Miqtë kosovarë të Bogdanoviqit

0
232

I ashtuquajtur ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka shumë dëshirë të flasë e të komentojë për të tjerët, mirëpo ata që i përfol nuk i përmend me emra, shumicën e rasteve. Emri i Lufti Hazirit i rrëshqet atij nga goja ditën kur gazeta “Zëri” ishte në zyrën e Goran Bogdanoviqit në Beograd, për ta intervistuar atë.

Emrin e ish-ministrit kosovar, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bogdanoviq e përmend si njeriun “që ka qenë ulur, pikërisht në këtë divan ku jeni të ulur edhe ju gazetarët e Zërit”. Sipas Bogdanoviqit, që dikur ka qenë gjithashtu pjesë e Qeverisë së Kosovës, hera e fundit që Haziri e ka vizituar atë është para dy vjet e gjysmë.

“Unë e Lutfi Haziri kemi diçka të përbashkët. Fjalën e kam për një asistente që dikur ka punuar në Kuvendin Komunal të Gjilanit sa ishte ai kryetar i komunës, ndërsa e njëjta (me nënshtetësi serbe), tani punon në Ministrinë time”, thotë duke qeshur Bogdanoviq.

Miqësia e tij me Lutfi Hazirin nuk është e vetmja që ai kujton, edhe tani kur punën e ka jo më në Prishtinë, por Beograd. Ai e përmend disa herë edhe ish-ministrin e Arsimit, Rexhep Osmanin, ndonëse Bogdanoviq thotë se i ka dalë pak prej qejfit pasi ka dëgjuar për dyshimet për disa afera korruptive.

Sidoqoftë, më së shumti ai habitet me ministrin aktual të brendshëm, Bajram Rexhepi, pasi ai, sipas ministrit serb, ka ndryshuar shumë. “E mbaj mend shumë mirë kohën kur ai ishte kryeministër. Nëse dikush, ndonjë politikan tjetër, bënte ndonjë gjest antipatik ndaj serbëve, Rexhepi ngrihej në këmbë dhe i kundërshtonte ashpër ata njerëz”, kujton me mall ministri serb.

Haziri: Në Leposaviq po, në Beograd asnjëherë

Tërësisht i habitur nga këto pretendime është shprehur përmes telefonit Lutfi Haziri kur është pyetur nëse ka qenë ndonjëherë në zyrën e Bogdanoviqit.

“Jo more çfarë, unë jam i dënuar prej Qeverisë së Serbisë”, thotë Haziri. Ky i fundit megjithatë e pranon se ka qenë dikur mysafir në fshatin ku i jeton edhe sot familja e Bogdanoviqit, Leshak të Leposaviqit, derisa ka bërë vizita në Kuvendin Komunal atje.

“Sa ka qenë ministër i Bujqësisë, po, kam qenë edhe në Leshak, në katund të tij, fakt është. Unë kam qenë edhe në komunën e Leposaviqit pasi kryetari i saj ka qenë Bojoviqi”, thotë më tej Lutfi Haziri, duke e sqaruar se vizitat i ka bërë në kohën kur vetë ka qenë kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ndërsa komunat e veriut udhëhiqeshin nga përfaqësues legjitimë serbë e jo strukturat ilegale të sotme. Lutfi Haziri në fund të bisedës, e thotë prerazi se ai “asnjëherë s’ka qenë në Beograd”.

Pas kësaj bisede telefonike, gazeta “Zëri” ka kontaktuar me zyrën për informim të Goran Bogdanoviqit, prej nga historia rreth këtyre vizitave është thënë pak më ndryshe. Shefja e Zyrës për Informim të “Ministrisë për Kosovë dhe Metohi”, Zorica Radovanoviq, fillimisht ka dashur pak kohë që ta bisedojë këtë temë me Ministrinë.

Pas dy ditësh, Radovanoviq ka sqaruar se “ministri nuk mund të thotë më kush vjen. Te ne në zyrë vijnë zyrtarë dhe se ai ka kontakte (me politikanë kosovarë), mirëpo për shkak të situatës nuk dëshiron të përmendë më emra”.

Në Serbi me pasaportë të Kosovës

Brenda ditës, janë katër linja autobusi që shkojnë nga Kosova në Serbi. Jo gjithmonë autobusët janë të mbushur me njerëz, ndërsa udhëtimi drejt shtetit fqinj mund të bëhet edhe me pasaportë të Republikës së Kosovës. Ky dokument nuk njihet nga Serbia, mirëpo ekziston mundësia që fillimisht t’i dërgohet kërkesë Ministrisë së Brendshme të Serbisë për të hyrë në këtë shtet me pasaportë të Kosovës.

Kërkesa zakonisht merr përgjigje brenda 48 orëve, ndërsa personi që udhëton drejt Serbisë duhet ta dorëzojë pasaportën kosovare në kufi, p.sh. Merdare, ndërsa siguri për këtë është dokument i MUP-it serb që e merr me vete si dhe kopjen e pasaportës. Pasaporta kthehet në momentin kur banori i Kosovës kthehet sërish në kufi dhe e përfundon vizitën në shtetin serb.

Nuk dihet nëse ndonjë prej vizitave të miqve kosovarë të Bogdanoviqit vërtet janë bërë në Beograd apo jo, mirëpo nëse dikush ka shprehur dëshirën, udhëtimi drejt Serbisë nuk është i vështirë.

Takimet sekrete Kosovë – Serbi

Vizitat në Beograd apo dhe takimet e fshehta mes zyrtarëve kosovarë dhe atyre serbë gjithmonë kanë qenë diçka e ndjeshme dhe vështirë janë pranuar publikisht nga zyrtarët kosovarë. Vizita e parë e nivelit të lartë Kosovë-Serbi ka filluar në mënyrë shumë transparente në kohën e bombardimeve të NATO-s, mes ish-diktatorit Slobodan Millosheviq dhe ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Jo pak vite më vonë, partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte deklaruar disa herë se ata janë në dijeni për disa takime të fshehta të zyrtarëve të qeverisë Thaçi 1 me zyrtarë serbë, por kjo nuk ishte pranuar asnjëherë nga kryeministrit Hashim Thaçi. Ky i fundit nuk ka pasur zgjidhje tjetër pos të konfirmojë dy takime me presidentin aktual serb, Boris Tadiq, pasi faqja e internetit, WikiLeaks, në mesin e mijëra dokumenteve të ambasadave amerikane nëpër botë zbuloi edhe dy kabllograme që tregonin për takimet Thaçi – Tadiq.

E para që e konfirmon takimin është një dokument i dërguar nga Misioni i SHBA-së në OKB, në janar 2008. Aty ambasadori i atëhershëm amerikan, Khalilizad shpjegon takimin e tij me presidentin serb Boris Tadiq, që i kishte treguar për takimin me kryeministrin Thaçi. Tjetri kabllogram është dërguar nga ambasada në Athinë për në Uashington dhe konfirmon takim të Tadiqit me Thaçin edhe sa ky i fundit ishte në opozitë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu