Modeli i dy Gjermanive sugjerohet për rastin Kosovë-Serbi

0
108

Modeli i bashkëpunimit të dy Gjermanive, në kohën kur në këtë vend kishte kufij mes vete, do të mund të ishte model i bashkëpunimit edhe mes Kosovës dhe Serbisë. Në një bisedë jo formale me gazetarët e Kosovës, të cilët po qëndrojnë në Beograd, zv.ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Michael Hasenau vlerësoi se nuk është e domosdoshme që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, si parakusht për fillimin e normalizimit mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, raporton rtk.

Ai thotë se para shumë vitesh dy Gjermanit nuk e kanë njohur 20 vjet rresht njëra-tjetrën, por megjithatë janë ulur pranë njëra tjetrës në Kombet e Bashkuara. Andaj, sipas tij, Kosova dhe Serbia do të mund të uleshin për të diskutuar përmirësimin e raporteve ndërmjet vendeve duke lënë anash fillimisht çështjen e njohjes reciproke.

Diplomati gjerman mendon se do të ishte një veprim i mirë në rast se këto dy vende fillimisht hapin zyra komunikimi në Prishtinë dhe Beograd, zyra këto që nuk do të kishin statusin e ambasadave por që do të shërbenin si urë komunikimi mes të dyja vendeve. Sidoqoftë, diplomati gjerman konsideron se të gjitha proceseve të fillimit të normalizimit të raporteve do t’i paraprijë takimi mes Thaçit e Daçiqit i cili do të nënkuptojë shumë për proceset e ardhshme.

Takimi mes Thaçit dhe Daçiqit në kabinetin e baroneshës Ashton ka zgjatur mbi 1 orë e gjysmë.Pas këtij takimi, kryeministri i Serbisë tha se temë e bisedës ishte “arritja e ujdisë për dialogun” dhe paralajmëroi se në muajin nëntor do të mbahet takimi i ardhshëm, kurse deri atëherë udhëheqja serbe do ta ketë gati edhe platformën për administrimin e dialogut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu