Në Maqedoni e Serbi besimi tek ushtria, në Shqipëri e Kosovë tek ndërkombëtarët

0
369

Ushtria

Në cilët institucione kanë besim më të madh qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në një hulumtim rajonal të zhvilluar nga disa institucione joqeveritare për hulumtimin e opinionit publik publikohet besimi i qytetarëve ndaj institucioneve ushtarake, shtetërore dhe ndërkombëtare.

Hulumtimi i tillë është realizuar në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Në Maqedoni projekti është realizuar nga Qendra për Hulumtim dhe krijim të politikave (QHKP), e cila ka publikuar edhe rezultatet e hulumtimit dhe se kujt i besojnë më shumë qytetarët.

Sipas rezultateve, institucionet me besueshmëri më të madhe në Maqedoni, por edhe në Serbi janë tek ushtria apo armata e vendit, me ç`rast për këtë janë deklaruar 71.5% e të anketuarve në Maqedoni dhe 69% e  të anketuarëve në Serbi.

Por në Shqipëri dhe Kosovë ndodhë e kundërta dhe se qytetarët e tyre kanë besim më të madh tek institucionet ndërkombëtare.

Në Shqipëri besimi më i madh është shprehur tek NATO, edhe ate 71% e të anketuarëve, ndërsa në Kosovë tek KFOR, ku janë deklaruar 67% e të anketuarve. Në Shqipëri, ushtria shtetërore rradhitet e treta sipas besimit të qytetarëve (44%).

Në Mal të Zi, ushtria gjithashtu radhitet në vendin e katërt për nga besueshmëria, ndërsa besimi më i madh në këtë vend është tek sistemi shëndetësor – 60,3 % . Një shifër kontradiktore dhe që sjellë habi është besimi tek Kisha ortodokse serbe ku janë deklaruar 55 % e të anketuarve.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë ushtria radhitet si institucioni i dytë sipas besueshmërisë së qytetarëve (62%) përderisa më së shumti besohet në punën e ndërmarrjeve publike komunale (63.1%).

Gjergji Vurmo nga IDM në Shqipëri thekson se besimin e lartë në NATO e shpjegon me perceptimin publik se institucionet shtetërore janë të korruptuara dhe si pasojë qytetarët e drejtojnë besimin e tyre nga institucionet ndërkombëtare.

Qëndresa Sulejmani nga CRPM konsideron se në Maqedoni ushtria është e distancuar nga çështjet publike dhe nga ajo nuk dëgjojmë për skandale të mëdha, andaj dhe qytetarët nuk kanë arsye të mos i besojnë.

Irina Rizmal nga CEAS Serbi pohon se ushtria në Serbi tradicionalisht ka pasur besueshmëri të lartë dhe nuk është prekur nga krimet e luftës që shpesh lidhen me të, meqë ushtria shikohet si institucioni që i mbron qytetarët.

Sa u përket subjekteve me besueshmëri më të ulët, në katër nga gjashtë shtetet, partitë politike janë në fundin e tabelës. Besueshmëri të vogël kanë dhe gjykatat dhe kuvendet shtetërore. Hulumtimi i mendimit publik u realizua në kornizat e projektit “Avokatura për qeverisje të hapur” i financuar nga Bashkimi Evropian i cili implementohet në gjashtë shtete të rajonit. Ky projekt u realizua nga mesi i vitit të kaluar.(INA)

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu