Nait Hasani: EULEX-i po zbaton misionin e Serbisë në Kosovë

0
200

Gjatë debatit në Kuvend për siguri dhe sundimin e ligjit, deputeti i PDK-së Nait Hasani ka akuzuar EULEX-in se po zbaton misionin që ka Serbia për Kosovën, në vend se të vërë rend dhe ligj. Ai ka kërkuar formimin e një grupi deputetësh që do shkojë në Parlamentin Evropian për të denoncuar veprimtaritë e EULEX-it në Kosovë. Sipas Hasanit, arrestimi i pjesëtarëve të UÇK-së nga EULEX është bërë me urdhër të shërbimeve sekrete serbe. Shumë nga këta pjesëtarë të shërbimeve serbe janë të punësuar brenda EULEX-it dhe Policisë së Kosovës. Sipas tij, EULEX-i po vepron me dy standarde të dyfishta sepse në njërën anë arreston shqiptarë dhe fillon hetime ndaj tyre pa kurrfarë baze, kurse në anën tjetër nuk ndërmerr as edhe një veprim për të arrestuar dhe shpërbërë bandat kriminale në veri. Për të evituar këtë, deputeti Hasani ka kërkuar që institucionet e vendit ta marrin vetë në duar sistemin e drejtësisë dhe sigurisë në vend, ndërkohë që EULEX duhet te këtë vetëm rol këshilldhënës.

Limaj: Arrestimet e luftëtarëve të lirisë po bëhen me qëllim të zgjatjes së misionit të EULEX-it

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj ka ngritur zërin ndaj arrestimit dhe burgosjes së ish-luftëtarëve të UÇK-së. Gjatë debatit të sotëm për situatën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, Limaj  tha se trajtimi i ish-luftëtarëve të UÇK-së si kriminelë dhe mafiozë bëhet me qëllim që t’i zgjatet jeta edhe më tej misionit të EULEX-it. Thëniet se askush nuk është mbi ligjin, Limaj i përgënjeshtroi duke thënë se shumëkush është mbi ligjin, duke vepruar sipas interesave politike. Gjatë fjalës së tij, ai nuk ka lënë pa kundërshtuar edhe deklaratat e ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, i cili deklaroi se situata e sigurisë është e qetë. Sipas tij, situata nuk mund të quhet e tillë kur kihet parasysh fakti se dhunohen institucionet e Kosovës dhe nuk respektohet kushtetushmëria në veri. Ai vuri në dukje, se problem kryesor për mosfunksionim e duhur është mungesa e besimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare në vendin tonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu