Mujota “privatizon” patentë-shoferët

0
191

Drejtuesit e Ministrisë së Infrastrukturës kanë filluar iniciativën për t’i privatizuar qendrat për testimin e kandidatëve për patentë-shoferë. Ata kanë hartuar një koncept-dokument, në të cilin janë paraparë tri propozime se si do t’iu ndërrojnë statusin qendrave ku personat mbi moshën tetëmbëdhjetëvjeçare testohen nëse janë të përgatitur ose jo për t’u bërë drejtues të automjeteve në kategori të ndryshme.

Propozimi i parë i këtij koncept-dokumenti, të cilin e ka siguruar gazeta, parasheh që qendrat të mbesin ashtu siç janë, nën ombrellën e Ministrisë së Infrastrukturës, por të investohet në ngritjen e cilësisë.

Propozimi i dytë, parasheh që të krijohet një Agjenci e Pavarur për Patentë-shofer, e cila siç thuhet do të mbikëqyret nga Ministria, sa i përket organizimit do të jetë i pavarur, ndërsa do të financohet nga Buxheti i Kosovës. Ndërkaq, propozimi i tretë parasheh privatizim, ose partneritet publiko-privat për pesë vitet e ardhshme.

Autoshkollat kundër privatizimit

Shpalosja e idesë për privatizimin e mundshëm të Qendrave në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë, Pejë dhe Prizren ka shqetësuar tej mase komunitetin e autoshkollave, të cilët janë të bindur se nga ky proces së paku tetëqind instruktorë, sa janë të angazhuar nëpër autoshkolla nëpër Kosovë do të mbesin pa punë.

Për të marrë qëndrimin e drejtuesve të autoshkollave, drejtori i Departamentit të Automjeteve, Nebih Shatri, para disa javëve ka organizuar një debat publik, ku është kundërshtuar ideja e privatizimit të qendrave, dhënies me koncesion, apo krijimit të një agjencie të pavarur e cila do t’i menaxhonte ato.

Kryetari i Federatës së Autoshkollave të Kosovës, Xhemshit Cakolli, thotë se federata është përcaktuar për propozimin e parë, përkatësisht që qendrat të funksionojnë nën ombrellën e Ministrisë së Infrastrukturës, por që të investohet në to, përkatësisht të ngrihet cilësia në testimin e kandidatëve dhe të pamundësohen manipulimet gjatë testimit.

Ai tregon se Federata që përfaqëson rreth katërqind autoshkolla, sa janë gjithsej në Kosovë, nëpërmjet një shkrese zyrtare ka njoftuar drejtuesit e Ministrisë së Infrastrukturës për qëndrimin e saj kundër ndërrimit të statusit të qendrave.

“Propozimi i autoshkollave është që të zbatohet sistemi i sigurimit së cilësisë – mbajtja e seminareve për instruktorë, krijimi i bazës qendrore për ruajtjen e të dhënave – regjistrimi i kandidatëve dhe paraqitja e provimit të bëhet online, monitorimi online i testit teorik në autoshkolla, monitorimi online i testit praktik në automjetet e autoshkollave, trajtimi i vazhdueshëm i pyetësorëve, mbajtja e seminareve”, thuhet në shkresë.

Cakolli është i bindur se çdo formë e privatizimit do ta shkatërronte procesin e dhënies së patentë-shoferëve, dhe se do të shtoheshin maksimalisht manipulimet me teste.

“Momentalisht qendrat janë në kuadër të shtetit. Dhe nëse tash ministria ka vërejtje që ka dobësi apo keqpërdorime të formave tjera, çka do të bëhet nëse kalohet në një formë private. Atëherë nuk dihet se kush do ta kontrollojë atë dhe çfarë forme do të ketë”, thotë ai.

Kryetari i Federatës së Autoshkollave të Kosovës thotë se propozimi i tretë, që parasheh koncesionin publiko-privat “është katastrofë e madhe që mund t’i ndodhë Kosovës”.

Ministria: Ideja në përputhje me BE-në

Krejtësisht ndryshe nga komuniteti i autoshkollave mendojnë zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës. Nismën për t’ua ndryshuar statusin qendrave për testimin e kandidatëve për patentë-shoferë, ata e shohin si veprim “në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian”.

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, nuk ka gjetur kohë që të japë një prononcim për çështjen në fjalë, por këshilltari i tij, Lahë Nitaj, i ka thënë “Zërit” se Departamenti i Automjeteve e ka bërë një draft-dokument, me të cilin planifikohet që qendrat të bëhen më moderne.

“Ky koncept-dokument i ka disa variante. Do të shihet në procesin e mëtutjeshëm, edhe pas fizibilitetit se si do të definohet. A do të shkojë me partneritet publiko-privat, a do të ketë formë tjetër, por është diçka që do të punohet”, thotë ai.

Nitaj thekson se nëse pasi të bëhet studimi i fizibilitetit ekziston mundësia që qendrat të jepen me partneritet publiko-privat, atëherë edhe mund të ndodhë një gjë e tillë.

“Mund të jepet siç është dhënë aeroporti, me koncesion. Ministria po i udhëheq dhe po i menaxhon qe katërmbëdhjetë vjet pas luftës, por nevojat për integrime dhe nevojat për ngritje të cilësisë dhe kualitetit, edhe rritjes së besimit, meqë ne pretendojmë që të bëhemi pjesë e BE-së, edhe të kemi standarde tjera në këtë fushë, është një prej arsyeve që është menduar të veprohet kështu”, thekson Nitaj.

Kundër dhënies me koncesion, apo privatizimit të qendrave janë edhe anëtarët e Lëvizjes “Vetëvendosje”. Dardan Sejdiu nga kjo organizatë thotë se heqja “qafesh” e qendrave për testimin e kandidatëve është heqje dorë nga siguria publike dhe përpjekja për të menaxhuar atë.

“Duke privatizuar, apo hequr dorë nga këto qendra, qeveria heq dorë nga përkujdesja që i duhet bërë sigurisë publike, aspekt kyç i çdo qeverisjeje. Kjo qeveri duket se çdo sektor, në të cilin sheh ndonjë mundësi për të përfituar privatisht anëtarët e saj, e privatizon, dhe në asnjërën prej rasteve interesi publik nuk është qëllimi”, thotë ai.

Sejdiu thekson se qendrat në fjalë tash e një kohë të gjatë nuk janë duke e kryer detyrën e tyre siç duhet, ngase, siç thotë ai, sistemet e monitorimit nuk janë në funksion dhe si të tilla po lejojnë maniverzime të shumta.

Kamerat monitoruese “offline”

Disa vite më parë Ministria e Transportit ka instaluar kamerat nëpër qendra, me qëllim që gjatë testimit të kandidatëve t’i monitorojë keqpërdorimet e mundshme. Por këto kamera pak kohë pas vendosjes janë prishur dhe më nuk janë funksionale.

Për drejtuesit e Federatës së Autoshkollave të Kosovës mosfunksionimi i kamerave është dëm për shtetin, dhe mundësi që persona të caktuar të korruptohen nga kandidatë që nuk janë të përgatitur që t’ia kalojnë testin teorik.

“Kamerat janë vendosur sa për reklamë, asnjëherë nuk qenë funksionale. Që nga koha e ish-ministrit Fatmir Limaj, asnjëherë nuk kanë qenë në funksion. Shkruan edhe me udhëzim administrativ, aty ceket shumë mirë se do të vendosen kamerat dhe do të bëhet monitorimi online i mbajtjes së provimeve në pjesën teorike. Ne kemi kërkuar që nga themelimi që të bëhet kjo, por nuk është bërë. Në Ministri disa herë na kanë thënë se në mungesë të mjeteve financiare nuk po i vendosin, kështu janë arsyetuar”, thotë ai.

Ndërsa, Lah Nitaj nga Ministria e Infrastrukturës thotë se nuk ka përgjigje pse nuk funksionojnë kamerat, ndërsa thekson se tash e dy vjet kamerat janë problem që trajtohen në ministri.

“Tash së fundi nga sekretari është iniciuar ideja për vendosjen ose rifunksionalizimin e tyre, por ka një aspekt teknik i cili duhet të rregullohet, duhet të ndërrohet serveri, pastaj duhet vlerësim i përgjithshëm, vendosje e kamerave, e gjëra të tilla”, thekson ai.

Ministri injoron Federatën e Autoshkollave!

Para rreth dy jave drejtuesit e Federatës së Autoshkollave të Kosovës kanë kërkuar takim me ministrin Fehmi Mujota, për të diskutuar për koncept-dokumentin për qendrat, dhe për problemet me të cilat ballafaqohen autoshkollat, por ata janë injoruar nga ai, nga i cili as nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Kryetari i kësaj federate, Xhemshit Cakolli, thotë se kanë kërkuar takim me ministrin ngase “drejtori i Departamentit të Automjeteve, Nebih Shatri, na ka thënë se disa politika nuk varen nga unë por caktohen nga lart, nga ministri dhe sekretari permanent”.

Nga: Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu