Mos na quani shqiptaro – maqedonas, jemi shqiptarë të Maqedonisë

0
158

Mediat në Shqipëri vazhdojnë të quajnë shqiptarët e Maqedonisë si shqiptaro – maqedonas, një emërtim dhe identitet i shpifur.

Në faqet e të gjitha gazetave mund të hasësh një emërtim të tillë që përbën një skandal se si shpifet një identet i paqenë nga një mentalitet i një hapësire mediale në tërësi.

Intelektualë dhe gazetarë shqiptarë në Maqedoni reagojnë ndaj këtyre emërtimeve shpifëse dhe që në thelb janë të dëmshme.

Profesori universitar Avzi Mustafa vlerëson se këto tendenca janë të dëmshme dhe janë pasojë e një mentaliteti mediokër që është i pranishëm tek mediat shqiptare.

“Duhet ndërpriten emërtimet e tilla. Sepse me këto emërtime ata na llogarisin se ne jemi si emigrantë apo diasporë në Maqedoni. Shqiptarët e Maqedonisë janë autokton dhe duhet të llogariten ashtu siç janë, e jo të emërtohen ashtu siç është praktikë në mediat e Shqipërisë si maqedonsa apo shqiptaro – maqedonas. Në kontekstin gjeografik nëse duhet të përdoret, atëherë le të përdoret ajo që u takon shqiptarëve, dhe të quhen shqiptarë të Shqipërisë Lindore. Por, do të ishte më e drejt që shqiptarët që jetojnë në Maqedoni të thirren shqiptarë të Maqedonisë”, thekson profesori i albanologjisë në Universitetin e Shkupit, Avzi Mustafa.

Sipas tij,  mediat dhe politikanët në Shqipëri duhet të vetëdijesohen dhe të përdorin termin shqiptar i Maqedonisë dhe jo termat shqiptaro – maqedonas.

“Ne jemi një komb një identitet shqiptar dhe nuk dallojmë me shqiptarët në Shqipëri, derisa na dallon shumë nga maqedonasit. Nga ana tjetër, shteti i Maqedonisë për një grusht popullsie të deklaruar maqedonas i emërton maqedonas dhe jo sipas logjikës së mediave shqiptare maqedonaso shqiptarë”, thekson profesori Mustafa.

Një grup intelektualësh me nismën e agjencisë së lajmeve INA së shpejti do t’i drejtojnë një peticion mediave dhe institucioneve shqiptare, deri tek kryeministri, presidenti dhe instancat e tjera shqiptare me kërkesën për ndërprerjen e emërtimeve të tilla shpifëse ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.

“Qëllimi ynë është që të ndërpritet praktika e tillë, sepse konsiderohet si fyese dhe denigruese për çdo shqiptarë në Maqedoni.  Me këtë fushatë kërkojmë mbështetje nga mediat, intelektualët shqiptarë dhe institucionet që të ndërpritet emërtimi i tillë i shpifur”, thekson Naser Pajaziti, një nga drejtuesit e agjencisë së lajmeve INA.

Më poshtë vijojnë edhe rastet e emërtimeve shqiptaro – maqedonas:

Një takim në dukje “simbolik” shprehje e bashkëpunimit normal mes dy qeverive, por që realisht është një etapë, një hap konkret drejt realizimit të një platforme, e cila është skicuar nga dijetari dhe publicisti shqiptaro maqedonas Arbën Xhaferri në vitin 2007. (GazetaDita.al, 08/01/2014)

Tetëmbëdhjetë vjet pas zhdukes së biznesmenit shqiptaro – maqedonas, Remzi Hoxha (Panorama 22.12.2013)

Përfundon në pranga shqiptaro-maqedonasi i shumëkërkuar për trafik ndërkombëtar droge. 44-vjeçari Mevlund Refati nga fshati Frëngovë i Maqedonisë. (Gazeta Shqiptare 14.06.2010)

Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, në një prej hoteleve, pranë vilave gjermane në Tiranë, ku maqedonasi Agim Emini, 52 vjeç, pasi plagosi të dashurën e tij, A.S 21 vjeç, vrau edhe veten. (Gazeta – Shqip/15.08/2013)

Shqiptaro-maqedonasi Nijas Lena është ndër lojtarët e kampionatit të shkuar të Flamurtarit që pritet të vazhdojë aventurën e tij me vlonjatët për të paktën edhe një sezon futbollistik. (http://www.panorama-sport.com / 10.07.2013)

(M.Mellova/INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu