Miza nën kësulën e Berat Buzhalës

0
109

Meqenëse nuk është koha për ta zgjatur më tej këtë diskutim, edhe kështu të pakëndshëm nga ana juaj, do të mbetem me shpresën që herën e ardhshme të tilla mësymje e gafurrje të përshtatshme vetëm për nivelin e ndonjë trolli anonim, të mos vijnë të nënshkruara nga një deputet i parlamentit të Kosovës.

Detyrohem ta hap këtë tekst duke kërkuar falje lexuesve që nuk kam shkruar sot për rrugën ku po e çojnë Kosovën negociatat me Serbinë, që nuk po shkruaj për monopolin privat që po krijohet me privatizimin e rrjetit të distribucionit (gjë që s’ka teori ekonomike që ta mbrojë), që nuk po shkruaj për nevojën për plan zhvillimor për të dalë nga varfëria, as për nevojën për një shtet të fortë për të luftuar kalbjen e korrupsionin që po gërryen nga brenda e po e shthur stofin social. Pra jo se s’ka për çfarë të shkruaj, po sot po e marr hapësirën që “Express” po ma dhuron me zemërgjerësi për diçka tepër të parëndësishme, për t’i kthyer përgjigjen Berat Buzhalës që më përmend emrin në kontekste të pasjellshme, në një shkrim të mbushur me insinuata për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, që është subjekti i parë politik në të cilin jam angazhuar gjatë jetës sime, sepse subjekt tjetër ende s’kam njohur ndër shqiptarët modernë, kaq të aftë për t’u organizuar në banda e në zhgane pushteti e kaq të paaftë për t’u mbledhur e për t’u bërë bashkë në të mirë të popullit e vendit të vet.

Në shkrimin e vet përplot etiketime Berat Buzhala, i përndershmi deputet i PDK-së, reflekton mllef. Shkrimi i tij karakterizohet nga dy abuzime logjike, së pari argumenti ad personam e së dyti reduktimi i secilës kritikë në atë mënyrë që logjicienët e quajnë ad hitlerum. Të dyja këto abuzime logjike nuk më habisin, pasi diskursi e retorika politike, jo vetëm e Berat Buzhalës po edhe e shumë kolegëve të tij, pandërgjegjshëm përfundon aty. Ama, nuk arrij ta kuptoj qartë përsenë e mllefit të paedukuar të Berat Buzhalës. Detyrohem t’i kërkoj falje e t’i bëj një pyetje edhe unë, pa marrë përsipër rolin e prokurorit të gjithëfuqishëm siç ka bërë ai në shkrimin e vet: Pse, Berat Buzhala, nuk e përjetoni qetësisht e me shpirtmadhësi fitoren tuaj që nuk po e mohon kërkush (edhe pse shumëkush ka të drejtë të mos pajtohet me të), por jeni kaq të acaruar a thua se mbani nën kësulë ndonjë mizë nga ato me ngjyrë smeraldi? Normalisht një fitore zgjedhore, cilitdo politikan të ndershëm e punëshumë do t’i hapte perspektivën e punës, e meqenëse fitoret zgjedhore në demokraci nënkuptojnë punën me krejt popullin, mesazhi i fituesit do të duhej të qe pajtues, e jo përçarës. Do të duhej të qe inkurajues për opozitën, e jo sharës e trembës. Për më tepër që askush nuk doli të vërë në dyshim absolutizmin tuaj në Kaçanik.

Nuk mendoj se mllefi ju vjen nga konflikti personal që në emër të Thaçit keni hapur me Limajn, nuk mendoj as që mllefi ju vjen nga natyra gërnjare, as nga fakti që nuk po jua njohin meritën e zbulimit të faktit se “dhunë më të madhe se injoranca s’ka”. E vetmja përgjigje që më vjen ndërmend për t’jua justifikuar mllefin është parehatia e pasiguria juaj pavarësisht fitores kaq dërrmuese, e në të njëjtën kohë mungesa e faqebardhësisë për t’u përballur me kritikat e opozitës, me denoncimet e brendshme e me ato të jashtme, me rënien e cilësisë së jetesës e me nivelin e mjerueshëm të demokracisë që përjeton sot Kosova. Ashtu si Xhabiri, që shënon rrugën se ku të shpie arroganca e keqbërjet brutale, ashtu edhe ju, Berat Buzhala nuk jeni vetëm njeri e deputet, por jeni edhe dëshmi. Jeni dëshmia se si shërbimi e servilizmi ndaj së padrejtës, ndaj injorancës dhe shtypjes, nuk mundet të prodhojë qetësi shpirtërore edhe kur prodhon të mira materiale, edhe kur sjell si shpërblim poste e pushtet.

Fitorja juaj është e ligjshme, keni fituar shumicën e asaj pakice gjithnjë e më të vogël që del në zgjedhje. Po ashtu është e ligjshme, ende në këtë vend, që të ketë opozitë, liri fjale e liri mendimi. Mirëpo e ligjshmja jo gjithnjë është legjitime. Psh. është e ligjshme që një njeri që nuk kupton disa fjalë e metafora të dikujt ta etiketojë atë si “psikanalist”, (madje duke menduar se ky është ofendim), mirëpo një i tillë abuzim me ligjshmërinë nuk do ta bënte argumentin legjitim. Hendekun mes ligjshmërisë dhe legjitimitetit në ultrademokracinë tuaj e përshkruajnë më së miri fjalët e Mand Shkullakut në një artikull botuar krah tuajit në Express: “Në demokracitë e pakonsoliduara, opozita pa dyshim që hyn në gara elektorale në kushte të pabarabarta me partitë në pushtet. Këto të fundit përdorin e keqpërdorin mjetet e mundësitë financiare për interesa elektorale, shfrytëzojnë punësimin, paratë e pronat publike, shantazhojnë e premtojnë dhe këto fenomene kanë ndikim të madh tek qytetarët, veçanërisht në zona ku shteti shihet si e vetmja mundësi për të përballuar mjerimin ekonomik”.

Retorika priapike e shefave tuaj, e kryeministrit, e ministrit të rendit, e shefit të SHIK-ut, mundet që t’ju bëjë të ndiheni të sigurt vetëm në çastet kur jeni me ta. Me sa duket, kur jeni në zyrë a në shtëpi, e ju duhet të shkruani, ju lë siguria.

Ndër pyetjet që ju bëni, shtrohet çështja e vizës për Albin Kurtin. Albin Kurti e viziton Europën në funksionin e tij si kryetar i komisionit parlamentar, edhe është pritur shumë mirë, mjaft të konsultosh të dhënat publike. Është e vërtetë, deri më sot nuk ka marrë vizë për në SHBA, por po ashtu është e vërtetë se nuk i është refuzuar asnjëherë kjo vizë. Kurti ka për të shkuar edhe në SHBA, dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! sot i ka marrëdhëniet shumë të mira me aktorë politikë pro-shqiptarë në gjithë perëndimin – por kjo është tërësisht e parëndësishme. E çfarë pastaj se shkoi Kurti në SHBA? A u zgjidhkan problemet e Kosovës me një vizitë? Vallë kjo është strategjia juaj e marketingut, sa herë që situata e brendshme dëshmohet e rrëmujshme, e mjerë dhe e pashpresë, sa herë që publikohen të dhënat e ekonomisë, kriteret e drejtësisë e perceptimi i kriminalitetit dhe korrupsionit nga ndërkombëtarët (që ju i quani sharlatanë) ju dërgoni kryetarin tuaj që të bëjë ndonjë vizitë diku, dhe popullit i jepni si placebo pamjet dhe fotografitë e takimeve që ka bërë jashtë vendit lideri i përjetshëm historik, i historive që janë shkruar e i atyre që nuk janë shkruar?

Edhe së fundi, Berat Buzhala, po, unë kam lindur dhe jam rritur në Tiranë dhe nuk arrij ta kuptoj shqetësimin tuaj për këtë fakt. Nëse keni në plan ta ndaloni me ligj aktivizimin politik në Kosovë të qytetarëve të Shqipërisë, nëse juve z.Buzhala që edhe emrin e keni prej Shqipërie, ju pengon prania e personave nga Shqipëria, nuk ju mbetet veçse të nxirrni një ligj që ta rregullojë këtë punë, meqë numrat i keni. Se përndryshe vendlindja as që duhet të kish rëndësi kur argumentohet mes dy të rriturish, sidomos kur mbahet parasysh fakti që ju nuk e keni aspak problem të hyni edhe në partneritete e negociata politike gjer edhe me ish-kriminelë të luftës. Meqenëse nuk është koha për ta zgjatur më tej këtë diskutim, edhe kështu të pakëndshëm nga ana juaj, do të mbetem me shpresën që herën e ardhshme të tilla mësymje e gafurrje të përshtatshme vetëm për nivelin e ndonjë trolli anonim, të mos vijnë të nënshkruara nga një deputet i parlamentit të Kosovës.

 

Nga Arber Zaimi

Autori eshte Koordinator i Komiteteve pranë Lëvizjes VETEVENDOSJE!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu