Ministria e Dukagjin Goranit

0
90

Dukagjin Gorani përmendi krijimin e një Ministrie për Veriun, si nevojë për zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë në atë pjesë të Kosovës.

Dukagjin Gorani nuk është prej këshilltarëve të Kryeministrit që flet shumë, të paktën jo publikisht.

Por, kur flet para mediave, ai mbahet mend për ato që thotë.

I tillë ishte edhe të premten, teksa po debatonte me përfaqësues të shoqërisë civile në një tryezë në Prishtinë.

Përmendi krijimin e një Ministrie për Veriun.

“Me definimin e Veriut si çështje e një rëndësie të jashtëzakonshme në kontekstin praktik, kjo do të nënkuptonte përgatitjet për formimin e një ministrie”, tha Gorani.

“Nëse situata në Veri interpretohet si çështje praktike dhe madhore, interpretimi i saj institucional shumë lehtë do të mund të nënkuptonte formimin e një ministrie”, shtoi ai.

Ai i bëri këto komente në një debat mbi agjendën gjithëpërfshirëse për Veriun, të organizuar nga Grupi për Studime Politike dhe Ekonomike, si dhe Lëvizja Europiane në Kosovë.

Në studim thuhet se Komisioni Europian ka konfirmuar se Serbia nuk duhet të ketë ndonjë rol në Kosovën Veriore. Në studim po ashtu sugjerohet se në Veri duhet gjetur një udhëheqje e re, si dhe integrimi të bëhet përmes një strategjie ekonomike e politike.

Por, të gjitha këto nuk duket të jenë punë të lehta, në kohën kur në Veri po vazhdon aksioni i KFOR’it për heqjen e barrikadave, të vendosura nga serbët.

Këshilltari i Kryeministrit, Dukagjin Gorani ka deklaruar se e tërë barra për Veriun i ka rënë Qeverisë dhe në këtë kuadër “nuk e ka mbështetjen, as të opozitës dhe as të shoqërisë civile”.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile për një peshë të tillë të përgjegjësisë fajësojnë vetë Qeverinë që nuk ka qenë më transparente dhe e hapur në përfshirjen e të gjithëve në procesin për integrimin e Veriut.

Sipas analistit tjetër, Belul Beqaj është dashur të shkojë disa vjet që zyrtarët europianë të kuptojnë se zgjidhja për Veriun gjendet te Plani Ahtisari.

“Këta zotërinj të Bashkimit Europian kanë filluar ta kuptojnë se Plani i Ahtisaarit është zgjidhje më e mirë, sepse po thonë se duhet ta kemi një agjendë gjithëpërfshirëse, e Plani i Ahtisaarit kemi thënë se është një plan gjithëpërfshirës”, ka deklaruar Beqaj.

Sido që të jetë, Këshilltari i Kryeministrit, Dukagjin Gorani kërkoi nga opozita, e në veçanti nga shoqëria civile, që të mos bëjë presion mbi Qeverinë për ndërmarrjen e aksioneve në Veri.

Sipas tij, aksionet e forcës atje mund t’i kthehen bumerang shtetit të Kosovës.

“Aksioni i koordinuar policor ose i sektorit të sigurisë karshi këtyre strukturave, shumë lehtë rrezikon të interpretohet dhe të përdoret si aksion i dhunës shqiptare kundër popullit serb. Krejt ne e dimë se qëllimi i strukturave kriminale atje është që ta shohin policinë shqiptare duke i rrahur banorët serbë. Kjo është një taktikë e thjeshtë ballkanike, që nganjëherë ka dhe nganjëherë nuk ka sukses. Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend që shtetësinë e vet ta dëshmojë përmes demonstrimit të dhunës dhe forcës”, tha Gorani.

Komisioni Europian ka kërkuar agjendën gjithëpërfshirëse për Veriun gjatë publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën, por, deri më tash, nuk janë bërë publike detaje se si do të mund të dukej një agjendë e tillë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu