Ndihma e Berishës për të hyrë në qelinë e Nanos

0
416
Mero Baze
Kishte thuajse dy javë që zhvillohej një luftë e ftohtë mes katit të dytë dhe katit të tretë në godinën e Partisë Socialiste. Në katin e dytë ishin nënkryetarët. Që nga burgu, Nanoja i kishte quajtur si “njerëzit e spaletave”.

Në qendër të sulmit ishte Ilir Meta, por arsyetimi për sulm ishte konservatorizmi i Servet Pëllumbit dhe dogmatizmi i Namik Dokles. Në katin e tretë, Kastriot Islami mbante hapur zyrën e shtypit. Rrotull tij vërtitej Pandeli Majko. Ishte një kompozim që nuk kishte shumë shpjegime.

Një vit më parë, Pandeli Majko u hoq nga detyra e kryetarit të Forumit Rinor Eurosocialist me arsyetimet e nëndheshme se ishte kundër “udhëheqjes” dhe se duhej që partia ta kishte nën kontroll FRESSH-in. Për ne që e shikonim nga jashtë gjithë këtë proces, dukej sikur Pandeli Majko ishte kundër Fatos Nanos dhe po zëvendësohej nga një besnik i Fatosit.

Në të vërtetë, “udhëheqja” kishte filluar të mos ishte më me Fatos Nanon, por nënkryetarët. Një vit më vonë, pasardhësi i Pandeli Majkos në FRESSH, Ilir Meta, ishte armiku real i Fatos Nanos, ndërsa Pandeli Majkoja, mbështetës i tij.

Ndërkohë, Kastriot Islami përpiqej të bënte një vend brenda partisë, pas një mungese disavjeçare në Gjermani, ku u strehua për disa vite, qysh kur u arrestua Fatos Nanoja, i trembur se deklarata e tij “demokratëve do t’ua thyejmë kafkat” do të përbënte objekt për vepër penale.

Gramoz Ruçi, njeriu i hekurt brenda Partisë Socialiste, ishte larguar në Greqi. Ai ishte njoftuar gjysmëzyrtarisht se prokuroria po hapte çështje penale ndaj tij dhe brenda natës u largua për në Tepelenë. Të nesërmen, një mik i tij në polici e shoqëroi për në Kakavijë dhe ai kaloi në Greqi.

Berisha kishte kërkuar rihapjen e hetimeve për 2 prillin pikërisht për të mbajtur nën tension njeriun që mendonte se e mbante partinë të bashkuar rreth Fatos Nanos. Kështu që në PS ishin tre nënkryetarët – Servet Pëllumbi, Namik Dokle dhe Ilir Meta – në njërën anë dhe Islami e Majko në anën tjetër.

Atë pasdite korriku kisha një raport për zhvillimet brenda Partisë Socialiste, që do të transmetohej në orën 18.00. Ishte mbledhur kryesia e Partisë Socialiste dhe kishin kundërshtuar “Mocionin për debat”, që kryetari i tyre, Fatos Nano, e kishte dërguar nga burgu.

Mocioni, siç u njoh më vonë gjerësisht, ishte sjellë nga gruaja e tij, Rexhina, dhe i ishte dorëzuar Pandeli Majkos dhe Kastriot Islamit dhe, pasi ishte zbërthyer në formën e një dokumenti politik, i ishte parashtruar kryesisë.

Kryesia reagoi ashpër dhe publikisht kundër tij. Thelbi i reagimit, sipas tyre, ishte se Fatos Nanoja kërkonte të fajësonte kryesinë për zgjedhjet e 26 majit, ndërkohë që kështu shmangte hedhjen e përgjegjësisë mbi Berishën. Servet Pëllumbi kishte dalë hapur kundër Fatos Nanos.

Namik Dokle, po ashtu, diçka kishte përtypur nëpër dhëmbë. Kisha dalë të pija një kafe dhe po e ndiqja emisionin me radio dore. Në fund të emisionit, siç ndodh rëndom, mbeten tri minuta bosh dhe një kolege nga studioja, lajmëroi se do të kishte në linjë kolegun tim. U lidh.

Pyetja ishte po për zhvillimet brenda Partisë Socialiste. Kolegia nga studioja i sugjeroi se kishte dhe dy grupime dhe iu lut që t’i përshkruante ato. Kolegu im i bëri asaj një përshkrim standard, duke paraqitur nga njëra anë Fatos Nanon me mbështetësit e tij, të cilët ai i quajti reformatorë, kurse në anën tjetër Servet Pëllumbin me nënkryetarët, që ai i quajti konservatorë.

Ra menjëherë zilja e telefonit. Ishte Ilir Meta.

– Unë nuk jam konservator, – tha ai. – Keni filluar t’i shërbeni atij plehrës, atij burgaxhiut…
– Mos u nxeh, – i thashë. – Nuk e di se çfarë ka ndodhur, por eja të bisedojmë më nga afër.

Lamë të pinim një kafe pak më vonë. Dukej që ishte i irrituar, por më shumë i trembur.
-Pse e bëri atë vlerësim? A ishte vërtet rastësi? Si mund ta korrigjojmë? A ia kanë thënë amerikanët? A jua diktojnë ata qëndrimet politike?

Sidomos te kjo e fundit këmbëngulte shumë. Këto ishin shqetësimet tij, që i tha pa marrë ende frymë. E brente dyshimi se e kishte humbur prej kohësh mbështetjen e SHBA-ve. Fakti që atë vit Ambasada e SHBA-ve në Tiranë kishte çuar në SHBA Pandeli Majkon dhe jo atë, ndoshta i ishte bërë fiksim.

Biseduam gjatë. I thashë se po teprohej me paraqitjen e grupit të tyre në radio, por ndërkaq duhej si palë Fatos Nanoja. Unë mund të shkoja në burg e t’i merrja një intervistë.

Në fillim iu duk propozim i dyshimtë, pastaj filloi të bëhej entusiazt. Bisedova me Elez Biberajn për mundësinë e intervistës. Ai u befasua pak, por më inkurajoi menjëherë. Megjithatë, nuk harroi të më porosiste se nuk duhej t’i lutesha shumë shtetit për leje hyrjeje.

Krisja mes qeverisë së Partisë Demokratike dhe qeverisë amerikane kishte filluar. Tashmë mbetej edhe një pengesë tjetër. Sali Berisha duhej të siguronte lejen e hyrjes. Ia thashë në telefon se më duhej të intervistoja Fatos Nanon në burg. U vendos pak heshtje.

– Kush ta kërkoi? – tha.
– Më duhet për balancë, – i thashë, – se po japim vetëm palën e nënkryetarëve. Fola me Ilir Metën dhe ai është dakord. Ai mendon se i bën punë prononcimi i tij.
Ilir Meta ishte një referencë shpëtuese për mua. Berisha tha menjëherë “po”, madje me entusiazëm.

– Domethënë, ke folur me ta, – më pyeti, – nuk u prish punë?
– Jo, jo, aspak! – i thashë. – Fola, madje ma rekomanduan vetë.
– Shumë mirë, – tha. – Shko atëherë!

– Po flas me Hektorin, që të hyj nesër, – ia ktheva, – po i them në emër tënd.
– S’ka problem, i bëj unë telefon, – tha Berisha.

Mora në telefon ministrin e atëhershëm të Drejtësisë, Hektor Frashërin, një burrë gjithmonë kavalier dhe i gatshëm për të të ndihmuar. I shpjegova si e kisha punën. Duhej të udhëtoja për gjithë natën dhe në mëngjes të isha në Bënçë.

Leje nuk kisha ku të merrja, ndaj duhej njoftuar drejtori i burgut të më lejonte të hyja, pa ndonjë letër në xhep. Gjithçka e bëra të koordinuar, me qëllim që të mos e regjistroja emrin si njeri që kisha hyrë në burg.

Porosia e shefit tim në “Zërin e Amerikës”, që unë nuk duhej të lutesha shumë për leje, ishte në sfond të të gjitha këtyre makinacioneve. Ishte një intervistë që më duhej doemos. Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk më hynin më në punë pas kësaj. Më kishin ndihmuar në planin tim për të shkuar në Bënçë.

Hektor Frashëri kishte folur në telefon me Bujar Kaloshin, të cilin e ekzekutuan një javë më pas.

Bujari tha se do të urdhëronte drejtorin të më priste te dera. Nuk kishte asnjë problem. Kështu u bë. Për gjithë natën, u nisa me një makinë Golf drejt Tepelenës. Pas një defekti afër Durrësit, m’u desh të kthehesha në Golem; ku mora një nipin tim dhe vazhdova udhëtimin.

Në orën 06.30 minuta isha në Tepelenë.
Pasi shkuam për një kafe në qytet, zbritëm te dera e burgut, në krah të përroit të Bënçës.

Te dera priste një djalë me trup mesatar, i cili m’u prezantua si drejtori. Më njihte si fytyrë dhe nuk kisha nevojë të prezantohesha. Më ftoi në zyrën e tij për një kafe. Ishte një zyrë e ngushtë, e keqe, që të kujtonte zyrat e ROGL-së së dikurshme, ku bëheshin dezhurne.

Filloi të bënte një kafe turke. Ndërsa po ma servirte, më pyeti duke më parë me bisht të syrit:

-Do t’i bësh intervistë atij qenit?
-Do të intervistoj Fatosin, – i thashë.
-Hë, por ai mund të shajë Presidentin…

-Hajt, o burrë, mos u bëj merak, se punë që rregullohet, – ia ktheva. – Si rregullohet? Se ti, mirë që e jep te “Zëri i Amerikës”, po atë e transmeton edhe Radio-Tirana më 20.30…
-Hajt, pi kafe pa merak, se ia fut unë për atë punë, – u përpoqa ta qetësoja.
– Domethënë, nuk e lë ta shajë Presidentin? – pyeti ai
– Mos u mërzit, të thashë që kam për t’ia futur.

Ishte një bisedë gjysmëbanale, por e nevojshme për të kaluar një barrierë që mund të ngrihej papritur para meje e që quhej drejtor i burgut. Unë isha një njeri pa autorizim për t’u futur në atë burg. Më silleshin në kokë historitë për drejtorët e atij burgu.

I pari, qysh kur u fut Fatos Nanoja në burg, arriti të merrte shtëpi në Tepelenë prej Fatos Nanos, ngaqë Bashkia drejtohej nga socialistët. I dyti, një djalë i hedhur, të cilin e kisha pasur shok fakulteti, u akuzua se e nxirrte Fatos Nanon nga burgu dhe i bënte shëtitje. Kuptohej që ishte ekzagjerim, por që portretizonte tipin e tij liberal dhe aspak fanatik.

Shoqëria e tij më e madhe shkonte te miqtë e Fatos Nanos, që vinin dhe e vizitonin në burg, kryesisht Gaz Demi. I treti ishte zgjedhur si dorë e fortë dhe kjo më krijonte problem, kur ai pyeste me fanatizëm se mos Fatos Nanoja shante Presidentin.

Mes këtyre dilemave, ai më shoqëroi drejt qelisë së Fatos Nanos, një ndarje më vete e burgut që po rikonstruktohej, me një minioborr të vetin, një korridor të shkurtër dhe derën gjysmë të hapur.

Me një kostum sportiv, tuta sporti dhe bluzë të bardhë, Fatosi u ngrit menjëherë më këmbë dhe më zgjati dorën.
– Mirë se erdhe, zoti Baze! Ç’e mirë të solli? E dija që një ditë “Zëri i Amerikës” do të trokiste këtu…

Pas përshëndetjeve të para, më ftoi të ulesha përfund shtratit. Dhoma e tij ishte e vogël, por e mbushur. Te koka e shtratit kishte një radiomagnetofon Gruding shumë të mirë. Më tej, një stivë me libra të hedhur pa kujdes dhe përballë shtratit një banak, ku ishte një ekspres i vogël kafeje, një thekëse buke, disa libra të tjerë dhe kaq.

Sidoqoftë, për kushtet e burgut ishte dhomë e mirë. As ai nuk ankohej.
Drejtori ndenji pak dhe u largua. Derën e la pak të hapur, sipas rregullores. Për afat më dha një orë, por më shkeli syrin se edhe mund ta kaloja.

Filluam të bisedonim për gjëra të kota e në përgjithësi. Pas çdo fjale, Nanoja përpiqej të hetonte nëse kishte ndonjë prapavijë vizita ime papritur në burg.
Më hapi një libër të madh shënimesh, që me siguri ishte nga ato blloget e vjetra të reparteve ushtarake, ku mbante skeda lajmesh.

– Dje ke pasur një raport për PS-në, – më tha.
– Po, isha në seli, kur dolën nga kryesia. Serveti ishte i ashpër.
– E dëgjova te BBC-ja. E dhanë të plotë. Ti ma fute pak me atë punën e Namikut.
-I mbajtke shënim? i thashë. – Pa m’i numëro, sa raporte kam bërë gjithë muajin, se më duhen për rrogën.

Qeshi dhe e kaloi me shaka, por fare papritur u bë kurioz për selinë dhe për partinë. Fillova t’ia shpjegoj edhe njëherë gjendjen e një dite më parë atje. Pastaj po e stërzgjatja shpjegimin duke i thënë se, pas kësaj, shkuam te “Fideli” për kafe…

-Më fal, – tha, – por kur kam hyrë në burg, në parkun “Rinia” kanë qenë vetëm dy kafe, kafe “Stil” dhe “Kumanova”. Të tjerat nuk i përfytyroj dot se ku janë.
Më erdhi pak keq, pasi isha duke i treguar për disa reporterë të gazetave “Koha Jonë” dhe “Dita Informacion”, që nuk e kishin parë kurrë atë nga afër dhe e kishin idhull, për të cilin edhe mund të vriteshin.

-Oho, mos janë ata që citojnë çdo ditë Arben Imamin? – tha dhe qeshi.

 

 

 

Nanoja më pyeti për origjinën time dhe unë, që nga dritarja e qelisë, ia tregova drejtimin e saj, që ishte shumë afër burgut. Diçka donte të portretizonte te toleranca e Jugut dhe menjëherë në tru i mbiu Berisha.

– Goca ime është në një shkollë me djalin e Berishës, – ia nisi ai. – Një natë, kishin shkuar bashkë në disko. Ajo erdhi këtu në burg dhe ma tregoi të gjithë këtë. I thashë se nuk kishte bërë asgjë të keqe, se ata i përkasin një brezi tjetër.

Ajo u kënaq shumë dhe më tha diçka që unë nuk do ta harroj kurrë. E pabesueshme, sa bukur e gjeti: “Partia Socialiste është një qyp me flori, që ka sipër saj ca guralecë!” Hë, a të duket e bukur, – përsëriti me një të qeshur që zgjati.

Në fakt, batuta ishte shumë e zgjedhur që t’i përkiste vajzës së tij, por ndërkaq, e qeshura e tij e beftë, nuk po më linte ta shijoja. Më tej, biseda kaloi te familja. Më tregoi se si, një ditë më parë, kishte qenë Thanasi, babai i tij, me motrën dhe kunatin, Fatos Pustinën.

– Rojet u sollën keq, – tha, – dhe kontrolluan gjithçka. Ai dhëndri u kënaq, se ai është me ju, – m’u drejtua mua, – kurse Thanasi u tërbua fare.

E pashë që biseda po degradonte pak dhe iu luta të fillonim intervistën. Vendosa ta lija të fliste gjatë, që të zgjidhja diçka të mirë. Filloi të fliste pa pushim. Dukej se donte të nxirrte gjithë ç’kishte në mendje për partinë e vet. Derisa, një çast, mbaroi kaseta.
– Stop, – i thashë. – Intervista është tepër e gjatë. E fillojmë edhe një herë. Herën e dytë u koncentrua në katër-pesë pyetjet që i thashë.

Ngurroi për një çast, por e nisi me shumë vullnet. Ishte më racional herën e dytë.
Idenë e tij për Partinë Socialiste nisi të ma ilustronte me një letër të një gjimnazisteje nga Vora, e cila i paskësh shkruar se Partia Socialiste është “një qyp me flori, që ka ca guralecë përsipër”.

-Më falni, jeni duke thënë se zhavorri në krye të këtij qypi është kryesia e Partisë Socialiste? – ishte pyetja ime. U step për një sekondë.
-Çdo krahasim çalon, – tha dhe vazhdoi ta shtjellonte sërish sulmin mbi kryesinë.
-Faleminderit, i thashë dhe e ndërpreva intervistën.
Ai po rrinte ende i pavendosur të thoshte faleminderit.
-A bëjmë një kompromis? – tha. – Më bëj edhe një pyetje! Duhet ta zbus pak. Është shumë e ashpër.

Ramë dakord dhe i bëmë një mbyllje më të butë. Pas kësaj, intervista quhej e mbaruar. Ai u ngrit i lehtësuar dhe filloi të bënte sërish një kafe. Ndenja dhe rreth 20 minuta më pas. Po i tregoja një histori që më kishte ngjarë një vit më parë, kur kisha qenë sërish në atë burg për intervistë e që kishte të bënte me vrasjet në kufi dhe kisha intervistuar Zylyftar Ramizin.

Po i tregoja skenën kur duke pritur te dera, një burrë i vjetër, gati si lypës, na u afrua mua dhe shoferit tim, i cili në atë udhëtim timin të parë në Bënçë ishte Mond Tufina, dhe na pyeti se kë do të takonim në burg.
-Fatos Nanon, – i tha shoferi, Mond Tufina, i cili nuk mund të rrinte në asnjë çast pa bërë ndonjë karagjozllëk.

– Po ç’e keni Fatos Nanon? – pyeti burri.
-Unë s’e kam gjë, s’dua t’ia shikoj sytë, por ky shefi im e ka çun tezeje, – ia ktheu dhe tregoi nga unë.

– Djalë tezeje e ke ti Fatosin? – më pyeti burri.
I detyruar t’i mbaja iso Mondit, i thashë po. Kaq duhej dhe burri ia plasi të qarit…
-Mos u bëj merak! – më tha mes të qarash. – Mos ki merak fare! E mban Gjergji im në pëllëmbë të dorës. Është oficer në qeli Gjergji.

Në pëllëmbë të dorës e mban. Dhe Palin e ka pasur ca kohë, Pali Miskën, por Fatosin e do shumë. Edhe ai e do. I thotë ngaherë: “Ç’të bëj, mo Gjergji, që jam këtu, se kur të shkoj në Tiranë do të të marr oficer në Presidencë”. Fliste dhe ngashërehej.

– Faleminderit, – i thashë. – I thuaj dhe djalit faleminderit nga ne. Ua paçim borxh!
– E kemi për detyrë, – tha. – Do ta mbajmë në pëllëmbë të dorës të gjithë. – Dhe ngashërehej.

Pasi mbarova punë në burg, shkova lart në qytet dhe takova shefin e komisariatit, një ish-mësues historie në shkollën ku unë kisha bërë tetëvjeçaren dhe më pas një trajner i njohur i ekipit të volejbollit për femra të “Minatorit”. Po bisedonim rreth burgut dhe unë po ia tregoja me humor historinë që më kishte ndodhur.
Ai u vrenjt papritur në fytyrë, sikur ta kishte pickuar gjarpri. – Gjergji, the!? Po ne e kemi çuar atje si të besuar!

– Nuk di si e keni çuar, – i thashë. – Të lutem, tani që ia përmenda emrin, mos guxoni ta hiqni nga puna, se do ta mbroj unë. Ju e keni bërë detyrën tuaj. Tani ai nuk mund të bëhet viktimë e imja.

Shefit të komisariatit nuk i ikte inati.
– Dhe ma ka sjellë kryetari i PD-së! – tha. – Ai më tha se është demokrat i vendosur.
Mua më qeshej edhe më shumë. Ndërkohë, erdhi kryetari i PD-së, Tomor Xhani, një tip i shkathët më shumë se politik. Shefi i komisariatit po i thoshte se unë kisha mbresa të mira nga Gjergji, polici i Fatos Nanos. Kryetari nuk e kuptoi ironinë dhe tha:
– Nuk e ke njohur babanë e tij ç’demokrat që është! Ka themeluar PD-në në Veliqot. Njeri i mirë shumë.

Por unë nuk e mbaja dot të qeshurën.
– Në fakt, unë babanë e tij e njoh, – i thashë. – E gjeta te dera e burgut dhe po qante për Fatos Nanon. Pastaj, kur i thashë që jam djali i tezes së Nanos, u shkri fare.
Kryetari e pa që ishte punë me zarar ajo që kishte bërë dhe heshti. – S’di si ndryshojnë njerëzit, – tha. – Ata demokratë kanë qenë.

Mua më qeshej. Iu luta që Gjergjin të mos e preknin dhe ika.
Kur po ia tregoja këtë Nanos, ai dëgjonte me një nënqeshje të lehtë. – Këtu e kam Gjergjin, këtu, – tha dhe tregoi nga korridori.
Më në fund, po dilja nga qelia.

E pyeta nëse kishte ndonjë porosi për dikë në Tiranë.
– Jo, – tha. – Ishte Thanasi dje. I çova me të porositë. Pastaj, për kë të çoj? Ata… e di unë ç’duan. Të jap një fërshëllimë unë që këtej dhe t’i flakin nga zyrat me gjithë karrige! Tha mirë Thanasi për atë parti: “Ajo është një qyp me flori, që ka përsipër ca guralecë”.
Tunda kokën dhe u përshëndetëm.

E përsëriti për herë të tretë batutën, duke ua veshur tre njerëzve të ndryshëm. Dukej se ishte diçka që e kishte bluar gjatë në mendje dhe duhej ta thoshte patjetër. Ishte, po ashtu, shenjë e rëndimit të tij psikologjik. Nuk desha t’i bija në sy që e kishte përdorur ndryshe pak më parë. U largova aty rreth orës 10.30.
Më duhej të shkoja deri në Gjirokastër, që ta transmetoja intervistën për Uashingtonin dhe pastaj të nisesha për Tiranë.

Në mbrëmje, afër Lushnjës, ra goma e makinës dhe kërkova ndihmën e dy kalimtarëve. Duke më ndihmuar, më pyetën se ku punoja.
– Gazetar, u thashë, – te “Zëri i Amerikës”.
Dy bashkëbiseduesit nuk folën.

-Ju jeni me Salën, më duket, – tha njëri. – Ata të BBC-së janë me Nanon, pasi tani transmetuan një intervistë nga burgu me të.
– Çfarë tha ndonjë gjë? – pyeta.
-Tha plot gjëra, tha që PS-ja është një qyp me florinj, që ka përsipër saj ca zhavorr. E qau fare! Ashtu janë ata. Ndërkohë që ata po merreshin me gomën dhe unë po bisedoja me ta, njëri prej tyre më njohu nga zëri.

-Ore, ti ishe në radio pak më parë? – më tha.
-Jo, ore, ç’ne, – i thashë. – Unë jam i “Zërit të Amerikës”.
-Jo ore, ti ishe, – tha. – Dhe mos na gënje, se i BBC-së je!
– Më vjen keq, – u thashë, – por jam i “Zërit të Amerikës”.
-Ik o, ik, ne të dëgjuam me këta veshë. Ja, qy zë ishte. Je i BBC-së ti! Ata të Amerikës nuk e duan Fatosin.

Me këtë episod u mbyll ajo ditë e lodhshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu