Mimozës i “kalbet” inventari në shi

0
109

Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) që një muaj po i “kalbet” në shi inventari i punës për stafin, që është paguar më herët me dhjetëra mijëra euro nga buxheti i shtetit, i cili tashmë po zëvendësohet me mobile të reja.

Një pjesë e mirë e inventarit të kësaj Ministrie “po pushon” në oborrin e ndërtesës, i cili institucion ka marrë pamjen sikur të ketë ndodhur një tërmet i fuqishëm.

Një pjesë e mirë e tavolinave është vënë nën mbulesë najloni, të cilat duket se po ruhen të mos i kapë shiu e madje as dielli i ditëve të nxehta.

Në rrëmujë totale, disa prej tavolinave për kompjuterë po ashtu janë hedhur njëra mbi tjetrën, në fotografinë që gazeta “Zëri” e ka siguruar dhe është realizuar me datë 17 shtator 2013.

Ministrja Mimoza Kusari-Lila ka nisur renovimin e objektit që prej pranverës së këtij viti me një freskim të ndërtesës, por që ka rezultuar me kaos në oborr.

“Zëri” për këtë çështje të mërkurën u ka dërguar pyetje zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë, mirëpo këta nuk janë përgjigjur, pavarësisht insistimeve të gazetës rreth shpenzimeve për riinventarizimin e këtij institucionit dhe pse janë nxjerrë jashtë objektit mobiliet që janë shfrytëzuar deri më tani.

Po të njëjtën ditë, Ministria ka lëshuar komunikatë për media për udhëtimet zyrtare të ministres në Suedi.

Në anën tjetër, Avni Zogiani nga Organizata për Demokraci dhe Anti-Korrupsion “Çohu”, thotë se blerja e shpeshtë e mobileve nga institucionet nuk do të duhej të ndodhte në këtë kohë krize.

“Kjo natyrisht se ndodh shkaku i interesave të ngushta të cilat vetëm përfundojnë me shpenzime të panevojshme. Nuk ka kuptim që në kohë krize të ndodhin lukse të tilla me inventarizim, apo edhe blerje makinash”, shton Zogiani.

Nisur nga rasti i Ministrisë që drejtohet nga Kusari-Lila, Zogiani përmend tendencën e tillë të shpeshtuar që institucionet kosovare praktikojnë në riinventarizime të pabaza.

“Këto shpenzime përbëjnë interesa të ngushta që lidhen me tregtarë e biznesmenë, dhe është manipulim me paranë publike. Populli shpesh nuk di që gjëra të tilla ndodhin dhe është paraja e tyre që po vihet në lojë”, ka thënë Zogiani për “Zërin”.

Sipas burimeve të gazetës, në këtë Ministri renovimi është përsëritur disa herë brenda një periudhe të shkurtër, dy herë që prej ardhjes së Mimoza Kusari -Lilës.

“Inventari nuk është blerë shumë kohë më parë, prandaj është ende funksional dhe realisht nuk ka nevojë të zëvendësohet për një tjetër. Edhe karrige e dollapë për vendosje dokumentacioni janë parë mes inventarit para oborrit të këtij institucioni”, potencon burimi i “Zërit”.

Ndërsa Fidan Kalaja nga lëvizja “Fol” thotë se logjika e tillë e inventarizimeve është një logjikë e gabuar për institucionet tona që po e shpeshtojnë zëvendësimin e inventarëve në periudha afatshkurtra.

“Në vend që të investohet në shpenzime të tilla do të duhej të kujtoheshin institucionet të cilat kanë nevojë. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për shembull, punon në kontejnerë, shkollat kanë mungesë infrastrukture që në fillim të vitit shkollor”, thotë Kalaja.

 

Nga: Arbër Selmani

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu