Nano-Ramës: Unë kandidati për President, ose krijova partinë e re

0
358

TIRANE-Fatos Nano i bëri thirrje kreut të PS, Edi Rama që ta kandidojë në Parlament për Kreun e Shtetit ose në të kundërt brenda selisë rozë do të ketë një tjetër lëvizje politike, rreth të cilës i janë bashkuar paraditen e së shtunës shumë emra të njohur të së majtës shqiptare. Ky apel bëhet një ditë para takimit që pritet të kryhet mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.

Kandidati i vetëofruar për president, Fatos Nano ka nisur gjatë ditës së sotme takime intensive në zyrën e tij me ish-deputetë, ish-drejtues qëndrore dhe lokale të PS, me drejtues e aktiviste të shoqërise civile si dhe me të rinj e të reja.  Koordinatori për Shoqërine Civile në Lëvizjen e Re të Fatos Nanos bëri të ditur se takimet janë fokusuar në shpjegimin dhe shkëmbimin e ideve dhe vizionit të Fatos Nanos në ambicien e tij për t’u vetëofruar për të shërbyer si President Republikës.
Nga i njëjti burim, mësohet se, Fatos Nano ka shpjeguar se vetëofrimi i tij më së shumti ka synuar të piketohet me PS dhe kandidimi i tij të niset dhe të mbështetet nga PS kjo me arsyen sepse Fatos Nano ka qenë për 15 vjet Kryetar i kësaj partie.

Në këto takime është folur edhe për ngurimin e gjatë të pakuptueshëm dhe të paarsyeshem të Kryetarit të PS, Edi Rama, për ta mbështetur politikisht dhe me firma kandidimin e Fatos Nanos për President.
Ndër të tjera është diskutuar edhe për mundësine e moskandidimit të Fatos Nanos për shkak te mosmbështetjes nga Edi Rama.

Në rast se PS nuk e mbështet, atëhere ekziston mundësia për krijimin e një partie të re politike që do të mbështetet nga ata që duan ti dalin zot fateve të kombit.

“Në nje rast të tillë, nëse Edi Rama nuk e mbështet Fatos Nanon në kandidimin për President, atëhere në këto takime u përcaktua gatishmëria për fillimin e përgatitjeve për një lëvizje të re politike përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që duan t’i dalin për zot fateve te Shqiperise dhe që e duan Shqipërinë Europiane. U caktua edhe një grup pune që do të koordinojë përgatitjet e kësaj lëvizjeje që mund të fillojë pergatitjet që javën e ardhshme”.

Rama kryesisë: Më sillni propozimet për President
Pak ditë më parë, kryesocialisti Rama mblodhi dy herë Kryesinë e Grupit Parlamentar. Në një mbledhje të mëngjesit, Kryesia e Grupit, e cila shumë herë cilësohet si “kryesia e vogël”, ka kërkuar nga anëtarët e saj të mbledhin propozimet e deputetëve për kandidatin për President që duhet të artikulojë PS. Kryesia e Grupit Parlamentar, ku bëjnë pjesë nënkryetarët e Grupit, sekretari, kryetarët dhe nënkryetarët socialistë të komisioneve parlamentare, janë përpjekur gjatë paradites të grumbullojnë propozimet sipas porosisë së dhënë nga Edi Rama. Deputetët socialistë u informuan në mbledhjen e së martës nga kreu socialist se do të duhet të propozonin emra mbi të cilët Kryesia e PS të diskutonte për të përzgjedhur kandidatin e saj. Edhe pse kjo kërkesë e Ramës u prit jo pa ilaritet në sallën e mbledhjeve të Grupit, deputetët e morën si një veprim të menjëhershëm. Dje, kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare u kanë telefonuar disa deputetëve që kanë në komisionet e tyre për të dhënë një emër për kandidat. Mbledhja e pasdites, e cila nuk ka zgjatur shumë, është mbajtur në konspiracion të plotë dhe në mungesë të informacionit.

(d.b/BalkanWeb)

Lidhje te tjera
Kandidimi nga PS: Presidenti, zbardhet takimi sekret Nano-Ruçi
Malaj: Të përkrahim Nanon, presidenti, test për LSI-në

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu