Mein Kampf, paralajmërimet për biblën e racizmit

0
177
Adolf Hitler

Më 2015, Mein Kampf bëhet pronë publike. Shtatëdhjetë vjet pas vdekjes së Hitlerit, ky libër mund të botohet lirisht, pa detyrime ndaj të drejtës së autorit. Hyn kështu në një fazë të re jeta publike e njërit prej librave më të shitur të shekullit të njëzetë, “bibla” e regjimit nazist. Mund të duket simbolike kjo fazë – në të vërtetë gjen sot ekzemplarë të Mein Kampf në gjuhë të ndryshme, dhe variante elektronike falas në internet – por parashikohen botime të reja për qëllime të ndryshme politike e komerciale.

Atëherë?

Libri i cili prej vitit 1945 është shitur në Francë 100 000 kopje (të deklaruara) është ende një objekt në lëvizje që magjeps, tmerron dhe shpesh nxit projektime absurde. Pa e çuar ndër mend censurimin apo ndalimin e tij, çka do të ishte gabim i madh, ekspertët evropianë të Iniciativës për Parandalimin e Urrejtjes që ka nisur të organizojë në Francë takime e sondazhe mbi rastin e Mein Kampf, mendojnë që vepra duhet marrë në duar, duhet lexuar, e sugjeruar studentëve, shpjeguar e njohur historia e ndërlikuar e botimit të tij. Është një pikë kthesë që kërkon përgatitje para kohe, disa vjet përpara për vetë rëndësinë që ka kjo çështje. Është e nevojshme që tekstit t’i bëhen botime shkencore dhe duhet ndjekur një strategji për përdorimin e tij në internet.

Iniciativa për Parandalimin e Urrejtjes deklaron se është koha që Evropa e bashkuar të vendosë për statusin e këtij teksti që ka përcaktuar historinë e Evropës, status që sot është kompleks dhe i paqartë, duke menduar vështirësitë që ekzistojnë në kuptimin e kësaj vepre të Hitlerit. Grupi i avokatëve, historianëve, gazetarëve, artistëve të angazhuar në Nismën për Parandalimin e Urrejtjes, vëren kontrastin që ekziston midis rëndësisë së këtij libri dhe kërkimeve të pakta që i janë kushtuar atij, sikur Evropa dëshiron t’i rrijë larg. E pikërisht me këtë shmangie, shpjegohet karakteri i paqartë i asaj vepre ku Adolf Hitleri farkëtoi si për një bombë me sahat, tërësinë e ideve mbi nacionalizmin, pangjermanizmin, eugjenizmin dhe racizmin.

Deri në vitin 1945 libri kishte qarkulluar në 12 milion kopje (anëtarët e organizatave naziste dhe të sapomartuarit e merrnin si dhuratë). Pas lufte gjermanët thoshin që nuk e kishin lexuar, kur Mein Kampf ishte studiuar në shkolla nga të rinjtë hitlerianë dhe citohej ngado.

E ndërlikuar është historia e botimit të këtij libri. Botimet gjermanisht në vazhdim janë ndryshuar në përputhje me momentin e politikës së jashtme të Rajhut. Sa për historinë e përkthimeve, edhe ajo mbetet për t’u shkruar.

Prej vitit 1946, të drejtat e autorit të librit janë – si e gjithë pasuria e Hitlerit – pronë e Shtetit të Bavarisë i cili përgjatë dekadave është përpjekur të ndalojë ribotimin duke ndjekur herë pas here procese gjyqësore jashtë vendit, si ai i vitit 1992 në Suedi. Të zënë ngushtë, funksionarët e Ministrisë së Financave të Shtetit Bavarez hezitojnë të shprehen për çështjen. Megjithatë duket se Bavaria e ka parashikuar fundin e këtyre të drejtave e prandaj i ka pakësuar ndërhyrjet në këto vitet e fundit.

Në Francë, botimi i plotë i veprës është bërë në vitin 1934, nga Fernand Sorlot në Nouvelles Editions latines. Sorlot ishte njeri kurioz që kishte dorë të lirë me të drejtat e autorit: ky militant komunist e botoi Mein Kampf me qëllimin për ta denoncuar rrezikun nazist, para se të bashkëpunonte me pushtuesin. Pas Çlirimit u dënua me dhjetë vjet burg për fyerje të dinjitetit kombëtar. Botimet Eher ngritën padi kundër tij më 1934, me mbështetjen e vet Hitlerit, për shkeljen e të drejtës së autorit. Jo pse Hitleri kishte dashur përhapje të kufizuar të pensum-it të tij prej më se 700 faqesh, por ai donte ta shmangte leximin e plotë në Francë, vend që ai e sulmoi duke paralajmëruar ekspansionin gjerman. Sorlot u dënua por Nouvelles Editions latines vazhduan ta botojnë librin sot e kësaj dite. Ironia e kësaj historie është që Mein Kampf, u ndalua në Francë vetëm gjatë pushtimit. Krahas variantit të plotë, me një përkthim të diskutueshëm, qarkulluan para Luftës së Dytë Botërore dhjetëra variante të cunguara. Simpatizuesit e nazizmit dhe përkrahësit e një politike të pajtimit i fshinë pjesët më të dhunshme kundër hebrenjve apo Francës, ndërkohë që kundërshtarët e tij kishin dashur të shpërndahej në shenjë apeli.

Botimet e veprës sot, ndryshojnë sipas vendeve. Ka një botim të fundit jo i plotë në Itali, një botim pjesësh të komentuara në Izrael. Libri qarkullon në Amerikën e Jugut, në Evropën Lindore, në botën arabe dhe në Iran. Në Indi e gjen kudo, nga stacionet hekurudhore në aeroporte. Në Japoni ekziston prej vitit 2009 një version manga i veprës që u bë hit për rininë vendase. Nuk ka të dhëna të sakta për shpërndarjen por e sigurt është që ritmi i shitjeve nuk ka ndryshuar. Secili prej këtyre vendeve gjen aty projeksionin e politikave të veta ekstremiste: miti arian në Iran, antisemitizmi katolik në jug të Amerikës, joshja estetike e Rajhut III për një pjesë lexuesish japonezë. Dhe suksesi në Turqi – 100 000 kopje u shitën në tre muaj më 2005 – çka mund të lidhet me nacionalizmin në rritje.

Iniciativës për Parandalimin e Urrejtjes e konsideron shumë kompleks raportin për të drejtat e Mein Kampf . Disa vende e ndalojnë (Gjermania e Austria), disa kultivojnë pasivitetin, disa aplikojnë për të drejtën e autorit, disa madje injorojnë dhe botimin me të drejta. Franca ka përdorur një zgjidhje ex post: Gjykata e Apelit të Parisit, në një vendim të datës 11 korrik 1979 (Licra/Nouvelles Editions latines), imponoi futjen e një apeli, çka funksionoi deri në momentin që interneti e vuri në pikëpyetje.

Evropa e ka dënuar barbarinë naziste, e megjithatë a nuk është e çuditshme që nuk ekziston asnjë politikë e përbashkët për shpërndarjen e një teksti si Mein Kampf?

Iniciativës për Parandalimin e Urrejtjes mendon që është e nevojshme që viti 2015 të jetë viti kur Parlamenti dhe strukturat evropiane të botojnë një rekomandim sipas të cilit çdo botim i ri i veprës të shoqërohet me një paralajmërim i bazuar në atë që u kërkua në Francë prej vitit 1979. Iniciativa propozon gjithashtu që ky paralajmërim të zbatohet edhe në Internet nga administruesit e faqeve dhe motorët e kërkimit.

Dhe së fundi, janë të nevojshme botimet shkencore të Mein Campf në gjuhë të ndryshme (një projekt pak i avancuar ekziston në Gjermani, nga Instituti i historisë  bashkëkohore të Mynihut). Përdorimi për qëllime shkencore e pedagogjike do të bënte që Mein Kampf të shihej si objekt historik dhe për të luftuar një lloj fetishi që e rrethon tekstin. Iniciativa për Parandalimin e Urrejtjes kërkon krijimin e një Vëzhguesi për parandalimin e urrejtjes që të studiojë e propozojë zgjidhje për shpërndarjen e Mein Kampf në veçanti dhe të teksteve që nxisin dhunën (atë që anglo-saksonët e quajnë “hate speech”). Mein Kampf duhet të bëhet objekt qartësimi e historik. Është e vetmja mënyrë për parandalimin e karakterit tërheqës dhe shkatërrimtar që e mbrun ende.

Lajmi

Iniciativa për Parandalimin e Urrejtjes themeluar nga juristi francez Philippe Coen organizon forumin me temë “Mein Kampf në pronën publike dhe përhapja ndërkombëtare e urrejtjes: çfarë paralajmërimi për të nesërmen?” Takimi mbahet nesër, në Shtëpinë e Avokatëve në Paris. Coen prej dy vjetësh ka hedhur idenë për një debat publik mbi të ardhmen e botimit të “Lufta ime” të Hitlerit. Shtypi francez prej disa ditësh i ka bërë jehonë deklaratës dhe çështjeve që shtron për diskutim Iniciativa për Parandalimin e Urrejtjes, ku bëjnë pjesë personalitete të fushave të ndryshme, Jean-Marc Dreyfus (historian, Universiteti i Mançesterit), Marie-Anne Frison-Roche (profesoreshë e së drejtës, Paris), Dominique de la Garanderie (avokat), Olivier Orban (botues), Ana Palacio (avokate, ish ministre e punëve të jashtme spanjolle).

Të dhëna

“Mein Kampf” (Lufta ime) e Adolf Hitlerit është një traktat politik ku ndërthuren elemente autobiografike. Hitleri e shkroi pasi u burgos për grushtin e shtetit më 1923. Vëllimi I u botua më 1925, i dyti, një vit më vonë. Por libri gëzoi famë me ardhjen në pushtet të nazistëve më 1930.

Ministria e Financave të Bavarisë që gëzon të drejtat e autorit, ka ngritur padi për botimet pirate të veprës. Raste të veçanta konsiderohen SHBA dhe Britania ku copyright-i është dhënë në kohën e Hitlerit.

“Mein Kampf” përmendet si bestseller edhe në vendin fqinj në Maqedoni, vend me një komunitet të konsiderueshëm hebrejsh. Kjo vepër që megjithatë, është e domosdoshme për të kuptuar Holokaustin dhe totalitarizmin e çdo ngjyre, nuk ekziston në shqipe.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu