Na lipset një President Republike pa “nishan”

0
83

Debati që ka lindur lidhur me qëndrimin ndaj Nishanit të “(vetë) terrorizuar”, pas ngjarjes së SHQUP-it, ka nxjerrë në pah problemin tonë madhor kushtetues: Çfarë Presidenti lipset të kemi mbas sodit? Një President partizan, partiak, d.m.th. një lepitkë e borxhli “me kokë në torbë” ndaj kryeministrit, i cili e përzgjedh dhe emëron, apo një President të popullit e për popullin, një figurë që të jetë garant i kushtetueshmërisë dhe Kushtetutës, mbrojtës i palëkundur i unitetit dhe i balancës së pushteteve? Është provuar tashmë se misionin përbashkues dhe qëndrimin mbi palët e politikës, me këtë kuadër kushtetues që kemi e, rrjedhimisht, edhe me këtë mënyrë klienteliste të përzgjedhjes, nuk i kryen dot as edhe një President “konsensual”.

Që nuk ka balancim e kontroll reciprok të pushteteve, dhe që, edhe ato institucione dhe titullarë që me Kushtetutë cilësohen e përcaktohen si të pavarura, nuk janë të tilla, teksa i pavarur nuk është dhe zor se mund të jetë në Shqipërinë e sotme edhe Presidenti i Republikës. Nuk mund të pretendohet për pavarësi dhe për integritet as nga SHISH, as nga KLD, as nga KLSH, as nga KQZ, as nga RTSH, as nga ILKDP etj., etj, teksa Presidenti i një vendi, Qytetari i parë, gjendet në pozitën e vështirë të Nishanit.

Nuk është rasti i parë dhe as i fundit ky që provon se ndryshimet kushtetuese, veç të tjerash, e kthyen Republikën parlamentare në një Republikë monarkike të pashpallur, kryeministrore, ku kryeministri ka të drejtë të harbojë e lodrojë si zot absolut mbi ligjet, mbi Kushtetutën, mbi të drejtën e të padrejtën, mbi të gjitha organet e varura e të pavarura, mbi pronat publike e private, mbi Kuvendin e gjyqësorin, mbi Gardën dhe Policinë, mbi gradat, titujt, ofiqet e favoret, mbi Ushtrinë, mbi armët që shiten bashkë me pronat e saj, mbi privatizimet, legalizimet, çmimet, prishje-ngritjet e ndërtimeve me e pa leje, madje edhe mbi llojin e pluralizmit që do të duhej të kishim për të justifikuar kinse sistemin demokratik.

Nëse paraardhësit e Nishanit na provuan me apo pa dashje se sa të pafuqishëm dhe sa të pambrojtur ishin përballë yryshit dhe hyxhymit të papërballueshëm të kryeministrit Berisha, – kur ky dilte para kamerave dhe i quante publikisht, njërin “horr bulevardi” e tjetrin “një pensionist që luante domino e hante misra të pjekura”… e këta ishin të pazotë të bënin gëk-mëk, – Nishani na provoi këto ditë, me gjynahqarllëkun e vet, se sa pa dinjitet mund të jetë një President i emëruar me klientelizëm klanor e partiak.

E megjithatë në të vërtetë çështja “Nishani” nuk është aq e thjeshtë e nuk duhet gjykuar vetëm si një çështje e karakterit vetjak, si po lihet të kuptohet, po më së shumti si një çështje Kushtetute, si një marrëdhënie shtetërore që ka lidhje, qenësore me fytyrën dhe me formën e shtetit që kemi… Rrezik edhe Merkeli apo edhe Obama të emërohen në atë post, zor se mund të sillen më me dinjitet e integritet sa u tregua zoti Moisiu apo Topi, i cili, kur u vu me shpatulla në mur, i foli popullit “me heshtjen e vet”…

Janë ndryshimet brenda një nate të Kushtetutës që e degraduan në këtë derexhe postin dhe rolin e Presidentit të Republikës. Por qenka edhe lënia, qëllimisht, pa një ligj organik e funksionimit të Presidencës, si organi më i lartë kushtetues i vendit. Jo rastësisht Presidenti është ngjizur pas ndryshimeve të Kushtetutës që të jetë “ligjërisht” një lepe-peqe i kryeministrit, me më pak të drejta se një këshilltar i këtij të fundit. Ai është i detyruar të firmosë dekretet (kupto: urdhrat) dhe emërimet që i vijnë nga kryeministri, i cili e ka emëruar, se, përndryshe, Qytetari nr.1 le të gjejë vrimë ku të futet po kundërshtoi! Ashtu si ndaj deputetëve dhe ministrave, trysnia “kush të bëri ty me post?” ndaj Presidentit ka peshë më të rëndë, sigurisht jo vetëm morale, për shkak të funksionit të Presidentit.

Sa për të ilustruar këtë absurd, puna ka shkuar deri aty, sa në mënyrë qesharake, vite më parë, parada ushtarake u shty gati një orë në pritje të kryeministrit Nano, që Presidenti Moisiu të hapte ceremoninë dhe të mbante fjalën e rastit për Forcat e Armatosura të rreshtuara në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”… Edhe fondet financiare nga qeveria për institucionin e Presidencës janë dhënë e jepen sipas humorit të kryeministrit ndaj Presidentit dhe sjelljes puthadore të këtij të fundit. As në vendet afrikane, në Zululandin e Konicës, nuk kemi dëgjuar të ketë sherr kaq vulgar: Kush do quajtur Zonjë e Parë, bashkëshortja e kryeministrit apo vajza e Presidentit? Ashtu si RTSH, televizioni ynë publik e zyrtar, jo vetëm një herë dhe as rastësisht ka sajuar kronika “të pafajta”, ku jo vetëm lihej si lajm i dorës së fundit Presidenti, por rëndom thuhej zëplotë se kryeministri Berisha u shoqërua në filan veprimtari kombëtare, madje edhe ndërkombëtare, nga Presidenti i Republikës!
Sigurisht që këta janë shembuj groteskë, tribalë e ballkandollë që shërbejnë për të kuptuar se si dhe përse është shfytyruar e nëpërkëmbur kësisoj posti dhe roli i “qytetarit të parë të Republikës”… E, bashkë me të, edhe autoriteti i shtetit.
Por problemi në fakt nuk qëndron vetëm te protokolli, sesa te funksionimi ligjor, kushtetues. Te roli i Presidentit. Pse jo, edhe te mosbesimi që injekton ky “shembull” i dëmtuar e sakatuar te ndërkombëtarët dhe më pas edhe te qytetarët e zakontë. Se, afërmendsh, derisa Presidenti i një vendi trajtohet në këtë farë feje, duke u nëpërkëmbur e duke u poshtëruar ditën për diell, kur Presidenti është kaq i pambrojtur, i pafuqishëm, i poshtëruar nga ekzekutivi dhe i lënë pa dinjitet, si mund të ndihet një qytetar i thjeshtë?

Nëse do të kishim një President normal e dinjitar, shtetar e atdhetar, ai nuk do të mund të fliste për “terrorizimin” që po iu bëka familjes presidenciale, – nëse ka apo nuk ka konflikt interesi lidhur me aferën e SHQUP-it. Një President normal i një shteti normal do të mbante qëndrim të prerë zyrtar, më së pari për terrorizimin që po u bëhet jo vetëm emigrantëve tanë, por edhe shtetit shqiptar nga një vend fqinj si Greqia, e cila, hapur e pa pikë droje ditët e fundit ka guxuar të fusë jo vetëm hundët e Ministrisë së saj të Jashtme, por edhe këmbët e nazistëve grekë në territorin dhe në punët e brendshme të Shqipërisë, në një çështje aq delikate sa ç’është harmonia fetare dhe etnike.
Pyetja në këtë rast është e thjeshtë: Cilës shoqëri dhe cilit shtet demokratik do t’i lipsej një President që hesht për hallet e mëdha të kombit e të shtetit e nuk i del zot vendit, po vetes dhe namuzit të cenuar të familjes së tij kur kritikohet me apo pa të drejtë? Kur dyshohet se po sillet si një noter i partisë që e ka emëruar? Kur përdoret si mish për top në propagandë nga ata që e humbën pushtetin? Kur vihet kundër një pale?… E pra, sot ne kemi një President që qan hallin e familjes së vet para hallit të familjes kombëtare. Nuk mjafton ngushëllimi se të këtillë nuk e kemi zgjedhur ne, si popull, as konsensusi, as marrëveshja mes dy partive kryesore dhe as rekomandimi i ndonjë ambasade “fuqiplotë” në Tiranë, po vetëm një parti, madje vetëm një njeri, kryeministri ish-fuqiplotë, Sali Berisha.
***
Debati për Nishanin sidoqoftë vlen për të kuptuar se asnjë reformë e premtuar, të cilat shpresohet se “do t’ia kthejnë shtetin qytetarëve”, nuk mund të kryhet pa ngritur në këmbë Republikën e mohuar e të rrëzuar. Mesazhi themelor i 23 qershorit që dha populli duke i besuar së majtës një shumicë absolute, ishte pikërisht ky: të ringrihet Republika, të mëkëmben institucionet, të vendoset parimi se “para Drejtësisë të gjithë janë të barabartë”, që edhe shoqëria jonë të funksionojë si demokraci. Por që të bëhet kjo duhet të bëhen ndryshime kushtetuese, dhe në to, më së pari, duhet të jenë ato që përcaktojnë rolin dhe mirëfunksionimin e Presidentit. Sepse tek ne, edhe Presidenti njëpartiak, edhe ai konsensual, kanë dështuar. E bashkë me të edhe krerët dhe institucionet që emërohen e varen prej tij. Prandaj na lipset një President i çliruar nga prangat e kryeministrit. Na duhet një personalitet i dalë direkt nga vota popullore, i cili është i vetëdijshëm se në borxh është i detyruar të jetë vetëm me popullin dhe jo me partinë… Ca më keq me kreun e radhës të partisë e të ekzekutivit.
Pa u marrë kjo nismë, gjithçka tjetër do të jetë, në mos një fasadë, një tatuazh në trupin e lodhur të shoqërisë.

 

NGA: KICO BLUSHI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu