Milionat e arabëve “zhduken” në Kosovë

0
350

Mbi 30 milionë euro kanë hyrë në Kosovë brenda gjashtë muajve nga katër vende arabe. Zyrtarisht tregohen vetëm shtetet prej nga vijnë, por jo edhe kush i sjell ato dhe çfarë destinacionin kanë. Gazeta “Zëri” ka siguruar depozitat e këtyre milionave që vijnë nga disa shtete arabe. Sipas këtyre të dhënave, nga muaji janar, e deri në qershor të vitit 2012, në vendin tonë nga katër shtete arabe kanë hyrë hiç më pakë se 30 milionë e 13 mijë euro.

Pjesa më e madhe e tyre, më shumë se 25 milionë euro ka ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Të hyra ka edhe nga Kuvajti, prej nga kanë ardhur 2,7 milionë euro për gjashtë muaj, rreth 900 mijë euro nga Katari, si dhe rreth 600 mijë euro nga Arabia Saudite. Këto të dhëna janë siguruar nga transferet bankare të regjistruara në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK). Duke iu referuar të dhënave zyrtare që ka siguruar gazeta, shihet se gjatë pjesës së parë të vitit që lamë pas transferet e parave nga shtete arabe, janë rritur në krahasim me vitin 2011.

Gjersa gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2012 nga Emiratet e Bashkuara Arabe në vendin tonë kanë hyrë 25 milionë euro, në vitin 2011 për 12 muaj kanë hyrë vetëm 14 milionë euro, e vërehet një rritje enorme e transfereve. Transferin e mjeteve nga katër shtete Arabe, e konfirmojnë edhe vetë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës.

“Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, kanë hyrë në Kosovë 30 milion euro, nga shtetet arabe. Shumica e tyre vijnë nga Emiratet e Bashkuara, në vlerë prej rreth 25 milion euro. Pastaj rreth 1 milion kanë hyrë nga Katari, afër 3 milion nga Kuvajti, dhe mbi gjysmë milioni nga Arabia Saudite”thuhet në përgjigjen e bankës dërguar gazetës.

Sipas zyrtareve të BQK-së rreth 85 për qind të hyrave që kanë ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe janë paga të qytetareve të Kosovës që punojnë në ato shtete, të ardhurat nga Katari sipas zyrtareve të BQK-së janë kryesisht transfero te personave fizik.

Sipas tyre rreth 60 për qind e parave që kanë ardhur nga Kuvajti janë paga të personave fizik, ndërkaq pjese tjetër janë donacione për organizata të ndryshme Jo Qeveritare që funksionojnë në Kosovë. E ndërkaq të hyrat nga Arabia Saudite sipas BQK-së janë kryesisht investime të huaja direket në vendim tonë

Informacione rreth kësaj shume të madhe parash, që ka hyrë në vendin tonë, nuk kanë as zyrtarë të Bashkësisë Islame të Kosovës. E madje disa prej këtyre, për këtë çështje kanë frikë të flasin edhe në telefon. “Asnjë informacion nuk e kam rreth kësaj çështje. Asnjë herë nuk kam pasur qasje në financat e Bashkësisë Islame”tha njeri nga zyrtaret e lartë të Bashkësisë Islame të Kosovës e që nuk deshi t’i përmendej emri në gazetë.

Skemat zyrtare të pastrimit të parave

Raporti i fundit i Njësisë për  Inteligjencë financiare, konfirmon se shuma të mëdha parash tentojnë të pastrohen përmes transferove të ndryshme bankare. Në raportin për vitin që lamë pas thuhet se Inteligjenca ka hasur në lëvizje të mjeteve ndërmjet disa kompanive me të njëjtin pronar dhe integrim i atyre mjeteve përmes sigurimeve në të cilën kompani sigurimesh paraqitet i njëjti person.“Është për t’u habitur fakti se si një kompani e cila ofron kurse të ndryshme kryesisht për gjuhë të huaj pranon fonde në vlerë mbi 280,000 euro për një periudhë shumë të shkurtër kohore. Ky fakt ka zbuluar se shumica e atyre mjeteve të pranuara nuk kishin të bënin asgjë me aktivitetin e saj ekonomik por kryesisht ishin huazimet të rrjedhura nga transaksionet e kryera ndërmjet kompanive të lidhura me njëra tjetrën”thuhet në raportin vjetor të vitit 2012.

Më tej thuhet se tri kompani me adresë dhe emra shumë të ngjashëm të identifikuara në raport si “Kompania A”, “Kompania B” dhe “Kompania C” ishin themeluar në një periudhë të përafërt kohore dhe që të tria kishin pronar dhe bashkëpronar të ndryshëm, që rrit dyshimin se këto kompani janë fiktive, por ato janë të regjistruara me qëllim të komplikimit të hetimeve nga agjencitë e zbatimit të ligjit.

“Përveç se ishin themeluar kompani ‘fiktive’ ato kryenin transaksione tepër të dyshimta me indikator të pastrimit të parave. Një kompani tjetër e cila ofronte shërbime të Sigurimeve dhe e cila kishte bashkëpronar personin e njëjtë që qëndronte pas atyre tri kompanive tjera, kreu një transferë në vlerë prej 374,781.00 euro tek ‘Kompania A’ për pagesën e dëmit të pasurisë së Siguruar. Të dy këto kompani kanë pronar të njëjtin person ‘Personi A’ dhe pastaj pas vetëm disa ditë më vonë ‘Personi A’ pranoi një shumë të madhe të mjeteve prej 410,000 euro për rritjen e kapitalit fillestar në Kompaninë e Sigurimeve”thuhet në raportin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, të siguruar nga gazeta “Zëri”.

Më tej, në raport thuhet se këto transfere rrisin dyshimin që Kompania e Sigurimit bëri një mashtrim duke paguar 374,781 euro në emër të dëmit për “Personin A”, kjo njëherit ndikoj edhe në rritjen e shpenzimeve duke pasur ndikim direkt në pasqyrën e të ardhurave përkatësish në fitimin para tatimit, ku me këtë rast në të njëjtën kohë e zvogëlon fitimin para tatimit duke i ikur edhe pagesës së tatimit në fitim prej rreth 70,000 euro.

“Kjo në fakt është një skemë e pastrimit të parave sepse vetëm një shumë pakës më e madhe se sa pagesa e dëmit, ishte kthyer përsëri tek Kompania e Sigurimeve por nëpërmes kanaleve tjera rritjes së kapitalit aksionar në vlerën e cekur më parë 410,000 euro nga personi i njëjtë. Përveç kësaj, fakti që Personi A ishte pronar i kompanisë e cila ishte e dyshuar për pastrim parash në një vend tjetër (bazuar në raportin e FIU së shtetit tjetër), dhe ‘Personi B’ ishte i involvuar në disa aktivitete kriminale (Raporti i Policisë në vendin tonë), si dhe ‘Personi C’ ka qenë i përfshirë në disa transaksione biznesore me disa vende të njohura si “Offshore Country” tregojnë që këta individë kanë një të kaluar të tyre kriminale dhe dyshimi i lartë i përfshirjes së tyre në aktivitetin e pastrimit të parave”thuhet më tej në raport.

Në fund të raportit thuhet se rasti ishte dërguar në Agjensionet e Zbatimit të Ligjit dhe rezultatet ishin: tre Persona ishin arrestuar, dy persona tjerë ishin në kërkim, rreth 100,000 euro mjete monetare ishin konfiskuar, rreth 2 milion euro janë bllokuar, si dhe është gjetur të jetë mbajtur kontabilitet i dyfishtë nga e cila ka rezultuar se kishte pasur një evazion mjaft të madh fiskal.

 

Nga: Enis Veliu & Besiana Xharra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu