misionit të Kombeve të Bashkuara, i cili ka administruar Kosovën që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Zyrtarë të misionit thonë se aktualisht në Kosovë kanë arritur 1300 policë, prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë. Në ditën e parë të shtrirjes në veri, fillimisht do të vendosen afro 100 policë të EULEX it.  Udhëheqësit politikë në Kosovë thanë se misioni duhet të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës mbi bazën e Kushtetutës së saj dhe planit Ahtisari. Misioni më i madh në historinë e BE së, do të luaj rolin e këshillëdhënësit dhe mbikëqyrësit në fushën e Drejtësisë, Policisë e Doganave në Kosovë.

 

Kështu u tha atëherë, por nuk ndodhi ashtu. Madje ndodhi krejt ndryshe dhe më vonë do të shihet se ky mision në Kosovë u vendos me mashtrime, ashtu sikur mijëra vjet më parë grekët dinakë kishin vendosur  Kalin e Drurit para portave të Trojës. As ditën e parë, as në muajin e parë, por as në vitin e parë,  e madje as sot pas dy vite e gjysmë, EULEX-i nuk është vendosur në veri të Kosovë, për më tepër gjatë vitit të fundit edhe e ka anashkaluar në tërësi këtë pjesë të vendit tonë, për shkak, sikur thuhet,  të veprimeve të grupeve ekstremiste serbe. Në fund të këtij lajmi nënvizohej se  EULEX-i do ta luajë rolin e këshillëdhënësit dhe mbikëqyrësit në fushën e Drejtësisë, Policisë e Doganave, në Kosovë. Mirëpo, EULEX-i rolin këshillëdhënës dhe mbikëqyrës e zëvendësoi me arbitrarizëm dhe filloi arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së madje pa paralajmëruar asnjë organ  relevant të sigurisë në Kosovë dhe duke u bazuar ekskluzivisht në dosjet e Prokurorisë së Serbisë të kohës së regjimit të Milosheviqit.

Këto veprime të EULEX-it, që ishin  devijime  të tërësishme nga përmbajtja dhe qëllimi i deklaruar i  misionit, i kishin vërejtur me kohë politikanët tanë, por nuk kishin reaguar. Pse nuk kanë reaguar atëherë dhe pse nuk reagojnë si duhet dhe si e kërkon interesi i vendit as sot duhet,  të pyeten ata. Realisht ata, duhet të japin përgjegjësi për të gjitha veprimet e kundërligjshme të misionit EULEX, i cili në asnjë segment nuk iu përmbajt mandatit këshillëdhënës dhe mbikëqyrës.

Pasi EULEX-i konfirmoi se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kishte filluar bashkëpunimin me Beogradin zyrtar duke nënshkruar edhe protokolle “ndërshtetërore”, kreu institucional i Kosovës, i indinjuar nga Plani gjashtë pikësh i Ban Ki Munit, mori vendim  dhe paraqiti një dokument 4-pikësh ku kundërshtohej përfundimisht plani 6-pikësh i kreut të OKB-së, dhe i Beogradit, për shtrirjen e këtij misioni.  Prishtina zyrtare ka prezantuar katër pikat e saj për shtrirjen e misionit të EULEX-it në Kosovë, duke besuar verbërisht se ky mision ishte vendosur në Kosovë për të ruajtur tërësinë territoriale dhe ndihmën në vendosjen e “sundimit të ligjit”. Këto pika vijnë si një lloj kundërpërgjigjeje pas një plani gjashtë-pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban ki Moon, të harmonizuar me Beogradin, të cilin Kosova e ka hedhur poshtë. Plani  i Ban Ki Munit, kishte për qëllim, që fillimisht  t’i frustronte shqiptarët, në mënyrë që ata ta pranonin pa rezervë misionin EULEX, duke menduar se ai do të kundërshtonte gjashtë pikat e zeza të Ban Ki Munit.

Asokohe kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu, duke kundërshtuar planin e Ban Ki Munit, i cili projektonte ndarjen edhe ‘de jure” të veriut të Kosovës, i paraqiti katër pika, duke shtuar se qëndrimet e Prishtinës ishin  të harmonizuara dhe prezantonin pozicionin e institucioneve, mbi bazën e të cilave misioni i BE-së mund të fillonte shtrirjen në gjithë territorin e Kosovës.

Në deklaratën e kryetarit Sejdiu shkruante:

– Jemi për vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, sipas mandatit të paraparë me deklaratën e pavarësisë, dokumentin e presidentit Ahtisari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, aksionin e përbashkët të 4 shkurtit të vitit 2008 dhe ftesën bërë EULEX-it nga institucionet e Kosovës, të nënshkruar edhe nga presidenti, më 17 shkurt dhe 8 gusht të vitit 2008”.

– Institucionet e Kosovës refuzojnë dokumentin gjashtë-pikësh”.

– Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë me EULEX-in për vendosjen në tërë territorin e Kosovës”.

– Kosova do të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n”, – tha Sejdiu, duke prezantuar pozicionin e Prishtinës zyrtare.

 

Ndërkaq, kryeministri, Hashim Thaçi, kishte përsëritur pozicionin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe për shtrirje të EULEX-it konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ai kishte deklaruar:  “E kemi ftuar dhe i kemi dhënë përkrahje dhe do ta ketë bashkëpunimin tonë të ngushtë EULEX-i për zgjerimin dhe ushtrimin e autoritetit në tërë territorin e Kosovës, në mënyrë që të funksionojë rendi dhe ligji në të gjithë territorin, në mënyrë që të mos ketë struktura jolegale në asnjë pjesë të territorit të Kosovës”.

 

Përkrahja që ELEX-i kishte marrë nga Qeveria e Kosovës, madje edhe më shumë se i lejonte mandati, bëri që segmente të caktuara antishqiptare të këtij misioni heterogjen në pikëpamje kombëtare, të marrin  shumë më tepër pushtet se sa u takonte, duke u vendosur mbi ligjet e vendit, mbi Qeverinë e Presidencën dhe mbi Kushtetutën, e cila  edhe si pjellë e Planit Ahtisari, EULEX-it i caktonte rolin këshillëdhënës e mbikëqyrës dhe jo rolin ekskluziv, ekzekutiv.

Ky mision nuk u shtri dot në veri të Kosovës, as kishte bërë fare përpjekje për t’u shtrirë në atë pjesë, meqë atje ishin të stacionuara mbetjet e misionit të UNMIK-ut , që përbëhej krejtësisht nga zyrtarë të shteteve sllave dhe të cilët ishin barrikaduar në atë pjesë me qëllim që ta legjitimonin ndarjen ‘de jure” kësaj pjese nga Kosova. Kjo po ndodhte  në pikë të ditës dhe institucionet e Kosovës nuk bënë as përpjekjen më të vogël për t’ ia përkujtuar EULEX-it detyrat që kishte marrë përsipër në vendosjen e ligjit në veri të vendit.

 

EULEX-i u vendos në Kosovë më 9 dhjetor të vitit 2008 dhe qëllimi i misionit nuk ishte sundimi apo administrimi në Kosovë

 

Në deklaratat e kreut të EULEX-it në nëntor të vitit 2008, me rastin e  zbarkimit në Kosovë  thuhej se “Synimi kryesor i misionit është t’i ndihmojë dhe t’i mbështesë autoritetet kosovare në fushën e sundimit të ligjit, posaçërisht në fushën e policisë, gjyqësisë dhe doganave. Qëllimi i misionit nuk është të sundojë apo të administrojë në Kosovë. Ky është një mision teknik,  i cili do të monitorojë, udhëzojë dhe këshillojë përderisa do të mbajë një numër të kufizuar të kompetencave ekzekutive. EULEX vepron në një kuadër të përgjithshëm të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe ka një zinxhir të njësuar komandues në Bruksel”.

Për më tepër  eurodeputetja Dori Pak, e entuziazmuar me misionin asokohe, kishte deklaruar:  “Deri tani pjesa më e madhe e punës udhëhiqej nga OKB-ja, ndërsa shqiptarët ishin vetëm sa për dekor. Tani do të jetë anasjelltas. Shqiptarët do të janë ata që do të marrin përgjegjësinë në dorë, ndërsa ne do të jemi dekor, dhe  ky dekor është shumë i rëndësishëm që gjithçka të bëhet si duhet.” kishte thënë, Doris Pak, një zyrtare e lartë e Evropës, e cila edhe aktualisht gëzon respekt te populli i Kosovës.

 

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Evroaziatike, Daniel Frid, më 28 nëntor të viti 2008, duke folur lidhur me vendosjen e misionit EULEX në Kosovë  kishte thënë për “Zërin e Amerikës” se UNMIK-u t’i kalojë kompetencat EULEX-it duke shtuar se  Kosova kishte shënuar  një fitore të madhe, sepse kundërshtoi planin 6 pikësh dhe Kombet e Bashkuara, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta pranonin dhe ta respektonin këtë qëndrim të saj. Në fakt, asgjë nuk do t’i detyrohet Kosovës, as plani gjashtë pikësh dhe as ndonjë gjë tjetër. EULEX-i do të vendoset në Kosovë dhe do të konsultohet e do të bashkërendojë veprimet e tij me autoritetet e Kosovës, me Prishtinën zyrtare. Kjo është në fakt hera e parë që Qeveria e Kosovës ngre zërin dhe shpreh pozicionin e saj si një vend sovran. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kuptojnë dhe e pranojnë këtë dhe EULEX-i do ta respektojë. EULEX-i, ku marrin pjesë edhe Shtetet e Bashkuara, do të dislokohet në Kosovë vetëm duke u konsultuar dhe bashkërenduar veprimet me Prishtinën.

Ndërsa duke folur për sa i përket veriut të Kosovës, pjesës veriore të Mitrovicës, Daniel Frid, kishte thënë se EULEX-i do të vendoset në të gjithë vendin, në veri të Mitrovicës gjithashtu, në të gjithë zonën në veri të Lumit Ibër. Ky është një vend i pandarë, nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj ndarjeje, as “të fortë” dhe as “të butë”, dhe me as ndonjë lloj tjetër ndarjeje. Në qoftë se ne do të kishim pranuar shkëputjen e veriut, do ta kishim bërë këtë pa kaluar në gjithë këto negociata. Ne kemi negociuar dhe vazhdojmë të negociojmë sepse EULEX-i duhet të dislokohet dhe do të dislokohet në të gjithë vendin.

 

Duke u bazuar në deklarimet  e zyrtarëve të EULEX-it, me rastin e zbarkimit në Kosovë, duke u bazuar në përmbajtjen e misionit, rolin dhe detyrat, duke u bazuar në marrëveshjen e arritur lidhur me zbarkimin dhe qëllimin e këtij misioni, duke u bazuar në deklaratat e autoriteteve vendimmarrëse, në deklaratat e kryetarit të atëhershëm, Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit, Thaçi, duke u bazuar në deklaratat e eurodeputetes Doris Pak  dhe deklaratat e ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Evroaziatike, Daniel Frid, arrijmë në përfundim se ky mision nuk ka realizuar as minimumin e detyrave me të cilat është ngarkuar, por ka realizuar në tërësi synimet politike të Beogradit zyrtar, me qëllim të krijimit të kushteve për ta rishqyrtuar edhe njëherë statusin e Kosovës, proces ky i cili po vazhdon me rifillimin e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë lidhur me ripërkufizimin e statusit të Kosovës.

Askush në Kosovë, nuk beson se bisedimet janë teknike, madje këtë nuk e besojnë as ata që fshihen prapa këtyre deklaratave të papërgjegjshme. Është politika e ditës ajo, që me zhurmën e përditshme mediatike mundohet të na bind se Kosova e Serbia po bisedojnë si dy shtete të barabarta, përderisa Serbia e thotë gojëhapur se kurrë nuk do të pranojë  pavarësinë e Kosovës, duke saktësuar sa e sa herë deri tani se rifillimi i bisedimeve është në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje me kompromis. Fjalën, kompromis, nuk e përmend asnjëherë  Edita Tahiri, por pranon t’  i marrë fotokopjet e dokumenteve të rrëmbyera nga Serbia në Kosovë, gjatë kohës së luftës,  duke arsyetuar se Serbia origjinalin nuk ia paska dhënë Sllovenisë as Kroacisë.  Një zë i vetmuar i një ministri, si zë i njeriut të humbur në shtretërit kishte thënë  se kjo nuk do të ndodh kurrë, ndërkohë që tani thotë se ne i kemi dokumentet tona, ato të Serbisë nuk na duhen. Zyrtarët e tjerë kompetentë heshtin.

Qeveria ka telashe me konfigurime të përmuajshme, Kuvendi ngarkon e shkarkon kryetarë, kryetari apo kryetarja kanë punë të tjera të përditshme dhe kjo që pa na punon nën rrogoz EULEX-it, pastaj fare  haptas mbetjet e UNMIK-ut, Këshilli i Evropës, Dik Marti, Beogradi e Moska, kjo nuk i shqetëson politikanët dhe kryesuesit e institucioneve tona. Andaj edhe po na përsëriten mësimet që nuk i kemi mësuar si duhet e sa duhet.

 

EULEX-i të vetmin qëllim në Kosovë ka prangosjen e çlirimtarëve, me qëllim për ta diskredituar pavarësinë, në procesin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë. Përmes shantazheve të ulëta dhe anticivilizuese, përmes instruktimit të dëshmitarëve, përmes blerjes me para, premtimit për ndërrimin e identiteti dhe sigurimin e jetës dhe të familjeve të tyre në vende të ndryshme të botës, hetuesit e EULEX-it janë në aksion të “gjuajtjes së shtrigave” në aksion të një fushate inkuizicionale, duke fajësuar jo një grup apo ndonjë individ me prejardhje  nga UÇK-ja, por duke vënë në shënjestër tërë 25.000 veteranët e luftës së UÇK-së,  invalidët  dhe familjet e dëshmorëve, të cilët unanimisht janë shprehur dhe do të kundërshtojnë përpjekjet e këtij misioni për përbaltjen e luftës së UÇK-së, por edhe të popullit shqiptar në përgjithësi.

 

2. RKL: Shantazhet e EULEX-it kundër personaliteteve me ndikim në Kosovë, para së gjithash shkelin të drejtat elementare të njeriut, sepse me shantazhe, kërcënime për humbje të karrierës dhe burgosje, në rast të mos bashkëpunimit, EULEX-i po kthehet në një mision fantom, diktatorial, që ka për qëllim diskreditimin e luftës së UÇK-së, devalvimin e luftës sonë çlirimtare, barazimin e  viktimës me xhelatin dhe “larjen” e Serbisë nga mëkatet, në mënyrë që ajo, krejt e “pastër” të futet në Bashkimin Evropian. Fakti, që EULEX-i nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe bashkëpunon me Serbinë në të gjitha segmentet, lë për të kuptuar se angazhimi i këtij misioni ka qenë dhe po mbetet në funksion të rikthimit të Kosovës nën sovranitetin e Serbisë.

Arrestimi dhe caktimi i paraburgimit për ish-eprorin e lartë të luftës së UÇK-së dhe kryetarin  komunës së Therandës, Blerim Kuçi është shembulli konkret i sjelljes antinjerëzore të këtij misioni, i cili kërcënon dëshmitarët, i shantazhon ata dhe kur nuk pranojnë të bashkëpunojnë edhe i arreston. Kështu ka vepruar regjimi titist në Kosovë dhe njëjtë ka vepruar edhe regjimi kriminal i Milosheviqit. Dallimi qëndron në faktin se regjimi policor i Milosheviqit ka ushtruar dhunë brutale deri në likuidim fizik të liridashësve të Kosovës, ndërsa hetuesit e EULEX-it përdorin dhunë psikike, shantazhin, arrestin dhe burgun  si mjete për të arritur qëllimet. >>>

Duke folur lidhur me këto shantazhe, Blerim Kuçi, në Qendrën e Paraburgimit, në Prizren,  ka theksuar se arrestimet e EULEX-it i ngjajnë kohës së Rankoviqit. Ai ka deklaruar para zyrtarëve të KMDLNJ-së  “Nuk e di a jam i dënuar apo jam në paraburgim, kjo është një dilemë për mua. Ky është proces politik. Kanë filluar të merren me mua qysh kur Ramush Haradinaj është dërguar sërish në Hagë. Konsideroj se nuk kam çka të them dhe do ta mbroj veten në heshtje. Më kanë bërë  edhe shantazhe duke  më thënë po e humbkam   karrierën politike, por kjo  nuk kanë rëndësi për mua. Nuk dua të merrem me çështje, që në një të ardhme mund t’i shqetësojnë njerëzit pa asnjë lloj faji. Nuk mund, as nuk dua që ta bartë kohën e kaluar në ditët e sotme. Nuk dua ta shqetësoj askënd. Proceset që po i zhvillon EULEX-i i ngjajnë kohës së Rankoviqit kur ka pësuar edhe familja ime në atë kohë. Do ta kundërshtoj këtë kohë  që të mos përsëritet”, ka nënvizuar ish eprori i UÇK-së, Blerim Kuçi.

Përpjekjet e EULEX-it, që përmes Blerim Kuçit ta inkriminojë  luftën e UÇK-së dhe konkretisht deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj tashmë po bëhen fare hapur, ashtu sikur po veprohet edhe në instanca më të ulëta me disa dëshmitarë të improvizuar e të mbrojtur,  të cilët për përfitime materiale po bashkëpunojnë me hetuesit e EULEX-it, duke inskenuar rrëfime dhe duke etiketuar personalitete me rëndësi të luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare.

Fushata e EULEX-it ka të bëjë me një strategji në esencë antishqiptare, me qëllim për ta ndihmuar Serbinë në procesin e bisedimeve me Kosovën, në mënyrë që rezultati i bisedimeve të shkojë në favor të Serbisë dhe në dëm të pavarësisë së Kosovës.

Jo rastësisht, kjo fushatë, ka filluar të vihet në jetë pikërisht me rastin e  fillimit të  bisedimeve Kosovë-Serbi, në kohën kur delegacioni i Beogradit  zyrtar deklaron hapur se bisedimet po zhvillohen sipas kornizave të rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe kushtetutës së Serbisë, e cila Kosovën e trajton si pjesë të këtij shteti. Këto konstatime të kryesuesit të delegacionit serb, nuk iu bëjnë fare përshtypje krerëve tanë politikë, të cilët ndryshe flasin e krejt ndryshe veprojnë.

Me rastin e arrestimit të 9 pjesëtarëve të UÇK-së, më 16 mars nga EULEX-i, pastaj përpjekjeve për ta arrestuar deputetin,  Fatmir Limaj, arrestimi i  kryetarit të komunës, Blerim Kuçi dhe paralajmërimin për intensifikimin e arrestimeve, kreu politik dhe institucional i vendit nuk është treguar as po tregohet në nivel të detyrës. Deklaratat  verbale dhe gjithnjë të vonuara  kundër arrestimeve, bëhen sa për sy e faqe, ndërkohë që bashkëpunimi i Policisë së Kosovës dhe i Ministrisë së Brendshme me EULEX-in vazhdon.

Edhe reagimi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së nuk është unik  me faktin se në mesin e këtyre organizatave ka presion politik, nga qarqe të caktuara qeveritare, madje ka edhe kërkesa që të mos demonstrohet në rrugë, duke mos dhënë asnjë arsyetim të qëndrueshëm.

Megjithatë, gjesti i ish eprorit të UÇK-së, dhe kryetarit të komunës, Blerim Kuçi, është një shembull që to të mbahet mend për të mirë. Ai me shembullin e tij burrëror i ka  treguar EULEX-it, por edhe përkrahësve të këtij misionin nga shqipfolësit e Kosovës, se luftëtarët e vërtetë të lirisë, pavarësisht rrethanave, në të cilat janë gjetur gjatë luftës, pavarësisht mospajtimeve, që edhe mund të jenë shfaqur kohë pas kohe, ata i kanë mbetur besnikë idealit të lirisë dhe kapitalin e tyre kombëtar nuk e shndërrojnë në favor politik apo karrierë  në dobi të qëllimeve të EULEX-it apo të faktorit ndërkombëtar, që po bën përpjekje ta devalvojë luftën e UÇK-së, me qëllim për ta ruajtur status quonë dhe  me qëllim për t’ia falur “mëkatet” Serbisë dhe popullit serb.

Misioni EULEX po vazhdon shantazhet. I pari i këtij misioni, z. De Marnak ka rikonfirmuar se fushata e EULEX-it kundër çlirimtarëve të Kosovës  nuk do të ndalet derisa do të shqyrtohen të gjitha akuzat, që i ka ngritur Ministria serbe e Drejtësisë, e bazuar në dosjet e kohës së Milosheviqit.

Në një situatë të tillë, kur pazaret politike me vendin po bëhen në disa nivele, sikur janë bisedimet e dis-favorshme  me Serbinë, arrestimi i luftëtarëve të lirisë, shtrirja e fuqishme e administratës së Beogradit mbi pjesën veriore të Kosovës, kriza e vazhdueshme qeveritare, të cilën po e nxisin autoritetet e caktuara ndërkombëtare, liridashësit e vërtetë të Kosovës duhet të mobilizohen, për të mos lejuar kthimin prapa, për të mos lejuar të nëpërkëmbët gjaku i dëshmorëve dhe lufta jonë e drejtë për liri, të cilën e ka përkrahur Amerika, Anglia dhe një segment pro amerikan i disa shteteve të Evropës.

Kreu aktual politik dhe institucional i Kosovës, nuk i mbron luftëtarët e lirisë dhe as i ka mbrojtur ndonjëherë. Shumica e krerëve politikë dhe institucionalë e kanë pranuar shantazhin ndërkombëtar, me qëllim për të ruajtur postet e favoret, që sjellë veshja me pushtet. Në një gjendje të tillë, luftëtarët e lirisë, aktualisht nuk ka kush i mbron. Është momenti i fundit që ata të vetorganizohen për të mbrojtur vetveten dhe vlerat e luftës së UÇK-se. Në të kundërtën, do të bëhet vonë përgjithmonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu