Ndryshon Kushtetuta, vendoset amandamenti që “pavarëson” Kosovën

0
264

Prishtinë 24 prill- “Përmes ndryshimeve kushtetuese do të mundohemi t’i japim fund pavarësisë së mbikëqyrur, në mënyrë që prania civile ndërkombëtare t’i bartë edhe ato kompetenca që i ka ndalur dhe të kalojë në një rol monitorues”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami.

Bajrami thekson se tre vjet pas pavarësisë dhe pas implementimit të Kushtetutës së Kosovës, janë pjekur kushtet politike që të rishqyrtohet Kushtetuta e Kosovës në shumë segmente dhe, sipas tij, po fillon një proces i reformave të gjithanshme, të cilat kanë tri qëllime kryesore.

Qëllimi i parë, sipas tij, është që të “bëjmë një reformë substanciale sa i përket institucionit të presidentit për të shkuar në një zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit apo rreth një praktike presidenciale të zgjedhjes së presidentit”.

“Segmenti i dytë është që të plotësohet shteti i Kosovës me qeverisje – në kuptimin që të tërhiqet qeverisja ndërkombëtare në shumë sektorë dhe të fuqizohet në aspektin kushtetues Kosova përmes kompetencave të reja të organeve. Dhe, segmenti i tretë është që, në fakt, të krijohet një bazë e mirë kushtetuese për reformimin e plotë të sistemit zgjedhor duke hapur mundësinë që në Kosovë të hapen më shumë zona, sepse në zgjedhjet e kaluara sistemi me një njësi zgjedhore ka reprodukuar mjaft pengesa dhe mjaft shkelje, të cilat seriozisht kanë cenuar integritetin e zgjedhjeve”, thotë Bajrami.

Ai ka mohuar se Kosova është duke shkuar në një sistem presidencial, siç është përfolur ditëve të fundit në medie lokale, pasi, sipas tij, ende nuk janë pjekur kushtet.

“Kosova nuk ka një stad demokratik që të kalojë në një sistem të pastër presidencial, sepse sistemi presidencial është një formë e kualifikuar e demokracisë, apo një demokraci me një tranzicion të përfunduar. Ne jemi në fillet e tranzicionit, por me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit, ne po i balancojmë pak pushtetet”, ka thënë ai.

Sipas tij, reforma kushtetuese nuk do të prekë vetëm institucionin e presidentit dhe nuk do të merret vetëm me ndërrimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, por domosdoshmërish do të “pretendojë të ndryshojë edhe ato dispozita, të cilat nuk janë treguar shumë funksionale”.

“E theksova, përmes ndryshimeve kushtetuese do të mundohemi t’i japim fund pavarësisë së mbikëqyrur në mënyrë që prezenca civile ndërkombëtare t’i bart edhe ato kompetenca që i ka ndalur dhe të kalojë në një rol monitorues”, ka deklaruar kryesuesi i Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami.

Bajrami ka thënë se këto ndryshime kushtetuese do të përfundojnë brenda një mandati prej 9 muajsh, siç është vendosur edhe me rezolutën e Kuvendit.

Ai nuk ka mohuar faktin se në procesin e ndryshimeve kushtetuese do të përfshihen edhe ndërkombëtarët.

“Procesi do të jetë gjithëpërfshirës. Komisioni është komision kryesisht politik, i përbërë nga përfaqësuesit e partive politike. Ne do të hapemi për ekspertë vendorë – pse jo edhe ata ndërkombëtarë, do të hapemi për shoqërinë civile, për media, për botën akademike, në mënyrë që të sigurojmë një gjithëpërfshirje dhe një transparencë maksimale ndaj opinionit, për shkak se dëshirojmë t’i bindim se ndryshimet që do t’i propozohen Kuvendit në rishikimin e Kushtetutës, të jenë plotësisht transparente dhe të pranueshme për opinionin e gjerë”, ka thënë Bajrami për REL.

Duke iu rikthyer çështjes së zvogëlimit të rëndësisë së faktorit ndërkombëtar, Bajrami ka thënë se mendon që “tre vjet pas përfaqësimit nuk do të ketë më nevojë që në organet e Kosovës të ketë përfaqësues ndërkombëtarë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu