Në kuadër të letrës publike të Veteranëve të Rezistencës Kombëtare

0
152

Afrim Morina:

Kosova dhe Shqipëria londineze nuk do të thotë gjithë Shqipëri

Me datën 25 prill është mbajtur një debat në RTK me temën “Kosova dhe Shqipëria”. Mysafirë të kësaj tryeze ishin katër “koka kompetente” për të zbërthyer çështjen shqiptare, thua se vetëm këto dy njësi përbëjnë çështjen shqiptare. Udhëheqësi i tryezës i “gjithëdijshmi” kishte përzgjedhur këtë temë bukur me peshë ta trajtoj përbrenda një emisioni dhe atë sa për të mbushur boshllëkun medial të kësaj shtëpie informative, që mbahet nga taksapaguesit, sepse vetë rrjedha e temës, herë herë “me tezat” e Migjenit kalonte në anashkalim të çështjes.

Problemi i çështjes shqiptare duhet trajtuar në një simpozium mbar kombëtare, me personalitete të dëshmuara të çështjes kombëtare, e jo me oborrtar medial që përfaqësojnë mendimet e veta pa u futur në analiza thelbësore, sepse ato marrin edhe kahe kundër kombëtare, sa edhe në emision shpesh parashtrohej çështje e “përrallës” dhe “uji i mullirit”.

Z. Rexhep Selimi në mungesën e njohurive të veta, për t’u përballur me hipotezat kundër kombëtare të Migjenit e Rubelit arsyetohej, se “vështirë” e kishte të gjendej para katër gazetarëve. Zotëri aty je thirr për të mbrojtur një parim partiak të Vetëvendosjes dhe një betim të UÇK dhe nuk ke guxuar të shkon pa u përgatitur mirë dhe fjalën duhej marrë me çdo kusht për të mbrojtur këto dy ide që paraardhësit e Juaj, e bashkëluftëtarët e Juaj i kanë mbrojtur edhe në procese gjyqësore e me gjak për pesëdhjetë vite pa ndërprerë dhe i leje hapësirë të nxjerr  për oxhaku Batoni.

“Analistët” e çështjes shqiptare: Migjeni dhe Rubeli parashtruan edhe një paralelizëm në mes të drejtës historike, gjeografike, demografike, kulturore, gjuhësore të shqiptarëve dhe atë të serbëve, se “ku është një varr serb aty është edhe tokë serbe”. Ky lloj paralelizmi të bënë për të dyshuar dhe secili do të parashtronte pyetjen, se ku e dërgojnë ujin këta dy me “analizat” e tyre, e nga kush paguhen?! Z. Selimi në vend se të parashtronte këtë pyetje atyre dyve, lejonte që ata t’ia bënin këtë pyetje Atij. Nuk është mjerim?! “Analistët” harrojnë se së pari nuk kanë mandat të “zbërthejnë” këtë temë, kur dihet orientimi politik i tyre, e kaluara e tyre me benificione, që moshatarët e tyre i ëndërronin për shkak të aktivitetit politik dhe rrugën që kishin zgjedhur, e jo më të kritikojnë z. Mojsiu për deklaratën e Tij se “Kosova është krahinë e Shqipërisë”. Këta parapëlqejnë të jetë Kosova krahinë serbe, madje me të drejta edhe më të pakta se që i kishte dikur! Ndryshe kjo nuk mund të shpjegohet me kundërvënien patetike, për të cilën nuk u marr Serbia, sepse e dinte se kishte kush ta hapte këtë temë dhe mirë e dinte se kush do ta mbronte nga shqipfolësit. Ka mundur të reagohet ndaj deklaratës së Mojsiut, si deklaratë e vonuar, sepse kur ka qenë Kryetar i Shqipërisë londineze, këtë të drejtë deklarimi ia ka lejuar edhe Kushtetuta.

A ka të bëjë teoria shovene e naziste serbe për tokën e tyre “aty ku është një varr serb” me teorinë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet- Shqipëri? E para, kjo teori e cila filloi të mbrohet nga “analistët” Migjeni e Rubeli, për herë të parë në mënyrë të hapur, nuk ka gjetur mbështetje edhe te kokat e kthjella të serbëve, se e dinin se kjo teori i dërgonte në vetëvrasje!?. E dyta, pse këta dy bëhen misionar të një “të vërtete” të cilën serbët tash nuk e zënë në gojë, sepse edhe atyre po iu duket si temë e tejkaluar?! E treta, pse aq shumë po iu dhimbset një politik që u ndëshkua zyrtarisht edhe nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare dhe nga inteligjenca ndërkombëtare?!

“Në cilin mulli po dërgohet uji?” ishte pyetja e kundërshtarëve të z. Selimit, kur ky mundohej të arsyetonte bashkimin kombëtar. Dy “Analistët e mirënjohur për çështje kombëtare”, mendonin se e vunë në mat pozicion anëtarin e kryesisë së Vetëvendosjes. E kanë të qartë këta dy, se me të vërtetë, në cilin mulli e dërgojnë ujin me “analizat” e tyre?! Ata për këtë nuk janë të “vetëdijshëm”, sepse në kokën e tyre kanë krijuar një mulli imagjinativ, i cili bluan çështjen shqiptare në favor të idesë se “ku është një varr serb, aty është tokë serbe”. Çdo njeri i arsyeshëm do të rrezononte kështu, prandaj edhe z. Selimi duhej t’ua thoshte troç këtë gjatë bashkëbisedimit.

Të mendosh dhe të veprosh për bashkim kombëtar për z. Migjeni është përrall! Po zotëri, përrall është, sepse Ti nuk di të dallon përrallën nga e vërteta mbi shqiptarët sot, duke mos hyrë në të kaluarën. Përrallë është të veprosh për bashkim kombëtar, sepse po të dhimbsen vëllamit serb, se nuk do të realizojnë jo vetëm ku është një varr serb nuk është tokë e tyre, por edhe ku është një fshat serb nuk është tokë e tyre, në hapësirën kombëtare shqiptare. Përrallë është, sepse me përrallat e Tua janë mësuar edhe fëmijët në shpërgej, se le më rinosh politik. Ishte përrallë atëherë kur z. Selimi me bashkëluftëtar rroku armët për t’i sjellë lirinë këtij kombi, që bashkëmendimtarët Tu çirreshin se “këta janë njerëz të frustruar të UDB- së dhe duhet ndalur bombardimet e NATO- s”!

Këta dy “analist” shkojnë edhe një hap më tutje, sepse për ta është e pa kuptueshme të kërkohet Lugina e Preshevës, e pa kuptueshme është të kërkohen trojet etnike në Maqedoni, ndërsa për ato troje në Mal të Zi as që u shkoi ndërmend. Sepse me këtë po humb Serbia dhe humbja e saj u prek në shpirt e ndërgjegje.

Mu për këto iu pata drejtua me një letër publike Veteranëve të Rezistencës Kombëtare, që ne jemi të vetmit që mund të ndalim këtë pisllëk politik të “analistëve” dhe hapësirën mediale që u japin atyre. Ne jemi të vetmit që mund të dalim me analizë të thuktë, duke marrë parasysh të gjitha parametrat për realizimin e një të drejte sa historike, po aq edhe faktografik të realitetit të sotëm. E atyre që u dhimbset Serbia, e atyre që nuk u pëlqen rrjedhja e ujit në mullirin kombëtar tonin, e atyre që u duken përralla veprimet për bashkim kombëtar shqiptar, nesër pas nesër do të ju kundërvihen edhe pasardhësit e vet, për lojën e pistë dhe tepër të tejdukshme bashkëveprimi me serbët që kanë luajtur në këtë “demokraci” mendimesh pluralë.

 

Prishtinë, 26.04.2011

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu