Në institucione punojnë agjentë të UDB-së!

0
355

Polemika të shumta janë zhvilluar në mes të vetë këshilltarëve të PDK-së, në mbledhjen e fundit të KK-së, duke diskutuar në pikën e rendit të ditës pyetje-përgjigje. Këshilltarët kanë adresuar një varg kritikash të ashpra ndaj ekzekutivit për shumë parregullsi që po manifestohen qoftë në politikën e punësimit, realizimin e projekteve kapitale e një varg vërejtjesh tjera.

Ish-kryesuesi i KK-së së Drenasit, Fatmir Istogu, madje ishte shumë konkret në kërkesen e tij, duke propozuar që të bëhet një deklaratë e lustracionit ku do të bëhej verifikimi i figurave të njerëzve që kanë punuar si agjentë të UDB-së ngase, siç tha ai, “ka shumë të tillë që punojnë në institucione”.

Propozimi i tij u aprovua dhe u formua një komision që të hartojë një deklaratë, me të cilën do t’i drejtohen Kuvendit të Kosovës për nxjerrje të një ligji të veçantë për këtë çështje.

Edhe këshilltari tjetër nga radhët e PDK-së, Elmi Thaçi, pati shumë vërejtje në përgatitjet profesionale të shërbyesve civilë dhe punëtorëve të arsimit, duke hedhur dyshime se shumë prej tyre janë me diploma false, andaj kërkoi formimin e një komisioni nga Kuvend i Komunës për verifikimin e tyre.

Vërejtje të shumta u adresuan edhe nga këshilltarë tjerë lidhur me procedurat e tenderimit dhe zvarritjen e tyre, lidhur me ndarjen e ndihmave fermerëve ku siç tha Vjollca Shala nga LDD-ja, “u janë nda makina mjelëse edhe atij që nuk ka asnjë lopë qumështore e ka dhjetë dema”.

Këshilltarët komunalë nuk kanë mundur të merren vesh dhe ta miratojnë rendin e ditës për rreth një orë, ndërsa me shumë vërejtje kanë miratuar propozim-vendimin për vazhdimin e kontratave të banuesve në objektet e banimit social, si dhe miratuar disa rregullore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu