Me cilën të drejtë u ndëshkua Vitia

0
147

Në takim me N. Arifin asnjë nëndegë e PDK-së

S’e di ku lexova (më duket te “Rajonipress”) një (dez)informatë sipas të cilës N. Arifi, kandidat i “pavarur” për kryetar komune në Viti, paska mbajtur një takim me kryetarët e nëndegëve të PDK-së! Dhe, sihariqi i këtij takimi, Abdyl Bajrami, gjithashtu i “pavarur” (në kuptimin partiak…), qenka zgjedhur shef i shtabit zgjedhor të N. Arifit. Po të donte dhe po të kishte për qëllim informimin e jo dezinformimin, “Rajonipress”, do të pyeste Kryetarin, nënkryetarin ose sekretarin e Degës për këtë takim. Një agjenci ose një medie serioze do t’i mjaftonte fakti që Abdyl Bajrami është zgjedhur kryetar shtabi e jo dikush nga PDK-ja për të nxjerrur përfundimin e saktë dhe për të mos rënë pre e manipulimeve të ulta të N. Arifit e Abdyl Bajramit. Po të ishte takim ose mbledhje e PDK-së me siguri që do të zgjidhej dikush nga PDK-ja për kryetar shtabi e jo një i “pavarur”, sic është Abdyl Bajrami. Pastaj, një medie dhe një gazetar, qoftë edhe me shkollë fillore, do të duhej ta kuptonte që mbledhjet, takimet dhe aktivitetet tjera të një Dege i thirrë dhe i drejton kryetari i Degës, Kryesia, sekretari, nënkryetari, etj., por jo N. Arifi, që nuk ka asnjë lidhje organizative, programore, statutare, morale a politike me PDK, me Degën e saj në Viti. Medet ose vaj medet për këto “portale”…

Nga: Zyra për informim e PDK-së në Viti

…………………………………………………………………………..

(E vetmja Komunë pa kandidat për Kryetar nga PDK-ja)

Anëtarësia dhe zgjedhësit e Partisë Demokratike të Kosovës, por edhe opinion i gjerë publik, brenda dhe jashtë vendit, tashmë është njoftuar me komplotin që është bërë kundër Degës së PDK-së në Viti dhe kundër vetë Vitisë, e cila është e vetmja Degë dhe e vetmja komunë në Kosovë pa kandidat për kryetar komune !! Kandidati për kryetar komune, Nexhmedin Arifi, doli nga ZARFA e Kadri Veselit dhe e KQZ-së më 17 shtator 2013, prandaj nuk është kandidat i PDK-së në Viti. Ky njeri gjatë katër viteve të qeverisjes në Viti u bë i “famshëm” për shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, persekutimin, diferencimin, denoncimin, ndëshkimin dhe dhunën sistematike ndaj anëtarëve dhe dashamirëve të PDK-së në Viti (sigurisht me lejen nga lartë). Me emrin e tij në Viti lidhet korrupcioni, krimi, uzurpimi dhe trafikimi i pronës dhe parasë publike. Me emrin e tij lidhet edhe “prostitucioni” politik e partiak në Viti. Me emrin e tij lidhet edhe « ura e shenjtë » e Vitisë, afera e pashembulltë e Digës (pendës), afera e projektit të qendrës dhe shumë e shumë afera të tjera me të cilatë drejtësia do të ketë punë edhe shumë vite.

Emri i tij, sic dihet, nuk ishte përmendur në asnjë organ dhe nivel të PDK-së. Ky veprim i shëmtuar, i ulët, illegal, kundërligjor dhe komplotist ndaj Vitisë u bë në bashkëpunim të ngushtë me KQZ-në! Deri më sot askush në PDK nuk e ka marrë “autorsinë” e këtij komploti, por mund ta them me sigurinë më të madhe se autor i këtij komploti është Kadri Veseli! Ky njeri dhe shërbëtorët e tij kanë ndërhy dhe kanë dhunuar edhe listën e Degës së PDK-së me kandidatë për këshilltarë komunal pa pëlqimin e kësaj Dege !! Kryetari i Partisë, Hashim Thaci (me funksionin që mbanë në Parti), është përgjegjës para Degës së PDK-së, para Vitisë dhe para PDK-së që nuk e ka penguar këtë komplot ndaj Vitisë.

Mbi qiellin e Vitisë, në mendjen e cdo anëtari dhe votuesi të PDK-së dhe në mendjen e cdo qytetari të Vitisë qëndron pezull pyetja: Me cilën të drejtë u ndëshkua Vitia? Me të drejtën hyjnore? Jo, sepse ky ose këta nuk janë përfaqësues të Hyut (Zotit) në tokë. Me të drejtën partiake-statutare? Jo, sepse këto veprime janë në kundërshtim me statutin, normën, programin dhe moralin e PDK-së (të paktën të asaj PDK-je që kishim themeluar, sepse sot nuk po e njohim më PDK tonë). Me të drejtën kushtetuese-ligjore? Jo, sepse këto veprime janë antikushtetuese dhe antiligjore (pavarësisht se te ne ka edhe sot njerëz që janë mbi kushtetutën dhe mbi ligjin). Me të drejtën kanunore (zakonore)? Jo, sepse edhe kanuni dhe zakoni do t’i dënonte këto veprime të ulëta.  Atëherë, po del që ky veprim komplotist është bërë me të drejtën dhe me ligjet e xhunglës, me të drejtën e më të fortit, Tarzanit! Ata që do të duhej të dëshmoheshin përditë me angazhimin, përkushtimin dhe veprimtarinë e tyre për ruajtjen dhe fuqizimin e lirisë, pavarësisë, demokracisë, institucioneve partiake e shtetërore, po bëjnë të kundërtën ! Mbetet që organet e Partisë, strukturat, veprimtarët dhe anëtarët e saj (të gjithë ata që kanë investuar në këtë Parti dhe që kanë besuar në idealet e saj…) t’u dalin përpara, nëse nuk është tepër vonë, këtyre praktikave rrënuese, antidemokratike, antiparti, ilegale dhe të kundërligjshme… Të mos mendoj askush që nuk e di që ky është problemi më i vogël në Kosovë, por ama nga këto probleme të « vogla » dhe nga këto praktika është krijuar kjo gjendje në PDK dhe në Kosovë. Sepse, sic i kemi partitë politike, i kemi edhe institucionet tjera, e kemi edhe Republikën e Kosovës.

Xhevat Bislimi, njëri nga themeluesit e PDK-së dhe anëtari Kryesisë qendrore të PDK-së

 

Shkruan: Xhevat Bislimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu