“Medicus”, Dr. Dervishit aleat i ngusht i KM Thaçi

0
260

Rasti i klinikës “Medicus” po vazhdon të jetë temë diskutimi edhe më tutje. Janë mediet holandeze ato që sërish raportojnë për këtë rast, duke ofruar dëshmi të reja për ekzistencën e saj dhe për aktivitetet e kryera në të.

Gazetari investigativ, Riccardo M. Ghia, bazuar në burime të afërta me hetimet ndaj rastit “Medicus”, ka shkruar një artikull në revistën “Bright Magazine” të Holandës se EULEX-i nuk e ka marrë në pyetje një dëshmitar kyç në rastin e trafikimit të organeve.

Pronari i vërtet i klinikës “Medicus”, sipas këtij gazetari, është Manfred Ernst Beer, një urolog nga Berlini, i cili, pavarësisht se EULEX-i e di këtë fakt, nuk është vënë në listën e dëshmitarëve.

Zëdhënësja e EULEX-it, Françoise Lambert, ka refuzuar të konfirmojë apo mohojë këto rrethana. “Nuk dëshirojmë të komentojmë më shumë sesa të themi se Z. Beer nuk është i dyshuar”, ka thënë Lambert për “Bright Magazine”.

Prokurori i BE-së, Jonathan Ratel ka ngritur akuza ndaj nëntë personave si konspiratorë. Lufti Dervishi dhe i biri i tij, Arbeni, gëzojnë miqësi me politikanë të fuqishëm, shkruan kjo revistë.

Sipas “Bright Magazine”, Lutfi Dervishi, profesor i Universitetit të Prishtinës që nga viti 1982, ka qenë pronari i regjistruar i Medicus. Ai është aleat i afërt i kryeministrit Hashim Thaçi.

Miqësia në mes të Thaçit dhe Dervishit, sipas revistës në fjalë, ka nisur qysh para së paku dhjetë vjetësh, thotë Francesco Mandoi, ish-prokuror special i EULEX-it.

“Familja Dervishi ka strehuar Thaçin pas një sulmi me bombë në oborrin e tij, ndërsa vetë Dervishi i kishte dhënë Thaçit një apartament mbi të tijin”, thotë Mandoi, raporton “Bright Mahazine”.

“Sipas një dëshmitari, Lufti Dervishi është parë edhe përreth të famshmes Shtëpi të Verdhë, një qendër e fshehtë ndalimi e drejtuar nga UÇK, ku janë kryer teste kompatibiliteti ndaj serbëve dhe shqiptarëve para se të bëhej transplantimi i organeve”, thotë Mandoi.

E ashtuquajtura Shtëpi e Verdhë gjendet afër fshatit Burrel, jo shumë larg Prizrenit. Në atë kohë, sipas “Bright Magazine”, zona në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kontrollohej nga njerëzit e Thaçit. Sipas Mandoi, “qendra” e parë e “Medicus” gjithashtu ka qenë në Prizren, i cili shton se nuk ka asnjë dëshmi për të konfirmuar raportimet e dëshmitarit.

Pas luftës, KFOR-i gjerman mori përsipër atë pjesë të vendit. Dhe dy Parlamentarë gjermanë, Bernd Posselt dhe Doris Pack, sulmuan raporton e Këshillit të Evropës të shkruar nga prokurori zviceran Dick Marty, i cili denoncoi një rast të supozuar të trafikimit të organeve.

Muajin e kaluar, Posselt dhe Pack i thanë të përditshmes “Irish Times” se Marty nuk ka ofruar asnjë dëshmi gjatë takimit me dyer të mbyllura me komisionin për marrëdhënie me jashtë të Parlamentit Evropian. Doris Pack tha se “së paku 90 për qind e Parlamentarëve që e kanë marrë në pyetje Z. Martyn kanë qenë shumë kritikë ndaj raportit”.

Ndryshe, revista “Bright Magazine” ka gjetur dëshmi se Dervishi ka marrë deri në 3 milionë euro nga një urolog shumë i njohur në Berlin, Dr. Manfred Beer.

Dervishi ka studiuar dhe punuar në Gjermani së bashku me Dr. Beer. Avokati i Dervishit, Linn Slattengren, thotë se Dervishi ka menaxhuar disa investime të patundshmërive në Kosovë në emrin e tij.

Investimi doli të jetë i suksesshëm dhe Dr. Beer propozoi që Dervishi të hapte një klinikë. E më pastaj, sipas revistës, dy këto versione ndryshojnë.

Sipas Slattengren, Beer ka investuar 3 milionë euro dhe ka qenë i përfshirë direkt në përzgjedhjen e mjekëve për të kryer operacione në “Medicus”. Beer u kishte thënë gazetarëve gjermanë se ai i kishte dhënë Dervishit jo më shumë se 300,000 euro dhe se ai nuk ka pasur rol në rekrutimin e personelit mjekësor për klinikën.

Një burim i afërt me hetimit, që i ka kërkuar revistës të mbetet anonim, ka thënë se urologu gjerman nuk është nën hetime dhe nuk dyshohet për ndonjë keqbërje. Megjithatë, Beer nuk gjendet në listën e dëshmitarëve, e as që është marrë në pyetje në lidhje me rastin “Medicus”.

“Hetuesit do të duhej ta kishin intervistuar atë dhe ta kishin përcaktuar përfshirjen e tij në ndonjë aktivitet ilegal, gjë për të cilën besoj se e kanë bërë pas disa bisedave që i kam pasur me EULEX-in”, ka thënë Lawrence Marzouk, kryeredaktor i “Prishtina Insight”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu