Mijëra euro për një dasmë

0
149

image

Punojnë gjatë tërë vitit, por kosovarët se kanë problem që të gjitha të hollat e kursyera, ndoshta edhe për disa vite radhazi, t’i shpenzojnë për një ditë, për një dasmë. Me qindra mijëra euro derdhën gjatë muajve të verës nëpër restorante, në xhepa të këngëtarëve, në studiot e bukurisë, për veshjen e nuses të duplifikuar moderne dhe kombëtare…

Nuk ka festë zyrtare në kalendarin e shtetit, por pothuajse për çdo ditë në vendbanimet rurale dhe ato urbane gjatë muajve të verës jehona e tupanëve dhe e muzikës simbolizon se dasmat tashmë kanë nisur në Kosovë.

Të gjitha ditët e javës tash janë ditë të dasmës në Kosovë dhe nuk është më vetëm e enjtja apo e diela ditë të dasmës siç ishte dikur, pasi për çdo ditë të javës kosovarët po martohen, madje duke garuar se kush të zë restorantin, këngëtarin e preferuar, studion e bukurisë më me emër në vend për rregullimin e nuses.

10-30 euro menyja për dasma

Studiot e bukurisë (parukierët), kreatorët-rrobaqepësit, këngëtarët, e restorantet…janë pothuajse të gjithë të zënë në sezonin e verës.

Madje, për ndonjë rezervim për tek parukieri, këngëtari, apo rrobaqepësi…duhet të vetëdijesohesh të caktosh termin një vit më parë, ose do të ngelesh pa këto shërbime në prag të dasmës. Harxhimet për një dasmë po arrijnë shuma marramendëse, kurse “fajtor” për këto shpenzime llogariten mërgimtarët.

Sjellja e kulturës perëndimore nga mërgimtarët, si financuesit kryesor të dasmës, kanë bërë që dasma të zhvendoset nga ambientet e shtëpisë në ato të restorantit.

Sipas të dhënave të siguruara nga gazeta nëpër restorante në Prishtinë dhe jashtë saj, ka rezultuar se restorantet dhe hotelet janë të rezervuara që nga muajt e verës së kaluar.

Dasma shoqërohet edhe me muzikë. Nikoqirët e dasmës ose thërrasin vetë muzikantin ose obligojnë restorantin t’ua sigurojë muzikën.

Çmimi për këngëtarë me emër të njohur sillet prej 1000-1500 e deri në 5000 euro. Çmimi i dasmës në restorant varet edhe nga menyja, e cila sillet prej 10 euro deri në 30 euro varësisht nga xhepi i atij që organizon dasmën. Minimumi për 250 të ftuar e ofertën më të lirë të menysë i bie që 2500 euro të kushtojë restoranti më i lirë.

Ndonëse këngëtarët nuk deklarojnë sa e kanë çmimin, pranojnë se kanë shumë kërkesa si dhe gjatë tërë verës janë të zënë. Një nga këngëtarët më të vjetër kosovarë, i cili 42 vjet më parë ka filluar të jetë një nga emrat e estradës së Kosovës, Ramadan Krasniqi, i njohur me emrin e tij popullor Dani, mbetet po ashtu një nga zërat më të kërkuar për të kënduar nëpër dasmat e Kosovës.

Ai tregon për “Zërin” se ka shumë kërkesa për të kënduar në dasma, qoftë brenda Kosovës, por edhe jashtë saj. “Jam shumë i kënaqur, faleminderit Zotit për ftesat që më bëhen”, thotë Dani. Megjithëkëtë, Dani si çdo këngëtarë e ka bezdi të flasë për çmimin sa sillet ai për një këngëtarë në një dasmë. Sipas tij shuma nuk është aq e madhe sa dhe flitet në opinion.

Çmimi i rregullimit të flokëve dhe i fytyrës së nuses arrin deri në 500 euro

Në Studion e bukurisë “Fjolla dhe Sebi” madje qysh tash kanë filluar të bëhen rezervime për vitin 2015. Sebahate Bucolli-Ymeri thotë se në këtë sezon kanë shumë punë ndërsa terminët, për t’u rregulluar nuset apo të tjerët që marrin pjesë në dasma, janë rezervuar shumë muaj më parë.

“Është koha kur vjen dhe diaspora në pushim dhe kemi shumë kërkesa për rregullim të nuseve, pasi që dasmat po organizohen në këtë kohë kur e gjithë familja po bëhet bashkë, ata në Kosovë dhe jashtë saj, pra nga diaspora. Prandaj, për shkak të kërkesave të shumta që kemi edhe rezervimet bëhen muaj më parë.

Kurse, kemi rezervime që po bëhen dhe tani për 2015”, thotë ajo për “Zërin”, por që nuk deklaron ndonjë çmim se sa paguan një nuse për t’u rregulluar në këtë studio. Megjithëkëtë, gazeta ka mësuar se ky çmim nëpër studio të ndryshme të bukurisë arrin edhe shumën prej 500 eurosh.

Ilir Avdiu, i cili punon floktar (frizer) në sallonin “Ars” që gjendet në Pallatin e Rinisë ka thënë se rregullimi për një nuse arrin në vlerën 70-100, varësisht nga kërkesa si donë ta bëjë grimin dhe t’i rregullojë flokët klienti në këtë sallon.

Por, ai thekson se në përgjithësi përfshirë të gjitha sallonet në zë dhe ato më pak të zëshme çmimi i rregullimit të flokëve dhe i fytyrës së nuses sillet prej 100-500 euro. Ndonëse, nuset sot kërkojnë më shumë rregullim të thjeshtë dhe modern, ai thekson se për dasmat në vendet provinciale nuset kërkojnë të rregullojnë flokët me frizura më të rënda, siç bëheshin më parë.

Një vello deri në 1300 euro porositet në Kosovë

Mirëpo, edhe veshja e nuses po i kushton xhepit të kosovarit. Veshja kombëtare përfshinë jelekun e arit prej 100-300 euro, dallama prej 500 deri në 2000 euro që shkon komplet me gjithë elementet e tjera shoqëruese si krah, tasfes, këmishë, mindil dhe e bërë me punim dore.

Çmimet për një fustan sillen prej 50-100 euro më i thjeshti e deri në 400 euro, ndërsa i vellos prej 700-1300 euro. Nexhmije Uka, një nga rrobaqepëset që ka studion e punës në lagjen “Ulpiana”, tregon për gazetën se ka raste kur klientët dalin nga dera e saj duke e mbyllur derën me forcë, pasi që ajo iu kthen përgjigje se nuk mund t’ia plotësojë kërkesën për qepje për ndonjë fustan apo për vello për datën që e kërkon klienti.

Uka thotë se ka shumë kërkesa, madje edhe që nuk mund të pranojë, pasi sipas saj sezoni i verës është i ngarkuar jo vetëm për të, por edhe për rrobaqepëse e tjera.

“Ka raste kur nuk pyesin fare për çmim vetëm parashtrojnë kërkesën”, thotë ajo duke shtuar se çmimi i vellos sillet nga 1200 – 1300 euro, kurse më e lira kushton 200 euro. Sa iu përket çmimeve të arit, arëtarët nuk preferojnë të flasin me emër. 700-800 euro është shuma e një varëse më të thjeshtë në argjendaritë e vendit. E, një lirë me çmimin e berëzës tani sillet 280 euro.

Habibe Aliu, një nga gratë që ka organizuar dasmë edhe në shtëpi, tregon për “Zërin” se organizimi i dasmave në restorante nuk është më i shtrenjtë sesa ka qenë përpara.

“Tani dhe gratë po kanë mundësi të marrin pjesë në gëzim. Përpara e gjithë puna iu takonte atyre e kremtimi burrave. Edhe çmimi është i njëjtë. Një ditë në restorant nuk është më e lirë sesa atëherë as më e shtrenjtë sepse dasma organizohej përpara një javë dhe gjatë një jave në shtëpi rrinin të gjithë dasmorët që duhej pritur me ushqime të mira”, tregon ajo.

Nga:Anita Kadriu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu