Monopolet milionëshe të “Devollit”

0
243

Qendrës së Automjeteve të Kosovës (QAK), “Eurolab”, në pronësi të Shkëlqim Devollit, nuk i ka mjaftuar që të përfitojë miliona euro tash pesë vjet nga monopoli që ka për homologim të automjeteve, për po kaq kohë, ajo përfiton edhe nga 1.5 milion euro në vit vetëm për një foto, e cila u bëhet automjeteve që kryejnë kontrollin teknik në qendrat e kontrollit teknik në gjithë Kosovën.

Secili automjet që e kryen kontrollin teknik, nga pagesa prej 30 euro që bën, 5 euro i shkojnë kompanisë “Devolli”, e cila është aksionare në “Eurolab”. Devolli njëri nga financuesit kryesorë të partisë më të madhe në pushtet PDK, duke e parë se në vazhdimësi ka mbështetjen e politikës dhe se monopoli në këtë biznes i ka sjellë përfitime marramendëse, tani është përkujdesur që të lidhë kontratë me 106 qendra të kontrollit teknikë sa janë në tërë Kosovë.

Tashmë kanë filluar që t’u kërkojnë lidhjen e kontratës qendrave të kontrollit teknik. Mirëpo, Ministria e Infrastrukturës e cila ka nën kontroll QAK-un, thotë se nuk është e obliguar të arrihen marrëveshje me qendrat për kontrollim teknik të automjeteve. Kurse arsyetimi i QAK-ut është se këto kontrata u duhen për shkak se kanë nevojë të bëjnë unifikimin e transaksioneve bankare.

Manxhuka: 5 euro, plaçkë ndaj qytetarëve

Kryetari i Shoqatës së Qendrave të Kontrollit Teknik, Mirsad Manxhuka, ka hedhur një varg akuzash dhe kritika në drejtim te Ministrisë së Infrastrukturës. Manxhuka, sipas të cilit, “Eurolab” është favorizuar tash pesë vjet, e cila ka monopol në këtë shërbim.

Ai ka thënë se shuma prej 5 euro për verifikimin e paraqitjes fizike të mjetit në qendrën e kontrollit teknik përmes kamerës është plaçkë, e cila po u bëhet qytetarëve të Kosovës.

“Ka pasur kompani e cila të njëjtin shërbim e ka ofruar edhe me 1 euro, plus ka ofruar edhe incizimin e gjithë procedurës, ku bëhet kontrolli teknik”, ka bërë të ditur Manxhuka.

Ai është ankuar se qendrat e kontrollimit teknik janë ngarkuar që të marrin nga qytetarët nga 5 euro për këtë shërbim të cilat mandej i transferohen në xhirollogari QAK-ut. “300 mijë automjete janë në Kosovë, dhe nga 5 euro, bëjnë 1.5 milion euro, të gjitha këto para në i mbledhim për QAK, pa kurrfarë përfitimi”, ka thënë Manxhuka.

Qendra e Automjeteve të Kosovës tani e 5 vjet ka edhe monopolin për homologimin e automjeteve, për të cilin shërbim qytetarët e Kosovës detyrohen të paguajnë nga 130 euro.

Ministria nuk obligon kontrata

Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët edhe kanë autorizuar QAK-un që të kryejë shërbimet e mbikëqyrjes profesionale të qendrave të kontrollit teknik, kanë thënë se nuk është e obliguar që t’u ofrojë kontrata qendrave të kontrollit teknik. Sipas tyre, Udhëzimi Administrativ nuk e përcakton një gjë të cilën QAK-u po synon ta bëjë. “Kamerat shërbejnë për verifikimin e paraqitjes fizike të mjetit në qendrën e kontrollit teknik.

Ky proces kryhet përmes kamerave, të cilat posedojnë mundësinë e leximit të tabelave dhe ruajtjen e fotove të mjetit i cili kryen verifikimin e rregullsisë teknike”, thuhet në përgjigjet e kësaj Ministrie. Nga kjo Ministri thuhet se QAK “Eurolab” në mbështetje të Ligjit për Siguri në Komunikacionin Rrugor posedon autorizim për ofrimin e këtij shërbimi, por, sipas tyre, ky autorizim është i afatizuar, me mundësi të vazhdimit.

QAK-u nuk e pyet Ministrinë, kërkon kontrata

Përfaqësuesi i QAK-ut “Eurolab”, Riza Gjakova, thotë për “Zërin” se në periudhën e kaluar ka pasur laramani ne formën e pagesës së obligimeve të qendrave të kontrollimit teknik ndaj QAK-ut dhe, sipas tij, kjo po i shtynë që të lidhin këto kontrata.

“Për t’i unifikuar transaksionet bankare në mes të QAK-ut dhe QKTA-ve, palët kontraktuese kanë nënshkruar kontratën konform procedurave të kërkuara nga bankat dhe pa cenuar kërkesat e U.A. 2008/08”, ka thënë Gjakova, duke shtuar se të njëjtën përgjigje i kanë dërguar edhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Ai ka bërë të ditur se QAK-u do të vazhdojë të shpërndajë këto kontrata te qendrat e kontrollimeve teknike. “Janë numër i vogël që nuk duan ta bëjnë këtë kontratë. Nuk mund ta di se sa kanë nënshkruar, por janë motive tjera këto të cilët po e kundërshtojnë”, ka thënë Gjakova.

 

Nga: Liridon Llapashtica


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu