“Meraki im më i madh, siguria e jetës së Enverit pas 1973”

0
445

– Vijon nga numri
i djeshëm –

21 janar 1993,
e enjte
Një mëngjez janari me shi. Binte i imët, jo si dje, binte i ngadalshëm, si një gjë pa shpresë. Qielli është ulur aq shumë sa që të duket sikur përpiqet t’i marrë frymën tokës. Po lexoj gazetat, por këto nuk janë të ditës së sotme. E djeshmja iku, por e sotmja ç’thotë? Nuk e di. Nuk jam në gjendje të them asgjë. Madje, as të mendoj. Se ç’më hypën nganjëherë.

Natyrisht, jo nga mirësia. Përpiqem të mos i shikoj këto mure, mirëpo nuk i shmangem dot. Se ja, dua të shpëtoj, prej tyre. Por ku të shkosh? Brenda në korridor, në dhomën e ajrosjes, jashtë në oborr, rretherreth oborrit, afër dhe larg, ka mure. Më dhemb koka nga hamendjet. “Mjaft!”, i thashë vetes. E reja e ditës së sotme: Prokurori dha pretencën: Për Nexhmije Hoxhën 14 vjet, ndërsa për Kino Buxhelin 9 vjet. Mbrojtja do të deklarohet në datën 26 janar. I njoh mirë të dy. Njërin më mirë se tjetrin. Unë kam qenë pranë tyre, por larg tyre, secili në punën e vet. A mund të pritej një fund i tillë? Po. Në këtë ndëshkim është dora e politikës dhe vetëm dora e politikës. Më thanë se R. D. kishte thënë se peshqeshet për mjekët i janë dorëzuar Sulo Gradecit. Gjë që e kishte prekur në pretencë edhe prokurori! Absurd. Paudhësi. Ligësi. Ç’punë kam pasur unë me to? Rojë shërbimi s’bëja në asnjë rast. Këtë punë e bënte Isufi, M., D., E. me shokët e tjerë. Natën edhe ditën. Atëherë?… Atëherë duhen shkarkuar bucjelat tek të tjerët, tek unë? Nuk do ta mbaj mbi supe këtë akuzë. Kur të më pyesin, do të flas. S’i kanë pasur hije moshës time, shkeljet e rregullave. Rregullat ishin rregulla. As drejtoria e Pritjes, as Klinika Mjekësore s’kanë qenë ndonjëherë fushë e veprimtarisë time. Unë kam një të mirë me vete: Fuqinë e fjalës, fuqinë e të vërtetës.
28 janar 1993,
e enjte
Dita po agon shpejt. Ka marrë shumë dita nga nata, por “dritarja” s’hapet. As dera. Është agim, por jo zgjim. Edhe kur të vijë zgjimi, dritaret (frengjitë) do të mbeten të mbyllura përsëri. Të gjithë sa jemi këtu, më shumë dëgjojmë sesa shikojmë. Si kurdoherë, edhe sot, u vesha, por me ngadalë, mbatha këpucët dhe, prita i ulur. Nuk më vinte asnjë zhurmë nga qelitë e tjera. Në orën dhjetë e tridhjetë erdhi Ademi, më solli ushqime. Dola në korridor. Ky korridor më kujton ecejaket, orët e mërzitjes, orën e shkarkimit të mërzitjes në dhomë-ajrosje, minutat e pakta të qetësisë shpirtërore, kur shkëmbej kalimthi ndonjë fjalë me të burgosurit e njohur. Kinua! E bënë fajtor, e dënuan pa pasur faj. Sa të shpëlara më duken proceset gjyqësore. Përpara sesa të hyja në qeli, e takova. I thashë: “Mos u mërzit!”. Vuri pakëz buzën në gaz si për ta ngushëlluar veten. Është një shprehje kjo e bezdisshme dhe ironike. Më ka qëlluar edhe mua të më kenë thënë shpesh: “Mos u mërzit!”. Domethënë, “rri brenda në qeli dhe mos u mërzit!” Kinua dhe Dilaver Paparja ma spjeguan këtë shprehje. Pata një zhgënjim të thellë për sa i përket gjyqit të Kinos (Buxheli). E shoh horizontin të murrmë, jetën e brishtë të demokracisë të shpëlarë, të ardhmen të pasigurt. Si çdo ditë. Jam në qelinë e vogël, fare të vogël. Nuk më pritet sa të vijë hetuesi. Dua që kjo histori, të mbyllet sa më shpejt. Ka shqetësime historia ime, ka dhimbje të njerëzve e të miqve të mi në këtë qeli, dhimbje që shkruhen në ditarin tim.
“Fatin tim do ta mbroj vetë”
19 shkurt 1993,
e premte
Hoqi dorë nga të qenit avokati im i parë. Me siguri ndonjë dobiçllëk. Nuk jam në gjendje të zbërthej më shumë, unë mund të ngre pyetjen e motivit, por këtë e bëj thjesht në mënyrë instiktive. Diçka kisha kuptuar: ai s’mund të ishte i pranishëm në procesin tim, përderisa ish i pranishëm në atë të Kinos e, tash, të Aranit Çelës. Komplekset, e, pse jo, edhe frika. Sigurisht, s’kanë qenë të paktë ata që i kanë thënë: “Pse merresh me mbrojtjen e Sulo Gradecit!” Për mua çdo gjë është e qartë. Mund të them vetëm kaq: Unë jam i sinqertë që i besoj fjalës që lidhet për fjalën e vërtetë, prandaj mund të bie viktimë e demagogjisë politike. Le të bëhet, ç’të bëhet! Pafajshmërinë time do të di ta dëshmoj, pa dyshim. Këto ditë do të përgatis një letër për prokurorin e përgjithshëm, për kryetaren dhe presidentin e Gjykatës Kushtetuese. E kjo ka domethënie. Por duhet ta mendoj: Ia vlen apo nuk ia vlen? Sepse ata vetë e kanë marrë këtë vendim. Sidoqoftë fatin, jetën s’ta mbrojnë të tjerët: Fatin, jetën time do ta mbroj vetë!
“Fjala ime shëndoshet e rritet, vrapon për tek njerëzit e mi…”
25 shkurt 1993,
e enjte
Dëbora pothuajse ka shkrirë. Iku dhe një natë e ftohtë. M’u duk më e gjatë se një ditë dimri. Ajo dëborë që ka mbetur vende-vende, oborri, taracat, çatitë shndrisnin në rrezet e diellit. E keni parë, e keni ndier edhe ju që më lexoni: Shkruaj çdo ditë ngjarje të ndryshme. Më së shumti, natyrisht, ato që lidhen me jetën time, shkruaj edhe parashikime, spjegime që kanë vetëm një qëllim: të thonë të vërtetën, të thonë atë që mendoj dhe kërkoj: Jetën e lirë. S’kam përse të merrem çdo ditë me policët. As me Dylin… Ndonjëherë edhe do t’i kuptoj. Jo më shumë, se edhe pa ata do të rroj, do të qëndroj, do të përballoj jetën në këto mure të qelisë së errët. “Luftoj” me fjalë. Qeveria, drejtësia është gjithmonë përpara syve të mi: E përshkruar nga “pëndët” e zyrtarëve. Unë e njoh deri diku jetën politike. Në perfeksion jo, por e njoh. Nuk ka besim te politika e sotme. Një farë Dhimitri (polic) iu turr kolegut të vet: “- Përse ke lejuar t’i japin çokollatë Aranit Çelës?” Është kjo një egërsi për vëmendjen time, aq sa edhe një fyerje. Por ka edhe më keq. Raste të tilla janë shtuar kaq shumë saqë nuk është e mundur t’i numëroj… Dhe s’ka asnjë fuqi që t’i detyrojë këta njerëz të mendojnë e të veprojnë ndryshe. Pashë Qiriako Mihalin. E ndoqa, duke ecur pak hapa larg tij. I trembur, ashtu siç e kishte zakon. “Sa s’qante. Gati një muaj nuk i ka ardhur askush në takim.” Nuk dëshiroj ta zë më në gojë. Këtë e bëj vetëm për të qetësuar shpirtin tim, për të treguar zhvillimin tim. …Dhurata dhe Tani vazhdojnë punën. Qënkan në Lion të Francës. Kjo më shqetëson. Ndërsa djalin e kanë futur në shkollë. Kjo më qetëson. Dua t’u them disa fjalë që këtej, brenda mureve të dhimbjes… Ju të dy jeni të mësuar, të shkolluar, të rinj dhe këshilloheni me njëri-tjetrin për çdo gjë. Mua më ka mbetur një e drejtë, (edhe kjo e kufizuar) të shkruaj. Puna e të shkruarit më shkon mbarë nga zelli i madh që kam për të këmbyer ndonjë fjalë edhe me ju, të dashurit e mi! Mendja ime nuk largohet dot nga ju… Nisa të lexoj romanin e Hajnri Beil: “Ku ishe ti, zoti Adam?”
2 mars 1993,
e martë
Për herë të parë e lashë veten “të zihem” në befasi. Nuk mendoja se mund të më vinte në qeli, drejtori i burgut, Tanush Mulleti. Hyri rëndë-rëndë, drejt e brenda: “- A erdhi doktori?” “- Po, erdhi!” “- Lëre të flejë pas buke”, – i tha për mua policit që e shoqëronte. “- Rregullorja ma lejon”. “- Si shumë po ankohesh… Mos do që të vazhdosh edhe këtu me privilegje?” “- Gabohesh, zoti drejtor! Unë jam Sulo Gradeci që kryeja detyrën për sigurimin e udhëheqjes. Mos më ngatërro me të tjerët…” “- Thuaj të “Enver Hoxhës!” “- Të Enver Hoxhës, po. Pata kënaqësinë e madhe që kryeja këtë detyrë!” “- Po rrogën e ka pasur të majme!” “- Keni informacion të gabuar, me sa duket gazetarucët ndikokan edhe tek ju…” “- Të marrë ato që i takojnë një të sëmuri!” Ja nuhata prapamendimet dhe nuk e zgjata. Pas një ore, (në orën dymbëdhjetë) erdhi hetuesi Bujar Hoti. M’u duk dy-tri pëllëmbë (në kuptimin figurativ) më lart se të tjerët. I mirësjellur, i ndjeshëm ndaj kundërshtive për të më bërë mirë. Nga biseda e lirë, shtypi atypëraty dy faqe me makinë shkrimi dhe, pastaj më zgjati dorën dhe më tha: “- Hidhi një sy dhe firmose! “- Jo, i thashë, duhet të jetë i pranishëm edhe avokati!” Nuk ma mori për keq: “- Dakord, dakord! Ke të drejtë. Çdo gjë duhet t’i nënshtrohet rregullores!” Një inkorrektesë dhe gjithçka mund të më rëndonte në personin tim më vonë.
10 mars 1993,
e mërkurë
Në qelinë afër meje është njëfarë Tartari që akuzohet për përvetësimin e 1.6 milion dollarëve. Ka ditë që ka ardhur edhe Xhemal Dymylja. I frikur, i heshtur, i pagojë. Në mes të dyve, unë! A e dini miqtë e mi se pa firmosur lejën prokurori, nuk takohesh dot me të afërmit? Marr vesh se Fatos Nano ka dhënë një intervistë, por ia paskan sabotuar të burgosurit. Një enigmë, kjo! Këtu në burg është më mirë të mos dëgjosh, të mos shohësh. Kur nuk e zë në gojë doktorin, më duket sikur e largoj. Kur pyes për të, kam frikë se mos nuk vjen.
2 prill 1993,
e premte
K. B. më tha se Xhekes i ka vdekur babai dje. Sa u befasova, aq edhe u emocionova! Menjëherë u nisa për ta ngushëlluar në qelinë e tij, por dikush më pengoi: “- S’është aty, më tha, i kanë dhënë leje dhe ka shkuar në Lezhë që t’i japë lamtumirën e fundit!” Ky është një xhest njerëzor i realizuar me këmbënguljen e drejtorit të burgut T. Mulleti. Të lëvizësh nga qelia në shtëpi, nuk është e lehtë, por vdekja e njeriut më të afërt kërkon një përkulje, një përulje përpara arkivolit, një respekt për herë të fundit. Ndërsa unë largohesha nga korridori, drejtori po afrohej. E përshëndeta, e përgëzova. “- Jemi njerëz, apo jo? Nuk është e lehtë dhimbja për babain.” Më pas bisedova edhe me Dilaverin. I paskish dalë inati. Inatet më shkaktojnë dhimbje koke. Gjërat e zeza janë të zeza. Në gazetë më zuri syri një trakt të Xhelal Staraveckës. Ç’të jetë vallë? Ai dëshmon torturat e Mugoshës ndaj një shqiptari. Një shembull domethënës mbi marrëzitë e këtij serbi keqdashës për gjithçka shqiptare. Në orën shtatëmbëdhjetë erdhi Xhekja. Nuk mbeti asnjë pa e ngushëlluar. I priste një nga një, në një dhomë-qeli, ku për fat atje ishte edhe Aredin Shyti. Bashkë me këtë të fundit me Aredinin qendronte në këtë qeli edhe Qiriako Mihali, të cilin me këtë rast e spostuan në një qeli tjetër, bri meje. I shikoja të bashkuar në këtë dhimbje: bllokmenë, gardianë e deri të burgosur ordinerë. Një shtërngim duarsh, një paketë cigare dhe dy fjalë ngushëlluese: “Të rroni vetë!” Tani që vura në dukje këtë fakt, po e mbyll edhe këtë faqe ditari.
3 prill 1993,
e shtunë
Në ditën e sotme në dhomën e Xhekës shkoi për ngushëllim edhe Nexhmija (Hoxha) me një gardian. Një ditë më parë i kishte shkruar një letër të shkurtër ngushëlluese. Më thanë se qëndroi rreth tre çerek ore. Kishte shfaqur pakënaqësi për vetminë e saj dyvjeçare në një qeli të katit të dytë. “- Nuk kam asnjë grua të këmbej qoftë edhe një fjalë të vetme… Do të shkoj në kamp, kishte thënë, atje, të paktën, do të shoh diellin, do të bëj një shëtitje…!”Këto fjalë i tha shtatëdhjetë e tre vjeçaria, trimëresha, e veja e nderuar e Enver Hoxhës. Ndërsa për sa më takon mua, nuk e kam takuar asnjëherë. Një të izoluari, një të paraburgosuri në hetim, nuk i lejohen takimet. Nëntë vjet në burg, janë shumë për një grua të moshuar. Jashtë bën ftohtë, këtu brenda jo dhe aq. Jashtë bie shi, këtu nuk bie, bile s’ka as ujë në çezmë. Jashtë ka gjurulldi, këtu ka qetësi, dhunë të heshtur nga ligji, nga shkopi. Jashtë s’ka hënë, këtu s’ka dritë, ujë!
Dhe… shtrihem në dyshekun e qoshes së qelisë. Kjo do të thotë se unë kam një “krevat”, një-dy batanie, një trike leshi të gjatë e të gjerë.
9 prill 1993,
e premte
Një ditë e përzier me shi e me diell. Natën e hoqa një batanije, bënte vapë. Koka e saj dremit në pëllëmbët e mia. …Në drejtim të Sulo Gradecit ndryshojnë herë pas here akuzat. Gjithçka bëhet për të justifikuar zgjatjen e afatit të qëndrimit tim në burg. Dosja ime mbushet me thashetheme dhe me kënaqësi vihet në dispozicion të shtypit. Do të ishte mirë që Maks Haxhia të kish mbetur avokati im, por, për fatin e tij “të mirë” dhe, për fatin tim të keq, ai u bë Prokuror i Përgjithshëm. Tha në gjyqin e Nexhmije Hoxhës, D. N. se, peshqeshet për mjekët i menaxhoja unë! Gënjeshtër! Në ndihmë i ka shkuar edhe Enver Miloti. Le të bashkohen sa të duan, ato do të mbeten në udhëkryqin e tyre. Vështroj ditarin me një pamje plot gëziim, sepse më duket sikur ai po përpiqet të më zbusë dhimbjen. Këtu pranë qelisë time kaloi “Hajduti i Bagdatit”.Më vjen keq.
25 prill 1993, e diel
K. me D., kur shkova në tualet, ma “punuan”. Më kishin fshehur këpucët. Kërkova sa kërkova, pastaj e kuptova, se do të ma kishin marrë me shaka. Shaka e ëmbël. Si i gjeta, shkova në Ajrosje. Shëtita disa herë lart e poshtë. Kishte filluar të agonte, kur dola unë. Brendësia e dhomës, ai farë oborri, që një pjesë i ishte rrëmbyer rrugës, ishte ende i zhytur në errësirë. Gardianët që shkonin e vinin, lëviznin si ca forma të zeza. Një llambë ndriçonte keq, sepse dridhej. Sambistët po përgatiteshin për t’u nisur në Rinas. Qiriako Mihali më dërgoi me policin një copë kek. Jeton i mbyllur duke u kënaqur me pak. E ka humbur, e ka lëshuar vetveten. Duket se është në krizë. Në takim më erdhën miq. Erdhi edhe Shërina, e cila ka emrin e nënës… Kur njeriu dëgjon zërat që do të kisha, ka shumë nevojë të kuptojë fjalët që thonë. Gëzimi i veçantë për sot ishte takimi me Shërinen. Në një çast ajo u kthye mënjanë që të mos e shihja tek fshiu lotët.
8 maj 1993,
e shtunë
Plot dhjetë muaj në qeli! Ankesat, vështrimet, pyetjet e mia kanë marrë si përgjigje një heshtje të çuditshme. I paralizuar nga një pritje e pashpjegueshme, e pakuptueshme. Prapa kësaj heshtjeje – një shqetësim i papërcaktuar, “i ndërlikuar”, “i turbullt”, skandaloz. Vetëm në këtë mënyrë të detyrojnë të përplasesh te qëndresa personale. Ndërsa rri më këmbë, duke vështruar tutje -t’hu, gjithnjë e më shumë më shtohet hidhërimi i tetë muajve, i tetë muajve që më kanë vjedhur gëzimet e ligjshme me njerëzit e mi… Habitem, “grindem” me vetveten. Me kë tjetër të “grindem?” Në orën dhjetë më thirri hetuesi, Bujar Hoti. Tha se “Ministria e Drejtësisë ka vendosur që sot e më tutje, të mos jem më avokati yt, sepse kam hetuar një çështje të klinikës speciale”. Ia ktheva: ” – Sot mbusha dhjetë muaj pa më pyetur njeri. Mos duhet të kalojnë dhjetë, njëzet, tridhjetë muaj të tjerë?”
Dhe qesha me qesëndi. “- Ku ka qenë Ministria dhe Prokuroria deri më tani? Këtu ka një djallëzi. Dhe dihet “djalli është i zi dhe më i zi se ç’thonë!” Firmosa kundër. ” – Do ta bisedoj çështjen tënde. Të shohim!” “- Po na thinjni më shumë me këtë fjalë, “ta shohim!” Nervat më janë tronditur me tepëricë. Kam qenë dhe jam i mendimit se përfundimi i çështjes time varet nga provat, nga faktet, që duan të më parashtrojnë. Po ku t’i gjejnë? U mundova të lexoj gazetat, por as ato nuk mund të jenë një farë hashashi për hallin që më ka zënë. “Vrasje në Vlorë”, “Vetëhelmim i një pesëmbëdhjetë vjeçareje”, “Njëqind divorce brenda një muaji”. “Zjarr në disa dyqane”, “Përdhunim i një të miture” – të gjitha këto i lexova rrëshqanthi. Më shumë ma shtuan brengën.
20 maj 1993,
e enjte
Duke u kthyer nga dhoma e ajrosjes, nëpër mure spikasin lloj-lloj mbishkrimesh. Emra, sharje. Të gjitha me gërvishtje. Ngjajnë tamam me një ditar. Duket sikur thonë Qui a terre a guerre. (Kjo është toka dhe lufta) Më kanë pyetur dhe më pyesin për Enverin. Nuk përtoj të tregoj. As të shkruaj. Por unë kam shkruar një libër me ngjarje të jetuara, jo të sajuara. Ai nuk është roman. Lexuesit e dinë. Puna ime, shqetësimet, kujtimet, veprimet kryqëzohen aq shumë, flasin atje dhe kanë lënë gjurmë. Njerëzit, burrat, gratë, fëmijët që janë aty, në atë libër janë personazhe reale. Edhe njeriu më i zakonshëm është personazhi që s’ka të krahasuar. E vështirë ka qenë për mua të rrëfeja madhështinë e Enver Hoxhës, qoftë edhe e orës më të zakonshme të një dite si të gjitha të tjerat, të banorit më të thjeshtë të një qyteti, të një fshati. Rrëfimet japin e marrin kaq shumë me njëra-tjetrën, sa të bëhen një e vetme. Dëshmitë e mia janë të plota dhe të vullnetshme. Kujtoni, mbani vesh vitet…! Dhe do të dëgjoni brohoritjet që ju prekin zemrat:”En-ver Ho-xha, En-ver Ho-xha!” Natyrisht, një njeri që ka zemrën gur nuk mund të jetë mësuar me një ngjarje të tillë të pandërprerë. Por tani, kuptohet, ngjarjet, emocionet, historitë përkohësisht janë ndërprerë. E djeshmja… dhe çdokush s’e ndan jetën nga Ai. Meraku im më i madh ka qenë siguria e jetës dhe shëndeti i tij, sidomos pas vitit 1973, kur e goditi një infarkt i rëndë. … Atëherë mes mjekëve-specialistë pati një tendosje nervash, në mos një këputje nervash. Në mënyrë të pabesueshme, disa mjekë mendonin për fat të keq, se mori fund, në të njëjtën kohë, ose gati në të njëjtën kohë, kur mjekët qëndronin me ditë e me natë te koka, duke pritur një rikthim në jetë. Kështu ndodhi që byroja politike mori një vendim për të ngritur një ekip të posaçëm mjekësor. Në krye të tij ishin: Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia dhe Haki Toska, ndërsa si mjekë, në krye të mjekëve, Pavllo Milo, drejtor i klinikës speciale. Ky i fundit, i pari për nga mjekët, më dha porosi për të qëndruar afër dhe në gadishmëri të plotë. Dr. Isuf Kalo, mjeku personal i Enver Hoxhës, koordinonte konsultat, veprimet me prof. Fejzi Hoxhën, Ylli Popën, Hajro Shytin, Ahmet Kamberin, prof. Petrit Gaçen. Ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti ishte prezent në mendim dhe në drejtim, i ndërgjegjshëm për situatën e rëndë. Midis të pranishmëve kishte një mungesë objektiviteti. Mohimi kryeneç i treguar nga… për të mbajtur vesh arsyet dhe shpjegimet nuk ishte i konceptueshëm. Porosia e parë ishte ruajtja e sekretit rreth sëmundjes. Një vendim dhe logjikë e hekurt kjo. Mjekët nuk kishin të drejtë të diskutonin as me anëtarë të byrosë politike, as me Hysni Kapon dhe Mehmet Shehun. Informacion jepte vetëm ministri, ose mjeku që nga ekipi. Orët rridhnin me një lehtësi pezmatuese. Dukej, madje, se vetë koha, bënte përpara me hapin e dikujt, apo me hapin e mjekëve, që përshkonin një fushë beteje. Ato ditë koha kishte hapin e vdekjes. Këtë e kishin propaganduar papushim stacionet e huaja televizive, gazetat perëndimore. Pra, nuk ishin të paktë ata që demonstronin mungesë gjakftohtësie dhe, njëkohësisht, dëshirën për të mbërritur sa më shpejt në ceremoninë mortore. Me për-kushtim ishte tamam fjala dhe ilaçi çudibërës, që duhej të hidhnin rrënjë në jetën e Enver Hoxhës. Një punë e tillë ishte një tatëpjetë e rëndë dhe solemne.
Në bazë të një urdhri, në krye të grupit mjekësor u caktua zëvendës-kryeministri. Të gjithë udhëheqësit që janë ndarë nga jeta kanë pasur nga një mbyllje hermetike për të mësuar gjendjen shëndetësore të tyre. Të gjithë kishin një histori. Nuk kanë qenë histori të shkurtra. Populli francez e mori vesh se Xhorxh Pompidu kishte kancer, vetëm kur nuk mori pjesë në një ceremoni të rëndësishme zyrtare. Ruzvelti, sëmundjen për fundin e jetës së tij nuk e dinte njeri, veç mjekëve. Po ashtu për Çurçillin, Brezhnjevin, Reganin, Mao Ce Dunin. Për Enver Hoxhën dhe luftën e tij me sëmundjet dhjetëvjeçare, deri në pabesueshmëri, do të ishin shkruar me qindra, me mijëra faqe, jo vetëm për atë, por edhe për jetën dhe punën e atyre që u gjendën pranë tij, për një rrjet të gjerë njohjesh, takimesh, miqësish dhe marrëdhëniesh intime. Çfarë rrjeti i gjerë dhe kompleks! Edhe pse shumë veta e dinin se ç’po ndodhte, gjatë 12-13 vjetëve, pas infarktit, historia dhe politika nuk mbeti në një rrugicë qorre. Një pikë e zezë e madhe, një pirg letrash, shkrimesh e librash pa fund pas ’85-ës. Siç e thashë, mijëra faqe, qindra mijra këngë lëngojnë nga një humbje e madhe… Mos vallë ajo çka shkruhet tani është më pak e pasur dhe Tirana e Shqipëria janë më të vogla? Emri, vepra e Enver Hoxhës nuk fshihen nga kujtesa. Vital, i pamposhtur apo diçka më shumë: Një ndjesi e pazakonshme lirie dhe pavarësie. Enver Hoxha ishte Enver Hoxha, i paarritshëm, i pazëvendësueshëm. I shkrova këto fjalë në qeli, fshehurazi pa le të m’i kapin, le të m’i rrëmbejnë, le t’i grisin! I kam të shkruara thellë në zemrën time.
17 qershor 1993,
e enjte
…Trokiti dera, por ajo trokitje ishte shumë e lehtë në fillim, pastaj më e fortë. Ishte Gjeka me Xhemal Dymylen. “- Do të ndahemi, na ndanë, do të na çojnë në kampin e Lezhës!” Ca si me frikë, ca si me druajtje, por të vendosur, u takuam dhe uruam njëri-tjetrin. Ata thanë: “Mbeç shëndoshë”, “Dalsh sa më shpejt!” Ndërsa unë: “Rrugë të mbarë!” Heshta disa sekonda. Përqafimi i fortë, na bëri të drithëroheshim nga emocionet. Në vend të Gjekës shkoi Çapajevi dhe Aredini, në vend të Xhemxhit, Gjoleka… Ndaj të ngrysur ra një vesë e hollë. Më shumë u ndez vapa. Nga frëngjia duket akoma drita. Brenda në qeli, si gjithmonë, unë, i burgosuri politik vazhdoj të lexoj dhe të shkruaj…, të shkruaj nga pak. Më bindet pena: “Fatos Nano ka bërë një takim sekret me Alush Dragushën, Prokurorin e Përgjithshëm në një hotel luksoz”. Se çfarë çkurdiset, apo, se çfarë kurdisin! Partinë Komuniste e nxorën jashtë ligjit sipas përvojës amerikane! Përndryshe s’bëhen të besueshëm nga Perëndimi. Solla në mend vargjet e Migjenit: “Gjer kur shekujt do të tallen me ne?” Veç një gjë është e sigurt: zemra e Nënës rreh gjithmonë. Herë më shpejt, herë më ngadalë, por sidoqoftë rreh…, tiktaket e saj nuk pushojnë kurrë.
– Vijon nesër –

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu