Ministri Hamza mijëra Euro shpenzime për Paga, meditje, udhëtime zyrtare e karburante

0
100

Mbi 200 mijë euro të taksapaguesve kosovarë janë shpenzuar për paga e meditje vetëm vitin e kaluar, për kabinetin e ministrit të Financave, Bedri Hamza.  Pas pagave shuma me e madhe e shpenzimeve është bërë për udhëtimet zyrtare të kabinetit të ministrit.  15 mijë euro u janë dhënë këtyre zyrtarëve për meditjet e udhetimeve kurse 15 mijë euro të tjera janë shpenzuar për bileta e këtyre udhetimeve. Kjo ministri nuk është kursyer as për shpenzimet për reprezentacion, karburante e telefona.

Bedri Hamza, ministri që menxhon arkën e shtetit, vetëm gjatë vitit të kaluar ka marrë shumën prej 17 mijë e 500 euro si pagë e meditje. Shumë të përafërt ka marrë edhe zëvendësi i tij, Fatmir Gashi. Kurse tre zëvendësministrat e tjerë Mustafë Grainca, Hyzer Gashi dhe Bojan Stojanoviq nga rreth 15 mijë euro.

Përveç katër zëvendësave të tij, Hamza ka edhe shtatë këshilltarët politik. Bazuar në të dhënat e siguruar nga Gazeta Insajderi, ata kanë marrë nga 6 mijë deri në mbi dhjetë mijë euro nga kategoria paga dhe meditje.

Totali i shumës së shpenzimeve prej 200 mijë eurosh, plotësohet me pagat dhe meditjet e pjesës tjetër të kabinetit përfshire asistentet, shoferët dhe sigurimin.

Shoferi i ministrit Hamza, ka marrë pagë vjetore mbi 8 mijë euro, kurse asistenjta e tij 7 mijë e 800 euro, shkruan Insajderi.

Mbi 6 mijë euro kanë marrë udhëheqësi i sigurimit të zëvendësministrit Fatmir Gashi, asistentet e zëvendësministrave dhe shoferët e tyre.

Gazeta Insajderi ka siguruar listat e këtyre shpenzimeve në bazë të kërkesës për qasje në dokumente publike. Në këtë dokuement janë listuar në kategori shpenzimet e bëra për udhetime zyrtare, dreka, darka, shpenzime të karburanteve dhe telefona.

Mijëra euro shpenzime për udhëtimet zyrtare

Kabineti i Ministrit të Financave nuk janë kursyer as për udhëtimet zyrtare jashtë vendit. Edhe për këtë kategori të shpenzimeve që e kanë të lejuar me ligj, ata kanë shpenzuar qindra mijëra euro.

Ministri Bedri Hamza ka shpenzuar 8 mijë e 580 euro vëtem nga kredit kartela për akomodim, shkruan Insajderi.

Plot 15 mijë euro i kanë kushtuar taksapaguesve kosovarë për meditjet e udhetimeve jashtë vendit të  ministrit Bedri Hamza, zëvendësministrit Fatmir Gashi, tre këshilltarëve politik Menderes Ibra, Shkumbin Munishi, Blerand Kadrijaj dhe udhëheqësit të sigurimit e shoferit të ministrit.

Më së shumti nëpër udhëtimet zyrtare të ministrisë janë shpenzuar për këshilltari Menderes Ibra. Ai ka marrë 4 mijë e 500 euro meditje. Kurse shefi i tij, Bedri Hamza ka marrë 3 mijë e 682 euro.

Për bileta të udhetimëve në total janë shpenzuar 14 mijë e 887 euro. Mbi 8 mijë euro vetëm për biletat e Bedri Hamzës, 3 mijë për Menderes Ibrën.

Mbi 30 mijë euro për shpezimet për dreka, darka, telefona e derivate

Ky dikaster qeveritar ka shpenzuar shumë edhe për dreka e darka të zyrtarëve të sajMinistri, katër zevendësministrat dhe shtatë këshilltarët politik kanë shpenzuar në total shumën prej 13 mijë e 433 euro për reprezentacion.

Vetëm ministri ka shpenzuar 3 mijë e 800 euro, shkruan Insajderi.

Katër nga drejtuesit kryesor të kësaj ministrie udhëtojnë cdo ditë nga komunat tjera për në zyret në Prishtinë. Udhëtimi i tyre ka kushtuar 10 mijë euro, shkruan Insajderi.

Gati 4 mijë euro ka shpenzuar zëvendësministri Fatmi Gashi për karburante me veturën zyrtare të ministrisë,  2 mijë e 600 Bedri Hamza, dhe me nga 1 mijë euro Mustafa Grainca, Hyzer Gashi dhe Bojan Stojanovic.

Ministria e Financave ka sqaruar se ministri dhe tre zëvendësmibnistrat Fatmir Gashi, Hyzer Gashi dhe Mustafa Grainca udhëtojnë nga qytetet tjera.

“Sa i përketë karburanteve: Ministri Ministri Bedri Hamza udhëton çdo ditë Mitrovicë –Prishtinë, Zv. Ministri Fatmir Gashi udhëton nga Pejë-Prishtinë, Zv. Ministri Hyzer Gashi udhëton Shtime-Prishtinë,Zv. Ministri Mustafa Grainca udhëton Ferizaj-Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Bazuar në dokumentet e ofruara nga kjo ministri del se janë shpenzuar edhe 8 mijë e 700 euro për telefona të kabinetit të ministrit Hamza. Vet ministri ka shpenzuar 1 mijë e 165 euro. 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu