Në garë për thesaret e Arktikut

0
283

Diplomatë të nivelit të lartë kanë vizituar edhe Grenlandën, ku kompanitë kineze po investojnë masovikisht për të zhvilluar një industri të minierave, me propozime për të dërguar atje edhe punëtorë nga Kina për punët ndërtimore. Kombet perëndimore janë shfaqur gjithnjë e më të shqetësuar në lidhje me veprimet kineze në këtë ishull të varfër dhe shumë pak të populluar, një shtet i vetëqeverisur brenda Mbretërisë së Danimarkës, për shkak se tkurrja e akullit, që historikisht ka mbuluar ishullin, ka zbuluar depozita të shumta mineralesh.

Ndërsa akulli i Arktikut po shkrihet me shpejtësi rekorde, superfuqitë e botës janë duke luftuar gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën për ndikim politik në një zonë të de-populluar të botës, të quajtur Groenlandë, një ishull i madh i ngrirë, me vetëm 50 mijë banorë. Kryeqyteti i Grenlandës quhet Nuuk, një qytezë me më pak se 20 mijë banorë. Grenlanda ka pak fshatra të vogla peshkatarësh. Por nga këtu nis beteja për kontrollimin e rezervave të stërmëdha të naftës, gazit dhe mineraleve, të cilat, falë ndryshimit botëror të klimës, po bëhen të shfrytëzueshme gjithnjë e më shumë. Në të njëjtën kohë, një rrugë më e shkurtër detare mbi Rusi po bëhet e lundrueshme.

Këtë vit, Kina është bërë një lojtar shumë më agresiv në këtë fushë të ngrirë, thonë ekspertët, gjë që ka shkaktuar alarm mes fuqive Perëndimore.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe shumë shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian kanë territor në Arktik, Kina nuk i ka, e për rrjedhojë ka filluar të vendosë pasuritë e veta dhe fuqinë diplomatike për të siguruar pika mbështetjeje në rajon.

“Arktiku është rritur me shpejtësi në rëndësinë që ka marrë në politikën e jashtme të Kinës gjatë dy viteve të fundit”, thotë Linda Jakobson, drejtoreshë e programit të Azisë Lindore në Institutin për Politikë Ndërkombëtare të Australisë. Aktualisht, sipas saj, kinezët po eksplorojnë mundësitë se si “mund të përzihen në politikën e kësaj pjese të botës.”

Në gusht, Kina dërgoi anijen e saj të parë përmes Arktikut në Evropë dhe po lobon intensivisht për të marrë statusin e vëzhguesit të përhershëm në Këshillin e Arktikut, një organizëm jo shumë aktiv ndërkombëtar, ku marrin pjesë tetë kombe që kanë dalje në Arktik dhe që zhvillojnë politika për rajonin. Kina argumenton se është një vend “pothuajse arktik” dhe deklaron se Arktiku është “një pasuri e trashëguar nga i gjithë njerëzimi”.

Për të promovuar kërkesën e marrjes pjesë në takimet e Këshillit, si dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me kombet e Arktikut, ministrat kinezë vizituan këtë verë Danimarkën, Suedinë dhe Islandën, duke ofruar në shkëmbim marrëveshje tregtare shumë joshëse.

Diplomatë të nivelit të lartë kanë vizituar edhe Grenlandën, ku kompanitë kineze po investojnë masovikisht për të zhvilluar një industri të minierave, me propozime për të dërguar atje edhe punëtorë nga Kina për punët ndërtimore.

Kombet perëndimore janë shfaqur gjithnjë e më të shqetësuar në lidhje me veprimet kineze në këtë ishull të varfër dhe shumë pak të populluar, një shtet i vetëqeverisur brenda Mbretërisë së Danimarkës, për shkak se tkurrja e akullit, që historikisht ka mbuluar ishullin, ka zbuluar depozita të shumta mineralesh, përfshirë ato të dheut të rrallë, të cilat janë me rëndësi vendimtare në prodhimet e teknologjisë moderne, si aparatet celularë apo sistemet ushtarake të drejtimit.

Zëvendëspresidenti i Bashkimit Evropian, Antonio Tajani, shkoi me nxitim në Grenlandë në qershor dhe premtoi qindra milionë euro në ndihma zhvillimi, me kushtin që Grenlanda të mos lëshojë të drejta ekskluzive për Kinën për përdorimin e burimeve minerare të dheut të rrallë. Udhëtimi u quajt “diplomacia e mineraleve bazë”.

Grenlanda është afër Amerikës së Veriut dhe është seli e bazës më veriore të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bazës së Tulës. Në një konferencë, muajin e kaluar, Thomas R. Nides, zëvendëssekretari i Shtetit për menaxhimin dhe burimet, tha se Arktiku po bëhet një “kufi i ri në politikën tonë të jashtme”.

Gjatë 18 muajve të fundit, sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Rodham Clinton, dhe Presidenti Lee Myung-bak i Koresë së Jugut, kanë bërë vizita për herë të parë në Grenlandë, ndërsa Kryeministri i këtij ishulli u prit në takim nga presidenti i Komisionit Evropian në Bruksel, Jose Manuel Barroso.

“Ne po trajtohemi kaq ndryshe në krahasim me vetëm pak vite më parë”, tha Jens B. Frederiksen, zëvendëskryeministër i Grenlandës. “E kemi të qartë se ky ndryshim sjelljeje ka ardhur si pasojë e faktit se kemi diçka për të ofruar dhe jo për shkak se dikush ka zbuluar papritur se populli inuit përbëhet nga njerëz të këndshëm”, shtoi ai.

Aktiviteti i kinezëve në Arktik deri në një farë mase është kopje e veprimtarive të shumë vendeve të tjera jo-arktike.

Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë aplikuar gjithashtu për të fituar statusin e vëzhguesit të përhershëm në Këshillin e Arktikut, gjë që u lejon atyre të shprehin mendimet e veta, por jo të votojnë.

Deri më sot ka pasur shumë pak eksplorim të vërtetë të burimeve të Arktikut. Grenlanda deri më sot ka vetëm një minierë në shfrytëzim, megjithëse më shumë se 100 vendburime janë shtuar në hartë. Këtu, si dhe në Alaskë, Kanada dhe Norvegji, kompanitë e naftës dhe të gazit janë ende duke eksploruar, megjithëse ekspertët vlerësojnë se më shumë se 20 për qind e rezervave botërore të naftës dhe gazit gjenden në Arktik.

Pronësia mbi Arktik qeveriset nga Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit, e cila u jep kombeve të Arktikut një zonë ekskluzive ekonomike, që vijon për 200 milje nautike nga toka e tyre.

Mesi i Oqeanit Arktik nuk i përket asnjë vendi dhe kushtet atje janë shumë të ashpra. Në ato pjesë ku kufijtë nuk kanë qenë kurrë një shqetësim, vendosja e gurëve të kufirit ka nisur si një garë mes vendeve kryesore, Kanadasë, Danimarkës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës etj.

Kompanitë kineze, disa prej të cilave kanë lidhje të ngushta me qeverinë, janë duke investuar gjerësisht në Arktik. Gjatë një vizite në Islandë në qershor, kryeministri kinez, Wen Jiabao, nënshkroi disa marrëveshje ekonomike, duke përfshirë fusha të tilla si energjia gjeotermale dhe tregtia e lirë.

Shkurtin e ardhshëm, Këshilli i Arktikut do të takohet për të zgjedhur vendet që do të përfitojnë statusin e vëzhguesit të përhershëm, gjë që kërkon një votë unanime të anëtarëve. Megjithëse Islanda, Danimarka dhe Suedia tashmë mbështesin kërkesën e Kinës, Departamenti i Shtetit në SHBA refuzoi të komentojë mbi këtë çështje.

(NYT)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu