Motra e Haklajve: Kërkojnë t’i mbyllin gojën Hamdiut

0
247

Tani Sali Berisha mund të flejë më i qetë”, është shprehur motra e madhe e Hamdi Haklajt, Aishja pasi ka mësuar lajmin për arrestimin e vëllait të saj në Goteburg të Suedisë. Deri disa muaj më parë ajo ka punuar për vite me radhë si drejtoreshë e shkollës së mesme në fshatin e Bujan e më pas si drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare. Aktualisht Aishja me familjen e saj banon në një apartament me qira kryeqytet. Pas kontrollit që iu bë kullës së prindërve të saj në Kërnajë nga forcat RENEA 9 prillin e kaluar, Aishes iu pushua nga puna pa ndonjë motiv zyrtar dhe vajza e mesme Arlinda Basha, e cila bënte pjesë në personelin e repartit “Shqiponja” në policinë e kryeqytetit. Aishe Basha(Haklaj) është e vetmja pjestare e familjes Haklaj që lëviz lirisht pas vrasjes në atentate të tipit mafioz të vëllezërve të saj dhe shpalljes në kërkim ndërkombëtar të vëllait të madh Hamdiut dhe motrës së saj të vogël, Zylfies. Ajo aktualisht ndjek çdo seancë të dy proceseve gjyqësore që janë duke u zhvilluar në Gjykatën e Tiranës në ngarkim të Hamdiut dhe Zylfies. Gjatë vitit të kaluar ajo ka denoncuar në policinë e kryeqytetit një tentativë të dështuar për eleminimin e saj fizik të organizuar nga një funksionarë policie, çështje e cila është në hetim nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendëshme dhe nga Prokuroria e rrethit Gjyqësor Tiranë. Pas publikimit të lajmit për arrestimin e vëllait të saj Aishe Basha(Haklaj) ka dhënë një intervistë për “Gazetën Shqiptare” ku shpjegon përse Hamdiu u vendos në krye të listës së personave më të kërkuar nga Policia e Shtetit dhe kush është i interesuar për eleminimin e tij fizik për të zhdukur përfundimisht një nga dëshmitarët më të rëndësishëm që mund të hedhë dritë mbi të skenarin e përgjakshëm të dekadës së fundit në Tropojë.
Nga e mësuat lajmin për arrestimin e vëllait tuaj?
Fillimisht nga mediat dhe më pas kam parë zv-ministrin e Brendshëm Gjergj Lezhja. Zoti Lezhja tha se Hamdiu ishte një nga dhjetë personat më të kërkuar në Shqipëri, por në të vërtetë ai ishte më i kërkuari në Shqipëri. Arrestimi i tij nuk ishte thjeshtë një prioritet për Policinë e Shtetit, por ishte urdhër-ultimatum nga kryeministri Berisha, i cili tashmë mund të flejë më i qetë.
A keni patur kontakte me vëllain tuaj pas arrestimit nga Interpoli apo të afërm të tjerë që ndodhen në Suedi?
Jo nuk kam patur asnjëlloj kontakti direkt, por shpresoj se drejtësia e një vendi aq të zhvilluar sa Suedia do të marrë vendim të drejtë kur të mësojë se pse ishte detyruar Hamdi Haklaj të largohej nga vendlindja dhe kush fshihet pas vrasjes së katër vëllezërve të tij. Me sa di Hamdiu ka aplikuar për të përfituar statusin e azilantit politik në Suedi për shkak të tragjedisë dhe hakmarrjes primitive që i ka ndodhur familjes sonë nga personi që ndodhet sot në krye të vendit.
Pse mendoni se jeta e vëllait tuaj rrezikohet nëse ai ekstradohet në Shqipëri?
Opinioni në Shqipëri ka më shumë se një dhjetëvjeçar që është njohur tashmë me konfliktin e hapur të familjes sonë me kryeministrin Berisha dhe njerëzit e tij që pasi përmbushën detyrën duke eleminuar njëri pas tjetrit vëllezërit e mi tashmë ndodhen në poste drejtuese në Policinë e Shtetit. Ky konflikt ka patur qysh në fillim motive politike, pasi vëllezërit e mi nuk i janë nënshtruar ish-presidentit të vendit gjatë trazirave të vitit 1997 kur ai kërkonte mercenarë për të përgjakur dhe shtypur me dhunë jugun e vendit. Më pas Hamdiu i ka dëshmuar në një intervistë në media akuzat ndaj kryeministrit dhe njerëzve të tij. Deklarata e zv-ministrit të Brendshëm Lezhja se Hamdi Haklaj është një dëshmitar i rëndësishëm për më shumë se 30 ngjarje të rënda në Tropojë, është po aq e vërtetë edhe për persona të tjerë që janë në krye të vendit por që asnjëherë nuk kanë pranuar të shkojnë të dëshmojnë në Gjykatë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu