Ministrat e Jashtëm të BE-së nesër “udhëzojnë” Kosovën ta formojë Gjykatën Speciale për Krime Lufte

0
313

EU

Ministrat e jashtëm të BE-së kanë diskutuar të hënën për situatën në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa të martën do të diskutojnë edhe për vendet tjera të rajonit të përfshira në procesin e zgjerimit, duke përfshirë këtu edhe Kosovën.

Ministrat kanë miratuar një qasje të re të BE-së për Bosnje e Hercegovinën sipas së cilës, këtij shteti do ti mundësohet zhbllokimi i procesit të përafrimit me BE-në, sapo liderët politikë dhe institucionet e këtij vendi, të marrin me shkrim përsipër obligimet për zbatimin e reformave, raporton rel.

Së pari BE-ja do ta vë në fuçi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e pastaj do t’i mundësojë Bosnjë e Hercegovinës që të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pritet që Ministrat të martën të miratojnë edhe konkluzat për zgjerimin dhe për vendet e përfshira në këtë proces individualisht.

BE-ja do të përsëris se procesi do të vazhdojë por duke respektuar qasjen në bazë të meritave individuale dhe politikën e kushtëzimit.

Për Kosovën pritet që në konkluza të mirëpritet krijimi i institucioneve të Kosovës pas një bllokade disamujore dhe tu bëhet ftesë atyre që të angazhohen në reformat e administratës publike, luftën kundër korrupsionin dhe krimit të organizuar, vazhdimi i dialogut me Beogradin si dhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri me tash.

Nga autoritetet e Kosovës do të kërkohet që me prioritet të miratojnë ndryshimet ligjore për të mundësuar krijimin e Gjykatës Speciale e cila do të merrej me rastet e hetuara nga Task Forca speciale hetuese.

Kësaj radhe në diskutimin për zgjerimin nuk pritet ndonjë vendim.

Pritjet e Serbisë se këtë vit do të mund të hap ndonjë kapitull të negociatave nuk do të realizohen sepse në BE, me insistimin sidomos të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, nuk janë të kënaqur me rezultatet në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën.

Komisioneri i fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit, Johanes Hahn, ka thënë se qeveria e Serbisë ka mundur t’i zbatojë disa pjesë të marrëveshjeve pa pasur nevojë të pres krijimin e institucioneve të Kosovës dhe se mungesa e këtyre institucioneve nuk mund të merret si arsyetim nga ana e Beogradit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu