Negociatat sekrete Prishtinë-Beograd

0
171

Një dokument diplomatik perëndimor nga Beogradi i shkruar me gjuhë të përafërt me atë të kabllogrameve amerikane, verifikon mossinqeritetin e shteteve të Quintit që një kohë të gjatë kanë kërkuar nga Prishtina dialog vetëm me “qytetarin e veriut” të Kosovës.

Dokumenti që daton nga koha kur pushtetin në Serbi e kishte Boris Tadiq, flet për dëshirën e pranuar të Beogradit për negociata sekrete me Prishtinën, krahas dialogut teknik. Përgjatë këtyre negociatave, përmes një vendimi administrativ do krijohej territori i veçantë i quajtur “Veriu i Kosovës”.

Ndonëse nuk përdoret askund termi autonomi për veriun, një prej pikave thotë: “Të drejta të zgjeruara dhe status për serbët që jetojnë në komunat e veriut të Kosovës, ku serbët përbëjnë shumicën, duke e krijuar (përmes një vendimi administrativ) një rajon të vetëm të quajtur Veriu i Kosovës, me të drejta të veçanta të përfaqësimit”.

Javën e kaluar “Zëri” ka raportuar për një lobim të fuqishëm që Beogradi po e bën te amerikanët, gjermanët dhe britanikët duke kërkuar të drejtën për serbët e veriut të Kosovës që përmes zgjedhjeve të kenë parlamentin e tyre me të drejta ekzekutive.

Që të gjitha këto dhe shumë kërkesa të tjera, dokumenti i siguruar nga “Zëri” thotë se janë planifikuar që të arrihen para zgjedhjeve të prillit të mbajtura në Serbi, përmes “diskutimeve diskrete” .

Ish- diplomati amerikan, Daniel Serwer, para pak ditësh i ka thënë gazetës se ai ka indikacione që marrëveshjet do të arrihen para se palët të takohen publikisht. Sipas Serwer, takimi i liderëve apo palëve në përgjithësi do ketë rëndësi për simbolikën që përfaqëson ai shtrëngim i duarve, por jo për të arritur marrëveshjet.

Dokumenti, që sipas informacioneve të gazetës ka rrjedhur tashmë nga diplomacia perëndimore në Beograd te zyrat e qeverisë në Prishtinë, thotë saktësisht kështu:

“Paralelisht dhe ndaras nga dialogu aktual i lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, Beogradi do të ishte i gatshëm që të shqyrtonte mundësinë e diskutimeve diskrete për një zgjidhje të përgjithshme të marrëdhënieve me Prishtinën dhe të cilat do të fillonin menjëherë dhe potencialisht do të përfundonin në pranverë të vitit 2012”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu