Në kushte robërie nuk ka kohë për pushim

0
317

Avdi Kelmendi, Rufc i Ri- Lypjan

 

Shkruan. Afrim Morina

Avdi Kelmendin e kam takuar për herë të parë në gusht të vitit 1985, kur erdhi të më vizitonte pas daljes nga burgu. Më herët kishte krijuar raporte shoqërore me vëllain tim të tretë- Azizin. Se në ç’rrethana janë njohur ata të dy, nuk e kam pyetur asnjërin.

Në shikim të parë më la përshtypjen e një njeriu me të cilin vështirë të komunikoje, por edhe më vështirë të merrje ndonjë mendim prej tij. Mirëpo, në bisedë e sipër, vura re se jo vetëm se do të gjeja gjuhë të përbashkët me të, por se mund të bisedonim për gjëra shumë serioze dhe se ai të jepte mendime veprimi apo mund të bënte analiza të situatës. Ajo natë e parë na bëri shokë të pandarë të punës për afro dhjetë vjet, pra deri në momentin e vdekjes. Kaluam edhe shumë net pa gjumë, duke këmbyer mendime rreth punës dhe organizimit. Nga Avdiu kam mësuar më së shumti për veprimtarinë e Isa Demajt, një patriot i devotshëm dhe largpamës i realitetit të kohës. Avdiun nuk e shqetësonin gabimet e vogla të shokëve, por as papjekuria e disa intelektualëve që zinin oxhakun në emër të posteve që mbanin në pushtet, veçse e shqetësonin ata që vepronin me vetëdije kundër interesit kombëtar.

Kishte bindjen se një ditë gjithë populli do t’i kuptonte bijtë dhe bijat e veta që gjithë rininë ia kishin përkushtuar çështjes kombëtare. Këtu shihej pjekuria politike e tij dhe largpamësia e besimi që kishte tek populli. Shpesh thoshte

– Ne bëjmë politikë në oda, me trakte e literaturë ilegale, ndërsa armiku ka gjithë këtë potencial të mjeteve të informimit dhe, në vend se të na çrrënjosë, ne për çdo ditë dalim më të organizuar, më të vendosur dhe më shumë njerëz u bashkohen radhëve tona.

Kosovës për çdo ditë i shtrëngoheshin prangat e robërisë. Shumë veprimtar dhe të posa liruar nga burgu, filluan ta lëshonin Kosovën. Binin në burgje edhe grupe të tjera, prandaj ata që ishin pajtuar të mos e lëshonin Kosovën kishin edhe detyrën e ripërtëritjes së kuadrove dhe masivizimit të lëvizjes. Avdiu në këtë drejtim ishte shumë i fortë dhe punëtor i madh. Dinte t’i afrohej dhe t’i bindte për domosdoshmërinë e veprimit, pa marrë parasysh rreziqet që paraqiteshin. Kurrë nuk i kanë interesuar rrymat politike, por vetëm çështja kombëtare dhe për këtë u shmangej fërkimeve me shokët veprimtarë. Kjo lidhje jona mundësoi edhe këmbimin e përvojave jo vetëm për ne të dyve, por edhe shokëve që i kishim ne të dy në meset ku jetonim dhe vepronim.

Vitet 1988- 1990 ishin vite të një dinamike të veprimit ilegal, ndërsa represioni i armikut shtohej për çdo ditë. Ilegalja kishte arritur të shtrinte veprimtarinë e vet në çdo kënd dhe veprimtarët e saj gëzonin respekt në popull. Ky respekt dhe sakrifica e popullit duhej respektuar. Avdiu e gëzonte këtë respekt dhe e respektonte. Ai dinte t’u qasej të gjitha kategorive të njerëzve për nga kualifikimi dhe mosha. Kjo gjeturi e tij e bënte edhe më të fortë. Në fund të vitit 1988, për të shpëtuar pozitat e veta, kreu politikë e organizoi popullin me marshin e dëgjuar për në Prishtinë. Qe ky një moment euforik për popullin e një lojë politike nga krerët politikë. Avdiun nuk e zunë të pa përgatitur. I zbërtheu qëllimet e tyre dhe së bashku me shokët veprimtarë u gjend në mes të popullit. Gjithë potencialin mendor dhe fizik e vuri në shërbim të orientimit të mirëfilltë të protestuesve, duke ua shpjeguar masës lojën që është duke u bërë dhe ç’duhet të bëjnë në këto momente. Po ata pushtetarë që ishin munduar të pozicionoheshin nëpërmjet popullit, që deri në ato momente e persekutuan, kur panë se masa po orientohej tek kërkesat reale, që ishin artikuluar në format e ndryshme dhe në procese gjyqësore, me të cilat mburreshin pushtetarët kosovar, se po çrrënjosin “ separatizmin“ shqiptar, filluan t’i bënin thirrje popullit për t’u kthyer në shtëpitë e veta ose, nëse nuk përfillej kjo, atëherë do të ndërmerreshin masa. Këto masa diheshin. Autoriteti i Avdiut në Lypjan po rritej edhe më tepër, sepse ato që kishte propaganduar deri atëherë, tashmë po merrnin vulën e verifikimit. Kjo u pa edhe në varrimin e një protestuesi në shkurt të vitit 1990, ku Avdiu bëri pajtimin e parë, në emër të gjakut të dëshmorëve. Vetëm një njeri i madh si Avdiu ka mundur të bëjë një punë të tillë dhe në emër të një gjëje të shenjtë. Kushtrimit për pajtim gjaqesh, iu përgjigj me devotshmëri dhe elan. Korrte suksese të njëpasnjëshme, jo vetëm në terrenin e tij, po u ndihmonte edhe shtimjanëve. Edhe në këtë aktivitet ishim të lidhur, për shkak të lëvizjeve të familjeve që kishin rënë në gjak. Edhe aty nuk mungonte propaganda politike dhe zgjidhja e fatit të kombit në rrethana të reja.

Kur një grup shokësh arritëm në përfundimin se nga politika e qëndrimit kot, nuk mund të gëzonim frytet e lirisë, krijuam “Frontin e Rezistencës dhe të Bashkimit Kombëtar“. Mora edhe mendimin e Avdiut, kur ishte një natë te unë. Gati tërë natën qëndruam zgjuar, duke e shoshitur çështjen dhe në fund u pajtua për një organizim të tillë. Kjo ishte mjaft me peshë për mua, se mendimet e tij ishin të pjekura dhe ma forcuan bindjen të vazhdoja edhe më me ngulm.

Literatura ishte një nga prioritetet për përgatitjen e të rinjve. Avdiu ishte hulumtues i mirë dhe vlerësues i zoti i literaturës. Me tërë energjinë luftonte pseudovlerat dhe pseudoshkencën, sidomos shundin. Ai këtë e bënte me durim të madh, duke ua mbushur mendjen bashkëbiseduesve. Edhe pse kimist me profesion, shkencat shoqërore i njihte mirë, sidomos historinë kombëtare.

Ne të porsaliruarit nga burgu, në Therandë (ish- Suharekë) patëm krijuar një ambient të përshtatshëm, qoftë për ndenjë, qoftë për të lëvizur. Ky ambient i krijuar, Avdiut i pëlqeu dhe ndoshta kjo qe arsyeja pse ai nuk përtonte të vinte më shpesh tek unë. Iu dha mundësia të njihej edhe me veprimtarë tjerë nga Theranda, prej të cilëve respektohej shumë.

Kur dola përsëri nga burgu, në pjesën e dytë të qershorit 1994, erdhi të më vizitonte. Nuk më kujtohet se cili muaj ishte, por atë natë ra një shi i madh dhe të nesërmen u bënë vërshime të mëdha, më të mëdhatë pas vitit 1979, ishte i lodhur, këte e kishte pasur nga keqësimi i shëndetit, por unë nuk e dija. Rreth orës një pas mesnatës ramë për të marrë një sy gjumë. Mua më kishte ikur gjumi dhe nga droja e rrebeshit të shiut (tek ne, kur fryheshin lumenjtë, na hynte uji edhe në oborr), nuk fjeta tërë natën. Uji erdhi pothuaj te pragu i shtëpisë, edhe pse lumin e kemi afro një kilometër larg. Pavarësisht nga bubullima, rrufeja, rrebeshi i shiut dhe ushtima e ujërave që kishin vërshuar gjithandej, Avdiu bëri gjumë të qetë. Kur u zgjua të nesërmen, u habit që nuk kishte dëgjuar asgjë. Pasi hëngrëm mëngjesin, derisa po pinim çaj, më tha:

– Tek ti vij jo vetëm për të këmbyer mendime, jo vetëm për të bashkëvepruar, por vij edhe për të pushuar.

Unë mendova se ma bënte qejfin, dhe për herë të parë pata një dyshim tek ai. E kuptoi dhe e përsëriti edhe një herë, duke shtuar:

– Përnjëmend e kam. Këtë e ke vrejtur edhe mbrëmë. Ju në Suharekë keni krijuar ambient të fort, të favorshëm për të vepruar, të lidhur njëri me tjetrin dhe as që doni t’ia ndieni për okupatorin.

Pak para se të vdiste, pata marrë vesh se në çfarë gjendje shëndeti paskësh qenë. Kurrë nuk ka treguar dhe është munduar ta mundë sëmundjen. Në takimin e fundit, në shtëpinë e tij, kur mësova për këtë, e këshillova të pushonte një kohë. M’u përgjigj:

– Në kushte robërie nuk ka kohë për pushim, duhet të punojmë.

Më vonë kjo përgjigje më është dukur edhe porosia e fundit e tij për mua dhe për shokët e tjerë.

Edhe pse mbanim tastiere të partive të ndryshme, me krijimin e pluralizmit, neve na bashkonte qëllimi i përbashkët në ilegale dhe bashkëpunimin nuk e ndërpremë as gjatë viteve të nëntëdhjeta.

Prishtinë, 2002

Fragment nga libri “Të merituarit hyjnë në histori”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu