Miliona euro për avokatët e huaj

0
324

Qindra mijëra euro, bile edhe miliona kanë marrë dhe vazhdojnë të  “vjelin” avokatët e huaj, në mbrojtje të ish- drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ngritja e akuzave ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së është shndërruar në biznes të levërdishëm për avokatët ndërkombëtarë.

Së fundmi Terree Boëers, avokat amerikan,  është angazhuar në mbrojtjen e kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku, për akuzat e ngritura ndaj këtij të fundit nga prokurori i EULEX-it. Më herët avokatë ndërkombëtarë kishin angazhuar edhe Fatmir Limaj dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Janë përfolur shifra të ndryshme të parave të kenë marrë avokatët ndërkombëtarë nga këta klientë kosovarë, ndonëse zyrtarisht kjo mbetet marrëveshje interne mes tyre. Ndërkohë që shumë zëra pyesin se prej nga po vijnë këto para të majme për të paguar avokatët ndërkombëtarë.

Të dyshuar se kanë kryer krime lufte në zona të ndryshme operative nëpër Kosovë, ushtarët e dikurshëm tashmë në cilësinë e të akuzuarve nuk bëjnë publike paratë që po i ndajnë për ta paguar mbrojtjen.   Pagesat jo vetëm për opinion janë sekret, tarifat e avokatëve të huaj nuk i di as  edhe institucioni i pavarur i avokatëve të Kosovës të cilët  licencojnë këta avokatët që vijnë nga jashtë.

Avokatët me çmimore të veta

Kryetari i OAK-së, Ibrahim Dobruna, thotë se që nga 15 qershori i këtij viti kur ka hyrë në fuqi Ligji mbi avokatinë, në Kosovë lejohet licencimi i avokatëve nga shtetet e BE-së dhe Amerika dhe se deri më tani janë licencuar dy avokatë, njëri amerikan dhe tjetri gjerman. Ai thotë se ata punojnë me çmime të veta dhe jo me të Odës së Avokatëve, ndërkohë që shumat mbesin konfidenciale.

“Dy avokatët kanë ardhur për të mbrojtur raste të veçanta dhe si të tillë nuk punojnë sipas çmimores së Odës për shkak se iu lejohet që të ushtrojnë këtë profesion bazuar në marrëveshjet që i bëjnë me klientët e tyre. Marrëveshjet janë konfidenciale dhe si të tilla ne nuk i dimë shumat që marrin ata”, thotë Ibrahim Dobruna, për të shtuar se me licencimet e fundit deri me tash gjithsej pesë avokatë të huaj kanë punuar me raste të Kosovës.

Ai tregon se Oda ka licencuar këto ditë  një avokat amerikan që do të jetë pjesë e mbrojtjes në procesin për krime lufte ndaj ushtarëve të ish-UÇK-së në Drenicë, përkatësisht për të mbrojtur Sami Lushtakun. Avokati tjetër sipas Dobrunës është një avokat gjerman që është licencuar për të qenë pjesë e mbrojtjes në rastin ku të akuzuar për krime lufte në Kleçkë janë Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarë të tij të dikurshëm.

Buzhala: Avokati i Lushtakut më i lirë

Në mbrojtjen e Limajt në procesin Kleçka ka qenë edhe avokati Kharim Khan. Ky i fundit dhe të tjerët ndërkombëtarë që e kanë ndihmuar për ta mbrojtur Limajn, sipas një aktakuze të ngritur nga EULEX ku Fatmir Limaj dhe vëllezërit e tij akuzohen për shpëlarje parash, ka marrë në rastin “Kleçka” hiç më pak se një milion euro. Jozyrtarisht thuhet se edhe mbrojtësi i Sami Lushtakut për start ka marrë një shumë prej 150 mijë eurosh por një gjë e tillë nuk tregohet zyrtarisht.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Berat Buzhala, është ai që ka ndërmjetësuar në gjetjen e avokatit amerikan. Buzhala nuk flet për marrëveshjen se sa para do të paguhet mbrojtësi i Lushtakut në Kosovë, por thotë se ai avokat është shumë më i lirë se shumë të tjerë që kanë mbrojtur në raste të ndryshme.

“Ky avokat është shumë më i lirë se praktikat e treguara deri më tani. Ky avokat është një ish-prokuror i Hagës që ka punuar atje për gjashtë vite, ndërsa aktualisht është avokat i njërës nga kompanitë më të njohura amerikane”, ka thënë deputeti Buzhala, duke mohuar të tregojë për marrëveshjen që ka bërë kryetari i komunës së Skenderajt Sami Lushtaku me avokatin amerikan.

Çështja e pagesës së avokatëve ndërkombëtarë, sipas avokatit vendor Tomë Gashi është çështje private që rregullohet mes klientit dhe avokatit. Por sipas Gashit, Oda e Avokatëve të Kosovës nuk po i respekton rregulloret e brendshme, ku ndalohet licencimi i avokatëve të huaj në Kosovë dhe se licencimi lejohet vetëm për avokatët e shteteve në të cilat shtete mund të punojnë edhe avokatët vendorë.

“Rasti i fundit është licencimi i dy avokatëve të huaj ku Oda do të duhej të aplikonte restrikcione të caktuar. Së fundi Oda po thirret në ligjin e avokatisë, i cili ligj është bërë me trysninë dhe me financimin e Ministrisë së Drejtësisë. Mirëpo pos këtij ligji duhet të kihen parasysh dhe rregulloret e brendshme të Odës”, thotë avokati Gashi.

Gashi sqaron se në vendet e EU-së e në Amerikë avokatët e huaj mezi mund të hyjnë si shikues, ndërsa Kosova sipas tij pa kritere ua hap rrugën dhe e lejon regjistrimin e avokatëve të huaj.

Tregu i hapur për avokatë

Ibrahim Dobruna nga ana tjetër qartëson se në Kosovë, e cila pretendon të jetë pjesë e familjes evropiane, tashmë tregu edhe për avokatët e huaj është i hapur. Për vendet e BE-së dhe për avokatët e shteteve të Bashkimit Evropian, sipas tij, nuk ka pengesa derisa ka masa të reciprocitetit për avokatët e vendeve që janë jashtë SHBA-ve dhe jashtë BE-së. Avokatët e këtyre shteteve sipas tij, mund të punojnë në Kosovë vetëm nëse edhe avokatët e Kosovës mund të punojnë në këto shtete përkatëse.

Me ligjin për avokatinë nuk pajtohen shumë avokatë. Ata madje, ndonëse shumica nuk preferojnë të flasin me emra, thonë se duhet respektuar rregulloret e brendshme të OAK-së në mënyrë që të mos iu lejohet secilit avokat të huaj të vij e të punoj në Kosovë. Avokatët thonë se nuk e dinë sa marrin homologët e tyre ani pse e pranojnë se shumat e parave që marrin ndërkombëtarët është shumëfish më e madhe se avokatët vendorë.

Pavarësisht se deri më tani nuk janë bërë publike shumat që kanë përfituar avokatët e huaj në Kosovë, një gjë dihet qartë se shumica nga ta kanë mbrojtur ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si në Kosovë ashtu edhe në Tribunalin e Hagës.

Çohu : Mbrojtja me para të dyshimta

Avni Zogiani nga Organizata “Çohu” përmend rastin e mbrojtjes së Haradinajt. Për këtë të fundit është angazhuar avokati Ben Emersson, i cili sipas Zogianit, i takon një kompanie me zë të avokatëve. Si i tillë sipas Zoganit, mbrojtja e Haradinajt ka përfituar goxha, siç kanë përfituar edhe mbrojtësit e tjerë ndërkombëtarë e që asnjëherë nuk është ditur prejardhja e parave me të cilat është paguar mbrojtja.

“Kjo për mendimin tim tregon që ata kanë tepër shumë pare që kanë mundësi t’i paguajnë këta avokatë. E dyta është se ata kanë sigurisht një arsye shumë të madhe për të marrë këta avokatë kaq të fortë. E kjo vetëm e shton dyshimin se diçka të vërtetë paska prapa atyre akuzave”, thotë Zogiani.

Në lëmin e mbrojtjes së krimeve të luftës, Zogiani thotë se fatkeqësisht nuk kemi dhe aq kapacitete vendore mirëpo kjo sipas tij nuk duhet të jetë justifikim për t’i paguar me qindra mijëra euro avokatët e huaj dhe atë pa asnjë transparencë.

“Fakti që këta të akuzuar që kanë qenë lider politikë asnjëherë nuk e kanë bërë transparente si i kanë paguar, kah i kanë marrë, sa kanë kushtuar, më bën të kuptoj që prejardhja e këtyre parave është e dyshimtë dhe dyshimi është në lidhje me vetë proceset gjyqësore për shkak se nëse është folë për personat që munden me qarkullu kaq shumë të holla, kaq shumë para në mënyrë jotransparente, atëherë kemi të bëjmë me persona që qysh nga ky këndvështrim janë të dyshimtë dhe është zor me besu që pretendimet e tyre se janë të pafajshëm”, përfundon Zogiani, duke kërkuar transparencë nga të akuzuarit në lidhje me burimin e tërë këtyre të hollave që janë në gjendje t’i ndajnë për mbrojtjen.

 

Nga: Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu